Nga Tomë Mrijaj
___
Veprimtaria patriotike e familjes së Përlleshajve nuk fillon me liderin e katolikëve të Lugut të Drinit dhe të mbarë Rrafshit të Dukagjinit, Ndue Përlleshin, siç e quan shefi i UDB-së, Gojko Medenica, në fejtonet e luftës në Kosovë të botuara në gazetën “Večernje Novosti” të Beogradit, të titulluara “Poraz pod Pštrikom” (“Humbjet nën Pashtrik”), nga data 22 shkurt deri më 19 mars 1965, si dhe në gazetën “Rilindja” të Prishtinës, “Nata e frorit”, më 24–26 shkurt 1965.
Në librin “Famullia e Zllakuqanit”, faqe 51, thuhet se në kryengritjen e vitit 1909, të organizuar nga Zef Gjidoda, nga familja e Përlleshajve morën pjesë Mark dhe Dedë Përlleshi.
Për Lugun e Drinit flet edhe Mark Kolë Kçira, të cilin, në shenjë respekti, vendasit e thërrisnin Marka Kola i Zllakuqanit. Burri me pamje kreshniku e fillonte kështu bisedën në odat e Lugdrinasve:
“Vendi ynë nuk qëndroi i pastër etnikisht dhe kombëtarisht pse deshën të tjerët.
Ne falënderojmë pushkët e djemve tanë, që i mbajtën gjithmonë për faqe, duke filluar nga Kryengritja e Mirditës e vitit 1876, që kryesohej nga kapidani Bibë Doda. Shumë djem të këtij vendi morën pjesë nën komandën e kapidanit të Mirditës, ku midis tyre veçojmë Zef Markun (Gjonlleshaj) dhe Nikoll Mrin, gjer në kryengritjet e njëpasnjëshme të Lidhjes së Prizrenit, ato të vitit 1909 dhe Kryengritjen e Kaçanikut më 1910.
Kapidani i Mirditës, Marka Gjoni, dhe Abati Preng Doçi kishin dërguar shumë luftëtarë nga Mirdita, të udhëhequr nga Prengë Marka Prenga, bajraktar i Oroshit, dhe Ndue Përdeda, që ishte prej krenëve të para të Spaçit.
Pjesëmarrës në këto kryengritje ishte edhe vetë Marka Kola i Zllakuqanit, me shumë vendas të tjerë, që ua tregonin rrugët dhe shtigjet kryengritësve mirditas, të cilët kishin lënë emër të mirë në ato anë.”
Marka Kola tregonte se, me rënien e Turqisë dhe me ardhjen e Serbisë, në vitet 1918–1919, Lugu i Drinit ishte përsëri i fortë.
Në tri komunat, në një vijë të drejtë rreth 22 kilometra, nga Gjurakovci deri në Dollc, ishin këta tre kryetarë: Ukë Paloka në Gjurakovc, Pren Nikoll Mrijaj në qendrën e Lugut të Drinit, në Zllakuqan, dhe Beqir Toma në Dollc.
Këta udhëheqës të kësaj treve, me gjithë presionet që i bëheshin vendit nga serbo-sllavët, nuk munguan që, së bashku me priftërinjtë e kësaj ane, të trokisnin në dyert e Romës dhe Vjenës për t’i ardhur në ndihmë kësaj popullate, e cila nuk i ishte gjunjëzuar për pesëqind vjet Perandorisë Osmane dhe tashmë gjendej përballë vështirësive të sllavizimit serbo-sllav.
Për liderin e katolikëve të Rrafshit të Dukagjinit, Marka Kola thoshte:
“Me gjithë vështirësitë dhe torturat e papara deri atëherë mbi një popull nga komunistët e porsalindur, dyert e çdo kulle në Rrafshin e Dukagjinit ishin të hapura për legjendën dhe luftëtarin e paepur Ndue Përlleshi.”
Ndue Përlleshi nga Paskalica në rezistencën kombëtare
Ndue Përlleshi lindi në Paskalicë, fshat në Lugun e Drinit, më 1908. Ishte biri i Gjonit dhe Prenës, nga Nepolja e Lugut të Baranit.
Shkrim e lexim mësoi në Zllakuqan, në shkollën e kishës, që ishte hapur që më 1897 nga Atë Shtjefën Gjeçovi. Thuhej se mësuesi i tij ishte Ndue Vorfi.
Edhe pse nuk kishte kryer ndonjë shkollë të lartë, ai, qysh në ditët e hershme të fëmijërisë, kishte mësuar shumë në odën e burrave të familjes së tij, të pajisur me tradita burrërie, nderi dhe trimërie.
Ndou ishte aktiv në jetën politike të kohës.
Që nga viti 1939, kur Shqipëria u okupua nga Italia fashiste dhe për herë të parë u hap kufiri Kosovë–Shqipëri, nga Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Mark Gjon Marku, Ndue Përlleshi u emërua kryetar i Komunës së Vogovës së Hasit, e cila gjendej në vijën kufitare Kosovë–Shqipëri.
Vendi kyç që iu dha Ndout të ri bëri që ai të njihej nga afër me personalitete të jetës politike dhe luftarake, si Xhafer Deva, Muharrem Bajraktari, Abaz Kupi, Mark Gjon Marku, vëllezërit Kolë e Pashuk Biba, të cilët ishin në përgatitje për t’u përballur me erërat e Lindjes që kishin filluar të frynin në Shqipërinë e Jugut.
Më vonë, Ndue Përlleshin e shohim kryetar të Komunës së Becit, komunë në Prefekturën e Gjakovës, ku pati rastin të njihej me shumë personalitete të atyre viseve, si Mehmet Agën e Rashkocit, Demë Ali Pozharin, familjen e madhe të Zhel Hasanëve, Elez Myrtën e shumë të tjerë.
Deri në fund të vitit 1944 e shohim kryetar të Komunës së Budisalcit.
Në këtë kohë vjen Brigada VII Partizane me komandant Shaban Haxhiun, i cili e njihte shumë mirë aktivitetin e Ndue Përlleshit.
Në Veri të Shqipërisë, Muharrem Bajraktari, Pashuk Biba e të tjerë kishin likuiduar shumë komunistë shqiptarë.
Ndou, së bashku me shumë shokë, u takua në kullën e Ukë Bekës, në Krushevë të Madhe, me brigadën e Shaban Haxhiut.
Me të hyrë brenda, parulla përshëndetëse e partizanëve ishte:
“Vdekje fashizmit – Liri Popullit!”
Por Ndou, që e dinte se çfarë fshihej pas asaj parulle, nuk u përgjigj. Ai nxori me shpejtësi revolen dhe ia drejtoi komandantit. Të pranishmit ndërhynë menjëherë.
Që nga ai moment, Ndou filloi jetën e kaçakut.
Çeta e Ndue Përlleshit
Çeta e tij u rrit shumë shpejt.
Në malet e Dollcit u takua me çetën e Ukë Sadikut. Me çetën e Ndout ishte edhe Marije Shllaku, dikur sekretare e Iliaz Agushit dhe e Xhafer Devës. Ajo u bë shembull i rezistencës për bashkimin e trojeve shqiptare.
Çeta e Ndue Përlleshit, së bashku me vëllezërit e tij Zefin e Hilin dhe bashkëluftëtarët Ndrec Nikolla, Zef Sokoli e shumë të tjerë, bashkëpunoi me Ukë Sadikun, Shaban Polluzhën, prof. Ymer Berishën, Qazim Bajraktarin, Alush Smajlin e të tjerë.
Shembull i rezistencës së forcave kaçake ishte lufta në Tërstenik të Drenicës, më 21 shkurt 1945, dhe vrasja e dy kreshnikëve të Drenicës, Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës.
Sipas shënimeve të Marije Shllakut në librin “Shqipëria e Marije Shllakut”, në faqen 50 thuhet:
“Ndër komunistë, 17.864 e ndoshta edhe më mbetën si zogjtë kur i rrëmben shqiponja n’anën e vet. Gjithashtu edhe forcat e Shaban Polluzhës u shpartalluan edhe ata që mbetën iu bashkuen çetave të Ukë Sadikut, prof. Ymer Berishës, Ndue Përlleshit, Qazim Bajraktarit, Alush Smajlit etj.”
Kështu, nga ajo kohë, çeta e Ndue Përlleshit u rrit me mbi njëqind luftëtarë.
Kuvendi i Dobërdolit
Më 4 dhe 5 gusht 1945 u mbajt Kuvendi i Dobërdolit, në Llugë të Dan Pjetrit, ku u mblodhën rreth 2.000 luftëtarë e prijës të çetave kryengritëse nga rajone të ndryshme të Kosovës, Shqipëria e Veriut, Sanxhaku dhe Rozhaja.
Aty gjendeshin krerët e lëvizjes për çlirimin e trojeve etnike shqiptare dhe bashkimin e tyre në një shtet: Ukë Sadiku, prof. Ymer Berisha, Ndue Përlleshi, Qazim Bajraktari, Marije Shllaku, Mehmet Aga i Rashkocit, Alush Smajli, Dem Ali Pozhari, Prek Shyti nga Prizreni, përfaqësuesit e Muharrem Bajraktarit nga Kruma e Luma, Pashuk Biba, Shaban Boshnjaku nga Pazari me 800 luftëtarë, si dhe krerë nga Drenica, Llapi, Gollaku, Gjilani, Shala e Bajgorës, Ferizaj, Kaçaniku, Rugova, Podguri e vise të tjera.
Pranë Dardhës së Madhe valonte flamuri me shqiponjën dykrenare, tetë metra i gjatë, të cilin e kishte sjellë Alush Smajli i Llazicës.
Kuvendin e ruanin luftëtarët e Ndue Përlleshit, Alush Smajlit dhe Qazim Bajraktarit, të udhëhequr nga Smajl Hajdari i Gjurgjevikut të Madh dhe vëllai i Ndue Përlleshit, Zef Përlleshi.
Kuvendin e hapi Ukë Sadiku, i cili ia dha fjalën prof. Ymer Berishës. Procesverbalin e mbante Marije Shllaku.
Komandant u zgjodh njëzëri Ukë Sadiku, ndërsa udhëheqës politik u zgjodh prof. Ymer Berisha.
Po ashtu u zgjodhën komisarët e çetave kryengritëse sipas territoreve dhe e gjithë Kosova u nda në 12 sektorë luftarakë. Për këtë arsye u quajtën “Dymbëdhjetë Këshillat”.
Pas Kuvendit të Dobërdolit u zhvilluan shumë takime me popullatën vendase për organizimin dhe mobilizimin rreth organizatës “Besa Kombëtare”.
Ndue Përlleshi, Ukë Sadiku, Qazim Bajraktari, Mehmet Aga i Rashkocit dhe prof. Ymer Berisha u nisën për një mbledhje të përbashkët me krerët e Shqipërisë së Veriut, diku në malin e Pashtrikut.
Çeta e Ukë Sadikut mbeti nën udhëheqjen e vëllait të tij, Shaban Sadikut.
Përballjet e përgjakshme
Data 10 shtator 1945 mbeti e paharruar për banorët e Prekorubës dhe Drenicës.
Në Fushëgropë, mes maleve të Çelisë së Jellovcit, Brigada e Kotorrit kishte rrethuar Çelinë ditën e tretë të Bajramit.
Aty mbetën të vrarë 23 luftëtarë dhe nëntë të plagosur rëndë. Nga radhët e kundërshtarit mbetën 40 partizanë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.
Nga çeta e Ndue Përlleshit kishte mbetur Zef Sokoli me djalin e tij, Markun, shtatëmbëdhjetëvjeçar, ndërsa Marije Shllaku ishte plagosur rëndë.
Goditje të rëndë lëvizjes i dha vrasja e udhëheqësit të njësive guerile të Lëvizjes Popullore Shqiptare në Kosovë, prof. Ymer Berishës, më 10 korrik 1946 në Hereq, ku së bashku me Ndue Përlleshin ishin nisur të merrnin pjesë në Kongresin V të Ballit Kombëtar në Lipovicë.
E kobshme ishte edhe data 17 shkurt 1947, kur nga OZN-a dhe ushtria serbo-sllave u plagos rëndë komandanti i NDSH-së, Ukë Sadiku.
Në Sverkën e Gashit mbetën të vrarë Qazim Bajraktari dhe Halil Sadria i Gjurgjevikut.
Çeta e Ndue Përlleshit kishte mbetur të vepronte thuajse e vetme, me pak luftëtarë dhe nën një ndjekje të vazhdueshme nga OZN-a.
Më 8 shkurt 1948, së bashku me dy shokët e tij, Ndrec Nikollën dhe Shaban Demën, Ndue Përlleshi u rrethua nga OZN-a.
Pas disa orësh luftimesh mbetën të vrarë dy shokët e tij, Ndrec Nikolla dhe Shaban Dema, ndërsa Ndou, i plagosur, qëndroi në mesin e pyllit deri në orët e para të mëngjesit.
Me një breshëri plumbash ai çau rrethimin, duke lënë në fushën e betejës shumë të vrarë e të plagosur nga partizanët dhe vullnetarët e mobilizuar me dhunë.
Atë mëngjes, komandanti i OZN-së pushkatoi në vendin e ngjarjes të riun Pren Gojani, nga fshati Dugajev, i cili ishte nga fisi i Ndue Përlleshit, me pretekstin se i kishte hapur rrugë këtij të fundit.
Plagët, strehimi dhe përndjekja
Ndou, me plagë të rënda, arriti në shtëpinë e tij.
Teksa po i mjekonin plagët, aty arriti kryetari i Komunës së Jagodës, Jank Boriçi, i cili hodhi një bombë brenda në shtëpi.
Ndou e kapi me shpejtësi dhe ia ktheu mbrapsht. Bomba shpërtheu dhe Janku u plagos rëndë.
Që të mos kapej nga partizanët, Ndou u largua menjëherë dhe shkoi tek Ibish Sokoli, vëllai i Zef Sokolit, të vrarë në Çelinë e Jellovcit.
Tek Ibishi qëndroi derisa u shërua.
Nga aty kaloi në Llapçak, tek Pren Gjoka, një shok i tij. Ky fshat i takonte Komunës së Istogut.
Qeveria jugosllave, kur mori vesh se Ibish Sokoli e kishte strehuar Ndue Përlleshin, e dënoi Ibishin me tetë vjet burg dhe gruan e tij me gjashtë vjet.
Në fshatrat e Lugut të Drinit, ushtria sllavo-komuniste e torturoi popullatën e kësaj ane në mënyrën më çnjerëzore dhe shumë banorë u dënuan me burgime të rënda.
Pas një qëndrimi në familjen e Pren Gjokës, Ndou, duke parë se Partia Komuniste kishte dominuar thuajse në çdo krahinë të Kosovës, u largua me disa bashkëluftëtarë për në Shqipëri.
Atje u bashkua me çetat e Ndoc Mirakës në viset e Pukës, të cilat vepronin në atë territor.
Ndue Përlleshi nuk e la shokun e plagosur
Sipas disa shënimeve të botuara në revistën “Shejzat” të Ernest Koliqit në Romë dhe në “Albanien Liber”, shkruhej:
“Ndue Përlleshi, së bashku me Ndoc Mirakën dhe Ndue Fushën, u vra nga forcat partizane të Shqipërisë në Bjeshkët e Iballës, në vendin e quajtur Boset, më 29 gusht 1949.
Ata, një ditë më parë, ishin nisur të largoheshin për në Greqi. Largimi pengohej pasi, në urën e Bërdhetit në Pukë, ishte plagosur rëndë bashkëluftëtari i Ndue Përlleshit, Elez Myrta nga Kosova.”
Ndou nuk pranoi në asnjë mënyrë ta linte vetëm dhe të plagosur shokun e luftës.


