BLLOKIMI I INSTITUCIONEVE NUK ËSHTË STRATEGJI – ËSHTË DËM KOMBËTAR
Qytetarët e Kosovës po e përjetojnë këtë situatë me zhgënjim dhe ndjenjë të thellë nënçmimi. Ata që ua morët votën me premtime për ndryshim dhe përfaqësim, sot i keni zhgënjyer duke bllokuar vetë institucionet e shtetit. Por përgjigjja do të vijë – e qartë, e fuqishme dhe me dinjitet – në kutinë e votimit.
Formimi i institucioneve nuk është privilegj për pazare politike, por detyrim kushtetues dhe përgjegjësi ndaj sovranit. Opozita, për fat të keq, po sillet sikur institucionet janë pronë private e saj, duke mbajtur peng një proces që i përket popullit.
Më 9 shkurt, qytetarët folën. Kush e fitoi shumicën ka të drejtë dhe përgjegjësi të udhëheqë. Nuk mund të zgjidhet “i zoti i shtëpisë” nga kojshitë! Kjo logjikë e bllokimit dhe e sabotimit është e papranueshme dhe e rrezikshme për funksionimin demokratik të vendit.
Ju që dje e votuat Gjykatën Speciale pa asnjë kundërshtim, sot po ngurroni të votoni konstituimin e Kuvendit. Çfarë ju ka ndryshuar?
Mos ndoshta po frikësoheni nga vettingu?
Nga konfiskimi i pasurisë së paligjshme?
Apo po ndjeni presion nga shërbime të huaja, të cilat për vite me radhë kanë synuar të sabotojnë përparimin e Republikës së Kosovës?
Qytetarët nuk jua dhanë votën që të merreni me inate personale apo pazare të fshehta, por që ta ndërtoni shtetin – me ndershmëri dhe vizion. Kosova nuk është plaçkë pazari. Vullneti qytetar nuk është monedhë këmbimi.
Bllokimi i institucioneve nuk është betejë politike – është një dëm i drejtpërdrejtë ndaj shtetësisë sonë dhe interesit kombëtar. Ky është një akt i rrezikshëm që minon demokracinë dhe vendos interesin personal mbi të përbashkëtën.
Ne, qytetarët e zakonshëm, ju kemi besuar. Me shpresë, me bindje dhe me përgjegjësi. Votuam më 9 shkurt për të parë një Kosovë me institucione funksionale, me vizion, dhe me udhëheqje që i përgjigjet popullit. Por katër muaj pas zgjedhjeve, ende nuk ka as Kuvend të konstituuar, as institucione funksionale.
Faji është te ju – deputetët e papërgjegjshëm – që në vend se ta respektoni votën, bëni pazare dhe përçmoni besimin qytetar.
Kjo nuk është politikë – kjo është sabotim institucional.
Nuk është lojë politike – është shkelje e interesit kombëtar.
A e kuptoni se qytetarët këtë po e ndjejnë si tallje dhe mungesë serioziteti?
E nëse nuk e kuptoni tani, do ta kuptoni kur përgjigjja e qytetarëve të vijë aty ku peshon më shumë – në kutinë e votimit.
Opozita po i ikë votimit të fshehtë sepse nuk u beson as vetë deputetëve të saj.
Ndërkohë që përmendni koalicione me Listën Serbe dhe pastaj ia faturoni “presioneve ndërkombëtare”. Kjo është tallje me qytetarin, me shtetin dhe me sakrificën për liri.
Zhbllokoni institucionet!
Ktheni zërin Kuvendit të Republikës!
Përfaqësoni popullin – jo veten tuaj!
Koha e lojërave ka përfunduar – tani është koha e shtetit!
Përgjegjësit për sabotimin e institucioneve do të mbajnë përgjegjësi – mos thoni pastaj “oj kuku”!
Ne, qytetarët, jemi lodhur nga pazaret, nga bllokimet dhe nga arroganca politike. E kemi duruar heshtjen, përbuzjen dhe lojërat tuaja, por durimi ka një kufi. Llogaridhënia po afrohet – dhe do të vijë me votë, me zë dhe me drejtësi.
Ata që po e mbajnë peng Kosovën – do të mbajnë përgjegjësi.
Politike. Morale. Dhe nëse duhet, edhe ligjore.
Nëse nuk keni guxim për të ndërtuar, të paktën mos pengoni ata që po përpiqen ta bëjnë këtë me ndershmëri.



