Shën Nënë Tereza, Drita që na mëson ta shohim Krishtin në Njeriun

Shkrime relevante

Islami duhet të përshtatet me vlerat tona Suedeze, myslimanët që nuk integrohen duhet të largohen nga vendi

Temsi Semi ____ Islami duhet të përshtatet me vlerat tona Suedeze Myslimanët që nuk...

Lulejta Pula i shkruan letër edhe Qeverisë së Republikës së Serbisë

Luljeta Pula, Prishtinë ____ LETËR E HAPUR QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SËRBISË ____ Nuk ia...

Letër e hapur për studentët e Serbisë nga Profesoresha Luljeta Pula

Luljeta Pula, Prishtinë ____ LETËR E HAPUR ORGANIZATËS STUDENTORE TË SËRBISË, ‘’STUDENTËT NË...

Si u përhap islamizimi në trojet shqiptare? Islamizimi dhe komunizmi – varri i Kosovës !

Reshat Sahitaj, Durrës ____ Interesat turko-iraniane, i joshën me mjete materiale disa personalitete...

Shpërndaj

Dom Fran Sopi, Zagreb  

Të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin,

Fjala e Zotit na thotë:

“Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit.” (Mt 5,14)

Sot, nga këndvështrimi im meshtarak, dëshiroj të kujtoj me ju një grua që u bë dritë për botën, një bijë të popullit shqiptar që me jetën e saj i dëshmoi njerëzimit se dashuria e krishterë nuk është vetëm fjalë, por vepër, sakrificë dhe shërbim.

Kjo grua është Shën Nënë Tereza.

Sa herë përmendet emri i saj, mendja jonë shkon te të varfrit, të sëmurët, të braktisurit dhe te të gjithë ata që ajo i përqafoi me dashurinë e Krishtit. Por për mua, si meshtar, kujtimi i saj lidhet edhe me një përvojë të veçantë personale, me një ditë që ka mbetur e gjallë në jetën dhe në shërbesën time meshtarake.

Ishte 22 tetori i vitit 1982, kur pata hirin ta prisja dhe ta përcillja Nënë Terezën nga Zllakuqani i Lugut të Drinit, për në Kishën e Shën Katarinës së Aleksandrisë në Pejë dhe më pas drejt Hanit të Elezit.

Në atë kohë isha një meshtar i ri, në Kishën “Shën Gjon Pagëzuesit” në Zllakuqan. Rinia meshtarake më jepte zell dhe entuziazëm, por ende nuk ma kishte dhënë përvojën e viteve. Megjithatë, ajo ditë më mësoi diçka që nuk mund të mësohet vetëm nga librat: shenjtëria e vërtetë nuk ka nevojë të shpallet me zë të lartë, sepse ajo ndihet në praninë, në heshtjen dhe në dashurinë e njeriut.

Nënë Tereza mbërriti e thjeshtë, e përvuajtur dhe e qetë. Ishte e vogël në shtat, por prania e saj mbante një madhështi që nuk vinte nga pushteti, pasuria apo nderimet e botës. Ajo madhështi buronte nga një jetë e dhuruar plotësisht për Zotin dhe për njeriun.

Në të shihja të vërtetën e fjalëve të Shën Palit: “Hyji zgjodhi çka është e ligshtë për botën për t’i turpëruar të fortët.” (1 Kor 1,27)

Zoti shpesh e mbështjell fuqinë e Tij me thjeshtësi. Ai nuk zgjedh gjithmonë atë që bota e quan të madhe, por atë që është e gatshme të bëhet vegël e dashurisë së Tij. Nënë Tereza ishte pikërisht një vegël e tillë.

Nga ballkoni i rezidencës së kishës në Zllakuqanin e LuguttëDrinit, ajo iu drejtua rinisë dhe popullit tonë me fjalë që ende tingëllojnë në kujtesën time: “Këtë rini kaq të bukur bota nuk e ka. Unë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Të shkojmë në rrugën e Zotit, ta duam Atdheun dhe njëri-tjetrin.”

Këto nuk ishin vetëm fjalë përshëndetëse. Ishin një porosi shpirtërore dhe kombëtare. Nënë Tereza nuk e ndante dashurinë ndaj Zotit nga dashuria ndaj njeriut. Ajo nuk e ndante fenë nga përgjegjësia për atdheun dhe as atdhedashurinë nga respekti për çdo njeri.

Ta duash atdheun nuk do të thotë vetëm të flasësh për të, por të punosh që në të të ketë më shumë drejtësi, paqe, pajtim, mirëkuptim dhe dashuri. Atdheu nuk ndërtohet vetëm me gurë, rrugë dhe ndërtesa. Ai ndërtohet edhe me ndërgjegje të pastra, me familje të shëndosha, me të rinj të edukuar dhe me njerëz që dinë ta duan e ta respektojnë njëri-tjetrin.

Porosia e saj ndaj rinisë mbetet e gjallë edhe sot. Rinia është agimi i një populli, por agimi duhet të bëhet ditë. Bukuria e rinisë duhet të shndërrohet në virtyt, energjia në përgjegjësi dhe liria në shërbim.

Shën Pali i thotë Timoteut: “Askush të mos e përbuzë rininë tënde; përkundrazi, bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në fe dhe në pastërti.” (1 Tim 4,12)

Kjo është porosi edhe për të rinjtë tanë: mos kini frikë të bëheni shembull në besim, në ndershmëri, në dashuri dhe në përgjegjësi. Mos lejoni që bota t’ju bindë se suksesi është vetëm pasuri, famë apo pushtet. Suksesi i vërtetë është të mbetesh njeri, të ruash ndërgjegjen dhe të bëhesh bekim për të tjerët.

Një nga çastet më prekëse të vizitës së Nënë Terezës ishte kur ajo u lut në gjuhën shqipe. Kur shqiptoi lutjen “Ati ynë” dhe “Punën e pendimit”, ndjeva sikur qielli ishte afruar mbi tokën tonë.

Në gojën e saj, gjuha shqipe u bë gjuhë lutjeje, identiteti dhe dashurie. Ajo që kishte udhëtuar nëpër botë dhe kishte shërbyer ndër popuj të ndryshëm, nuk e kishte harruar gjuhën e nënës dhe as popullin e vet.

Lutja “Ati ynë” na kujton se të gjithë jemi bij të një Ati dhe, për këtë arsye, vëllezër e motra mes nesh. Nuk mund t’i themi Zotit “Ati ynë” dhe në të njëjtën kohë të ushqejmë urrejtje, përçarje dhe përbuzje ndaj tjetrit.

Kur themi “Ati ynë”, pranojmë se buka nuk është vetëm “e imja”, por “e jona”; se falja nuk është vetëm për mua, por edhe për tjetrin; dhe se Mbretëria e Zotit nuk ndërtohet me ndarje, por me bashkim, mëshirë dhe paqe.

Nënë Tereza e kishte jetuar thellësisht këtë lutje. Ajo e shihte vëllanë te i sëmuri, motrën te e braktisura dhe fytyrën e Krishtit te njeriu i hedhur në rrugë.

Fjalët e Krishtit: “Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt 25,40)

u bënë themeli i jetës së saj.

Për të, i varfri nuk ishte një numër, një rast social apo një barrë. Ishte Krishti i vuajtur. I sëmuri nuk ishte vetëm një trup me plagë, por një person që kishte nevojë për dashuri. I braktisuri nuk ishte një njeri pa vlerë, por një bir i Zotit.

Këtu qëndron thelbi i misionit të saj. Shërbimi i saj nuk ishte vetëm humanizëm. Ishte një liturgji e jetuar. Duart që pastronin plagët bëheshin duar lutjeje. Buka që i jepej të uriturit bëhej shenjë e dashurisë së Krishtit. Përqafimi i atij që po vdiste i vetmuar bëhej dëshmi se askush nuk duhet të largohet nga kjo botë pa e ndier se është i dashur.

Kur Nënë Tereza mbërriti në këtë kishë të Shën Katarinës së Aleksandrisë në Pejë, besimtarët e pritën me duar të bashkuara dhe me sy të përlotur. Njerëzit e ndienin se para tyre nuk ishte vetëm një grua e njohur botërisht, por një dëshmitare e gjallë e Ungjillit.

Ajo nuk kishte nevojë të fliste shumë. Prania e saj fliste. Heshtja e saj ishte një predikim më vete.

Atë ditë, në këtë kishë, dukej sikur merrnin jetë fjalët e Ungjillit sipas Gjonit:“Drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e pushtoi.” (Gjn 1,5)

Nënë Tereza ishte një dritë e tillë. Jo një dritë që verbon, por një dritë që ndihmon ta shohim fytyrën e tjetrit. Jo një dritë që kërkon lavdi për veten, por një flakë e qetë që ngroh zemrat e ftohta.

Ajo nuk mund ta zhdukte të gjithë varfërinë e botës, por mund t’ia lehtësonte dhembjen një njeriu. Nuk mund t’i ushqente të gjithë të uriturit, por mund t’i jepte bukë atij që kishte përballë. Nuk mund ta largonte çdo vetmi, por mund t’ia mbante dorën një njeriu që po vdiste i vetëm.

Për logjikën e statistikave kjo mund të dukej pak. Për logjikën e Ungjillit ishte shumë, sepse për Zotin çdo njeri ka vlerë të pakrahasueshme.

Në rrugën nga Peja drejt Hanit të Elezit mbretëronte një heshtje e thellë. Nënë Tereza nuk fliste shumë, por heshtja e saj nuk ishte boshësi. Ishte lutje.

Ka heshtje që burojnë nga mungesa e fjalëve dhe ka heshtje që janë aq të mbushura me Zotin, saqë fjalët do t’i zvogëlonin. Heshtja e saj ishte e tillë.

Udhëtoja pranë saj me një ndrojtje të ëmbël në shpirt. Ndihesha si një nxënës pranë një mësueseje që nuk jepte mësim me teori, por me praninë e vet. Në atë heshtje e kuptova më thellë porosinë e Shën Palit: “Lutuni pa pushim.” (1 Sel 5,17)

Lutja e pandërprerë nuk do të thotë vetëm të shqiptojmë vazhdimisht fjalë. Ajo është një gjendje e zemrës, një vetëdije se jetojmë dhe ecim para pranisë së Zotit.

Kjo ishte edhe një porosi për mua si meshtar. Ne meshtarët mund të tundohemi të mendojmë se gjithçka varet nga fjalët tona, nga predikimet, aktivitetet dhe organizimet. Por fjala e vërtetë lind nga heshtja para Zotit. Predikimi që nuk piqet në lutje rrezikon të mbetet vetëm tingull.

Nënë Tereza fliste pak, sepse kishte dëgjuar shumë. Ajo mund t’u fliste njerëzve, sepse më parë kishte dëgjuar Krishtin në britmën e të varfrit.

Vizita e saj më 1982 ndodhi në një kohë të vështirë. Kosova jetonte nën sistemin komunist jugosllav, ku feja mbikëqyrej dhe kufizohej. Meshtarët përndiqeshin, merreshin në pyetje dhe pengoheshin në shërbesën e tyre. Lejet për ndërtimin e kishave shpesh refuzoheshin ose vonoheshin.

Në Shqipërinë komuniste, përndjekja ndaj fesë ishte edhe më e rëndë. Klerikët burgoseshin, torturoheshin dhe pushkatoheshin; kishat e xhamitë mbylleshin ose shkatërroheshin; besimi shpallej armik i shtetit.

Në këtë sfond, prania e Nënë Terezës kishte një kuptim të veçantë. Ajo nuk erdhi me pushtet politik, as me forcën e armëve. Erdhi me rruzaren në dorë dhe me Ungjillin në zemër.

Por pikërisht aty ishte forca e saj.

Sistemet totalitare mbështeten në frikë dhe dhunë. Nënë Tereza vinte me një pushtet tjetër: me pushtetin e dashurisë, të faljes dhe të mëshirës.

Prania e saj na kujtonte fjalët e Krishtit:“Nuk do t’ju lë bonjakë; do të vij tek ju.”
(Gjn 14,18)

Përmes saj, sikur Zoti i thoshte popullit tonë: “Nuk ju kam harruar.”

Edhe sot, në ditët e vështira, në çastet e humbjes, zhgënjimit dhe pasigurisë, Zoti na thotë të njëjtën gjë: “Nuk ju kam harruar.” Ai vjen përmes njerëzve të mirë, përmes një fjale ngushëllimi, një dore të zgjatur dhe një zemre që di të falë.

Nënë Tereza nuk e mohoi kurrë prejardhjen e saj shqiptare. Ajo e mbante popullin shqiptar në zemër, por misioni i saj i tejkaloi kufijtë kombëtarë. Ajo na mësoi se identiteti i vërtetë nuk e mbyll njeriun, por e hap ndaj botës.

Rrënjët nuk janë pranga. Ato janë burimi që ushqen degët për t’u shtrirë drejt qiellit.

Nënë Tereza ishte bijë e popullit shqiptar, por u bë nënë e njerëzve të çdo kombi, feje dhe kulture. Ajo dëshmoi se nga një popull i vogël mund të lindë një dashuri me përmasa botërore.

Por nuk mjafton vetëm të krenohemi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Nderimi më i mirë ndaj saj nuk është vetëm ngritja e shtatoreve, emërtimi i shesheve apo organizimi i akademive. Nderimi më i mirë është ta jetojmë shpirtin e saj.

Duhet ta pyesim veten: A dimë të duam? A dimë të falim? A dimë të pajtojmë? A e shohim të varfrin? A e vizitojmë të sëmurin? A kemi kohë për të vetmuarin? A dimë ta respektojmë dinjitetin e çdo njeriu?

Nënë Tereza na mësoi se nuk jemi të gjithë të thirrur të bëjmë vepra të mëdha, por të gjithë mund të bëjmë vepra të vogla me dashuri të madhe.

Një gotë ujë, një fjalë e mirë, një vizitë, një përqafim, një falje dhe një dorë e zgjatur mund të kenë vlerë të përjetshme.

Krishti na thotë: “Kush do t’i japë të pijë qoftë edhe vetëm një gotë ujë të freskët njërit prej këtyre të vegjëlve, nuk do ta humbasë shpërblimin e vet.” (Mt 10,42)

Shenjtëria nuk fillon gjithmonë me vepra të jashtëzakonshme. Ajo fillon në familjen tonë, në mënyrën si flasim me njëri-tjetrin, si sillemi me të moshuarin, si e trajtojmë të varfrin dhe si reagojmë ndaj vuajtjes së tjetrit.

Nënë Tereza e solli shenjtërinë në rrugë, në spitale, në shtëpitë e të braktisurve dhe pranë shtratit të atij që po vdiste. Ajo na mësoi se shenjtëria ka duar që punojnë, këmbë që ecin drejt të vuajturit, sy që shohin dhe zemër që nuk kalon indiferente.

Kur arritëm në Han të Elezit dhe erdhi çasti i ndarjes, ndjeva një boshllëk të thellë. Por largimi i saj nuk ishte mungesë. Ajo mbeti në kujtesën time, në fjalët që kishte shqiptuar, në lutjet që kishte bërë dhe në fytyrat e njerëzve që e kishin takuar.

Disa takime zgjasin vetëm disa orë, por jehona e tyre vazhdon gjatë gjithë jetës. Koha i mbyll ato në një datë, por shpirti i ruan përgjithmonë.

Edhe sot, si meshtar i kësaj kishe të Shën Katarinës së Aleksandrisë në Pejë, sa herë lutem për popullin tim, më shfaqet fytyra e saj e qetë. Sa herë predikoj për dashurinë ndaj Zotit dhe njeriut, më frymëzon shembulli i saj. Sa herë përballem me lodhjen ose zhgënjimin, kthehem në kujtesë te ajo ditë e 22 tetorit 1982.

Ajo më mësoi se besnikëria është më e rëndësishme se suksesi i dukshëm. Ne nuk jemi gjithmonë të thirrur ta shohim frytin e punës sonë. Jemi të thirrur të mbjellim me dashuri dhe t’ia besojmë Zotit rritjen. “Unë mbolla, Apoli ujiti, por Hyji bëri të rritet.” (1 Kor 3,6)

Bota e sotme ka përparuar në teknologji dhe komunikim, por jo gjithmonë është bërë më e afërt. Njerëzit komunikojnë shpejt, por shpesh nuk e dëgjojnë njëri-tjetrin. Jetojnë pranë, por mbeten të huaj. Kanë më shumë mjete, por jo domosdoshmërisht më shumë paqe.

Prandaj, porosia e Nënë Terezës është më aktuale se kurrë. Ajo na thërret ta luftojmë indiferencën. Indiferenca nuk e godet tjetrin, por e lë të vuajë vetëm. Nuk e fyen, por sillet sikur ai nuk ekziston.

Në shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë, disa e panë njeriun e plagosur dhe kaluan tutje. Samaritani u ndal, u afrua, ia lidhi plagët dhe u kujdes për të.

Krishti na thotë: “Shko e bëj edhe ti kështu!” (Lk 10,37)

Kjo është jeta e Nënë Terezës e përmbledhur në pak fjalë: ajo pa, u afrua dhe veproi.

Kjo është edhe thirrja jonë. Të shohim, të afrohemi dhe të veprojmë. Të mos e lëmë të vetmuar të moshuarin. Të mos e harrojmë të sëmurin. Të mos e përbuzim të varfrin. Të mos e përdorim njeriun për interesat tona. Të mos e kufizojmë fenë vetëm në ritual, por ta shndërrojmë në përgjegjësi dhe dashuri të përditshme.

Shën Nënë Tereza nuk ishte vetëm një vizitore që kaloi nëpër Zllakuqan dhe nëpër këtë kishë të Pejës. Ajo ishte një shenjë, një thirrje dhe një bekim.

Ajo na kujtoi se drita nuk ka nevojë të jetë e madhe për ta thyer errësirën. Mjafton të jetë e vërtetë.

Jeta e saj ishte një koment i gjallë i Ungjillit. Çdo i varfër që përqafoi u bë një varg i atij komenti. Çdo plagë që pastroi u bë një lutje. Çdo njeri që shoqëroi në çastet e fundit u bë një altar i dinjitetit njerëzor.

Le ta pyesim sot ndërgjegjen tonë: A e shohim Krishtin në fytyrën e të varfërit? A kemi kohë për të vetmuarin? A dimë të falim? A dimë ta duam atdheun duke dashur njëri-tjetrin? A jemi të gatshëm të bëjmë vepra të vogla me dashuri të madhe?

Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve është mënyra më e mirë për ta nderuar Shën Nënë Terezën.

Dhe le të mbeten në zemrat tona fjalët e Krishtit: “Kështu le të shndrisë drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.” (Mt 5,16)

Nënë Tereza ishte kjo dritë: dritë që lindi në një familje shqiptare, dritë që u rrit në heshtjen e lutjes, dritë që hyri në Zllakuqan dhe në Kishën e Shën Katarinës në Pejë, dritë që arriti deri te skajet e vuajtjes njerëzore dhe dritë që vazhdon të na tregojë udhën drejt Zotit dhe drejt njeriut.

Shën Nënë Terezë, lutu për popullin tonë, për Kishën tonë, për familjet tona, për të rinjtë, për të varfrit, për të sëmurët, për të vetmuarit dhe për paqen në mbarë botën. 

Më 5 shtator 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu