ARKIVI:
27 Prill 2026

Domosdo në Maqedoni duhet çlirimi i Mickoskit nga pengmarrja oligarkike dhe çlirimi i subjekteve politike shqiptare nga presioni i Mickoskit

Shkrime relevante

Ditëlindja e shkrimtarit Mikel Gojani, një jubile i denjë për një emër të respektuar e të spikatur të letrave shqipe

Lekë Mrijaj, Klinë Të shkruash për shkrimtarin e mirënjohur shqiptar, prof. Mikel...

Sejid Kutub , njeriu nga i cili më së shumti u frymëzua Osama bin Laden dhe Ajman El Zauahiri, por edhe tjerë

Driton Tali, Londër Ky është Sejid Kutub baba i islamit politik. Njeriu...

Lufta dhe njeriu i brendshëm: midis dehjes, dhunës dhe ndërgjegjës

Jeton Kelmendi, Prishtinë ____ Vepra “Lufta e fshehur, Anteu” e Jusuf Buxhovi paraqet...

Prizreni nuk është skenë për rikthimin e hijes osmane

Zamira Bytyqi, Prizren Dje 25.04 në Shadërvan, në zemrën historike të Prizrenit, u...

Shpërndaj

Prof. dr. Skënder Asani, Shkup

Maqedonia e Veriut, a po shkon drejt një devijimi të rrezikshëm gjeostrategjik?

Maqedonia e Veriut po hyn në një fazë të re krize, e cila nuk mund të lexohet më si turbulencë e zakonshme politike. Nën lëvizjet e dukshme të skenës së brendshme po formësohet një devijim i rrezikshëm gjeostrategjik, që sfidon drejtpërdrejt orientimin euro-atlantik të shtetit. Brenda strukturave vendimmarrëse dhe në hapësirën publike është konsoliduar një arkitekturë ndikimi me rrënjë në orbitën serbe dhe në vektorin ruso-kinez, e cila jo vetëm ka kapur institucionet, por ka uzurpuar edhe vetë narrativën politike të liderëve kryesorë. Në këtë kontekst, gjuha e Mickoskit nuk funksionon më si artikulim autonom politik: ajo është shndërruar në medium të oligarkisë që e ka marrë peng dhe e ka zhvendosur drejt një projekti që kërkon ta ç’evropianizojë shtetin, ta izolojë dhe ta kthejë prapa në rrethin e influencave autoritare.

Në këtë konfigurim të ri, pengesa më e vetme substanciale për projektin oligarkik janë shqiptarët komuniteti që, prej tre dekadash, ka mbajtur në mënyrë të palëkundur barrën dhe vizionin e orientimit evropian të vendit. Pikërisht për këtë shkak, u ngrit një strategji e sofistikuar për t’ua zbehur dhe, në thelb, për t’ua rrëmbyer shqiptarëve kauzën e integrimit. Zgjedhjet lokale u përdorën si mekanizëm për shtrembërimin e përfaqësimit, për dobësimin e kapacitetit të tyre institucional dhe për të zhvendosur drejtimin strategjik të vendit nga boshti euro-atlantik. Ky është momenti kur alarmi nuk mund të mbetet më brenda kufijve të Maqedonisë së Veriut: ai duhet të kumbojë qartë në Bruksel, Tiranë dhe Prishtinë.

Për të parandaluar devijimin e shtetit, Bashkimi Evropian dhe qendrat politike shqiptare duhet të veprojnë me presion të koordinuar, të qëndrueshëm dhe të matshëm politik e diplomatik. Ky presion duhet të synojë dy objektiva paralelë: çlirimin e Mickoskit nga pengmarrja oligarkike dhe çlirimin e subjekteve politike shqiptare nga presioni i Mickoskit. Vetëm një çlirim i këtij balanci të bllokuar mund ta rikthejë Maqedoninë e Veriut në korsinë e saj natyrore strategjike dhe t’i hapë rrugën që ajo t’i bashkohet Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin e përshpejtuar të integrimit me objektiv final anëtarësimin në BE deri në vitin 2030. Pa këtë ndërhyrje, vendi rrezikon të shndërrohet në pikën më të prekshme të ndikimit ruso-kinez në Ballkan dhe në faktor destabilizues të arkitekturës së sigurisë rajonale.

Nga ky realitet del një konstatim i prerë: kriza aktuale është e natyrës gjeostrategjike, jo thjesht politike. Për të dalë nga spirala, nevojitet një plan shpëtimi i trefishtë ndërkombëtar, shqiptar dhe institucional. BE-ja, Tirana dhe Prishtina duhet të ndërveprojnë me koherencë për rikthimin e funksionalitetit demokratik dhe ndalimin e rrëshqitjes drejt modeleve autoritare të importuara. Paralelisht, subjektet politike shqiptare duhet të çlirohen nga orbitat që i mbajnë peng dhe të riaktualizojnë misionin e tyre themelor: garantimin e orientimit evropian të shtetit. Hapi vendimtar është formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse, të bazuar në ekspertizë dhe jo në interesa të ngushta, e cila do të përshpejtojë përafrimin me acquis-in e BE-së, duke hapur rrugë për reforma strukturore dhe rikthimin e besimit të partnerëve strategjikë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu