____
Kosova sot nuk është më Kosova e para një dekade.
Shteti ka një buxhet dukshëm më të madh se dikur dhe, në të njëjtën kohë, ka një nga nivelet më të ulëta të borxhit publik në Evropë. Sipas të dhënave të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, borxhi publik i Kosovës ishte rreth 17.5 për qind e PBB-së në fund të vitit 2025, ndërsa borxhi i jashtëm mbetet i ulët krahasuar me ekonomitë evropiane në zhvillim.
Kjo nuk është thjesht një statistikë.
Është një avantazh strategjik.
Por vetëm nëse dimë ta përdorim.
Sepse një shtet nuk bëhet më i pasur vetëm pse ka më shumë para në buxhet apo në sistemin financiar.
Kapitali që nuk futet në qarkullim ekonomik nuk prodhon zhvillim.
Ne nuk kemi asgjë nga kapitali që nuk vihet në punë.
Paraja që nuk shndërrohet në energji, infrastrukturë, dije, teknologji, prodhim, vende pune, eksporte dhe mirëqenie mbetet thjesht kapital i papërdorur.
Një shtet nuk ndërtohet duke e admiruar kapitalin në bilanc.
Shteti ndërtohet duke e kthyer kapitalin në kapacitete.
Prandaj Kosova duhet të hyjë në një fazë të re të politikës ekonomike: nga administrimi i parasë drejt menaxhimit strategjik të kapitalit.
Kjo kërkon edhe një qasje serioze ndaj borxhit të jashtëm.
Jo borxh për konsum.
Jo borxh për paga që harxhohen brenda një viti.
Jo borxh për projekte pa kthim ekonomik.
Jo borxh për të mbuluar keqmenaxhimin.
Por borxh të matur, transparent dhe të orientuar drejt investimeve që rrisin kapacitetin prodhues të Kosovës.
Kosova duhet të hartojë një Plan Kombëtar për Financimin e Investimeve Strategjike 2035.
Ky plan duhet të përcaktojë qartë:
– sa borxh mund të marrë shteti pa cenuar stabilitetin fiskal;
– cilat projekte mund të financohen me borxh;
– cilat projekte kanë kthim ekonomik të matshëm;
– sa vende pune krijojnë;
– sa importe zëvendësojnë;
– sa eksporte gjenerojnë;
– sa energji vendore prodhojnë;
– sa të ardhura shtesë krijojnë;
– sa është kostoja e financimit;
– cili është afati i kthimit;
– cilat janë rreziqet;
– dhe kush mban përgjegjësi nëse projekti dështon.
Borxhi duhet të jetë instrument zhvillimi, jo barrë për gjeneratat e ardhshme.
Nëse marrim borxh për të ndërtuar kapacitet energjetik që ul importet për dekada, kemi krijuar aset.
Nëse investojmë në ujitje, agro-përpunim dhe magazinim, kemi krijuar prodhim dhe siguri ushqimore.
Nëse investojmë në laboratorë, STEM, IT dhe inteligjencë artificiale, kemi investuar në kapital njerëzor.
Nëse investojmë në digjitalizim, kemi ulur kostot administrative dhe kemi rritur transparencën.
Nëse investojmë në rrjet energjetik, bateri dhe burime të reja, kemi rritur sigurinë energjetike.
Nëse investojmë në industri eksportuese, kemi krijuar vende pune, eksporte dhe të ardhura.
Ky është dallimi midis borxhit që e varfëron një shtet dhe borxhit që e pasuron një shtet.
Pyetja nuk duhet të jetë vetëm:
“Sa borxh kemi?”
Pyetja duhet të jetë:
“Çfarë po ndërtojmë me borxhin që marrim?”
Dhe pyetja e tretë duhet të jetë:
“Çfarë vlere do t’u mbetet fëmijëve tanë pasi ai borxh të jetë paguar?”
Këtu fillon një Kosovë që mendon përtej ciklit të ardhshëm zgjedhor.
—
1. ZHBLOKIMI INSTITUCIONAL — 100 DITË
Asnjë plan ekonomik nuk funksionon nëse institucionet nuk funksionojnë.
Prandaj pika e parë nuk është një projekt ekonomik.
Është funksionimi i shtetit.
Kosova ka nevojë për një mekanizëm të qartë që eliminon pengesat politike, administrative dhe institucionale që e ngadalësojnë vendimmarrjen, investimet dhe zbatimin e projekteve.
Brenda 100 ditësh duhet të krijohet një:
PAKT KOMBËTAR PËR ZHVILLIMIN 2035.
Pakti duhet të përmbajë 10–12 prioritete kombëtare të matshme deri në vitin 2035.
Për secilin objektiv duhet të përcaktohen:
– institucioni përgjegjës;
– afati;
– buxheti;
– burimi i financimit;
– treguesit e suksesit;
– përgjegjësit konkretë;
– mekanizmi i raportimit.
Duhet të krijohet Zyra për Monitorimin e Objektivave Kombëtare, e cila raporton çdo tre muaj.
Duhet të krijohet një Dashboard i Kosovës, ku qytetari mund të shohë:
Sepse institucionet nuk mund të funksionojnë si një emision televiziv ku çmimi i parë është t’ia hedhësh fajin dikujt tjetër.
Qytetari duhet të dijë:
Kush e zgjidh problemin?
Kur duhet ta zgjidhë?
Me sa para?
Dhe çfarë ndodh nëse nuk e zgjidh?
Pa këtë, çdo strategji tjetër mbetet letër.
—
2. SUNDIMI I LIGJIT, LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR — 1–3 VJET
Nuk ka ekonomi të fortë me institucione të dobëta.
Nuk ka investime serioze aty ku kontrata nuk besohet.
Nuk ka kapital serioz aty ku tenderi fitohet me lidhje.
Nuk ka konkurrencë të drejtë aty ku korrupsioni bëhet rrugë alternative për të anashkaluar rregullat.
Prandaj lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është vetëm çështje drejtësie.
Është politikë ekonomike.
Duhet:
– forcim i hetimeve të korrupsionit në nivele të larta;
– forcim i hetimit financiar;
– gjurmim i pasurisë së pajustifikuar;
– transparencë e plotë e prokurimit;
– kontroll i konfliktit të interesit;
– mbrojtje efektive e sinjalizuesve;
– bashkëpunim ndërkombëtar kundër krimit financiar;
– digjitalizim i proceseve të prokurimit dhe pagesave;
– matje e besimit të investitorëve në institucionet e Kosovës.
Investitori i huaj nuk pyet vetëm:
“Sa është paga?”
Ai pyet:
A funksionon ligji?
A mbrohet kontrata?
A është konkurrenca e drejtë?
A është energjia e sigurt?
A ka fuqi punëtore të kualifikuar?
A janë institucionet transparente?
A mund të zhvilloj biznes pa ndërmjetës politikë?
Prandaj luftimi i korrupsionit lidhet drejtpërdrejt me investimet e huaja, energjinë, digjitalizimin, transparencën dhe funksionimin e gjithë sistemit.
—
3. ENERGJIA — 5–7 VJET
Kosova ka rezerva të konsiderueshme të linjitit dhe njëkohësisht potencial të madh për energji diellore dhe të erës.
Kjo duhet të kthehet në siguri energjetike.
Duhet të përgatitet brenda vitit të parë:
MASTERPLANI ENERGJETIK 2035.
Ai duhet të përfshijë:
– studim teknik, ekonomik dhe mjedisor për kapacitete të reja termike me teknologji moderne;
– zgjerim gradual të kapaciteteve diellore dhe të erës;
– bateri të mëdha për ruajtjen e energjisë;
– modernizim të transmetimit dhe shpërndarjes;
– program kombëtar të efikasitetit energjetik;
– procedura më të shpejta investimi pa hequr standardet mjedisore;
– plan rezervë për dimrat me kërkesë të lartë.
Qëllimi:
më shumë prodhim vendor, më pak varësi nga importi.
Energjia nuk është vetëm çështje ekonomike.
Është edhe çështje e sigurisë së shtetit.
Energjia e sigurt i jep industrisë siguri.
Industria krijon vende pune.
Vendet e punës ulin emigrimin.
Prodhimi rrit eksportet.
Eksportet forcojnë ekonominë.
Dhe ekonomia më e fortë e rrit aftësinë e shtetit për të investuar.
Pra energjia lidhet me gjithçka.
—
4. ARSIMI DHE TREGU I PUNËS — 5–7 VJET
Arsimi nuk duhet të prodhojë diploma.
Duhet të prodhojë aftësi që ekonomia i kërkon.
Rënia e rezultateve në matematikë, lexim dhe shkencë nuk është problem vetëm i shkollës.
Është problem i tregut të punës të vitit 2035.
Prandaj duhet:
– testim kombëtar vjetor;
– trajnim dhe certifikim të mësimdhënësve;
– përmirësim të pagave dhe karrierës mbi bazën e profesionalizmit dhe rezultateve;
– STEM;
– programim;
– mendim kritik;
– aftësi praktike;
– laboratorë modernë;
– materiale digjitale;
– mbështetje për nxënësit me rezultate të dobëta;
– bursa për talentet në matematikë, shkencë dhe teknologji;
– vlerësim transparent të shkollave.
Por kjo nuk mjafton.
Arsimi duhet të lidhet drejtpërdrejt me tregun e punës.
Duhet:
– zgjeruar arsimi profesional;
– zhvilluar sistemi dual;
– krijuar partneritete mes universiteteve dhe kompanive;
– përshtatur profilet universitare me kërkesën e tregut;
– krijuar programe rikualifikimi për të rriturit;
– monitoruar çdo vit profesionet që kërkon ekonomia.
Sepse nuk ka kuptim të kemi mijëra të diplomuar në fusha ku nuk ka punë dhe mungesë të punëtorëve në fushat ku ekonomia ka nevojë.
Arsimi është politika më afatgjatë e tregut të punës.
—
5. INTELIGJENCA ARTIFICIALE — 2–5 VJET
Kosova duhet të mos jetë vetëm përdoruese e teknologjisë.
Duhet të bëhet prodhuese e saj.
Duhet:
– Strategji Kombëtare për Inteligjencën Artificiale;
– buxhet i përcaktuar;
– laborator shtetëror për AI dhe të dhëna;
– përdorim i AI në administratë, tatime, shëndetësi, arsim dhe bujqësi;
– automatizim i proceseve administrative të përsëritshme;
– zbulim i anomalive dhe mashtrimeve në shpenzimet publike;
– platformë publike të dhënash, duke respektuar privatësinë;
– partneritete universitete–kompani teknologjike;
– trajnime për nëpunësit civilë.
Objektiv:
të paktën 20 shërbime publike të përmirësuara ose të automatizuara përmes AI brenda 2–5 vjetësh.
AI nuk duhet parë si modë.
Ajo duhet të përdoret për të ulur kostot, gabimet dhe burokracinë.
Dhe këtu lidhet drejtpërdrejt me digjitalizimin dhe transparencën.
—
6. DIGJITALIZIMI — 3 VJET
Digjitalizimi nuk është blerja e kompjuterëve.
Është riorganizimi i mënyrës se si funksionon shteti.
Duhet:
– një e-ID;
– një portal për shërbimet publike;
– dokumente elektronike me fuqi ligjore;
– pagesa online;
– nënshkrim elektronik;
– arkiv elektronik kombëtar;
– auditim i sistemeve ekzistuese;
– eliminim i platformave të shkëputura.
Parimi duhet të jetë:
Shteti nuk ta kërkon dy herë të njëjtën të dhënë.
Objektiv:
të paktën 80 për qind e shërbimeve administrative prioritare të jenë plotësisht online brenda tri vjetësh.
Por digjitalizimi ka edhe një funksion tjetër:
ul hapësirën për korrupsion.
Sa më pak ndërmjetës të panevojshëm, aq më pak mundësi për abuzim.
Sa më shumë gjurmë elektronike, aq më e madhe përgjegjësia.
Sa më shumë të dhëna të hapura, aq më shumë transparencë.
Pra:
digjitalizimi → efikasitet → gjurmueshmëri → transparencë → më pak hapësirë për korrupsion.
—
7. BUJQËSIA, SIGURIA USHQIMORE DHE TOKA — 5 VJET
Kosova duhet ta modernizojë bujqësinë.
Por para së gjithash duhet të ndalojë shkatërrimin e tokës bujqësore.
Duhet:
– sistem modern ujitjeje;
– subvencione të lidhura me prodhimin dhe produktivitetin;
– kredi të favorshme për mekanizim dhe teknologji;
– sera moderne;
– qendra grumbullimi;
– magazinim dhe ftohje;
– agro-përpunim;
– sigurim të kulturave bujqësore;
– digjitalizim të fermave;
– sensorë;
– dronë;
– të dhëna bujqësore;
– kontrata direkte prodhues–industri përpunuese.
Brenda 12 muajve duhet:
– hartë kombëtare e tokës bujqësore;
– zona të mbrojtura;
– kontroll rigoroz i ndryshimit të destinimit;
– transparencë publike për çdo kërkesë për ndryshim destinimi;
– inspektim më i fortë kundër ndërtimeve ilegale;
– masa ligjore dhe administrative;
– mbrojtje e kategorive më cilësore të tokës nga urbanizimi.
Sepse çdo hektar tokë pjellore i mbuluar me beton është humbje e përhershme e sigurisë ushqimore.
Toka nuk është thjesht pronë. Është kapital strategjik i shtetit.
Bujqësia lidhet me ushqimin.
Ushqimi lidhet me importet.
Importet lidhen me bilancin tregtar.
Prodhimi vendor ul importet.
Përpunimi krijon industri.
Industria krijon vende pune.
Pra toka lidhet drejtpërdrejt me ekonominë.
—
8. ÇMIMET, KONKURRENCA DHE MBROJTJA E KONSUMATORIT — 6–12 MUAJ
Tregu i lirë nuk do të thotë treg pa rregulla.
Duhet:
– platformë publike për monitorimin e çmimeve të produkteve bazë;
– krahasim periodik ndërmjet tregjeve dhe rajoneve;
– hetime të shpejta për marrëveshje antikonkurruese;
– kontroll të abuzimit me pozitën dominuese;
– transparencë të zinxhirëve të çmimeve në sektorët kritikë;
– forcim të Autoritetit të Konkurrencës;
– gjoba efektive;
– mbrojtje më të fortë të konsumatorit.
Objektiv:
sistem transparent monitorimi dhe hetimi brenda 6–12 muajve.
Qëllimi nuk është të luftohet tregu.
Qëllimi është të parandalohet shfrytëzimi i boshllëkut institucional.
Kur institucionet nuk kontrollojnë, boshllëku mbushet nga abuzimi.
Prandaj mbrojtja e konsumatorit nuk është kundër tregut.
Është mbrojtje e tregut nga abuzimi.
—
9. INVESTIMET E HUAJA — 3 VJET
Kosova duhet të jetë vend ku investitori vjen për mundësinë ekonomike dhe jo për të kërkuar:
“Kë njeh këtu?”
Duhet:
– one-stop shop për investitorët;
– afate të qarta dhe të shkurtra për leje;
– zona ekonomike me infrastrukturë të gatshme;
– stimuj për prodhim, eksport, teknologji dhe energji;
– agjenci profesionale për promovimin e investimeve;
– marrëveshje me investitorët strategjikë mbi kritere transparente;
– lidhje të investitorëve të huaj me furnizuesit vendorë;
– objektiva të detyrueshme për punësim dhe eksport për projektet që marrin mbështetje publike.
Objektiv:
rritje e kapitalit të investuar dhe e vendeve të reja të punës brenda tri vjetësh.
Por investitori nuk investon vetëm në një fabrikë.
Ai investon në besueshmërinë e sistemit.
Prandaj investimet e huaja lidhen me:
– sundimin e ligjit;
– luftën kundër korrupsionit;
– energjinë;
– arsimin;
– fuqinë punëtore;
– infrastrukturën;
– digjitalizimin;
– transparencën.
Nëse njëra mungon, e gjithë zinxhiri dobësohet.
—
10. IT DHE EKONOMIA DIGJITALE — 10 VJET
Rinia e Kosovës nuk duhet parë si problem.
Ajo është kapitali më i madh strategjik i vendit.
Duhet:
– programim që nga arsimi parauniversitar;
– akademi intensive për programim dhe AI;
– partneritete universitet–kompani;
– grante për startup-e teknologjike;
– qendra inovacioni në qytetet kryesore;
– lehtësime fiskale për kompanitë që eksportojnë shërbime IT;
– programe për kthimin e profesionistëve nga diaspora;
– infrastrukturë digjitale;
– fond për kërkim dhe zhvillim teknologjik.
Objektiv:
ekosistem që synon 100,000 profesionistë të kualifikuar në teknologji dhe shërbime digjitale brenda dhjetë vjetësh.
Kjo është mënyra se si arsimi, AI-ja dhe digjitalizimi shndërrohen në vende pune.
Dhe kjo është një nga mënyrat më të fuqishme për ta zvogëluar emigrimin ekonomik.
—
11. DIASPORA, SOLIDARITETI DHE KTHIMI — 1–3 VJET
Diaspora nuk duhet të shihet vetëm si bankomat kombëtar.
Ajo është kapital financiar, kapital njerëzor, përvojë, dije, kontakte dhe tregje.
Duhet:
– one-stop shop për investitorët nga diaspora;
– regjistrim të shpejtë të bizneseve;
– fond bashkë-investimi shtet–diasporë;
– programe profesionale për kthim;
– stimuj për prodhim dhe teknologji;
– rrjet profesionistësh të diasporës me universitete dhe kompani;
– mentorim për sipërmarrësit e rinj;
– databazë të profesionistëve dhe investitorëve.
Solidariteti nuk duhet të matet vetëm me remitenca.
Solidariteti i vërtetë është kur kapitali kthehet në zhvillim.
Kur një profesionist kthehet dhe hap kompani, krijon vende pune.
Kur një ekspert i diasporës bashkëpunon me universitetin, transferon dije.
Kur një investitor i diasporës sjell teknologji, hap tregje.
Kur një familje kthehet, ajo sjell jo vetëm para, por edhe përvojë dhe lidhje ndërkombëtare.
Prandaj diaspora duhet të bëhet pjesë e planit të zhvillimit, jo vetëm e statistikës së remitencave.
—
12. RICIKLIMI, MJEDISI DHE EKONOMIA QARKULLUESE — 2–5 VJET
Mbeturinat nuk janë vetëm diçka që duhet ta heqim nga sytë.
Ato janë edhe burim ekonomik.
Duhet:
– ndarje e mbeturinave në burim;
– kontejnerë të veçantë për letër, plastikë, qelq dhe mbetje organike;
– parimi “ndotësi paguan”;
– stimuj për familjet dhe bizneset që riciklojnë;
– partneritete publiko-private;
– impiante riciklimi;
– industri përpunuese;
– mbyllje graduale e deponive ilegale;
– inspektime;
– gjoba efektive.
Objektiv:
ndarje në burim dhe rritje e ndjeshme e riciklimit në komunat kryesore brenda 2–5 vjetësh.
Më pak mbeturina do të thotë:
ambient më i pastër;
qytete më të jetueshme;
shëndet më të mirë;
më pak kosto;
dhe ekonomi më qarkulluese.
Pra edhe mbeturinat lidhen me ekonominë.
—
13. TRANSPARENCA — 12 MUAJ
Çdo euro publike duhet të jetë e gjurmueshme.
Duhet:
– një platformë për të gjitha kontratat publike;
– publikim i pagesave;
– publikim i progresit të projekteve;
– hartë publike e investimeve kapitale;
– gjurmim elektronik nga tenderi deri te pagesa;
– sinjalizim automatik i kostove dhe ndryshimeve të dyshimta;
– raportim tremujor për projektet strategjike;
– të dhëna të hapura;
– mekanizma më të fortë auditimi.
Objektiv:
sistem funksional i gjurmueshmërisë publike brenda 12 muajve.
Transparenca nuk është dekor.
Ajo është mekanizëm kontrolli.
Dhe kur lidhet me digjitalizimin dhe inteligjencën artificiale, bëhet edhe më e fuqishme.
Digjitalizimi regjistron.
AI-ja analizon.
Transparenca ekspozon.
Institucionet kontrollojnë.
Qytetari mbikëqyr.
Kështu ndërtohet përgjegjësia.
—
14. PLANI KOMBËTAR PËR BORXHIN DHE INVESTIMET STRATEGJIKE — 12 MUAJ
Kosova duhet ta përdorë avantazhin e nivelit të ulët të borxhit me kujdes dhe inteligjencë.
Por duhet të vendosë një vijë të qartë:
Borxhi nuk merret për konsum të përhershëm. Borxhi merret vetëm kur krijon kapacitet të ri.
Duhet të krijohet një portofol kombëtar projektesh strategjike, ku çdo projekt kalon nëpër një test të detyrueshëm:
1. Sa kushton?
2. Sa financim publik kërkon?
3. Sa mund të financohet nga kapitali privat?
4. Sa mund të financohet nga diaspora?
5. Sa mund të financohet nga grantet ndërkombëtare?
6. Sa borxh kërkohet?
7. Çfarë prodhon?
8. Sa vende pune krijon?
9. Sa importe zëvendëson?
10. Sa eksporte krijon?
11. Sa të ardhura gjeneron?
12. Sa është kthimi ekonomik?
13. Cilat janë rreziqet?
14. Kush mban përgjegjësi?
Projektet duhet të klasifikohen:
Kjo do të krijonte një parim të ri:
Mos merr borxh për të paguar të kaluarën. Merr financim për të ndërtuar të ardhmen.
—
15. ÇDO GJË LIDHET ME TJETRËN
Këtu qëndron dallimi midis një liste projektesh dhe një plani shtetëror.
Zhbllokimi institucional heq pengesat.
Sundimi i ligjit krijon besim.
Lufta kundër korrupsionit mbron kapitalin.
Transparenca tregon se ku shkon paraja.
Digjitalizimi e bën shtetin më të shpejtë dhe më të gjurmueshëm.
AI-ja rrit efikasitetin.
Arsimi krijon fuqinë punëtore.
Tregu i punës e lidh dijen me ekonominë.
IT-ja krijon sektorë të rinj dhe eksporte.
Energjia siguron bazën e industrisë.
Bujqësia siguron ushqimin dhe mbron tokën.
Riciklimi mbron ambientin dhe krijon ekonomi qarkulluese.
Diaspora sjell kapital, dije, solidaritet dhe kthim.
Investimet e huaja sjellin kapital, teknologji dhe tregje.
Borxhi strategjik mund të përshpejtojë investimet që shteti nuk mund t’i financojë menjëherë vetëm nga buxheti.
Dhe të gjitha këto duhet të lidhen me njëra-tjetrën.
Sepse një fabrikë nuk ka vlerë pa energji.
Energjia nuk ka vlerë të plotë pa industri.
Industria nuk ka vlerë pa punëtorë të kualifikuar.
Punëtori i kualifikuar nuk ka perspektivë pa vende pune.
Vendet e punës nuk krijohen pa investime.
Investimet nuk vijnë pa siguri juridike.
Siguria juridike nuk ekziston pa institucione.
Institucionet nuk janë efikase pa digjitalizim.
Digjitalizimi nuk funksionon pa dije.
Dhe dija nuk krijohet pa arsim.
Prandaj zhvillimi nuk është 15 politika të ndryshme. Është një sistem.
—
16. SI MATET SUKSESI?
Çdo objektiv duhet të ketë:
– afatin;
– treguesin;
– institucionin përgjegjës;
– buxhetin;
– burimin e financimit;
– rezultatin e pritshëm;
– përgjegjësinë konkrete.
Çdo tre muaj duhet të publikohet:
DASHBOARD-I I KOSOVËS
Por çdo ngjyrë duhet të ketë pas vetes një emër institucioni.
Jo:
“rrethanat”.
Jo:
“trashëgimia”.
Jo:
“mungesa e koordinimit”.
Jo:
“situata politike”.
Por:
Kush?
Çfarë?
Kur?
Sa?
Pse nuk u bë?
Dhe:
Çfarë do të bëhet tani?
Sepse kur përgjegjësia u takon të gjithëve, shpesh ajo nuk i takon askujt.
—
NË FUND
Fëmijët tanë nuk do të trashëgojnë fjalimet tona.
Do të trashëgojnë shkollat tona.
Do të trashëgojnë energjinë tonë.
Do të trashëgojnë tokën tonë.
Do të trashëgojnë institucionet tona.
Do të trashëgojnë ekonominë tonë.
Do të trashëgojnë ambientin tonë.
Dhe do të trashëgojnë pasojat e vendimeve që marrim sot.
Prandaj pyetja nuk është:
“Çfarë do të bëjmë deri në zgjedhjet e ardhshme?”
Pyetja është:
“Çfarë Kosove duam t’u dorëzojmë fëmijëve tanë pas dhjetë vjetësh?”
Më pak zhurmë.
Më pak improvizim.
Më pak beton mbi tokën pjellore.
Më pak korrupsion.
Më pak burokraci.
Më shumë dije.
Më shumë energji të sigurt.
Më shumë prodhim.
Më shumë investime.
Më shumë teknologji.
Më shumë eksporte.
Më shumë transparencë.
Më shumë përgjegjësi.
Dhe mbi të gjitha:
një plan që matet.
Një plan ku çdo euro ka destinacion.
Çdo borxh ka arsyetim.
Çdo investim ka objektiv.
Çdo objektiv ka afat.
Çdo afat ka përgjegjës.
Dhe çdo përgjegjës duhet të japë llogari.
Sepse pyetjet e një shteti serioz nuk janë të komplikuara:
Çfarë premtuam?
Çfarë bëmë?
Çfarë nuk bëmë?
Pse nuk e bëmë?
Dhe kush mban përgjegjësi?
Ky nuk është shumë për t’u kërkuar nga një shtet.
Është minimumi.
Ndoshta problemi është se jemi mësuar të kënaqemi me shumë pak.
Kosova nuk duhet të jetë një shtet që vetëm mbijeton nga viti në vit.
Duhet të jetë një shtet që ndërton me vetëdije atë që do të jetë pas dhjetë, njëzet dhe tridhjetë vjetësh.
Sepse shteti nuk ndërtohet për ciklin e ardhshëm zgjedhor.
Shteti ndërtohet për ata që ende nuk kanë votuar.


