Ibrahim Kelmendi, Gjermani
Sot një shok ma dërgoi intervistën e Liburn Aliut, të transmetuar në TV Klan më 1 dhjetor 2024, tema e së cilës ishte “zhdukja” e Behajdin Allaqit.
Falënderime Liburnit për informacionin tejet përmbajtësor sa u përket vlerësimeve për Heroin Behajdin Allaqi. Ndërkaq, çfalënderim, – nëse ekziston ky term për ta shprehur të kundërtën e falënderimit, – për pozicionimin kundër “Gjykatës Speciale”, në mënyrën si e paska bërë, duke ngatërruar lisat me fshisa.
Asnjë dashamir i Kosovës nuk e ka dëshiruar një “Gjykatë Speciale”, të cilën u detyruam ta formonim, por ajo ishte zgjedhja më pragmatike dhe më praktike për ta demantuar e diskredituar Raportin e Dik Martit dhe Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), të miratuar në janar 2011.
Ajo rezolutë imponoi hetimin dhe gjykimin e akuzave që i kishte grumbulluar Serbia dhe që më pas u sistemuan në raportin e parlamentarit zviceran, të cilin APKE-ja e kishte zgjedhur në krye të komisionit hetimor për krimet e luftës në Kosovë. Fatkeqësisht, APKE-ja ishte katandisur në atë nivel, sa shumica e 318 parlamentarëve ishin rreshtuar në favor të Serbisë.
Megjithatë, asnjë mendje racionale shqiptare nuk duhet ta ketë interpretuar atë fatkeqësi sikur ne të ishim ata që e komprometuam Kosovën me keqsjellje e destruktivitet, deri në atë masë sa shumica e parlamentarëve të zhgënjeheshin e të bëheshin pishmanë pse shtetet e Aleancës NATO na kishin ndihmuar ta bënim Shtetin e Kosovës, për herë të parë në Historinë e Njerëzimit.
Ideja për formimin e “Gjykatës Speciale” në kuadër të juridiksionit të shtetit tonë ishte e SHBA-së, meqë një gjykatë që do të merrej me akuzat e Dik Martit duhej të formohej patjetër, ashtu siç kishte vendosur APKE-ja. Unë atëherë, sikurse edhe sot, e kam kuptuar atë ide si një mënyrë taktike dhe efektive për t’i demantuar e diskredituar akuzat e shpifura që përmbante Raporti i Dik Martit.
Fatmirësisht, edhe Hashim Thaçi e Kadri Veseli duket se e kanë kuptuar në të njëjtën mënyrë. Prandaj, ata e realizuan idenë dhe kërkesën e SHBA-së dhe BE-së përmes votimit në Kuvend.
Më pas rezultoi se ZPS-ja i përfshiu të gjitha akuzat ekzistuese, duke kërkuar nga institucionet e Serbisë që të ofronin edhe të tjera, të shoqëruara me prova. Kjo ndodhte sepse, në kohën për të cilën hetohej, Kosova ishte pjesë e RFJ-së dhe ZPS-ja, si edhe “Gjykata Speciale”, kishin detyrim të mbështeteshin në Kodin Penal të atëhershëm të RFJ-së për zhvillimin e hetimeve dhe gjykimeve.
Këtë të vërtetë të hidhur shumë shqiptarë bëhen sikur e kanë harruar. Madje, as që e vënë gishtin në kokë se, sipas asaj që quhet “e Drejtë Ndërkombëtare”, edhe sot shteti ynë trajtohet në mënyra që lënë hapësirë për interpretime të tilla.
Fatmirësisht, ideja e SHBA-së dhe BE-së për formimin e “Gjykatës Speciale” në kuadër të juridiksionit tonë rezultoi e suksesshme, sepse Raporti i Dik Martit u demantua dhe u diskreditua nga aktgjykimi i 16 shtatorit 2026 ndaj Jakup Krasniqit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Hashim Thaçit (radhitur sipas moshës).
Injorantët, idiotët, profiterët e luftës, zagarët klandestinë të BIA-s dhe viktimat e luftës së saj diversioniste nuk e kuptuan këtë, prandaj vazhdojnë të bëjnë sulme të tërbuara kundër aktgjykimit.
Uroj që edhe kushëriri Liburn Aliu (Kelmendi) të reflektojë dhe ta korrigjojë lajthitjen që kishte shfaqur kundër “Gjykatës Speciale” në atë intervistë.
***
Intervistën mund ta përcjellin këtu ata dhe ato që nuk e kanë parë ende, siç më kishte ndodhur



