ARKIVI:
7 Mars 2026

Xhafer Shatri nga Ferri i Burgjeve tek Liria – Një jetë, një epokë, një hero

Shkrime relevante

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë

(7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 7 Marsi është një...

Arsyetimi, manipulimi, kontrolli i pushtetarëve

Nga: Aurel Dasareti Gënjeshtra kur një person me pushtet e arsyeton vetveten...

Padia në Gjykatën e Strasburgut, do të konstaton diskriminimin në pasivizimin e adresave në Luginën e Preshevës

Në foto: Gjykata e Strasburgut për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore   Nga:...

Cili është ujku të cilin nuk po e njohim?

Fahri Xharra, Gjakovë Asnjë popull tjetër i botës në të cilën ne...

Shpërndaj

Sak Muji, Rugovë – Zvicër

Nga Ferri i Burgjeve tek Liria – Një jetë, një epokë, një hero
(Nga Sak Muji – “Smuji’25”)
Kur pashë Xhafer Shatrin te Veton Surroi, në “Në Pikë”, m’u kthye para syve jo vetëm një njeri, por një epokë e tërë.
M’u kthye përplasje prangash, fyerje hetuesish, rënkim i qelive ku heshtja ishte më e rëndë se betoni.
M’u kthye 1981-shi, kur Kosova u mbush me studentë që thirrën liri e iu përgjigjën me plumba, me tortura, me burgje.
Unë, i dënuar me dhjetë vjet në grupin e studentëve, më 9 nëntor më transferuan, të lidhur, në burgun famëkeq të Nishit – një ferr që e dinë vetëm ata që e kanë shkelur me këmbë.
Ndërsa Xhaferi, shok i idealit, kishte mbushur tetë vjet burg, në Organizaten Revolucionare Kombëtare – aty ku fjala “liri” nuk ishte slogan, por ishte dënim me burgim të përjetshëm.
Dhe ndodhi mrekullia që e dinë vetëm ata që kanë shpirtin e stuhisë: ikja e tij nga burgu i Prishtinës.
Një ikje që nuk ishte arratisje ordinere – ishte sfidë ndaj UDB-së, ndaj frikës, ndaj vdekjes vetë.
Shkeli në hije, u mbështet tek njerëz të botës së errët, tek hajdutë që e njihnin besën më mirë se shumë “patriotë” me kollare.
Nga burgu deri në Trieste të Italisë, çdo hap i tij ishte me revolver në brez dhe zemrën në fyt.
Çdo hap – një jetë. Çdo hap – një vdekje.
Një rrugë që nuk e di dot asnjë persekutor, sepse ata, mizorisht të sigurtë në sistem, kurrë nuk guxuan ta çanin errësirën.
Kur e dëgjova te Veton Surroi, më duket sikur Vetonin e kisha përballë, me atë dinakërinë që s’e ndan kurrë.
Pyetjet e tij më kujtonin hetuesit tanë: Bashkim Kursanin, Asllan Sllamniku, Misha Saviç, Selim Brosha, Bajram Dreshaj, Rexhe Pasho Nikçi me t’birin Osman Rexhep Pasho Nikçi …..
E butë në tingull, therëse në brendësi.
“Tregoje krejt ngjarjen e shko në shtëpi – po qajnë familjarët, po të presin…” – të njëjtat fraza, të njëjtat gracka.
Vetoni, i mençur, i rritur nëpër ambasada, i zhdervjellët në çdo sistem, dinte si ta rrotullojë pyetjen.
Por Xhaferi nuk u rrotullua. Ishte shkëmb. Ishte kthyer nga 1981 në 2025, por s’u thye.
Ky emision nuk ishte thjesht intervistë – ishte faqja e një libri të gjallë ku lexohen ëndrrat, përpjekjet, zhgënjimet e një brezi.
Brezi im.
Brezi ynë.
Brezi që e pa Kosovën e lirë, por e pagoi shtrenjtë.
Brezi që sot jeton me dhimbjen dhe pikëllimin për ata që nuk e patën fatin ta shohin këtë ditë.
E vizatova Xhafer Shatrin në mozaik gurësh dhe nënshkrova: “Smuji’25”.
Sepse ai është i gdhendur në gur, jo në letër.
Ai është kujtesë, jo nostalgji.
Në fytyrën e tij mozaik është përndjekja dhe pathyeshmëria.
Në heshtjen e tij është shkulma e së vërtetës që nuk e thyen dot as tortura, as koha.
Dhe ndërsa e shoh sot këtë mozaik dhe dëgjoj zërin e tij “Në Pikë”, më kujtohen të gjithë – të gjallët dhe të rënët.
Më kujtohet se burgjet janë për trupin, por liria është për shpirtin.
Më kujtohet se sarkazma dhe ironia janë armët tona ndaj tradhtarëve dhe persekutorëve, që edhe sot mendojnë se kungulli i tyre do të notojë mbi ujë përgjithmonë.
Jo!
Kungulli i tyre do të sharron në ujë, sepse kujtesa jonë është më e rëndë se privilegjet e tyre të përkohshme.
Ndërsa kungulli ynë, i mbytur në gjak dhe lot, do të ngrihet si flamur.
Ky është mallkimi dhe bekimi ynë.
Xhafer Shatri nuk është thjesht një njeri që iku nga burgu.
Ai është dëshmi se edhe kur jemi të prangosur, mund të jemi të lirë.
Dëshmi se kur ata na torturuan, nuk na mundën – na forcuan.
Dëshmi se një epokë e tërë mund të mbytet në heshtje, por e vërteta del në sipërfaqe si gur.
Ky është rrëfimi im.
Ky është heroi im.
Ky është mozaiku im me nënshkrim:
Smuji’25.
Epilog – “Smuji’25”
Në fund të kësaj rrëfenje që përshkon dekada burgjesh, shpresa e mbytur në qeli, e rindezur në zemra, del në dritë me një emër – Xhafer Shatri.
Në këtë fytyrë, që tani e kam gdhendur në mozaik, nuk shoh thjesht njeriun që iku nga burgu – shoh ikonën e njeriut që nuk iku kurrë nga betimi i vet për liri.
Në çdo gur të vogël që përbën portretin e tij, kam lënë një grimcë të kujtimeve tona, një thërrime të rrugës sonë të përgjakur drejt dritës.
Ky mozaik nuk është dekor, por dëshmi:
Dëshmi se arti mund ta përjetësojë të vërtetën, se kujtesa mund të kthehet në gur, dhe se emrat që u përpoqën t’i fshijnë me torturë – ne i kthejmë në përjetësi.
E quajta “Smuji’25”, sepse viti 2025 nuk është fundi, por fillimi i një kujtese që nuk do të shuhet më.
Aty ku koha lodhet, gurët flasin.
Aty ku zëri shteron, arti dëshmon.
Aty ku përsekutori mendoi se fitoi, njeriu i lirë ngrihet si monument i vetvetes.
Kështu mbyllet kjo faqe e jetës sonë – me dhimbje që bëhet dritë, me heshtje që bëhet zë, dhe me një emër që qëndron si mal:
Xhafer Shatri – i përndjekur, por i pathyeshëm.
I heshtur, por shkulmë e së vërtetës.
T’paqim si dëshmi e gjallë e historisë kombetare!

K O M E N T E

3 KOMENTE

  1. Falënderim për Portalin “DRINI” dhe drejtuesin Bajram Gjergj Kabashi

    (Nga Sak Muji – “Smuji’25”)

    Falënderim të thellë e mirënjohje të sinqertë për Portalin “DRINI”, në krye me zotin Bajram Gjergj Kabashi, që me dinjitet e ndjeshmëri kombëtare i hapi hapësirën e merituar Heroinit të Kombit – Xhafer Shatri.

    Në një kohë kur historia shpesh harrohet, “DRINI” po bëhet urë e kujtesës kombëtare, duke ndriçuar figurat që e mbajtën të gjallë shpirtin shqiptar përmes burgjeve, përndjekjeve dhe përpjekjeve titanike për liri.

    Xhafer Shatri ishte, është dhe do të mbetet shtylla e qëndresës shqiptare, njeriu që sfidoi çdo epokë – nga ferri i burgjeve të Jugosllavisë deri te liria e Kosovës – me dinjitet, guxim dhe përkushtim të pathyeshëm.
    Kontributi i tij i madh nuk i përket vetëm së kaluarës; ai është thirrje për të tashmen dhe të ardhmen, për ta përbashkuar kombin tonë në një horizont të ri:
    Ribashkimin e dy shteteve dhe gjashtë trojeve shqiptare në një Shqipëri Evropiane e Atlantike.

    Ky është drejtimi i shpresës sonë, rruga e gjakut tonë dhe ideali që buron nga sakrifica e njerëzve si Xhafer Shatri.

    Falënderim për “DRINI”-n që e ruan këtë dritë të së vërtetës, që e mbart me dinjitet emrin e kombit dhe që i jep brezave shembuj të gjallë për ta dashur Atdheun me vepër, jo me fjalë.

    Lavdi kujtesës, nderim heroit, respekt për ata që shkruajnë dhe publikojnë me zemër.

    Smuji’25
    Lexo artikullin këtu ➤

  2. Ky tekst është një himn për qëndresën, dinjitetin dhe fuqinë e kujtesës kombëtare. Ai ngrihet mbi përvojën personale të autorit, por shndërrohet në një rrëfim kolektiv për një brez që vuajti, sfidoi dhe nuk u përkul. “Nga Ferri i Burgjeve tek Liria – Një jetë, një epokë, një hero” është më shumë se një kujtim; është testament i shpirtit të pathyeshëm të atyre që i dhanë kuptim fjalës liri.

    Shkrimi i Sak Mujit (Smuji’25) ndërthur kujtesën historike me artin, dokumentin me metaforën, dhimbjen me krenarinë. Ai e përshkruan Xhafer Shatrin jo thjesht si një njeri që shpëtoi nga burgu, por si simbol të një epoke – një “mozaik gurësh” ku secili gur është dëshmi, plagë dhe dritë njëkohësisht.
    Gjuha është e fuqishme, e mbushur me ritëm, me figura dhe me një ton epik që e kthen rrëfimin në manifest moral: se burgjet janë për trupin, por liria është për shpirtin.

    Autori arrin ta përshkruajë me mjeshtëri kontrastin mes mizorisë së sistemit dhe madhështisë së shpirtit njerëzor. Ai ngre Xhafer Shatrin në piedestalin e kujtesës, jo si figurë të ngrirë, por si frymë që vazhdon të jetojë në ndërgjegjen kombëtare.
    Në çdo fjali ndjehet dhimbja e përjetuar, por edhe krenaria që buron nga përkatësia ndaj një brezi që e fitoi lirinë me çmimin më të lartë – me vuajtjen.

    Në plan letrar e emocional, teksti është një mozaik kujtese, arti dhe reflektimi. Në plan moral, është një akt përjetësimi – një dëshmi se historia nuk mund të mbulohet me harresë.
    Në fund, mbetet si një përkulje e thellë përpara qëndresës së Xhafer Shatrit dhe gjithë atyre që, si ai, mbetën të pathyeshëm në ferrin e kohës.

    🕊️ Një tekst që nuk lexohet thjesht – por ndjehet. Një rrëfim që nuk përfundon në letër – por në kujtesën e kombit.

  3. I respektuari Sak Muji !
    Mendoj se
    *1) Në jetën e njeriut qëndrojnë vetëm dy rrugë: njëna të shpie kah e vërteta, kah synimi, kah ideali, kah jeta; tjetra të shpie kah shkatërrimi, kah humbja, kah vdekja.
    Tjetër rrugë nuk ka!

    *2) Jeta e njeriut i ngjanë anijes kozmike, ku prej pikënisjës çdo gjë shënohet, e në fund ai shkrim lexohet! (ua përkujtoj: “kutia e zezë”)

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu