Lekë Mrijaj, Klinë
___
Prej më shumë se një viti, institucionet tona lokale përgjegjëse kanë deklaruar se Klina është bërë me ujë të pijshëm, ndërsa për sistemin e furnizimit sipas tyre është përuruar edhe fundërruesi, i paraqitur si një nga investimet më të rëndësishme për përmirësimin e cilësisë së ujit për qytetarët.
Megjithatë, përtej deklaratave zyrtare dhe ceremonive të përurimit, shqetësimi i qytetarëve për cilësinë e ujit që vjen nëpër rubinete vazhdon të mbetet një çështje serioze. Në shumë raste, qytetarët e Klinës kanë ngritur dyshime për pamjen, ngjyrën, erën dhe cilësinë e ujit, duke kërkuar sqarime të drejtpërdrejta nga institucionet përgjegjëse. Edhe unë, në një opinion timin të publikuar rreth një muaj e gjysmë më parë, e kam ngritur pikërisht këtë çështje, duke kërkuar përgjigje se çfarë uji po u ofrohet qytetarëve të Klinës dhe sa përputhet ai me standardet e ujit të pijshëm.
Nëse një sistem është përuruar si zgjidhje përfundimtare dhe nëse qytetarëve u është thënë se uji është i sigurt për konsum, atëherë është e arsyeshme që rezultatet të shihen edhe në jetën e përditshme. Për qytetarin, matësi më i drejtpërdrejtë nuk është komunikata institucionale, por uji që mbush gotën në shtëpinë e tij. Kjo çështje nuk mund të mbetet vetëm përgjegjësi e KRU “Hidrodrini” apo e Komunës së Klinës, por edhe e asamblistëve komunalë, pozitë e opozitë, të cilët nuk duhet të heshtin për një problem kaq të ndjeshëm dhe jetik.
Ata kanë për detyrë ta ngrenë këtë çështje, ta sensibilizojnë opinionin dhe të kërkojnë llogari institucionale për cilësinë e ujit të pijshëm. Përgjegjësia duhet të shtrihet edhe te Qeveria e Republikës së Kosovës, veçanërisht nëse investimet janë bashkëfinancuar, mbështetur apo përuruar edhe nga niveli qendror.
Qeveria, si autoritet shtetëror, duhet të kërkojë një raport të plotë për funksionimin e sistemit, cilësinë e ujit, analizat laboratorike, mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe rastet eventuale kur uji nuk i plotëson parametrat e kërkuar.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë se sa shpesh analizohen mostrat, ku merren ato, cilat janë rezultatet mikrobiologjike dhe fiziko-kimike dhe nëse cilësia është e njëjtë nga impianti deri te rubineti i konsumatorit. Në një çështje kaq të ndjeshme sa uji i pijshëm, transparenca nuk duhet të jetë zgjedhje, por detyrim. Nuk mjafton të thuhet se projekti është përfunduar; duhet të dëshmohet se ai funksionon.
Po ashtu, nuk mjafton të thuhet se uji është i pijshëm; duhet të provohet vazhdimisht se është i sigurt për konsum. Dhe nuk mjafton të bëhen analiza vetëm atëherë kur lind një reagim publik, sikurse ky i sotmi. Kontrolli duhet të jetë i rregullt, profesional, i pavarur dhe rezultatet duhet t’u bëhen të njohura qytetarëve.
Prandaj, çështja e ujit në Klinë kërkon një përgjigje të përbashkët institucionale: nga KRU “Hidrodrini”, Komuna e Klinës, asamblistët komunalë, institucionet shëndetësore kompetente dhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Nëse qyteti i Klinës është bërë me ujë të pijshëm, a është vërtet i sigurt për konsum uji që arrin sot në rubinetat e qytetarëve Këtë përgjigje qytetarët nuk duhet ta kërkojnë në fjalime e përurime, por në rezultate të dokumentuara, analiza publike dhe, mbi të gjitha, në një gotë me ujë të pastër.
Më 25 gusht 2026


