ARKIVI:
3 Gusht 2026

Shadërvani nuk është shesh parade për perandori të mundura, gurët e Prizrenit mbajnë mend, edhe kur institucionet harrojnë

Shkrime relevante

Një konsullatë serbe në Shkodër do të ishte një gabim politik me pasoja kombëtare

Ramiz Tafilaj, Hjuston, SHBA SHQIPËRIA NUK KA TË DREJTË TË HARROJË 2 Gusht,...

Sak Muji, artisti që e shndërroi burgun në galeri të kujtesës kombëtare

Në foto: Sak Muji me Hydajet Hysenin Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë  ____ Me rastin e...

Edhe një herë rreth rikthimit në krishterizëm që u bë dje në Kishën e Papiqit në Deçan

Nga: Engjëll Bajrami Ne kishen e fshatit Papiq te Komunes se Deçanit,...

Fundi i marrëzisë shqiptare në Maqedoni

Afrim Caka, më 2͏ gusht ͏2͏0͏1͏6͏  ____ O Perëndi! Punë e flliqur. O ju shqiptarë...

Për themelimin e Bashkësisë Katolike Shqiptare të Isniqit

Bekë Osmanaj, Kisha e Papiqit, Deçan ___ Deklarata e Bekës që u lexua...

Shpërndaj

Prizren, 25 prill
Në Shadërvan, në zemrën historike të Prizrenit, në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, aty ku u hodhën themelet e shtetit tonë, aty ku u mbrojt gjuha jonë me gjak pikërisht nga kjo dorë e huaj, u mbajt një paradë me uniforma osmane, marshim ushtarak osman, me flamuj osmanë e turq, me bandën ushtarake osmane “Mehteran” dhe me marshim që dominoi hapësirën publike. Kjo nuk ishte kulturë. Kjo ishte provokim i pastër.
Le ta themi qartë që në fillim: kjo nuk ka të bëjë me komunitetin turk në Kosovë. Bashkëqytetarët tanë turq janë pjesë e pandarë e shoqërisë sonë, kontribuojnë në të dhe gëzojnë të drejta të plota. Çështja nuk është etnike, është historike dhe simbolike.
Nga realiteti historik e dimë se Prizreni është qyteti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), është qyteti në të cilin mori jetë akti themelues i lëvizjes sonë kombëtare për çlirim nga Perandoria Osmane. Është qyteti ku u ngrit zëri për gjuhën, identitetin dhe shtetin shqiptar. Në Kararnamenë (Aktin Themelues) të kësaj Lidhjeje shkruhej: “Qëllimi ynë i shenjtë është mbrojtja e të drejtave të kombit shqiptar… Nuk duam të jemi më nën sundimin e huaj.” Abdyl Frashëri, një nga udhëheqësit kryesorë, deklaronte: “Shqiptarët nuk kërkojnë gjë tjetër veçse të jenë zotër në vendin e tyre.” Ky akt nuk ishte thjesht politik, ishte shkëputje shpirtërore nga Perandoria Osmane, ishte lindja e ideologjisë kombëtare shqiptare.
Vetëm 3 vjet më vonë (1881), ushtria osmane e shtypi me dhunë Lidhjen, dogji shtëpi në Prizren dhe internoi udhëheqësit. Abdyl Frashëri vdiq pas torturave në burgjet osmane. Ky është qyteti ku historia jonë u shkrua me gjak, pikërisht kundër asaj perandorie.
Nga realiteti i sotëm pamë se pikërisht në po atë shesh ku është shkruar historia jonë e çlirimit, “Shqipëria e shqiptarëve”, parakaluan uniforma të një perandorie që ne e luftuam pesë shekuj për ta larguar nga trojet tona dhe që e shtypi atë lëvizje. Kjo nuk ishte thjesht “shfaqje kulturore”, ishte një porosi simbolike që bie ndesh me kujtesën kolektive të këtij qyteti. Në po atë shesh ku u ngrit zëri për çlirim, dëgjuam daullet e Mehter-it, bandës ushtarake që historikisht shoqëronte ushtritë osmane në fushatat e tyre të pushtimit. Ishte simbolikë e rëndë në një hapësirë me ngarkesë të jashtëzakonshme historike.
Sa i përket miqësisë me Turqinë e sotme, shtetin modern turk, e dimë se Republika e Turqisë është mike e çmuar e Republikës së Kosovës, ka njohur pavarësinë tonë në vitin 2008 dhe ka kontribuar në shumë fusha. Është kjo miqësi e vyer që duhet ruajtur. Turqia moderne nuk është Perandoria Osmane. Vetë Mustafa Kemal Atatürku, themeluesi i Republikës moderne Turke, nuk donte të identifikohej me të dhe e “mbylli” Perandorinë Osmane në vitin 1922, duke deklaruar: “Nuk mund të ndërtohet e ardhmja duke jetuar në hijen e së kaluarës.” Atëherë, pse ne sot duhet të lejojmë që zemra e Prizrenit të jetojë në hijen simbolike të asaj perandorie që i përket të kaluarës?
Nuk ka mik në botë që ka të drejtë të ngrejë uniformën e sunduesit mbi gurët tanë.
Nuk ka festë që e mbulon turpin e një shteti që lejon marshimin e huaj aty ku populli ynë ka qarë për liri.
Kush harron historinë, e rigjen si zinxhir.
Dhe ne e dimë shumë mirë se si ndihet zinxhiri.
Pyetjet që kërkojnë përgjigje sot janë: Kush e lejoi këtë organizim në një hapësirë me ngarkesë kaq të madhe historike? A u konsultua Komuna e Prizrenit për përmbajtjen simbolike? Ku ishte Ministria e Kulturës, e cila ka për detyrë ligjore mbrojtjen e trashëgimisë historike? A do të lejohej një paradë e ngjashme me uniforma, nëse do të kërkohej, të çdo pushtuesi tjetër historik?
Përgjegjësia nuk është te organizatorët, ata bëjnë atë që u lejohet. Përgjegjësia është te institucionet tona, që duhet të dinë ku është kufiri midis shkëmbimit kulturor dhe rishkrimit simbolik të historisë.
Prizreni i hap dyert për të gjithë, për turistë, për miq, për kultura të ndryshme. Por Prizreni nuk i dorëzon sheshet e veta për t’u kthyer në skenë ku perandoritë e dikurshme parakalojnë sërish.
Prizreni është qytet i historisë shqiptare.
Prizreni është qytet i bashkëjetesës.
Prizreni meriton respekt për të dyja.
Popujt që ruajnë kujtesën, ruajnë lirinë.
dnsh

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu