____
Më duket thellësisht e ulët mënyra se si drejtuesit e PDK-së dhe AAK-së, së bashku me Kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës — i cili, me një talent vërtet të admirueshëm, ka arritur ta shndërrojë një shoqatë jofitimprurëse në një Organizatë Biznesi të Veteranëve të Pasluftës — e keqpërdorin vuajtjen e fëmijëve, të rinjve dhe të moshuarve të masakruar, si dhe të grave të dhunuara, duke e kthyer atë vazhdimisht në material partak politik dhe propagandistik.
Logjika e tyre është, në thjeshtësinë e saj, pothuajse gjeniale:
Nëse disa drejtues politikë dhe organizativë të UÇK-së janë dënuar për krime lufte, atëherë, sipas kësaj formule, është dënuar edhe UÇK-ja si tërësi.
Dhe nëse UÇK-ja është dënuar si tërësi, atëherë çdo kritikë ndaj individëve duhet interpretuar si sulm ndaj luftës së drejtë çlirimtare.
Mungon vetëm një gjë:
Prova se viktimat e kanë nënshkruar këtë arsyetim.
Sepse midis një fëmije të masakruar dhe një luftëtari të armatosur ekziston një dallim thelbësor.
Fëmija nuk kishte armë.
I moshuari nuk e kishte njësinë e vet.
Gruaja e dhunuar nuk e kishte një pyll afër, ku të mund të fshihej.
Dhe adoleshenti që u masakrua nuk kishte mundësi ta merrte armën, të fshihej thellë në pyll dhe, në rast sulmi, të përpiqej ta ndalte armikun.
Viktimat ishin të pambrojtura.
Dhe pikërisht për këtë arsye, quhen viktima.
Por ne kemi arritur ta krijojmë një paradoks të jashtëzakonshëm:
Njerëzit që nuk patën asnjë mundësi të mbroheshin nga vdekja, sot keqpërdoren nga ata që patën mundësi të mbroheshin prej saj.
Kjo është një shpikje politike pothuajse e përsosur.
Të vdekurit nuk mund të kundërshtojnë.
Nuk mund të japin intervista.
Nuk mund të votojnë.
Nuk mund të shkruajnë statuse superlative në Facebook.
Nuk mund të thonë:
„Jo, ju lutem. Mos e keqpërdorni vdekjen tonë, për këtë qëllim.“
Prandaj janë dëshmitarët më idealë të çdo propagande.
Dhe pikërisht këtu mashtrimi bëhet edhe më interesant.
Me përjashtim të Rexhep Selimit, të gjithë të akuzuarit tanë kanë këmbëngulur gjatë gjithë kësaj kohe se nuk e kishin asnjë lidhje me atë lloj lufte që sot u atribuohet nga pasardhësit e tyre politikë, në krye të partive të tyre, të cilat gjatë gjithë këtyre viteve kanë funksionuar si korporata biznesore mafioze.
E tani pasardhësit e tyre politikë — çfarë ironie e jashtëzakonshme! — po përpiqen t’i shndërrojnë pikërisht në heronj të një lufte me të cilën ata vetë, sipas deklarimeve të tyre, nuk e kishin asnjë lidhje të drejtpërdrejtë.
Madje u japin edhe dekorata.
Ndoshta një ditë do të arrijmë deri aty sa dikush të nderohet me titullin:
„Hero i luftës që nuk e kam bërë.“
Kjo do të ishte zgjidhja e përsosur për politikën tonë:
Të gjithë marrin dekorata, të gjithë marrin merita, ndërsa askush nuk merr përgjegjësi.
A ka hipokrizi më të madhe se kjo?
Ndoshta.
Por le të kthehemi te viktimat.
Sepse pikërisht këtu fillon ajo pjesë e historisë që propaganda zakonisht e harron.
Fëmijët e vrarë nuk u bënë milionerë pas luftës.
Të rinjtë e masakruar nuk morën poste.
Të moshuarit e ekzekutuar nuk ndërtuan biznese.
Gratë e dhunuara nuk u bënë pjesë e elitës politike.
Familjet që humbën të dashurit e tyre nuk morën pushtet si kompensim.
Atyre u mbeti një fotografi në mur.
Një varr.
Një emër.
Dhe një karrige bosh në tryezën e familjes.
Kjo është e gjithë „pasuria“ që lufta ua la viktimave të saj të vërteta.
Ndërkohë, ata që janë akuzuar për krime lufte, me luftën e lidhin vetën sa herë që kjo u leverdis politikisht, ekonomikisht apo financiarisht.
Mirëpo harrojnë me qëllim, që pas përfundimit të luftës patën mundësinë ta ndërtonin një jetë marramendësisht luksoze, nga buxheti i shtetit.
Viktimat nuk e patën këtë mundësi.
Atyre u mbeti vetëm një „privilegj“:
Të vriteshin.
Dhe jo vetëm të vriteshin, por të vriteshin në mënyrën më mizore që mund të imagjinohet.
E pastaj, vite më vonë, prej tyre kërkohet edhe një shërbim i fundit:
Të keqpërdoren si argument.
Të keqpërdoren për të mbrojtur reputacionin e të gjallëve.
Të keqpërdoren për ta barazuar përgjegjësinë individuale për krime lufte me përgjegjësinë kolektive.
Por viktima nuk është mburojë politike.
Fëmija i vrarë nuk është avokat i askujt.
Gruaja e dhunuar nuk është zëdhënëse e asnjë partie.
I moshuari i masakruar nuk është dëshmitar i angazhuar nga ndonjë organizatë veteranësh.
Ata ishin njerëz.
Dhe kishin vetëm një jetë.
Prandaj pyetja nuk është vetëm se sa gjatë do të vazhdojnë disa njerëz t’i thonë popullit se janë të pazëvendësueshëm.
Pyetja e vërtetë, dhe shumë më e pakëndshme, është:
Sa gjatë do t’i lejojmë t’i keqpërdorin të vdekurit tanë vetëm që vetë të duken të pafajshëm?
Sepse kushdo që ka humbur një njeri të dashur di diçka që nuk mësohet në asnjë konferencë partie.
E di si është të kthehesh në shtëpi dhe të kuptosh se njeriu që e ke dashur me gjithë qenien tënde nuk do të kthehet më kurrë.
Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye duhet të jemi shumë më të kujdesshëm me fjalën „viktimë“.
Sepse viktima e masakruar e luftës nuk guxon të shndërrohet në mburojë të privilegjeve të politikanit të korruptuar.
Viktimë është njeriu që nuk mund të na flasë më nga varri i tij, qoftë ai varr individual apo masiv.
Dhe pikërisht për këtë arsye, të paktën pas vdekjes, duhet ta lëmë të qetë.


