ARKIVI:
25 Prill 2026

Poezi të librit më të ri të Fejzë Demirit

Shkrime relevante

Fjalimi i Profesorit Rexhep Qosja në takimin e shkrimtarëve në Novi Sad, viti 1985

Dy fytyrësia e politikës Po ju drejtohem në gjuhën serbe që të...

Midis përgjegjësisë dhe kalkulimit: Testi i madh i politikës në Kosovë

Prof. Dr. Sadri Ramabaja, Prishtinë Oferta e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për opozitën përfaqëson...

Majmuni dhe Zajednica

Rafuna Mevi, Londër Hallet dhe strandardi i ulët i jetës i bëjnë...

Politikanët e rastit dhe jeta e tyre përtej politikës…!

Afrim Caka, Gjakovë Shkruar me 25 prill 2018 · POLITIKANËT E RASTIT JETOJNË PREJ POLITIKËS... Politika...

Poezi të librit më të ri të Fejzë Demirit

Fejzë Demiri Poezi Titulli i librit - Kam menduar këta tituj : Jetë...

Shpërndaj

Fejzë Demiri

Poezi

Titulli i librit – Kam menduar këta tituj :

  1. Jetë ngrehaluce
  2. Për shpirtin tim asgjë tamam
  3. Jetë onomatopeike
  4. Fyell pa vrima
  5. Në zemër mbaj një gur

Për shpirtin tim asgjë tamam

Pi ujë të ndotur

Oksid karboni thith

Rropos murin e themeltë

 

Për shpirtin tim

asgjë tamam

E kaloj kohën marramenthi

Buzë xingonës

 

Në zemër mbaj një gur

Një thes me gur mbaj mbi shpinë

Përplasem lumenjëve, deteve  pyellit

Murmurimë e nëndheshme

 

Kohë

 

Edhe kur nga mjerimi do të na pllakos dhimbja

Ne do të sfilitemi, në terratisje qielli do ta lëvizim gurin qindravjeçarë

Përreth teje kohë nuk do të lëmë të mbin bar, drizë, murishtë

Në drurin e murriztë do t’i gjakosim duart, vetëm ti të hapërosh tutje

Të mos jetosh me gjysmëfrymë

 

Në terr të natës do të zgjohemi

Të mos lëmë as vrimë urithi të na gërmon dheun

Me bollëk do të kemi

Bahçja edhe në dimër do luloj

 

Dielli dritëdhënës do na zhduk njëherë e përgjithmonë mugëtirën, mjegullnajën

Qielli nuk do të jetë më i errët dhe i mbuluar me re

Do të kemi dritë, dritësim e dritëjetë

 

Më merr malli

 

Më merr malli për blirin erëkëndshëm rreth shtëpisë

Qetas sodis bukuri, mallëngjim e kërshëri vendlindjeje

Nemitem kur shoh zogjtë krahmprehtë që fluturojnë me aq zhdërvjelltësi

 

Mahnitem nga kënga e tyre, nga zëri i hollë

Cicërimat e tyre sjellin gjallim, bleron livadhi

Aguliçet do na sjellin pranverën

 

Më merr malli për bukën e pjekur me miell drithi

Për mikpritjen shqiptare me bukë, kripë e zemër

Sa shumë e dua gjuhën e gjakut tim

Trimërinë, fisnikërinë e bujarinë shqiptare

Në gur mulliri e ruajtën fjalshqipen, bujarinë, besnikërinë e traditën.

Loti

 

Sa rrëpishëm pikon loti

Të zhytur thellë të bën si qenie

Edhe zemrës i vjen gjynah për lotin

Ashtu si lotit që i vjen për zemrën

Qirinj për dritë

 

Sa qirinj janë ndezur

Për të larguar këtë terr

Ama nuk e kam ditur që terri shuaka të gjithë qirinjtë

 

Jeta

 

Si një taketuke cigareje

Para saj shkunden shpirtrat

Në gjumin e përjetshëm

 

Porta e zemrës

 

Kurdo që e ndien veten të vetmuar

Mund të hapësh portën e zemrës sime

Aty ende ka vend për hyrjedaljet

Isha

 

Isha shekull

U bëra dekadë

Vit

Muaj

Javë

Por, më së tepërmi, po më merr malli për një cast

Lot i shiut

 

Isha lot i shiut

Shiu u bë lumë

E lumi det

Po aty

Ku unë ruaj kujtimet

 

Kostum  kohe

 

Edhe atëherë kur t’i kem të gjitha

Njeri i harlisur në pasuri

Do të doja të vishja kostumin tënd kohë

A ka diçka më të shtrenjtë se ti?!

Pse jeta ime

 

Pse jeta ime ma prish qetësinë, tundohem

Kur unë gjej paqe me rrënjët e barit, me puhizën mëngjesore

Nuk ia këpus as edhe një gem kohës që sumbullon

Lumit të vrullshëm nuk ia ndala burimin

Edhe atëherë kur dëgjoheshin rrëkëllima gurësh, gërvima

 

Në mugëtirën e natës përherë me llaptimë dritash

Ende pa feksur mirë grumbulluam hedhurinat për plehërishtë

Ia kishin zënë frymën TokësDheutAtdheut

Lule alle mbollëm, luledielli, lavanda  balsam që lule pranvere ta bëjmë

Në tejkohë e mbikohë

Duke ecur nëpër çufrajë

Papandehur qen të egërsuar

U sulen drejt meje

I qetë si toka isha, nuk i gjuajta me gur, as nuk lëshova klithmë

Bëmë paqe lëndimthi

Duke u ngjitur nëpër rrëmore mali

U rrëzova hundebuzë, gjunjtë e gjakosur

Në duar ferrecka

U ngrita sërish, nuk ia mora inat plagës sime

As pështymë nuk nxjerra nga goja

Rëndësi qenka të ecësh tutje, të mos ndalesh

Kur ecja jote ka vlerë

Jetë ngrehaluce

 

Pse jeta ime më sjell shira të rrëmbyeshëm

Andralla, kapitje

Ti e di sa kam gjakim për diellin, dritën e diturinë

Ngaditë gjakoj që të mos ndalet drita në kullë, fyelli i bariut

Të mos shterojnë krojet

Pse jeta ime më zorit që fjalën ta them pa e peshuar

Njeri i dalldisur

Bëzhdila hoqa sa munda, nuk e mbyta gjarprin, krimbin

As fole grerëzash nuk prisha

 

Pa i rënë në fund bukëndores

Nuk e kisha zakon ta lë sofrën

Në shastisje kohe e desha artin, të bukurën

Me një kafe espresso zhytesha në oqeanin e thellë të mendimit

(Hapësirë  e  pafundme)

 

E ti jeta ime më fajëson

Që nuk bëra më tepër, që kotësitë e stërkalat e kohës nuk arrita t’i ndal

Pse jeta ime kërkon gjëra që nuk mund  t’i  bëj

Nuk kam as forcë t’i ndryshoj

Nëse skamnorit në rrugë vetëm të t’ia fshij lotët kam arritur

Të lutem mos më fajëso, jashtë lëkure nuk mund të dal

Çdo ditë e lind një agim tjetër

 

Koha po ikën aq turravrap

Dhe kujtimet janë pjesë e memorizuar që mbeten

Edhe kur bota mendon se ka rënë mbi ty

Çdo ditë e lind një agim tjetër

Në amigdalë dhe hipokampus

Do i ruaj kujtime e mbresa

Nga aty burojnë amplitudat e shpirtit

Shi e lot

 

E pllakosi natën heshtja

Mbi laps e letër gjumi më mori

Shi curril mbi xham kristali

Papandehur ankth më solli

 

Regëtimat e zemrës sime

Me të dridhura pa pushim

Çurg djersësh isha bërë

Shiu e loti rridhnin pa pushim

Kandil dritëmekët

 

Me një kandil dritëmekët

Kam mbetur

Se çka kisha u venit u shua

Tani më për asgjë s’kam dëshirë

U terratis çka ishte e shenjtë për mua

Gjakimi im si ëndërrimtarë

U plandos qëmoti me natën

Ndaj në gërmadhat e shpirtit tim ende digjen e tymojnë zjarret

U bezdisa nga shumë gjëra

Jetën se kisha menduar çakaçukthi

Vrapo, se të çapuan!

Të pres

 

Nëse një ditë do të vish shkujdesur

Me hapat e padukshëm të kohës regëtimë

Bashkë, do të ngarendim të magjepsur

Drejt vendit ku i çmenduri mund çmendurinë

Në agullimë

 

Pa feksur mirë drita

Në agullimë do të dal

Do e kem me vete lapsin

Dhe fletën e bardhë

Nga dielli i mëngjesit

Do e marr frymëzimin

Habitshëm shikoj natyrën se si gëlon nga blerimi

Buzëqeshja e fëmijëve duke lozur

Penës sime i jep shkas

Çiltëria e sinqeriteti i tyre

Mbuloftë  botën mbarë

Sa pak lule

E di që një ditë gjakimin tim

Do e vërvit era

Posi një leckë të hedhur në baltë

Sa pak lule na jep o jetë

Më shumë ferra, murishtë e baltë

Këpucët e dëshprimit

Kur t’i mbathësh këpucët e dëshprimit

Hapat do jenë ndryshe

Pa trokëllimë, pa zhurmë

Dritëhijet do e mbulojnë qytetin

Asgjë nuk pipëtin, asgjë nuk krijon zhurmë

Buzë detit me valë

Me ëndërrën do takohemi sërish

Të kaluarës do i flasim pa fjalë

Si dy futuristë të magjepsur do ngarendim

Buzë detit me valë

Vitet e mia

E di që një ditë do vjetërsohem

Do katandisem nga pleqëria

Shtëllunga tymi diku në re

Ikën dhe vitet e mia

Kam parë njerëz që luftojnë dritën

Për habi errësirën duan më shumë

Kam parë edhe të tjerë njerëz

Llamburitës  e dritëshumë

Krijimi nuk ndalon

Krijimi nuk ndalon kurrë

Ndodh çdo orë e çdo çast

Jeta ecën pa pushim

Edhe kur ne ngelim pas

 

Shihni pemën në majë të gurit

Si gjethon pa përtim

Atë përplot e gjuajnë me gur

Po ajo sjell pafund gjallim

 

Trumcaku

 

Duke shëtitur buzë liqenit

Seç dihaste një trumcak

Çirrma zëri lemerishëm

Uturonin tri milje larg

 

U plandos përdhe trumcaku

Kupa e qiellit seç u nxi

Qau dhe pylli me ngashërim

Pika shiu në zymtësi

I drobitur

I drobitur ju afrova detit

Bashkë me të halle të qaja

Deti prerazi ma ktheu

Shqetësimin tënd se llufit vala

 

Natë kapitëse

 

Seç mu duk kjo natë kapitëse

Iu ir zemra edhe motit

Kam parë përherë shiun kur bie

Por jo shi me pika loti

Lektisje

 

E di që një ditë do lektisem

Do kem mall për gjethin vjeshtarak

Do i kujtoj fotografitë me ftoj e misër

Ku si të vegjël lumturoheshim pa shkak

Rini

 

Po, e vërtet një ditë do plakem

Fytyrërrudhur e pa fuqi

Do sodis bletën nëpër lule

Sa më mungon oj rini

 

Dikur edhe dielli do e zbeh dritën

Ç’rëndësi ka në është vapë  a  acar

 

Buzë Drini

 

Do e marr nipin kaliboç

Të shëtisim buzë drini

Do zëmë peshk në fresk pranvere

Në amësim trëndafili

Lolitë e botës

 

Hutimthi kemi ngecur

Në kthetrat e kohës humbëtirë

Të mbufatur nga lolitë e botës

Presim, të bëhet më mirë

 

Jetë ngrehaluce

 

Seç i purtekeshin degët jetës

Aty afër isha, përbri

Mora fyellin me doçkë dhe një qiri

Sakaq rrëmbimthi jetës t’i dal në ndihmë

Mirëpo jeta ngrehaluce më rrëkëlleu përtokë  pafrymë

 

Onomatopeik

 

Befasisht kohëve të fundit

Çdo notë e luajtur në piano

Onomatopeik

Ku mbetën nota re, notë e plotë

Notë katërshe

(tetëshe)

Nota optimiste

Apo ia kanë mbathur me të katrat

 

Lajm i ankthshëm

 

Nga shtypi doli lajmi

Për një vend të quajtur përroi i keq

Dikush paska vrarë një mizë

Thonë ka mëkatuar si mos më keq

 

E dëgjova latinin plak

Tek ngrente një dolli

Tha do duhej dënohej me varje

Ky shpirtkëllirë, faqezi

 

Në të njëjtin vend, po ca muaj më pas

Dikush tjetër kish mbytur

Gjitarin elefant

Sakaq u trullosa ankthshëm

Dhe plot habi

Ai që mbyti pabesisht elefantin

Sot jeton në liri

 

Kohë e mugët

 

Dua të di ku i ka rrënjët dhimbja

Pse rri aq thellë e strukur në mua

Pse ma sjell kohën e mugët

Kur unë diellin më shumë dua

Mbase ka kaluar tejet kohë

Dhe dhimbja në trajtë spirale rrënjë ka lëshuar

Unë do i them se kot ma sjell vranësirën për darkë

Se unë diellin më shumë  dua

 

Shpleksa faqet e thikta të jetës

Ç’të shoh erë temjani, skëterrshëm

Qetim i ankthshëm

Në pyjet hijedendura dola të çlodhem pak

Ti iki paksa zhurmëmërzisë

Për dreq, një mace e zezë

Piskamëfshehur

Qe strukë mbi lis

Macja me mjaullitje, unë me sëndisje

Macja me mjaullitje, unë me sëndisje

Macja me mjaullitje, unë me sëndisje

Dhe kështu vazhdoi pa pushim

Si nuk gjeta askund qetim

 

Vrasja e trumcakut

 

Në gëmushat hithërore seç ish strukur një trumcak

Myshk, gjethe, degë e lule

Trumcaku mbarte orë e çast

 

Më rastisi një të shtunë

Ca minuta larg shtëpisë

Fuqi zëri e trumcakut

Natyrës pamjen ia kish ndrit

 

Edhe diellin buzëpaqeshur

Lumturisht e lumturoi në çast

Brohoritje e admirim

Për trumcakun zellmadh

 

Seç u ktheva një natë të vonë

Klithje tmerri gjithë lebeti

Papandehurazi për dreq më erdhi

Kanë vrarë trumcakun në pabesi

 

Sakaq vdekja e trumcakut më sfiliti

Me zemër të sfilitur pashë dhe motin

Curril shiu pa pushim

Curril rridhte edhe loti

 

Sa herë të ndjej mall

Dhe zemra ime të ketë mërzi

Do qaj me lot trumcakun

Kujtueshëm në fotografi

 

 

Mot zemërbrishtë

 

Dyndet deti nga dallgët

Gjaku në trup seç rrymon

Si ngjan nata-natës

Mot zemërbrishtë  zymtëson

Pemë e gremisur

 

U çapëlua në mes pema

U gremis matanë në përrua

Nga lëngatë e stërmundimshme

Dalngadalë seç u shua

Shndërrimi i përrallave në mit po merr fund

Arti hermetikisht do ta mbyll derën

Gjakim për ëndërrën

 

Ndodh shpesh ta ritakosh veten

Në këtë botë të çakërdisur

I mbledhur kruspull me plot ëndrra

Që botës sime ia kanë mbytur

Drithërimë

 

Ike në të panjohurën rrugë

Me hapat që tashmë janë fshehur

Shpresëhumbur u bëre për mua

Ti drithërimë e shpirtit të etur

 

Miku im

 

Kur nata eklipsoj dritat

Dhe qielli yjendezur fle gjumë

Ti miku im nuk u sëkëlldise

Diellin dritëdhënës prite në turmë

Dritë e verbër

 

Nuk është errësira

Që nuk më la për të parë

Është drita ajo

Që m’i verboi sytë.

Ëndërr e venitur

 

Teksa jashtë një ditë do të dalësh

Në dritë të praruar duke shëtitur

Ëndrrat do t’i  kërkosh, por nuk do t’i gjesh

Se edhe ato tashmë janë venitur

Në këtë natë

 

Në këtë natë të acartë

Ku ftohti ka mpirë gjakun

Dëshiroj të jesh ti

Ti zjarri im

Që shkrin këtë acar

 

I përjetshëm

Unë hija jote

 

Do të jesh me kohën

 

Të kaluarën e harrova kur të pashë

Rrugëtuam në të sotmen

Edhe kur do të vij e nesërmja

Ti prapë do të jesh me kohën

Fërkem pa gjurmë

 

Do të kalojnë muaj e vite

Do të ndërrojnë edhe stinët

Gjithçka një ditë do të jetë ndryshe

Nuk do të shkelim më në ato kohra

Hapat që i bëmë edhe gjurmët kanë filluar t’i zhdukin

Pa fjalë

 

Do të takohemi sërish

Netëve nuk do t’u besojmë si më parë

Mërzinë do ta ngulfasim në shishe

E kohës le t’i kthehemi pa fjalë

Kërkim i pafund

 

Unë prapë do të vazhdoj

Tëndin kërkim të pafund

Edhe pse koha shpeshherë më tradhtoi

Një ditë ajo do të shpie tek unë

Kujtimet jetësore

 

Në vazhdimësi

Shpalosen kujtimet jetësore

Të paharruara mbeten

Fletë pas flete në kronologji

Përjetësohen në ekranin e mbamendjes

Plagomë e fshehtë

 

Fytyra jote e sinqertë vogëlush

Flet më shumë se fjalët

Që  i thua ti

Në sytë tu jetëdhënës shoh një plagomë

Të thellë e të fshehtë

E di, njëmend e di, lum vogëlushi

Që me fjalë nuk shprehesh edhe aq

Gjërat që nuk thuhen i kupton më së miri heshtja

 

Biri im

 

Ji këmbëngulës të dish jo deri ku shohin sytë e tu

Por aty ku syri yt nuk sheh dot

Antimateria është përtej syve tu, bir

Klithmë

 

Edhe pak e dimri siberian s’do të duket

 

Mjaft kemi klithur buzë xingonës

 

Kohëngrehaluce  a  përfundoj

 

Marramenthi

 

Lakuriq  në  lëndishtë

Me akrepin e zi në dorë ngarend

 

Vajtjeardhje  marramenthi

Kam ngut

Por assesi ta zë dritën

Ëndërr e paarritshme

 

Nëse, qoftë…

Edhe një herë të vetme

Të paraqitem në ëndërr

 

Edhe ëndrrën zgjoje

Nga gjumi!

 

Sa për çudi

 

Sa për çudi është jeta

Vera më solli të ftohtin

Loti e ndali dhe shiun

Shiu largoi dëborën

E zemrën e ngrirë

S’e  shkriu

Fyell pa vrima

 

Një dele e zezë

pret e pret

me vjet

t’i  bashkohet kopesë

 

fyelli i bariut

pa vrima

 

Vrimë e zezë

 

I paloi krahët trumcaku i kafenjtë

Te koka vuri lulekashtë

Gjumë i përjetshëm e kishte zënë

Në xhuxhë të bardhë  a yje neutroni

 

Kohëxingonë

 

Si  plakë  hutërrojë  kemi ngecur

Në mes tehmprehtë thikash

E lolitë e botës po na kapërdinë

Gjithë çfarë kemi

Ka ardhur momenti ta ndezim llambën në kullë

A jetohet marramenthi buzë xingonës?!

 

Univers – Antiunivers

 

Antiuniversi sot

Bën luftë të egër me universin

 

Yjeve kërkon t’ua marr energjinë

I sulmon dinakërisht galaksitë, planetet …

Triliona vite nuk ka pasur përplasje më të mëdha

Në mes materies – antimateries

 

Grimcat vështirë të mbijetojnë nga antigrimcat

Në këtë kozmos – kozmetikë …

Lakmi e kozmetikë

 

Na ke nxjerrur mijra herë

Cipërdoncullak

Para syve  të  botës

E mbushur zbrazësi, kotësi…

 

Ti na shet mend

E ne zotat grindemi pas teje

Thepisemi

 

E prapë ngarendim drejt

Kashelasheve tua

Smirë (zi)

 

E keni parë shiun

Sa zili ka për diellin

 

Me vjet e përbuz e godet

E dielli si dielli

Dhuron dritë, ngrohtësi

E asnjëherë nuk flet

Nanë

 

Më ka marr malli nanë

Të loz buzë ujërave kur qe fëmijë

Ta puth tokën me baltë

Nën hijen e dardhës të gjej qetësi

 

Kam mall nana ime

Për erëmirë luleblini

Për fresk pranvere

Në amësim trëndafili

 

Ti mbase nuk e di

Mall kam edhe për gjethin vjeshtarak

Për zë bilbili

Për trumcakun zellmadh

 

Dua t’ia shoh llambës dritën

Ditës agimin

Çiltërinë, buzëqeshjen nanë

Kur pranveron gjallimi

 

Në sytë e fëmijëve nanë

Nuk dua ta shoh lotin

Përmallimin

Dua të ketë diell

Nana ime

Për këtë e kam gjakimin

 

Dritë e fikur

 

S’kam ç’të  bëj  do i buzëqesh edhe shiut

S’ka më rëndësi që është mot i vranët

Betejën e kam humbur qëmoti me errësirën

Ku edhe në kullë dritat m’i ndalën

 

Fillikat

 

Me vjet kam gjuajtur detin me gur

Drinit not fund e krye i kam rënë

Gurrat e Matit (buromë) i kam shter deri në pikë

Terak të thatë e kam bërë malin e tomorit, fushën e myzeqesë

Në Koman ditënatëpasosur duke zënë peshk

E prapë Fillthi –Fillikat

 

Heshtjerëndë

 

Më thanë shuaj paksa

Heshta me vjet

 

Kërkova vetëm pak buzëqeshje

Jo zgërdhirje

 

Një frëngji dritë, ju lutem

Për shpirtin tim

Seç u kall etjeje …

 

Vogëlushi im

 

Në kohët rrebemira

E kalon detin në këmbë

 

Në dhiare të ngushta e ke vështirë

Aty nuk shkohet pa vravashkë dritëndezëse

Vogëlushi im

Në rrugën që ke nisur do rropatesh, përpëlitesh

Shtegu do të jetë i ngushtë, udha do të jetë e panjohur

Ndoshta e parrahur më parë

 

Duke ecur në faqet e thikta të malit

Do të shohësh që vazhdimisht shtegu për të ecur po tkurret

Sakaq sfilitjet e terratisjet do bëhen më të mëdha

Vogëlushi im, në të gjitha anët përqark teje do shohësh

Humnera të mëdha, shembëtira …

Gjatë ecjes tënde

Edhe toka e qielli do lëshojnë buçimë, uturima…

Por ti mos u ndal asnjëherë, vogëlush

Mos pusho së ecuri

Deri kur

Nuk ta kam përplasur

Asnjëherë derën furtunë

 

Për be nuk të kam mallkuar

Edhe kur më ke flak përjashta

Me teshë e koteshë

 

Bukën në fyt ma ke zënë

E unë dhëmbët i kam thyer

Duke rendur pas tekeve tua

 

Vajin ma ke ndaluar në buzë

Buzëqeshjen ma ke lënë përgjysmë (deri kur)

 

Në surrat ma ke përplasur

Librin e Markezit (shkrimtar i madh)

Deri kur unë palmuç

(Si maca ndër sofër)

E ti vetëm sipas tekeve tua

 

Për ty

 

Për ty

Do t’i fikja të gjitha dritat

E do të qëndroja në errësirë

Do të fikja edhe qiriun e fundit, flakëndezur

Shpirtrash

Se më as drita s’do të ketë kuptim pa ty

Qielli im i yjëzuar

 

Kur të pashë ty yjësi

U mbusha me yje

Yjëzuakan dritat

Në këtë yjëzim dritërrezatues

Yjëzon, ti qielli im i yjëzuar.

Shushunjë e zezë

 

Ti më kërkon

T’i thur ditirambe

Shushunjës së zezë

 

Më zorit ta puthë

Atë që gjakun piu

 

Me vjet …

Merimangë e zezë na end mbi krye

Eh më ….…….

E ne çfarë bëjmë

 

Gjarpër i zi

 

Njëqind vjet luftë

Me gjarpërin e zi

 

E ai prapë nuk ndalon

Së pushuari

 

Na gërryen dheun para këmbëve

Në shpirt në ëndërr

Nuk na le të qetë

 

 

Deri kur çakërdisje

Neurozë

Metastazë e shekullit

Verë e llahtarshme

 

Në dhomën 312

Vera nuk ishte si më parë

Nata murmuriste

Në mur akrepat e orës

Rrëmujshëm  lëviznin

Kamarieri zuri në thua

U përplas…

U thyen tri pjata gjelle

Tre filxhanë kafeje

Nga banaku ra një vazo e qelqtë

U bë copë e grimë

Ishte verë e llahtarshme

Guvë mitike

 

Ditënatë pareshtur

Kërkoj

Guvën mitike

 

Të ftohtët siberian

Këlthet në kullë

 

Vera dimëron

E unë prapë

Kërkoj….

Guvën mitike

Rilindje

 

Mbjell dritë në errësirë

Mbjell lule në pleh

Në tokë të çelin filiza të ri

Shëmtitë e së kaluarës

Erë e parë t’i zë

Perde e verbër

 

M’u errën sytë

Nga perde e verbër

 

Në majë të pemës

Klithja ime gjakon me vjet

 

E di që ju kam shkuar në nerva

O miq

 

Dhimbë e ime kacavaret

Deri në zenit

 

Kohabishë

 

Bisha

Nuk e ka parë vetën

Asnjëherë në pasqyrë

 

Po njeriu

Më thoni

Pse kohën vret ?!

Lëmshi hënor

Në natën hënëplotë

Lidha qenin përbri shtëpisë

 

Tufë ujqërish të dalldisur

Me rrëmbim desh na shqyen

 

Sapo i ikëm zallahisë

Lëmshi hënor ndaloi dritat

 

Sa të pafat që jemi  oj

Kurrsesi të dalim në breg

Shpirt i dalldisur

 

Me vjet kam gjuajtur dritën

Nuk kam lënë livadh pa kositur

Grurin në arë e kam shkul me rrënjë

Pyellin

Në shtëpi blirin e fundit e kam prerë

Kam luhatur murin

 

Me ëndrrën jam përgjakur

Kushedi sa herë

 

Qepe o shpirt i dalldisur

Si nuk të rri bukur asgjësend

 

Mihësit e natës

 

Mihësit e natës

Nuk flenë

Prishanik

Prisharak

 

E unë i gjori

Kot ndërtoj

Nuk lënë

Se nuk lënë

M

I

H

Ë

S

I

T

e  natës

 

Rrënjëjetë

Sa melodi ke ti o jetë

E aq pak zhytës ka

Na ndihmo ta gjejmë vetveten

Kur pikon pluhur harrimi

Le t’na bien edhe flokët

Teksa rrënjëjetës ia gjejm kuptimin

 

Verë e acartë

 

Se kam menduar

Që ariu polar

Zdirgjet

Në vapë

 

Se kam besuar

Njëmend se kam besuar

Këtë verë të acartë

Hapësirë e humbur

 

Kam humbur rrugën dikah

Nuk e di se ku gjendet shtëpia ime

Ku përroi

Livadhi, ara

Shoh hapësirë të shthurur

Boshllëk

Shembëtira, humbëtira

Rreth e përqark

Këlthet nata

E unë ende …

Në hapësirën e humbur

Marramenthi

E kam vështirë të orientohem

Të gjej shtëpinë time

Dua të kem kohë

 

Dua të kem kohë të shoh ujin

Si ecën rrjedhshmërisht

Pa vështirësi, pengesa

Në damarët e tokës të shoh

Planetë tejdiellor

Dua të kem kohë për përbetime të zjarrta

Për qetim të ri

Dua të kem kohë

 

Vetmi

 

Shpesh ndodhesh

Mes zjarresh

 

Nuk ke nga t’ia vësh

E vetmia të ther përbrenda

Gjaku përvëlon

Shpirti dënesë

 

Loti nuk e përthekon dhimbjen

Madje as i bie te gjuri

 

Në kujtesë shpërthime vullkanike

Drithërimë …

 

E ti nga t’ia vësh se di

 

Shushatje

 

Ne në vend

Se të hapim

Frëngji

 

Merremi

Me dhëmballat

E prishura

 

Nëse nuk di

Mos i bjerë veglës
Nëse nuk di të këndosh

Mos këndo
Nëse nuk di
Ti bjerësh veglës …

Jeta

Jeta
Nis e bukur
Ndesh në bariera
Dhe hidhërim
Jeta
Vazhdon
Nëpër brenga
Dhe arrin majat . . .

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu