ARKIVI:
7 Qershor 2026

Kamuflimet e radikalizmit islamik

Shkrime relevante

Kur propaganda kërkon të fshijë historinë: terrori osman, gruaja shqiptare dhe besa që nuk u thye

Luan Dibrani, Durrës Përkujtim i dhimbjes shqiptare nën pushtimin osman Kjo pikturë...

Skënder Muharrem Hoxha , mësuesi atdhetar dhe model i brezave

Arif Ejupi, Gjenevë (Në shenjë nderimi dhe respekti, me rastin e 80-vjetorit...

Një e vërtetë e thjeshtë për Çamërinë

Fahri Dahri, studjues i Çamërisë E vërteta e kombit tonë dihet, por...

Protestat e Zvërnecit…, a vijnë nga agjenturat serbo – greke ?

Gani I. Mehmeti U tha se ky projekt i investimit të dhëndrrit...

Një ditë para zgjedhjeve!

Florim Zeqa Në mungesë të një alterantive të re politike, edhe kësaj...

Shpërndaj

Imami Shefqet Krasniqi me Vëllain e tij, Radovanin

Genc Kastrati, Prishtinë

Radikalizmi islamik në hapësirën shqiptare nuk shfaqet gjithmonë në formën e tij të drejtpërdrejtë. Shpesh ai funksionon përmes një mekanizmi më të sofistikuar: krijimit të një kundërshtari artificial, i cili shërben si kontrast për ta bërë strukturën kryesore të duket e moderuar. Ky mekanizëm shfaqet si në hapësirën fetare, ashtu edhe në politikë.
Rasti i parë është ai fetar. Hapja e disa mesxhideve apo xhamive të fshehura nëpër bodrume, shpesh në mënyrë ilegale, dhe pastaj paraqitja e tyre si problem i madh i radikalizmit. Më pas ndërhyjnë strukturat zyrtare të Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), duke krijuar përshtypjen se po zhvillohet një luftë serioze kundër ekstremizmit. Në këtë mënyrë krijohet një kundërshtar i vogël dhe i dukshëm, i cili shërben vetëm për të legjitimuar strukturën zyrtare si “të moderuar”.
Por realiteti e rrëzon lehtë këtë narrativë. Ligjëratat e së premtes që mbahen çdo javë rreth mesditës, me altoparlantë që dëgjohen në një pjesë të madhe të qyteteve, shpesh përmbajnë thirrje urrejtjeje ndaj grupeve të tjera fetare apo etnike. Në të njëjtën kohë, Kosova është përmendur vazhdimisht si një nga vendet me përqindjen më të lartë të rekrutimeve për Islamic State (ISIS). Ushtarë, gra dhe madje edhe fëmijë kanë përfunduar në këtë organizatë terroriste.
Një fenomen i tillë nuk mund të shpjegohet me ekzistencën e një xhamie ilegale në një bodrum që mbyllet nga policia pas disa ditësh. Personat që kanë shkuar në ISIS, përfshirë edhe Lavdrim Muhaxheri, nuk janë radikalizuar në bodrume të fshehta, por në xhamitë e zakonshme pranë vendbanimeve të tyre – xhami që funksionojnë brenda strukturave të BIK-ut.
Rasti i dytë është ai i propagandës online. Në internet shfaqen herë pas here faqe anonime pa pronar të qartë, të cilave më pas u mvishen etiketa si “ndikim rus” apo “propagandë e jashtme”. Këto paraqiten si rreziku i madh ideologjik, në mënyrë që struktura zyrtare të duket më e moderuar dhe më e përgjegjshme në krahasim me to.
Por një vëzhgim i thjeshtë në internet tregon se realiteti është shumë më i ndërlikuar. Përveç profileve të rreme të çetnikëve serbë nga Beograd, ekzistojnë edhe mjaft profile shqipfolëse që sulmojnë simbolet kombëtare shqiptare, heronjtë historikë dhe përsërisin narrativat serbe për historinë. Në fund të fundit, islamizmi politik nuk ka narrativë të vetën për shqiptarët; ai zakonisht shërbehet me narrativë serbe në çështjet e historisë.
I njëjti mekanizëm shfaqet edhe në politikë. Partitë me profil të hapur islamik, si Partia e Drejtësisë apo lëvizje të tjera si Fjala, pothuajse asnjëherë nuk kanë arritur suksese vendimtare në parlament dhe shpesh nuk e kanë kaluar as pragun zgjedhor. Megjithatë, roli i tyre nuk është i parëndësishëm.
Këto parti shërbejnë si ekstremi i dukshëm, kundërshtari që të gjithë mund ta tregojnë me gisht. Figura si Gëzim Kelmendi perceptohen në opinion publik si përfaqësues të një linje ideologjike shumë më të ashpër. Përballë këtij ekstremi, votuesit orientohen drejt partive kryesore, duke i konsideruar ato më të moderuara.
Por paradoksi është se pikërisht këto parti të mëdha kanë qenë ato që gjatë viteve kanë lejuar zgjerimin e ndikimit të islamizmit politik. Janë ato që nuk kanë marrë vendime të qarta institucionale për të mbrojtur hapësirën publike dhe identitetin kulturor shqiptar. Janë ato që nuk kanë arritur as të miratojnë ligje elementare për rregullimin e zhurmës publike, ndërkohë që shumë vendime të tjera të domosdoshme për ruajtjen e karakterit kulturor të shoqërisë kanë mbetur të paprekura.
Në këtë mënyrë krijohet një skenë e rreme: një ekstrem i vogël shërben si dordolec politik, ndërsa politikat reale që ndikojnë në jetën e përditshme të shoqërisë zhvillohen nga partitë që paraqiten si të moderuara.
Në fund, edhe ndarja e islamit në kategori si “tradicional” dhe “radikal”, shpesh është vetëm një iluzion analitik, dhe ka të bëjë me aftësinë e shoqërisë për të kufizuar zbatimin e fesë vetëm për vetëm në sferën shpirtërore , por jo në drejtime të mirëfillta fetare. Në praktikë, ndarja reale është mes burimeve të ndryshme të ndikimit: turk, arab dhe iranian. Ndikimi iranian mbetet relativisht i vogël, ndërsa ndikimi kryesor vjen nga Turqia dhe nga vendet arabe. I pari lidhet me drejtimin hanefi tradicional të islamit në Kosovë, ndërsa i dyti me përhapjen e vehabizmit.
Megjithatë, asnjë prej këtyre drejtimeve nuk e sheh me simpati identitetin kombëtar shqiptar në formën e tij historike – me figurën e Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe me konceptin e shqiptarisë si identitet kulturor e politik.
Prandaj ajo që në pamje të parë paraqitet si luftë kundër radikalizmit shpesh është vetëm kamuflim i tij. Një ekstrem i dukshëm përdoret si justifikim për të legjitimuar një ndikim shumë më të gjerë, i cili vepron në mënyrë më të heshtur, por edhe shumë më të qëndrueshme brenda shoqërisë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu