
Luan – Asllan Dibrani, Gjermani
AKADEMIKU MILAZIM KRASNIQI E QUAN “IDIOT” POETIN ANTON ZAKO ÇAJUPIN
Ka deklarata që harrohen. Ka edhe deklarata që mbeten gjatë, sepse sa herë rilexohen, aq më shumë lind pyetja: si mund të thuhet kjo nga një akademik?
Milazim Krasniqi e cilësoi si “idiote” një poezi të Andon Zako Çajupit, sepse rilindasi shqiptar kishte shkruar ashpër kundër Perandorisë Osmane. Deklarata është e dokumentuar publikisht.
Dhe pikërisht këtu nis absurdi.
Çajupi jetonte e shkruante në kohën e Rilindjes Kombëtare, kur shqiptarët kërkonin gjuhë, shkollë, identitet dhe liri. Por, sipas kësaj logjike, poeti duhej të mendonte jo për realitetin që kishte para syve, por për marrëdhëniet diplomatike që do të ekzistonin një shekull më vonë.
Po çfarë duhej të bënte Çajupi?
Të ndalte penën?
Të ngrihej nga varri dhe të hapte kalendarin e vitit 2014, kur kishte dekada që kishte vdekur?
Të pyeste ndonjë profesor të së ardhmes:
“A guxoj ta kritikoj pushtuesin tim, apo mos po ju prish diplomacinë pas njëqind vjetësh?”
Këtu ironia bëhet pothuajse më e fortë se realiteti.
Sepse po ta ndjekim këtë logjikë deri në fund, atëherë duhet të hapim një komision disiplinor për gjithë Rilindjen Kombëtare.
Naimi në hetim.
Samiu në hetim.
Çajupi në bankën e të akuzuarve.
Rilindasit nën vëzhgim.
Dhe akuza kryesore:
“Kanë folur keq për pushtuesin!”
Mbase, sipas kësaj mendësie, nesër duhet t’u kërkojmë edhe falje perandorive që na sunduan, sepse poetët tanë paskan përdorur gjuhë tepër të ashpër.
Kjo nuk është më kritikë letrare.
Kjo është akrobaci historike.
Çajupi po fliste për realitetin osman të kohës së vet, jo për Turqinë moderne të një shekulli më vonë. Ai shkruante si rilindas, në një periudhë kur shqiptarët po luftonin për ndërgjegje kombëtare dhe emancipim.
Prandaj pyetja është e thjeshtë:
A është “idiote” poezia, apo është problematik leximi që ia heq poezisë historinë?
Nga një akademik pritet pikërisht ajo që pritet më pak nga një komentues i rastit: kontekst, maturi, argument dhe përgjegjësi për fjalën.
Sepse titulli akademik nuk është mburojë kundër gabimit.
As grada nuk ia ndërron datën historisë.
As mikrofoni nuk e bën automatikisht argumentin të mençur.
Mund të kesh titull para emrit, libra në raft, podium në universitet dhe kamerë përpara — por nëse i kërkon një rilindasi llogari pse kritikoi pushtetin që sundonte në kohën e tij, atëherë ke hyrë në një debat ku poeti i vdekur mund të dalë më bashkëkohor se profesori i gjallë.
Dhe këtu satira bëhet therëse.
Çajupi nuk ka nevojë të mbrohet nga Milazim Krasniqi.
Çajupi e ka dhënë provimin e vet para historisë.
Pyetja është nëse Milazim Krasniqi e ka dhënë provimin para Çajupit.
Sepse historia ka një zakon të keq për ata që e lexojnë shtrembër:
nuk trembet nga titujt akademikë.
Ajo nuk pyet sa grada ke.
Pyet vetëm:
A e kuptove kohën për të cilën po flet?
Dhe kur përgjigjja nuk bind, ndodh ajo që është ndoshta ironia më e rëndë e gjithë kësaj historie:
Çajupi, i vdekur prej dekadash, ende del nga libri dhe ia mban akademikut ligjëratën.
Prandaj, para se një poet i Rilindjes të shpallet “idiot” përmes poezisë së tij, ndoshta duhet bërë gjëja më e thjeshtë:
të mbyllet mikrofoni, të hapet libri dhe të lexohet historia.
Sepse Çajupi nuk humbet asgjë nga një etiketë e tillë.
Por akademiku mund të humbasë shumë nga pesha e fjalës së vet.
Luan – Asllan Dibrani
Të nderuar lexues, shpërndajeni këtë shkrim. Çështja nuk është feja e askujt, por mënyra se si islamizmi politik përpiqet ta lexojë historinë kombëtare përmes filtrit të vet ideologjik. Kur një rilindas si Çajupi, që shkroi kundër sundimit osman dhe për zgjimin kombëtar, shpallet “idiot” përmes poezisë së tij, atëherë problemi nuk është më vetëm letrar. Është përplasje mes kujtesës historike dhe një leximi ideologjik të së kaluarës. Rilindasit nuk duhet t’i lëmë në mëshirën e interpretimeve që ua zhbëjnë kontekstin, luftën dhe kohën ku jetuan. Shpërndajeni që debati të bëhet me libra, fakte dhe histori — jo me anatema ideologjike.



Rasti me eklatant se si nje intelektual lajthitet.
Eshte per te ardhur keq, por, fatkeqesisht prof. Krasniqi ka lajthitur! Dhe kjo lajthitje e profesorit duket qe nuk eshte crregullim i perkohshem mendor. Eshte shume me keq.