U rrëzova, por nuk u dorëzova !

Shkrime relevante

U rrëzova, por nuk u dorëzova !

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë Sot vendosa të merrem pak me...

Historiani Jusuf Buxhovi: Lufta e UÇK-së e ka verdiktin e historisë!

https://www.youtube.com/watch?v=fd3fT3WrAAg&fbclid=IwY2xjawUPdF5wZG9mBWV4dG4DYWVtAjExAGJyaWQRMXloNjFIOUxqVEZKVkJLY3lzcnRjBmFwcF9pZBAyMjIwMzkxNzg4MjAwODkyAAEeu0ha46LQC0K5BULwIyuonb7m0QdUFUR_JBM1Sa9cdZhChMV7QG680Vu7TrQ_aem_9hZ9j0WodmphfGWVufvcMg

Kur mungon dija, fiton ideologjia

Basri Beka, Prishtinë ____ PISA NA TREGON PASOJËN, KOMENTET NA TREGOJNË SIMPTOMËN: KUR...

PISA nuk dënoi nxënësit, ajo zbuloj dështimin e sistemit arsimor!

Luan - Asllan Dibrani, Gjermani PISA NUK DËNOI NXËNËSIT – PISA ZBULOI...

Nesër në Ponoshec të Gjakovës, promovohet libri i Jusuf Buxhovit “Pasluftat e mia”

Promovimi premierë i veprës që ka zgjuar interesim të dukshëm, bëhet...

Shpërndaj

Sot vendosa të merrem pak me vetveten. Jo për t’u ankuar, as për të kërkuar mëshirë, por për të treguar një pjesë të shkurtër të rrugëtimit tim në tri vitet e fundit. Vite që më vunë përballë disa prej sfidave më të mëdha të jetës.
Isha në moshën kur njeriu mendon se i ka kaluar tashmë shumicën e betejave. Por jeta kishte menduar ndryshe.
Sfida e parë ishte familja.
Në një moment u gjenda përballë një përplasjeje të thellë brenda familjes sime, që unë e perceptoja si përplasje mes ruajtjes së familjes dhe ndikimeve të ideologjisë politike e fetare. Qëndrova në parimin tim. Nuk e bëra për të luftuar besimin e askujt, por nga bindja se fëmijët duhet të mbrohen nga çdo ndikim ideologjik që mund t’ua përcaktojë mendimin pa e kuptuar vetë.
Në atë betejë, gradualisht mbeta pothuajse vetëm.
Shumëkush nuk e kuptonte shqetësimin tim. Disa e kuptuan vetëm më vonë. Unë, ndërkaq, vazhdova të qëndroja.
Sfida e dytë ishte shëndeti.
Erdhi operimi. Pastaj pasojat e tij. Kishte ditë kur ngritja nga vendi ishte vetë një betejë.
Në ato momente e kupton kush është pranë teje dhe kush vetëm mendon se është pranë teje.
Rrallë, shumë rrallë, më zgjati dikush dorën për t’u ngritur. Në disa rrethana, përkundrazi, ndjeva sikur po krijoheshin kushte që unë të mos ngrihesha fare.
Edhe fëmijët, për arsye të tyre, mbetën larg.
Dhe unë mbeta vetëm.
Atëherë, si në monologun e Hamletit, më erdhi pyetja:
“Të jem apo të mos jem?”
Unë zgjodha:
DO TË JAM!
U ngrita. Fillova të lëviz me hapa të ngadalshëm, por të vendosur. E dija se pasojat do të ishin të shumta. I parashikova kundërshtitë. I parashikova edhe çmimin personal.
Por nuk u ndala.
Meditova. Analizova. Dhe pa kërkuar leje nga askush, bëra publike një ide që për mua nuk ishte thjesht një projekt ndërtimi:
ndërtimin e një kishe katolike shqiptare në Shalë të Bajgorës.
Për mua ajo ishte shumë më tepër se një objekt fetar. Ishte një ide e lidhur me kujtesën, historinë, identitetin, rrënjët dhe besimin e të parëve.
Ideja u mirëprit nga shumë shqiptarë dhe nga miq ndërkombëtarë. Natyrisht, pati edhe kundërshtime. Disa ishin të zëshme, por numerikisht të vogla.
Nuk u tremba.
Sepse kur njeriu beson se është në rrugën e së vërtetës së vet historike e shpirtërore, nuk mund të ecë duke kërkuar leje nga çdo zë që kundërshton.
Kam thënë edhe më parë:
Kur e di se jam në rrugën e Kombit dhe të Zotit, nuk kam nevojë t’i kërkoj leje askujt për të qenë ai që besoj se jam.
Pastaj erdhi një hap edhe më personal.
Për ta dëshmuar seriozitetin e bindjes sime, u pagëzova publikisht. Dhe vendosa të ndryshoj edhe emrin e mbiemrin.
Nuk e fsheha. E bëra publike.
Kur mediat më pyetën pse pikërisht atëherë, përgjigjja ime ishte e shkurtër:
“Pikërisht tani, sepse nuk dua të vdes me emër arab.”
Fjalia u përhap në media dhe në rrjetet sociale.
Por pas asaj fjalie kishte një histori shumë më të gjatë: një njeri që po kërkonte të pajtohej me veten, me historinë e tij dhe me atë që besonte se ishte identiteti i tij i trashëguar.
Me këtë zgjedhje erdhi edhe një çmim tjetër.
Pas 43 vitesh bashkëjetesë, rrugët tona me ish-bashkëshorten u ndanë.
Nuk dua t’i them publikut gjithçka. Ka gjëra që, edhe kur janë të dhimbshme, duhet të mbeten brenda kufirit të dinjitetit njerëzor.
Por një gjë dua ta them.
Kur erdhi puna te emri im i ri, ajo më tha se nuk do ta pranonte kurrë atë emër, edhe pse ishte Shqiptar.
E luta vetëm për një gjë: të mendonte mirë para se të merrte qëndrimin përfundimtar.
Qëndrimi nuk ndryshoi.
Unë nuk e detyrova askënd të bëhej si unë. Por as nuk lejova që dikush të më detyronte të mos isha ai që vendosa të jem.
Dhe këtu, me pak “zemërgjerësi” shqiptare, bëra edhe një gjest simbolik:
Emrin tim të vjetër ia lashë asaj për kujtim.
Ajo mbajti kujtimin e një emri me të cilin më kishte njohur për 43 vjet.
Unë mora emrin tim të ri dhe u ktheva në Atdhe.
Lamtumirën ia lashë me lot në sy.
Pa urrejtje.
I urova shëndet, jetë të gjatë dhe paqe në ndërgjegje.
Pastaj vazhdova rrugën time.
Nuk e di nëse të gjithë do ta kuptojnë ndonjëherë pse mora këto vendime. As nuk pres që të gjithë të pajtohen me mua.
Por sot, kur e shikoj veten pas këtyre tri viteve, mund të them vetëm një gjë:
U rrëzova. Shpesh.
Por çdo herë gjeta brenda vetes një arsye për t’u ngritur.
Më humbën disa njerëz. Disa u larguan. Disa nuk më kuptuan. Disa ndoshta ende nuk më kuptojnë.
Por unë nuk e humba veten.
Dhe ndoshta kjo është fitorja ime më e madhe.
Sot quhem Shqiptar Shaljani.
Nuk po them se rruga ime është e përsosur.
Po them vetëm se është rruga që zgjodha me vetëdije.
Dhe sot, nëse dikush ka menduar se duke filluar izolimin tim nga brenda familjes do të mund të më linte vetëm, koha i ka dhënë përgjigjen më të mirë.
Mund të më rrëzonin, por nuk mundën të më izolonin.
Sepse pas meje qëndrojnë miq e mike që nuk u larguan, bashkëkombës shqiptarë që më dhanë kurajë dhe njerëz që e kuptuan se një njeri mund të jetë i vetëm në një betejë, por jo domosdoshmërisht i vetmuar.
Sot e them pa hezitim:
Shqiptar Shaljanin është e pamundur ta izolosh.
Jo sepse nuk mund të më lëndojnë.
Por sepse, sa herë që më rrëzojnë, ngrihem përsëri.
Dhe sa herë që më mbyllet një derë, gjej një tjetër që të çon drejt Atdheut, drejt Kombit dhe drejt vetvetes.
U rrëzova, por nuk u dorëzova.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu