ARKIVI:
7 Mars 2026

Hasan Kaleshi, Hyrja e turqve në Ballkan dhe islamizimi-Arsyet e ruajtjes së ekzistencës etnike dhe kombëtare të popullit shqiptar(1)

Shkrime relevante

Provokim në zemër të Kosovës: Flamuri i një shteti të huaj në Mitrovicë , policia e ruan atë…!

Luan Dibrani, Gjermani Ngjarja e fundit në Mitrovica, ku policia e Kosovo...

Përçarje brenda Iranit midis Gardës Revolucionare dhe udhëheqjes politike

Njerëzit vizitojnë Parkun Kombëtar Hapësinor të Gardës Revolucionare, pak jashtë Teheranit,...

Sipas historianit Kristaq Prifti, në Kosovë nuk ekzistonte popullsi turke

Msc Belisar Jezerci, historian POPULLSI TURKE NË KOSOVË NUK EKZISTON ! Ne bazë...

Urime për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit

Luan Dibrani, Gjermani  Sot, më 7 Mars, në këtë ditë të shënuar të...

Fjalë respekti dhe mirënjohjeje për Mësuesin tim, Sabri Raçi

Arif Ejupi, Gjenevë Disa njerëz kalojnë në jetën tonë pa lënë fare...

Shpërndaj


Nikollë Loka, Tiranë

Hasan Kaleshi, zëdhënësi i tezave historiografike turke dhe serbe dhe të bën përshtypje fakti se tezatq ë ai sjell në shqip ngjajnë si përkthime të paraqitura me besnikëri të etzave turke dhe serbe.

Historiografia shqiptare…,çfarë shkruante? 

Ja çfarë shkruan ai:  Historiografia shqiptare prej njëzet vjetësh është bashkuar në vlerësimin krejtësisht negativ të Perandorisë Osmane, të sundimit osman në Ballkan, si edhe të kulturës lindore (orientale) dhe pothuajse të gjithçkaje që ka pasur çfarëdo lloj lidhjeje me Lindjen. Për këtë arsye, për shembull, në shumë vende të veprës «Historia e Shqipërisë», botuar nga Universiteti i Tiranës, flitet për «Turq të egër», «turma turke», «turq aziatikë», «barbarë» etj., terma të tillë që pa dyshim nuk kanë asnjë lidhje me terminologjinë shkencore.

Mjafton t’u hidhet një sy kumtesave të paraqitura në Kongresin e II-të të albanologëve, të mbajtur në Tiranë më 12–18 janar 1968 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, si edhe simpoziumit të mbajtur në Prishtinë më 9–12 maj, për të parë se deri ku ka arritur ky romantizëm kombëtar, kjo mendësi e ngushtë joshkencore, kjo mospërfillje e fakteve historike dhe e procesit historik.

Sundimi osman në Ballkan po gjykohet duke u nisur nga shekulli XIX, kur Perandoria Osmane kishte filluar të shpërbëhej dhe kur masat e marra nga qeveria osmane shpesh binin ndesh me interesat shqiptare.

Ndërkohë, ndikimet e fuqishme lindore, të cilat kanë lënë gjurmë në çdo fazë të jetës materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve, po anashkalohen qëllimisht; ndërsa autorët me prejardhje shqiptare që kanë shkruar në latinisht dhe italisht nxirren në pah, shumë shkrimtarë shqiptarë, të cilët jo jashtë vendit, por në atdheun e tyre, mes popullit të vet, kanë jetuar dhe kanë vepruar dhe kanë shkruar në gjuhët lindore, po harrohen krejtësisht. Veprat e disa individëve të veçantë, që i përkasin periudhës së ashtuquajtur të «Rilindjes Kombëtare» dhe që shpesh kanë karakter shumë të diskutueshëm «atdhetar», po lavdërohen, ndërsa ata që kanë arritur merita të mëdha po lihen në harresë.

Nuk ka dyshim se hyrja e osmanëve në Ballkan me forcë ushtarake pati pasoja të rënda për popujt ballkanikë si serbët, grekët dhe bullgarët, të cilët kishin shtetet e tyre, organizatat e tyre kishtare dhe kulturat e tyre. Pushtimi turk e ndërpreu procesin e zhvillimit të këtyre popujve, e ngadalësoi zhvillimin e tyre kombëtar dhe kulturor, shndërrimin e tyre në kombe, si dhe pjesëmarrjen e tyre në kulturën dhe qytetërimin evropian.

Për popullin shqiptar, megjithatë, nuk mund të pohohet diçka e tillë. Shqiptarët kishin rënë nën sundim të huaj katërmbëdhjetë shekuj para ardhjes së turqve; ata ishin ekspozuar ndaj ndikimeve të huaja kulturore dhe ishin kërcënuar jo vetëm nga ndikime kulturore, por edhe nga një asimilim i plotë etnik.

Kritikë ndaj pikëpamjeve turke dhe serbe të shprehura në shqip përmes Hasan Kaleshit

Trajtimi i Hasan Kaleshit për hyrjen e osmanëve në Ballkan dhe për pasojat e saj mbi popullin shqiptar buron qartazi nga një kornizë konceptuale e historiografisë turke, e cila, në mënyrë sistematike, ka prodhuar shtrembërime faktologjike dhe konceptuale, veçanërisht në lidhje me statusin politik dhe shoqëror të trojeve shqiptare para pushtimit osman. Pretendimi i nënkuptuar ose i drejtpërdrejtë se territoret shqiptare, gjatë depërtimit osman, ishin të pushtuara nga sllavët dhe se mungonte një subjekt politik shqiptar, bie ndesh me faktet historike. Në shek. XIV–XV, në hapësirën arbërore ekzistonin principata të konsoliduara shqiptare – Balshajt, Topiajt, Kastriotët, Dukagjinët, Arianitët, Muzakajt – të cilat ushtronin pushtet real politik, administrativ dhe ushtarak. Injorimi ose relativizimi i këtij realiteti është një deformim historiografik që synon ta paraqesë pushtimin osman si një proces neutral ose “çlirimtar”.

Kaleshi kritikon nxjerrjen në pah të autorëve shqiptarë që kanë shkruar në latinisht dhe italisht, duke e konsideruar këtë si njëanshmëri kulturore dhe ideologjike. Mirëpo kjo kritikë është metodologjikisht e gabuar. Autorë si Marin Barleti nuk janë vlerësuar për gjuhën në të cilën kanë shkruar, por për faktin se kanë shkruar historinë e popullit shqiptar, rezistencën e tij politike dhe vetëdijen e tij historike. Në të kundërt, shumica e autorëve shqiptarë që kanë shkruar në gjuhët turko-osmane ose arabe kanë trajtuar tema teologjike, juridike, poetike ose administrative brenda universes osmane dhe islame, pa ndonjë interes të drejtpërdrejtë për historinë, identitetin apo fatin kolektiv të shqiptarëve. Prandaj dallimi që bën historiografia shqiptare nuk është diskriminues, por funksional dhe përmbajtësor.

Kur historiografia shqiptare flet për “barbaritë turke”, Kaleshi e redukton këtë në një terminologji joshkencore dhe romantike. Në realitet, këto vlerësime mbështeten në ngjarje konkrete historike: pushtimin dhe shkatërrimin e Krujës, Lezhës, Drishtit (dhe jo Shkodrës, siç saktësohet), dhunën e ushtruar mbi popullsinë, shpërnguljet masive dhe shkatërrimin e strukturave politike vendase. Këto nuk janë figura retorike, por fakte të dokumentuara në burime bashkëkohore perëndimore dhe osmane.(Madje kronistët osmanë japin të dhëna të ekzaltuara për mizotë e pushtimit).

Kaleshi flet për “mendësi joshkencore” dhe “shpërfillje të fakteve historike”, por nuk problematizon aspak faktin se historiografia turke, brenda së cilës është formuar dhe specializuar, e trajton pushtimin osman të trojeve shqiptare si “çlirim” ose si integrim civilizues. Ky është një paradoks thelbësor i qasjes së tij: ai kritikon me ashpërsi historiografinë shqiptare, por mban një qëndrim pothuajse apologjetik ndaj shtrembërimeve të historiografisë turke, e cila justifikon një pushtim ushtarak si akt emancipues.

Pretendimi se sundimi osman po gjykohet vetëm duke u nisur nga shekulli XIX është gjithashtu i pasaktë. Historiografia shqiptare e ka analizuar sundimin osman në të gjitha fazat e tij, nga pushtimi i shek. XV deri në shpërbërjen e Perandorisë, duke evidentuar problematikat strukturore të këtij sundimi: shkatërrimin e elitave vendase, prapambetjen ekonomike, fragmentarizimin shoqëror dhe pengimin e zhvillimit institucional. Studimi kritik i ndikimeve lindore nuk përbën injorim, por vlerësim historik në raport me pasojat e tyre reale mbi zhvillimin kombëtar shqiptar.

Veçanërisht problematike është teza e Kaleshit se pushtimi osman pati pasoja më të rënda për serbët, grekët dhe bullgarët sesa për shqiptarët. Në të vërtetë, pushtimi osman ishte ndër më të ashpërit pikërisht në territoret arbërore, për shkak të rezistencës së gjatë dhe të organizuar shqiptare. Shqiptarët humbën klasën e tyre sunduese, strukturat politike dhe çdo mundësi zhvillimi shtetëror për disa shekuj. Pretendimi se shqiptarët qenë tashmë të “mësuar” me sundimin e huaj dhe se, për rrjedhojë, pushtimi osman nuk përbënte një regres historik, relativizon dhunën koloniale dhe mohon specifikën e përvojës shqiptare.

Së fundi, kritika e tij ndaj Rilindjes Kombëtare, duke vënë në dyshim karakterin atdhetar të veprave të rilindësve, përfaqëson një tjetër qasje reduktuese. Rilindja Kombëtare ishte një proces historik thelbësor për formimin e vetëdijes kombëtare shqiptare dhe nuk mund të delegjitimohet nga një perspektivë që e sheh kombin si kategori dytësore përballë trashëgimisë perandorake osmane.

Në përfundim, trajtimi i Hasan Kaleshit, ndonëse paraqitet si kritik ndaj nacionalizmit romantik, rezulton i njëanshëm dhe metodologjikisht problematik. Ai minimizon karakterin pushtues të sundimit osman, relativizon dhunën historike mbi shqiptarët dhe riprodhon, në mënyrë të tërthortë, narrativat justifikuese të historiografisë turke dhe asaj serbe, duke cenuar kështu objektivitetin shkencor që pretendon të mbrojë.

K O M E N T E

2 KOMENTE

  1. Fragment nga “Pershëndetje të gjithë vllezenve dhe motrave shqiptare: gëzuar vitin 2000 “ , nga Profesor Sami Repishti, Badwin, New York, USA 01.01.2000.

    “….Mbas vdekjes së Skenderbeut traktati i 1479-s në mes Venedikut dhe Sulltanit njohu pushtimin otoman të Shqiprisë. Dritarja e Botes Perendimore iu mbyll Shqiperisë pikrisht në nji kohë kur era frymëdhanse e Renaissances (Rilindjes) dhe idete fisnike të Humanizmit po krijojshin nji Europe të Ré me nji etje të vrullshme per njohuni të reja, per hapsina dhe nji botë të ré me nji zhvillim të lirë, të pakufizuem të shpirtit kerkues e thellësisht njerzor.
    Pamvarsisht nga faktori fetar – që mbetet gjithherë nji çeshtje krejtësisht intime per çdo ndergjegje personale – okupacioni otoman ka nxjerrë Shqiperinë nga historia e kontinentit europian dhe e ka denuar atë të jetë nji krahinë e harrueme mbrenda nji perandorie të mbyllun, me kulturë të kundert nga ajo e Europes, që po rilindte në Perëndim….“.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu