Kreu Blog Faqe 1202

Ali Fazlia, kaçaku i pakapshëm që zbriti nga malet dhe i ra në dorë pushtetit jugosllav…!

0
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Blerim Latifi, filozof nga Prishtina
___
Dola në katund me shiju qetësinë dhe ngjyrat e vjeshtës, ngjyrat të cilat, siç thotë Kamy tek drama e tij “Mosmarrëveshja”, çdo gjethe e bëjnë të duket si një lule. Dikush e kishte vendosur këtë pllakë orientuese buzë rrugës. Në të tregohej rruga që shpie tek kulla e Ali Fazlisë.
Kur kryengritja antikomuniste e Shaban Polluzhës ishte shuar, shumë bashkëluftëtarë të tij kishin mbetur maleve. Ata shpresonin në vazhdimin e rezistencës së armatosur kundër regjimit jugosllav. Në mesin e tyre ishte edhe Ali Fazlia.
Ata jetonin në kushte tmerrësisht të vështira, ngase OZNA i përndiqte vazhdimisht dhe popullatën e terrorizonte duke e kërcënuar me dënime të ashpra nëse i strehonte kaçakët.
Dhjetëra përpjekje për ta kapur ose vrarë Ali Fazlinë, kishin dështuar. Në disa prej këtyre përpjekjeve ai kishte humbur disa nga shokët e tij më të afërt. Në mesin e tyre edhe Imer Fazlinë nga Radisheva.
Dimri i vitit 1946 kishte ardhur shumë i egër. Strehimi tek njerëzit ishte po ashtu tepër i vështirë. Duhej të bënin diçka. Në Shqipëri nuk shkonin dot, ngase atje tanimë në pushtet ishin komunistët, të cilët po jetonin ditët më të mira të miqësisë me Titon. Dikush kishte marrë vesh se kishte një rrugë tjetër arratisje, rruga për në Greqi. Atje kishte shpërthyer lufta civile midis komunistëve dhe nacionalistëve. Këta të fundit mbështeteshin nga aleatët perëndimorë, të cilët mirëprisnin çdo të arratisur antikomunist.
Por Greqia ishte tepër larg dhe Aliut s’i bënin dot këmbët, e as zemra, të nisej në atë rrugë. Kishte vendosur të qëndronte edhe më tutje maleve të Kosovës. Strehohej aty ku askujt nuk i shkonte mendja. Në shpella të panjohura dhe në varreza të braktisura. Ata pak njerëz që i siguronin ushqim, lëviznin si hije netëve të acarta të dimirit, drejt këtyre vendeve të harruara nga bota.
Ndërkaq, miti për pakapshmërinë e Ali Fazlisë kishte marrë udhë. Dhe bashkë me të edhe frika e autoriteteve të regjimit prej tij. Një ditë bashkëpunëtorët i propozuan diçka kryetarit serb të Skënderajt, Millan Borsaçit: Të dilte nëpër katunde për t’u takuar më popullin. Përgjigjja e tij ishte e shpejtë dhe e prerë: Për sa kohë që Ali Fazlia asht n’mal, unë nuk luej prej ktij vendi.
Kështu kaluan plot katër vite. Më në fund regjimi jugosllav vendosi të bënte goditjen fatale: arrestoi 25 anëtarët e familjes së Aliut dhe nxorri lajmin se nëse Aliu nuk dorëzohet, e gjithë familja e tij do të pushkatohet. Kur Aliu e mori vesh lajmin, u trondit shumë. Edhe ai ishte njeri, si gjithë të tjerët. Çfarë të bënte? Ai e dinte se OZNA nuk po tallej. Nuk ishte hera e parë që serbët po kërcënonin me masakrimin e familjeve të kaçakëve. Në kush e di sa raste këto kërcënime ishin përmbushur. A duhej të vriste veten, për të shpëtuar familjen? Nuk ishte i sigurtë se ky akt do ta shpëtonte atë. Edhe më e pasigurtë ishte nëse vendoste të vritej në përpjekje të armatosur me xhandarët. OZNA e kishte mbështetur për muri. E kishte goditur në pikën më të dobët. Nuk kishte rrugë tjetër: duhej të dorëzohej që të shpëtonte familjen nga pushkatimi. Shokët që ishin me të, shpërthyen në vaj. Ai u dha zemër: T’fala shokëve, dhe mos harroni, nji Ali bahet batare, por gruni ka me u ba prapë n’fushat e Kosovës.
Kështu kaçaku i pakapshëm zbriti nga malet dhe i ra në dorë pushtetit jugosllav. Nisën torturat e pafundme mbi të, por ai nuk po jepej. Më në fund gjyqi i dha dënimin kapital: me vdekje. Ditë më pas Apeli ia zbriti dënimin në burg të përjetshëm. Pas rënies së Rankoviqit, një amnisti e përgjithshme ia zbriti në 20 vite. Doli nga burgu i plakur e i rrënuar. Fuqitë e kishin lënë, por prapë se prapë nuk rrinte dot brenda.Nuk e zinte vendi vend. Merrte shkopin dhe ngjitej maleve, hynte përrojeve dhe shtigjeve të dikurshme. Sikur donte të gjente fillin e këputur ditën që u dorëzua. Sikur donte të gjente gjurmët e shokëve që më nuk ishin në jetë. Dhe një ditë, disa kalimtarë të rastit, e gjetën të vdekur, poshtë një përroi.

Sot 110 vjet më parë, në mëngjesin e 23 tetorit 1912 , armata e tretë serbe hyri në Prishtinë

Prof. Blerim Latitifi, filosof nga Prishtina

____

23 tetori i vitit 2022 është një ditë e bukur në Prishtinë, falë rrezeve të diellit, të cilat në këtë kohë vjeshte të krijojnë ndjesinë se janë dhuratë e natyrës para prishjes së motit. Në një datë të tillë, fiks 110 vjet më parë, Prishtina do të përjetonte një nga ditët më tragjike në historinë e saj. Vetëm një javë pasi kishte nisur marshimin e saj, armata e tretë serbe hyri në Prishtinë në mëngjesin e 23 tetorit 1912. 800 luftëtarët e Isa Boletinit nuk ia kishin dalë dot të ndalin katastrofën, ndërsa trupat osmane kishin ikur në drejtim të Shkupit. Trupat serbe nuk humbën kohë dhe nisën plojën e përgjakshme rrugëve dhe lagjeve të Prishtinës. Mijëra njerëz u vranë. Kush mundi të arratisej u bashkua me grupet e armatosura të Idriz Seferit, që kishin vendosur të mbronin Ferizajn. Beteja nisi e ashpër, por fati i saj u vendos shpejt nga artileria serbe.

Të gjithë filluan të iknin në drejtim të Shkupit, ku besonin se ushtria osmane do të ndalte marshimin serb. Në Kumanovë u kuptua se kjo ishte vetëm një shpresë e kotë.

Vetëm pas pak ditësh Prizreni ra pa luftë në duart e serbëve, ndërsa Pejën e pushtuan malazezët.

Për të shmangur masakrën, Sadik Rama ndërmjetësoi midis krenëve të Drenicës dhe konsullit serb në Prishtinë që ushtria serbe të merrte pa rezistencë kontrollin mbi Drenicën dhe rajonin e Klinës.

Vetëm një njeri nuk pranoi të bëhej pjesë e kësaj marrëveshje. Ai ishte Ahmet Delia.

Pushkët e fundit të rezistencës ndaj pushtimit serb u shkrepën në Gjakovë nga njësitë e armatosura të Bajram Currit e Riza Beg Kryeziut. Ky i fundit, para se të braktiste Gjakovën, i vuri zjarrin kullës së tij që ajo të mos mund të shfrytëzohej nga ushtarët serbë. Kështu Kosovën e mbuloi terri i gjatë i robnisë serbe. Do duhej të kalonte i gjithë shekulli i XX, që ky terr të hiqej përfundimisht. Vuajtjet dhe kostot e mbijetesës sonë nën sundimin serb janë të pallogaritshme. Pasojat e tyre ende sot vazhdojnë të ndikojnë jetën tonë, ndërsa në Serbi ende vazhdojnë të ëndërrojnë për një marshim të ri në Kosovë.

Nderim për Gjergj Fishtën, Shqiptarin e perëndishëm!

1
Ndoc Bushgjoka, shkrimtar, Tropojë-Tiranë
___
( Si sot me 23 tetor 1871 ke le shqiptari i pashoq At’ Gjergj Fishta.)
At Gjergji ishte njeriu i poullit dhe vepra e tij asht vepër e popullit.
Bash n’këtë ditë i Lumi Zot i dha Shqypnisë birin qe i duhej me i kallxue rrugën me dalë prej territ të zi të pushtimit.
Emnin dhe veprën e Patër Gjergj Fishtës nuk e mësuem ne shkollë, as nuk e kenduem nëpër libra. Jo, sepse emni i tij ishte i ndaluem nga regjimi hoxhist. Mësimet për Patër Gjergjin i morëm nga të moshuarit. E të tanë i dinim ato vargjet proverbiale:
Patër Gjergj Fishta …
Që ngjet hallkut bishta,
Kush s’e ka ja ngjet,
Kush e ka ja hjek.
Kam qënë me fat që një i afërm, edhe pse i moshuar, e dinte pothuajse gjithë “Lahuten …” përmendësh.
Ai ishte virtuoz. Megjithese nuk kishte asnje klase shkolle, natyrishit dinte te shkruante e te kendonte, recitonte me një mjeshtri të rrallë.
Aty ku Patër Gjergji fliste me ironi, shkelte syrin, dhe bënte buzen në gaz. Por aty ku kishte thirrje lufte, ngrihej në gju , apo edhe në kembe, fytyra i ashpërohej e buza i dridhej me idhni.
Ehh… I kujtoj përhere tregimet e tij. Dhe dinte gjithçka për Patër Gjergjin. Dinte ato që nuk i gjen në asnjë libër.
Njëhere Abdurrahim Krosi, i thote At Gjergj Fishtës :
– Patër Gjergj ! Gjithkujt i ke ngjite bishta, veç mue s’ke mujtë.
– Paj mor’ Lalë Krosi, je burre i vjetër, e nuk m’ka hije me shkrue për ty.
– Jo, tybe , s’ke mujte me me ngjitë bishta.
Pater Gjergji. i rreh shpatullat Abrurrahimit dhe i thote gati si tuj këndue :
– Lal Kros – Lala Kros,
Vetë shkruej e vetë vulos,
Kërkush s’të thotë mos.
Ata që rastisën aty qeshën me të madhe.
– O Lala Kros, – i tha njëni, – kqyrë se për Allah, ty ta ngjiti ma të madhin bisht.”
Një herë tjetër, një i huaj erdhi dhe deshi te sfidonte Fishtën.
– Mirë se erdhe, – e përshëndeti Patër Gjergji. – Na more lum zotnia, jena vend i vobektë, sa kena dale prej robnisë së gjatë shumë shekullore, e kur vjen dikush prej Evrope, e kqyrim ça na ka sjellë.
– Une s’kam pru gja me veti, – thotë i huaji gati me tallje.
– Asgja ? – i thote Fishta.
– Valixhet me ndërresat, – tha ai duke qeshur me djallëzi.
– Po tjeter jo ?
– Tjeter, … kostumin.
– E tjeter… ?
– Kapelen time, – thote ai duke e prekur kapelen me gishtin tregues.
– Po mëndte, lum zotnia ? – mëndte qe burri duhet me i mbajte gjithkund me vedi. Ku i ke lanë ?
Akademiku Edwin Jacques tregon nje moment nga jeta e Pater Gjergj Fishtes ne kohen e pushtimit turk:
“Poeti kombetar At Gjergj Fishta, nga Shkodra i fryu edhe më shumë zjarrit, kur foli në pesëdhjetvjetorin e Shkolles Franceskane (1861- 1911). Perpara guvernatorit dhe autoriteteve te tjera turke Ai ( At Gjergj Fishta), e mbylli fjalimin me këto fjalë:
– Prandaj shqyptarë të çdo feje, Gegë e Toskë, në mal e në qytet, kurrë mos e braktisni gjuhën tuaj amtare. Mos e lini sa të keni jetën, por gjithmonë punoni për të. Sa ma gjatë që ta rueni gjuhën tuaj, rueni familjen tuaj, Atdheun, zakonet”
( Edwin Jacques ” Shqiptarët” faqe 353).
Njai ka këne Patër Gjergj Fishta. Burrë shqiptar. Atdhetar si Majat e maleve Shqiptare. Trim i mençur. Studiuesi i pashoq. Poeti i shpirtit te Shqypes. E françeskani i madh shëlbyes.
Sot e përgjithmonë e kujtojme kete dite te lume, dhe vepren e At Gjergj Fishtes, si dhurate te Provanise, si drite te bekueme dhe shprese se Zoti prape ka me ba ndonje mrekulli.
Se prape Atdheu yne dhe shqyptaret kane nevoje per drejtesi e paqtim ashtu sic thoshte vete At’ Gjergji:
“Ku ka drejtesi s’ka lufte. Paqja e drejtesija shkuen gjithmone krahas e doradoras si dy motra te padame, si thote edhe ajo shkrola e vjeter: JUSTITIA ET PAX OSCULATAE SUNT!”

L’Action française (1919) / Detaje mbi krimet greke në Shqipëri — Letra e francezes Eléonore De Villa

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Tetor 2022

 L’Action française” ka botuar, të dielën e 2 nëntorit 1919, në faqen n°4, letrën e francezes Eléonore De Villa (gruaja e Nuri Bej Vilës) mbi krimet greke në Shqipëri, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Shqiptarët të persekutuar nga grekët

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një franceze** që ka qenë dëshmitare në Shqipëri, në vendin e saj të adoptuar, e vuajtjeve të popullit shqiptar, na dërgon rreshtat e mëposhtëm. Është një tablo shumë e çmuar e jetës dhe e betejave të kombësive në Evropën Lindore. Shohim që të përndjekurit atje shndërrohen shumë shpesh në persekutues (dhunues). Grekët kanë arsye të ankohen ndaj turqve dhe bullgarëve, por ata nuk sillen më mirë me shqiptarët. Dhe pse të mos kenë edhe shqiptarët të drejtën e vetëvendosjes siç e kanë kërkuar në Konferencën e Paqes?

 Ndërsa francezët përgatiten të largohen nga Korça, një qytet simpatik shqiptar i rrethuar nga kodra shumëngjyrëshe, me kaplon një ankth nga ideja se ky vend i vogël fisnik dhe fatkeq do të bjerë sërish në duart e grekëve.

Unë kam qenë në Frashër në vitin 1914, kur fuqitë e mëdha i detyruan helenët të evakuojnë Shqipërinë e Jugut, që në frëngjisht quhet Epir. Ne kishim strehuar qindra prej tyre që dukej se kishin një simpati painteres ndaj nesh; ata e brohoritën beun me një “zito” të tërbuar teksa dolën nga shtëpia jonë mikpritëse dhe ne njohëm më në fund pavarësinë shqiptare njëzëri të dëshiruar.

Kjo lumturi zgjati vetëm tre ditë. Këto ishin tre ditë entuziazmi për mbarë popullatën shqiptare, pavarësisht feve të ndryshme.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Kur në shtëpinë tonë mbërriti një çetë, në krye të së cilës valvitej flamuri i kuq shqiptar me shqiponjën dykrenore, emocioni ishte i madh dhe na rrodhën lotët. Këto ditë kaluan në harmoni të përsosur, një ngjarje që bashkonte mirditorët katolikë me myslimanët e Veriut dhe ortodoksët me myslimanët e jugut. Më pas, grekët e pabindur nuk e evakuuan Leskovikun dhe mësuam se ishin maskuar si epirotë, domethënë, pasi kishin veshur kostumin e fshatarit, u kthyen kundër nesh.

Ushtarët tanë fatkeq, të befasuar në hartimin e organizimit të tyre dhe të privuar nga rruga e përshtatshme për në Durrës, nuk mundën të rezistonin dhe u masakruan.

Shtëpia jonë ishte ndërtuar për më shumë se pesë shekuj në një mal të quajtur Vilë (Villa). Prej aty, një mëngjes, pamë një zjarr të madh që buronte nga një nga fshatrat fqinjë. Pa dyshim që grekët i vunë flakën dhe, për të pohuar këtë fakt, predhat na e vërtetuan duke rënë pak metra larg nesh.

Beu, vjehrri im, na urdhëroi stoikisht të përgatiteshim. Çfarë largimi i trishtuar! Kisha një fëmijë njëmbëdhjetë muajsh të cilin e shtrëngoja fort në krahët e mi dhe që më bëri të harroj të gjitha pasuritë që lamë pas dhe që ndoshta do të zhdukeshin përgjithmonë.

Ishte mesnatë. As drita e hënës për të na ndriçuar rrugën, kur zotërinj dhe shërbëtorë, duke marrë secili atë që kishte më të shtrenjtë, kaluam oborrin e madh të shtëpisë fisnike. Askush nuk fliste, gryka e secilit plot me ngashërime të heshtura. Predhat kishin pushuar së rëni. Ndiqja pa koshiencë vargun e njerëzve, duke shtrënguar në krahët e mi thesarin tim (foshnjën e saj). Rojet përpara, të ngarkuar me armët e tyre, udhëhiqnin, duke ndjekur këto shtigje të vogla gjarpëruese të mësuara vetëm me hapin e dhive në të cilat kufizohen humnerat.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Pas dy orësh ecje, e shkatërruar, krahët e mi të mpirë nga barra ime e adhurueshme, u ula mbi një gur të madh, e rraskapitur. Një roje vuri pushkën në shpatullën e djathtë dhe mori djalin tim në krahun e majtë. “E bëj këtë se ju jeni franceze, më tha ai, zakonet tona, për ne, luftëtarët e maleve, nuk përshtaten mirë me këtë lloj sporti.” E falënderova dhe vazhduam të ecnim për orë të tëra nëpër shkurre, duke u futur në vrima që nuk mund t’i shihnim. Më në fund u shfaq agimi, duke zbuluar mjerimin e qindra njerëzve, disa prej të cilëve na shikonin me sytë e mavijosur nga një natë tmerri, të tjerë duke folur me zë të ulët, duke iu lutur Zotit! Të gjithë u ngritën kur panë beun duke ecur me një hap të vendosur dhe e ndoqën instinktivisht. Ishte një popull i tërë, të krishterë dhe myslimanë, madje edhe ciganë. Në portat e një teqeje (manastir bektashi), dervishët, të veshur me rrobat e tyre të mëdha të bardha të mbuluara me pallto të gjata dhe të veshur me një plis (qeleshe) të madh të bardhë, na prisnin duke qëndruar në një qëndrim të devotshëm, me duar të kryqëzuara.

Lotë të mëdhenj rridhnin nën mjekrën e tyre dhe, pa mundur të shqiptonin asnjë fjalë, na futën në teqe.

Vetëm mallkime u shqiptuan mbi këtë popull grek që plaçkiti, shkratërroi, vrau gra, fëmijë, pleq, për të zhdukur një racë të vjetër dhe fisnike latine!

Unë ende mund të shoh nën krahun e rojes që kalon lumin, foshnjën time, sytë e të cilës u kthyen drejt meje, duke mu përgjëruar; Një rrymë ishte aq e fortë sa ishte e vështirë të qëndrohej në këmbë. Unë psherëtiva kur ai ishte në anën tjetër të bregut dhe më pas erdhi radha ime. Unë shoh gjithashtu një fshatare të pafat që donte të kalonte me dy fëmijët e saj. Më i vogli i shpëtoi dhe, i marrë nga rryma, u zhduk. Gruaja fatkeqe qau si një e çmendur, duke përqafuar fëmijën tjetër mes këtyre dallgëve të tmerrshme, duke mos ditur më si të ecë përpara as prapa; rojet erdhën me nxitim në ndihmë, sepse banda e të poshtërve vazhdonte të na ndiqte.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Gjatë më shumë se dhjetë ditëve që zgjati ky eksod, u shfaqën të njëjtat skena tragjike, para syve të mi si një grua e qytetëruar që nuk mund të sillte asnjë ndihmë.

Mbërritëm në një mal të lartë të mbuluar me borë dhe që quhet Tomorica, pamë një zjarr gjigand, tymi i të cilit formonte mbi kokën tonë re hiri të trasha dhe ende me flakë të kuqe. Ishte Frashëri që digjej, vendbanimi i të parëve të beut për pesë shekuj…

Ende të përndjekur, mbërritëm në Korçë, më pas në Svirna (Zvirinë), pronën tonë, ku qëndruam disa javë për të pushuar. Pastaj, një ditë, në fshatrat përreth shpërthyen më shumë zjarre dhe na u desh të iknim sërish. Grekët nuk ngopeshin. Esadi nuk dërgoi asnjë ndihmë. Ushtarët tanë ishin pa municione, vetëm mund të gjoksin e tyre bujar, në mënyrë të kotë. Ne u larguam përsëri, si gjithmonë, derisa e kaluam kufirin.

Grekët ishin atëherë zotër tek ne. Më në fund, Zoti e mëshiroi kombin shqiptar; Franca dërgoi në vitin 1917, në Korçë, trupa franceze që e shpëtuan dhe frëngjishtja, tashmë e përhapur në Shqipëri, u bë gjuha e parë atje, ajo e vendit të qytetëruar dhe shpëtimtar.

Për momentin, më shumë se tre mijë nxënës këndojnë “La Marseillaise – Marsejezën” dhe i kërkojnë Francës ndihmë morale. Ju lutem, jo grekër, asgjësimi është i preferuar!

I bëj thirrje, si një franceze e vuajtur, Francës fisnike, të lavdishme dhe fitimtare, gjithmonë e para për barazi!

  1. De Villa

 * Aurenc Bebja, Francë. Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/l-action-francaise-1919-detaje-mbi-krimet-greke-ne-shqiperi-letra-e-francezes-eleonore-de-villa/.

** Eléonore De Villa, gruaja e nacionalistit Nuri bej Vila (me siguri e ka njohur gruan e tij gjatë studimeve të tij për ekonomi në Universitetin e Brukselit. – sipas “L’Albanie dans la politique étrangère de la France (1919-juin 1940), de Ştefan Popescu).

Duajeni (tmerrësisht) kombin Tuaj, por, mos e urreni kurrë (as butësisht) kombin e tjetrit!

0

 Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina

____

1. Nacionalizmi, siç keqkuptohet shpesh nga postmodernistet e turbokozmopolistët (e jashtëm, por, edhe të vendit) s’është vetēm “strehë e fundit e horrave”, as filozofi e teoricientëve, e as ideologji e botëkuptim socipolitik që i bë dëm “shëndetit mental e sociokulturor” tē njē kombi të caktuar. Shkaku se ai vije nga “tradita” kombeve të vonuara (qysh jemi ende ne shqiptarët), por, është një mbështetje e fuqishme e zhvillimit, një motivim emancipues i shoqërisë së parealizuar, madje êshtë edhe një qasje e dëshmuar sociale që e vë në lëvizje progresin e një vendi apo një shteti, në binarë të duhur.

2. S’ këndejmi (në këto kohëra krize e depresioni për shumë kombe e shtete) miq, kolege dhe qytetarê të gjitha trojeve, vazhdoni pa ngurrim e shlirë ta duani; vetën Tuaj, gjuhën Tuaj, kulturën Tuaj, religjionin Tuaj, e shtetin Tuaj! Por, bëni kujdes ngase, në gjithë këtë “odisejadë” dashnije… s’keni nevojë t’a urreni e as ta mohoni, e as ta kontestoni përkatësinë e tjerëve.

3. Duke qëndruar në këto “pozicione” fisnike, JU jo vetëm që bëheni gardian të atdheut Tuaj, por do bëheni edhe shembëlltyra më e mirë kombit, e veçantisë shtetërore, dhe substancës kulturore shqiptare. Ngase, shqiptarizma nënkupton jo vetëm mbështetje të fuqishme të zhvillimit, emancipimit dhe progresit të kombit, por, edhe solidaritet me te në kohëra krize e depresioni…sikurse jemi sot. Pra, solidaritet, unitet e bashkërenditje të veprimeve e hapave qeveritar e opozitar që na DUHET sot kundruall (Asociacionit e nesër bashkimit kombëtar) sfidave integruese dhe sidomos Serbisë…

Vikend të mbarë, kudo që jeni!

Sot dyzet vjet nga vizita e Nënë Terezes në Kishën e Zllakuqanit

Shkruan: Lekë Mrijaj
***
Shqipëria (dhe Trojet e saja) është një trevë e banuar që në lashtësi. Gjurmë dhe emra personalitetesh jetësore, shpirtërore, kombëtare e kulturore shqiptarësh janë deshmuar dhe janë gjetur gjithmonë gjatë gjithë kohëve dhe epokave të ndryshme.
Siq thonë edhe shumë studiues vendorë dhe të huaj, në këtë pjesë të Ilirikut shqiptarët e sotëm janë pasardhës të drejtëpërdrejtë të Ilirëve, të cilët ishin shtrirë me fise të ndryshme në mbarë pjesën perëndimore të Ballkanit, ku në këtë pjesë siq e potencuam sipër përfshihen edhe shumë emra shqiptarësh duke vequar kësaj radhe edhe misionaren e shkupjanen shqiptare, shënjtereshën e vlerave universale, Nënë Terezën, e cila në historinë shqiptare dhe të botës njerëzore mbetet një figurë e misionare e denjë dhe një shënjtereshë e dykohësive, e cila shënjtereshë kishte vepruar një jetë të tërë nën thirrjen hyjnore në misionin e saj në Kalkutë të Indisë e botën mbarë pra në sherbim të Zotit dhe vëllaut njeri.
Nënë Tereza, duke i sherbyer njerëzimit ka predikuar fjalën e Zotit në misionin e saj, njëkohësisht ka deshmuar edhe dashurinë hyjnore të Tij , si dhe mëshirën, pendesën, faljen, ndihmen ndaj njerëzve me nevoja të veçanta e të sëmurë, taman si një bijë me rrënjë shqiptare e cila edhe u bë Nëna me e dashur në botë për njerëzimin mbarë.
Andaj sot, me 22 tetor 2022, është katërdhjetëvjetori i ardhjes së shkupjanes e nobelistës shqiptare, Nënë Terezës, e cila me 22 tetor 1982 në orët e pasditës, vizitoi Kishën e Zllakuqanit, i cili është një fshat shqiptarë ku banorët e saj edhe përkundër sfidave nga ana e pushtuesve mesjetar, otoman e serbofil, me fanatizem i kanë qendruar besnik jo vetëm kombit të tyre por edhe besimit të tyre katolik e njerëzor, pra qysh nga koha e ardhjës së Shën Palit në Ilirik ( deshmi nga Bibla ) e deri në ditët e sotme për asnjëherë nuk u gjunjëzua.
Pikërisht ishin nikoqirët e arthershëm të famullisë, tashmë i përndritshmi, dom Mark Sopit (ish ipeshkëv i Kosovës tashmë i ndjerë), ish kapelanit të tij, dom Fran Sopit e motrat vinçenciane të cilët e mirëpritën ku me atë rast morën pjesë edhe shumë adhurues të frymës tereziane ( një fat i mirë i imi historik se edhe unë isha pjesmarrës i asaj ngjarje madhore, ku në kalim, Nënë Tereza edhe ma vuri dorë mbi sup…) nga famullia e Zllakuqanit dhe me gjërë në pritjën e Shënjtëreshës- Nënë Terezës e cila erdhi në Zllakuqan, në shoqërim te dom Lush Gjergjin dhe disa motra të rregullit të saj-tereziane.
Bazuar në librin e Don Lush Sopit, “Famullia e Zllakuqanit” (faqe 121, 122, 123) gjejmë fjalët e nikoqirit të famullisë, dom Mark Sopit i cili gjatë pretkut të meshës së asaj dite, në emër të famullisë i ka deshirue një mirëseardhje Nënë Terezës me këto fjalë: “Jeni keni ardhur në mesin tonë për të qenë dora e Zotit, e cila do të na tregojë, do të na prijë kah rruga e tij, në Dashuri. Mbasi jeni plotë dashuri me Zotin, këtë me së miri do ta ta bëni ju. Ne dhe bota mbarë ka nevojë për njerëz të tillë, për deshmitarë të vertetë të Zotit”.
Ndërsa Nënë Tereza e cila dukej e entuziazmuar, e gëzuar e lumtur të pranishmeve ju drejtua me disa fjalë: “Jam shumë e lumtur qe sot gjendem në mesin tuaj, qe të flasë me ju. I faliminers Zotit për gjithë këtë dashuri qe me keni treguar dhe ju lus të gjithëve që ti luteni Zotit për mua, për motrat e mia, për të varfërit e mi qe Zoti na i ka dhënë në kujdesin tonë. Ne lutemi qe Hyj të vijë në zemrat tona, qe Jezu Krishti të hyjë në shpirtin e popullit tonë. Ne lutemi qe Zoti të jetë fuqia jonë, jeta jonë, dashuria jonë. Lutemi qe të kthehet në familjet tona urata, pjesa e rruzarës qe Zoja të jetë Nëna jonë. Nëna e konaqeve tona. Ajo të na mësoj se si kërkohet për ta dashur njëri tjetrin. T’i falenderojm Zotit qe na ka bashkuar sot këtu qe të kërkojm prej Tij dhantinë e paqes, për të cilin kanë aq shumë nevojë familjet tona dhe gjithë njerëzim.
Ju falemenders Zotit qe nuk po përjetoni tragjedinë e shumë të gerbulurve të Kalkutës, ju keni mjaftë ushqime pije dhe veshmbathje, por në radhë të parë lypset të falenderuar të Madhin Zot. Mendoni edhe pak për ata qe s’kanë asgjë, qe vdesin urie rrugëve. Zoti ju bekoftë!” – tha në fund Nënë Tereza.
Vlen të potencohët se (me 29 tetor 2022 në Qëndrën Kulturore të Kishës në Zllakuqan) në kuadër të katërdhjetë vjetorit të ardhjes së Nënë Terezës në Zllakuqan, famullia e Zllakuqanit në krye me dom Alfred Sokolin, (në bashkpunim me Forumin e Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” Klinë dhe Komunën e Klinës), do të shënoi një Takim Jubilarë në shenjë nderimi për figurën e Nënë Terezës, ku do të flasin shumë personalitete e ligjerues të shkencës, njëkohësisht do të ngritet një pllakë përkujtimore në shënjë kujtimi në katërdhjetë vjetorin e vizitës së Nënë Terezës bërë Zllakuqanit.
____

Ps: Fotoja në fjalë e shënjtereshës, Nënë Terezës s’bashku me dom Mark Sopin është shkrepur në balkonin e zyrës famullitare me 22 tetor 1982, e cila foto është shkoqitur nga libri, Don Lush Sopit, “Famullia e Zllakuqanit”.

Propozimi franko-gjerman dhe pozicionimi i palës kosovare

0

Gani Asllani

Është bërë e ditur tani se Franca dhe Gjermania në kordinim me njëra tjetrën kan sjellur një propozim për zgjidhjen përfundimtare të qështjes së Kosovës. Me sa kuptohet, Parisi e Berlini zyrtarë kan kërkuar të punojnë me “letra të mbyllura” ku propozimi i tyre është përfundimtarë duke mos lejuar që palët të mund ta hedhin ndonjë pikë propozimi në debat publik as për të humbur kohë por as për ta ndryshuar në favor të njërës apo tjetrës palë.

Nga ato lajme që kan rrjedhur në media ndërkaq vërehet se propozimi në fjalë përmban:
1) Përshpejtimin e rrugës së Serbisë për antarësim në Bashimin Europian.
2) Pranimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara pa kundërshtimin e Serbisë.
3) Krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.
Sipërfaqësisht kjo zgjidhje duket e mirë kur kihet parasyshë pozita e dobësuar serbe në diplmacinë globale kur aleati i sajê Rusia nuk shihet favorshëm pas pushtimit të Ukraines, por secila nga këto pika ka gjëmbat e veta të cilat kan pasoja të kushtueshme.
Pika e parë është posaqerisht shqetësuese për një të ardhme të afërt për Kosovën.
Arsyeja pse Franca e Gjermania po lidhin qështjen e Kosovës me hyrjen e Serbisë ( bashk me Malin e Zi) me 2025 në Bashimin Europian është momenti historik që Parisi e Berlini mendojnë se ka ardhur për ta shkoqur Serbinë nga Rusia, tani që lufta e Ukraines e ka bërë Moskën aleat jo fort të dëshiruar. Duke e futur në një kornizë diplmatike qështjen e Kosovës, Parisi e Berlini po shfrytëzojnë momentin ta tërheqin Serbinë drejt vehtes. Por kjo është një qështje shum problematike për Kosovën dhe të gjitha shtetet e Ballkanit që synojnë të hyjnë në Bashimin Europian, sepse Serbia do ti përdor të gjitha mekanizmat bllokues të bllokut që të kërkoj gjëra të pa realizueshme nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnia e Hercegovina e veqanarisht Kosova kur ato ti ofrohen antarsimit. Historia e zgjerimit të Bashkimit Europian është mbushur përplot me pengesa të tilla. Shembulli i Bulgarisë së fundmi duke kërkuar gjëra po thuaj se të pa mundura përpara se Maqedonia Veriore të niste negociatat me Bashimin Europian është dëshmia më e frikshme se sa destruktike mund të jet Serbia kur të antarësohet përpara shteteve të tjera në Union.
Pika e dytë është edhe më shqetësuese. Hyrja e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara pa e njohur Serbia as Rusia, Kina e shum vënde tjera mbart shum probleme.  Modeli i dy Gjermanive që përmendet është model i dështuar sepse siq na tregon historia nga dy u bë një Gjermani dhe ideja e barabarsisë mes shteteve u fundos. Duke mos e njohur shtetësinë e Kosovës fqinji verior do të mbaj situaten vazhdueshëm të tensionuar, do të vazhdoj të manipuloj serbët e Kosovës për politiken e vet ditore dhe mbi të gjitha do të vazhdoj të pretendoj Kosovën si pjesë të Serbisë.
Dhe qështja e tretë: Bashkësia e Komunave Serbe apo kanceri politik në trupin e shtetit të Kosovës është burimi i pa shterrshëm i pengesës për zhvillim të vëndit. Në propozimin gjerman raportuar ditët e fundit në media këti trupi politik i ipet e drejta e asocimit me shtete tjera në aspektin politk, ekonomik,  kulturorë e shëndetsorë duke e shkëputur përgjithmonë këtë territor nga Kosova për shkak të ndikimit serbo-rus mbi të. Mjerisht, propozimi askund nuk përmend Shqipëtaret e luginës së Preshevës duke zyrtarizuar në heshtje asimilimin e tyre që Beogradi ka kohë që e zbaton. Kështu pasi të kuptohet prapavija e këti plani institucionet e shtetit të Kosovës duhet të këmbëngulin që ti ndryshojnë këto pika si më poshtë:
1)Kosova e Serbia së bashku të antarësohen në Bashimin Europian.
2) Pranimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kur të bëhet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete sovrane, dhe
3) Bashkësia e Komunave Serbe të ket rol monitorues të punës së komunave të pakicês serbe në Kosovë për tu siguruar që ato zbatojnë ligjet dhe kushtetutën e shtetit të Kosovës.  Qështjen e bashkëpuniminit me vënde tjera ta rregulloj Kuvendi i Kosovës për tu siguruar se nuk cenohet sovraniteti në asnjë pëllëmbë të shtetit të Kosovës.  Vetëm kështu Kosovës dhe Ballkanit i sigrohet paqe e qëndrueshme.
Gani Asllani PhD.
Bashkëpunëtor shkencore në Qëndren Britanike për Qështjet e Europës Juglindore.

Heronjët e pasluftës në Kosovë!

1

Florim Zeqa

Përderisa tani e 23 vite më parë shumica e shqiptarëve të pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës jetojnë të zhvendosur si refugjatë në pjesën jugore të qytetit dhe gjithandej Kosovës, një pjesë e vogël e tyre bëjnë jetë martirësh të rrezikuar dhe kërcënuar në pjesën veriore, të harruar dhe anashkaluar nga pushtetarët në Prishtinë!

Shqiptarët e pjesës veriore, të harruarit e shtetit të Kosovës

Për institucionet tona shtetërore shqiptarët e pjesës veriore kanë mbetur vetëm si numra të papërfillshëm, objekte të pa vlerë dhe të harruar tani e 23 vite më parë. Tani ata ndodhen para rrezikut akoma më të madh dhe potencial që nga paslufta e këndej nga paralajmërimet e pushtuesit verior për invazion ushtarak në veri të vendit tonë, pas presioneve të bashkësisë ndërkombëtare për përmbylljen e dialogut në Bruksel.

Shqiptarët e pjesës veriore të Kosovës, i kaluan 23 vite nën ankth, nën presion të vrasjeve, rrahjeve e maltretimeve të pa ndërprera nga paramilitarët serbë, pa mbrojtjen dhe përkrahjen e askujt; as të shtetit të tyre e as të ndërkombëtarëve!

Shqiptarët e pjesës veriore për të mbijetuar në vatrat e tyre stërgjyshore i përjetuan të gjitha, më të vetmin qëllim që t’i qëndrojnë besnik pragut të shtëpisë, asaj toke të gjakosur më gjak shqiptari për të mos u bërë serbe asnjëherë.

Shqiptarët e asaj pjese nuk i nënshtroj asnjëherë dhe për asnjë moment dhuna dhe presioni sistematik i shtetit serb, nuk i mashtroj as paraja e madhe që iu ofroi shteti serb per blerjën e shtëpive dhe patundshmërive tyre!

Nuk u dorëzuan as nga zhgënjimi i madh që iu erdhi nga harresa ndër vite e qeverive të shtetit të tyre, nuk u lëkunden për asnjë moment as atëherë kur u përballen me vdekjen dhe rrënimin e shtëpive. Mbi gërmadhat e shtëpive rindërtuan themele dhe çati të reja, duke ia bërë të qartë pushtuesve se ajo tokë ishte dhe është shqiptare.

Vendosmëria e shqiptarëve për të qëndruar në trojet e tyre nuk është nënshtrim, është heroizëm i pa parë, por nënshtrimi është i atyre (qeveritarëve) që dorëzohen para kriminelëve e paramilitarëve serbë, te cilët jo tani, por që 23 vite po e mbajnë të pushtuar dhe të barrikaduar pjesën veriore, duke ua veshtirësuar akoma më tepër jetën shqiptarëve në trojet e veta stërgjyshore.

Nuk ka liri dhe pavarësi të pjesshme

Gatishmëria e politikanëve për konçesione të reja me Serbinë nuk është risi dhe as befasi për askënd në Kosovë, sikurse që nuk është befasi as marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe në Bruksel, e ratifikuar edhe nga deputetët shqiptarë në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitin 2013!

Territori i shtetit duhet të jetë shqetësim për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim ku ata jetojnë; në pjesën veriore apo jugore, në Kosovë apo Diasporë.

Pavarësia e Kosovës i kishte gëzuar të gjithë, por më së shumti shqiptarët pjesës veriore, të cilët kanë pritur më shumë nga politikanët e Kosovës pas ri-shpalljes së pavarësisë së 17 shkurtit 2008.

Një fjalë e urtë thotë: “nuk ka rrezik më të madh sesa fundosja në një festim të gjatë”.

Festimet e pakufijshme të gjysëm pavarësisë së shtetit të Kosovës jo vetëm të dëmshme, ishin edhe tejët ofenduese për shiptarët e pjesës tjetër të Kosovës nën pushtimin e bandave kriminale.

Shqiptarët e pjesës veriore jo vetëm që nuk e shijuan lirinë, nuk e shijuan as aromën e pavarësisë, pasi atyre në radhë të parë iu mungon e drejta për të jetuar të lirë në shtëpitë dhe banesat e tyre!

Përderisa ajo pjesë të jetë e pushtuar nga bandat kriminale serbe, asnjë shqiptar i Kosovës nuk e ka të drejtën për t’u ndjerë i lirë e i pavarur. Sikurse që nuk ka kënaqësi të pjesshme, nuk ka liri dhe as pavarësi te pjesshme.

Shteti formë e zgjeruar e familjes

Shteti është sikurse familja; kur ka gëzim në një familje ka për të gjithë, kur ka pikëllim të gjithë e ndjejnë njësojë pikëllimin. Andaj edhe shteti është një formë e zgjeruar e familjes. Ai që e kupton ndryshe është largë vlerave të civilizimit njerëzorë.

Meqenëse të gjitha qeveritë deri tek kjo e tanishmja nuk u treguan të zonja për shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e shtetit, është mirë të vetëtërhiqen të gjithë nga skena politike, le t’ua lëshoj vendin atyre që janë të zotët ta bëjnë një gjë të tillë.

Nuk duam që vëllëzerit dhe motrat tona të vritën befasisht natën në shtëpitë e tyre. Nuk duhet të lejojmë që pushtetarët tonë t’i quajnë viktima heronjët e shtetit, të cilët me trupat e tyre po martirizohen për mbrojtjen e territorit të Republikës së Kosovës.

Duam që nesër së bashku me shqiptarët e pjesës veriore ta festojmë lirinë dhe pavarësinë edhe përtej Urës së Ibrit, tek Tre rrokaqiejtë, tek Kodra e Minatorëve, në Shalë të Bajgorës, pse jo edhe ne Boletin të Kulla e Isa Boletinit, aty ku prehen eshtrat e heroit tonë mbarëkombëtar.

Le Journal (1900) / “Italianët duan këtë gjë për Shqipërinë” — Letra e Manlio Bennici-t, nënkryetarit të komitetit shqiptar “Pro Patria”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Tetor 2022

 Le Journal” ka botuar, të premten e 6 korrikut 1900, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me reagimin e Manlio Bennici-t, nënkryetarit të komitetit shqiptar “Pro Patria, mbi interesat italiane në Shqipëri, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Italia dhe Shqipëria

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Pas shkrimit që botuam mbi situatën e shqiptarëve, morëm letrën e mëposhtme nga z. Manlio Bennici, nënkryetar i komitetit shqiptar “Pro Patria”:

Lexova me interes në “La Tribuna” raportin e artikullit tuaj të botuar në “Le Journal”, ku arrini në përfundimin se çështja shqiptare nuk është interesante vetëm për Austrinë dhe për Italinë.

Natyrisht, kjo pyetje duhet të prekë të gjithë popujt që e bazojnë ekzistencën e tyre në parimet e lirisë dhe të pavarësisë, dhe veçanërisht popullin fisnik francez, i cili, nëpërmjet entuziazmit dhe traditës shekullore, ka mbështetur gjithmonë çështjet e shenjta të të drejtave të të dobëtëve.

Agjitacioni italian në Shqipëri nuk ka qëllim tjetër veçse të mund të përballojë përfundimisht të gjitha goditjet që Austria do të donte t’i jepte popullit shqiptar. Por do të ishte gabim të konkludohej nga kjo se Italia planifikon ta pushtojë vetë këtë vend. Italianët duan vetëm një gjë : pavarësinë e Shqipërisë.

A.S.

* Aurenc Bebja, Francë. Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/le-journal-1900-italianet-duan-kete-gje-per-shqiperine-letra-e-manlio-bennici-t-nenkryetarit-te-komitetit-shqiptar-pro-patria/.

Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë

0

Prishtinë, 21 tetor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi dhe Shefin e Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, priti në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në takim u diskutua për zhvillimet në vend, procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për çështjet aktuale, me theks te energjia dhe vendimi i Qeverisë për targat të veturave.

Forhåndsvisning av bilde

Për sa i përket temës së dialogut, në takim u diskutua për elementet e ndryshme në kornizën themelore të marrëveshjes së ardhshme për të cilën kryeministri Kurti tha që duhet ta sjellë normalizimin e plotë me njohjen reciproke në qendër.

Energjia kishte vëmendje të veçantë. Kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët për masat e qeverisë në ndihmë të qytetarëve dhe si përgjigje ndaj krizës energjetike që ka kapluar të gjithë kontinentin e Evropës. Ai po ashtu foli për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji, ndaj të cilit dakordim Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet tona në kohë rekord.

Në lidhje me vendimin për targa, ai tha se nuk është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës. Nëpërmjet tij dhe me ftesën tonë të hapur për të konvertuar targat e tyre në ato legale dhe zyrtare, edhe po respektojmë sundimin e ligjit edhe po u japim lehtësime financiare, u shpreh kryeministri Kurti.