
Nga idealet e vitit 1776 te kauzat e brezit të ri të shqiptarve në 2026
Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë kët vit 250-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, bota demokratike ka rastin të reflektojë jo vetëm mbi historinë e një kombi të madh, por edhe mbi vlerat universale që e kanë bërë Amerikën simbol të lirisë, demokracisë dhe mundësive njerëzore.
Për ne shqiptarët, ky jubile ka një domethënie të veçantë. Amerika nuk ka qenë vetëm një mike e madhe e kombit shqiptar, por edhe një frymëzim i vazhdueshëm për breza të tërë që kanë kërkuar liri, dinjitet dhe drejtësi. Nga mbështetja e Presidentit Woodrow Wilson për Shqipërinë, te roli vendimtar i Amerikës në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, historia shqiptaro-amerikane është histori besimi te idealet e lirisë.
Në këtë përvjetor të madh, vëmendja, këto ditë, natyrshëm kthehet te rinia shqiptare. Ashtu si Amerika e vitit 1776 u ndërtua mbi energjinë, guximin dhe idealizmin e një brezi që kërkoi ndryshim, edhe sot në hapësirën shqiptare po shohim një brez të ri që kërkon të dëgjohet. Protestat dhe angazhimi qytetar i të rinjve në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup janë shprehje e një vetëdijeje të re që kërkon më shumë përgjegjësi publike, më shumë meritokraci dhe më shumë mundësi për të ardhmen.
Demokracia nuk forcohet nga heshtja, por nga pjesëmarrja. Ajo nuk mbahet gjallë vetëm nga institucionet, por edhe nga qytetarët që kërkojnë nga pushtetarët llogari, transparencë dhe drejtësi. Ky është një nga mësimet më të mëdha që na jep historia 250-vjeçare e Amerikës. Natyrisht, protestat dhe pakënaqësitë nuk janë qëllim në vetvete. Ato marrin vlerë kur shndërrohen në energji pozitive për ndërtimin e një shoqërie më të mirë. Sfida e rinisë shqiptare sot nuk është vetëm të kundërshtojë atë që nuk funksionon, por edhe të ndërtojë alternativa, të marrë përgjegjësi dhe të bëhet pjesë aktive e jetës publike.
Në këtë kuptim, jubileu amerikan është më shumë se një përkujtim historik. Ai është një ftesë për reflektim edhe për shqiptarët. Ky jubile na kujton se liria, demokracia dhe përparimi nuk janë dhurata të përhershme; ato kërkojnë përkushtim, vigjilencë dhe angazhim nga çdo brez. “Liria nuk është më shumë se një gjeneratë larg zhdukjes”, ka thenë ish presidenti amerikan Ronald Reagan. Ai ka theksuar se demokracia dhe liria duhet të mbrohen aktivisht nga çdo gjeneratë.
Ronald Reagan e ka artikuluar për herë të parë këtë ide në fjalimet e tij të vitit 1961 dhe 1967, më së shumti në fjalimin e tij të inaugurimit governator I kalifotnisës në vitin 1967, ku ka deklaruar se liria është diçka e brishtë dhe nuk është më shumë se një gjeneratë larg zhdukjes. Ai ka shpjeguar se liria nuk trashëgohet automatikisht, se për të duhet luftuar dhe mbrojtur vazhdimisht nga çdo gjeneratë, sepse ata popuj që e kanë humbur lirinë, historikisht, rrallë e kanë rikthyer atë.
Në këtë 250-vjetor të Amerikës, mesazhi për të rinjtë shqiptarë është i qartë: ndryshimet më të mëdha në histori nuk i kanë sjellë politikanët e karrierës, por brezat që kanë pasur guximin të kërkojnë një të ardhme më të mirë. Protesta pa dhunë, pjesëmarrja qytetare, liria e fjalës dhe përgjegjësia publike janë shenja të një demokracie të gjallë, jo të një demokracie në krizë.

Prandaj, protestat e rinisë shqiptare sot kanë një domethënie që shkon përtej kërkesave të momentit. Ato janë një kujtesë se liria nuk trashëgohet përgjithmonë; ajo duhet mbrojtur dhe ripërtërirë nga çdo brez. Ashtu si Amerika e vitit 1776 u ndërtua mbi idealizmin dhe guximin e një brezi të ri, edhe e ardhmja e kombit shqiptar do të varet nga aftësia e rinisë për të mbrojtur demokracinë, drejtësinë dhe interesin kombëtar.
Në 250-vjetorin e Amerikës, rinia shqiptare ka arsye të shohë përtej kufijve të ditës dhe të frymëzohet nga një histori që dëshmon se idealet mund të ndryshojnë botën. Ashtu si një grup kolonësh amerikanë në vitin 1776 guxuan të ëndërronin lirinë, edhe të rinjtë shqiptarë sot kanë të drejtën dhe detyrën të ëndërrojnë një shoqëri më të drejtë, më të ndershme dhe më demokratike.
Ky është mesazhi më i bukur me rastin e 250-vjetorit amerikan: se e ardhmja u përket atyre që besojnë te liria, punojnë për të dhe nuk reshtin kurrë së kërkuari një shoqëri më të mirë për brezat që vijnë. Në fund të fundit, jubileu i 250-vjetorit të Amerikës nuk është vetëm festë e historisë së saj; ai është edhe një kujtesë se çdo brez i cilitdo popull ka detyrën dhe përgjegjësinë të shkruaj kapitullin e vet të lirisë. Për shqiptarët e sotëm, ai kapitull duket se po shkruhet nga rinia që nuk pranon heshtjen, përballë padrejtësisë.


