Guri i Kishës së Zogajt, me jehonë përtej Atlantikut

Shkrime relevante

Kur historia e komunizmit hyn në klasat amerikane

Nga Frank Shkreli ____ Florida në krye të një nisme të re arsimore...

Disa hoxhallarë të BIK-ut vjellin vrer kundër shqiptarëve, në veçanti kundër shqiptarëve katolikë…!

Shih videon ku analizon Blerim Nika: Hoxhallarët e BIK-ut që vjellin vrer...

Rrënjët tona Arbërore na tregojnë prej nga vijmë, Krishti na tregon kah të shkojmë

Plisi tek Perandori Tiberius Dom Fran Sopi, Zagreb “Bëni, pra, fryte të denja...

Kosova nuk ka nevojë për më shumë zhurmë, por për një plan

Lirim Gashi, Prizren ____ Kosova sot nuk është më Kosova e para një...

Guri i Kishës së Zogajt, me jehonë përtej Atlantikut

Luan - Asllan Dibrani, Gjermani Nga një gur në Zogaj te një...

Shpërndaj

Luan – Asllan Dibrani, Gjermani

Nga një gur në Zogaj te një jehonë përtej Atlantikut

Kronologjia e Kishës “Shën Flori dhe Shën Lauri” – një ngjarje që trazoi opinionin, sfidoi institucionet dhe vuri në provë tolerancën tonë

Ka ngjarje që lindin në një copë të vogël toke, por pastaj dalin përtej kufijve të fshatit, komunës dhe shtetit. Ka gurë që vendosen në tokë, por pesha e tyre matet në ndërgjegjen e një populli.

Ftesë për në Amerikë

Në këtë takim, përfaqësuesi i Kishës Katolike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italo Dell’Oro, i bëri gjithashtu ftesë Muse Musës që ta vizitojë Amerikën, si pjesë e vazhdimit të kontakteve dhe e interesimit për ecurinë e ndërtimit të Kishës Katolike “Shën Flori dhe Shën Lauri” në Zogaj të Vushtrrisë.

E tillë po bëhet historia e Kishës së re Katolike Shqiptare “Shën Flori dhe Shën Lauri” në Zogaj të Vushtrrisë.

Kam qenë ndër ata që, që nga ditët e para, e kam përcjellë këtë çështje me shkrime, reagime, apele dhe letra publike. Jo sepse kam parë në të një përplasje ndërmjet feve, por pikërisht të kundërtën: një provë nëse Kosova jonë është mjaftueshëm e pjekur për ta respektuar besimin, pronën private, historinë, pluralizmin dhe vëllazërinë shqiptare pavarësisht përkatësisë fetare.

Sot, pas gjithë asaj që ndodhi gjatë gushtit dhe fillimit të shtatorit 2026, është koha që ngjarjet të vendosen në rend kronologjik. Jo për ta ndezur konfliktin, por për të ruajtur dëshminë.

Familja Musa – toka që u bë amanet

Në qendër të kësaj historie është familja Musa.

Një familje që nuk duhet parë vetëm përmes debatit të sotëm rreth një kishe, por përmes historisë së sakrificës së saj.

Muse Musa nuk është një emër që duhet përmendur vetëm si përkrahës i ndërtimit të kishës. Ai është një njeri që la jetën e rehatshme të Gjermanisë dhe iu përgjigj thirrjes së Kosovës në kohën kur atdheu kërkonte njerëz, jo fjalë.

Në fytyrën e tij ka mbetur një dëshmi që shpesh kalon pa u thënë: plaga e luftës.Ajo plagë në anën e djathtë të fytyrës nuk është dekoratë politike. Është shenjë e gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës.

Më ka ardhur keq që në disa paraqitje televizive kjo pjesë e historisë së tij nuk është shpjeguar sa duhet, madje as nga vetë ai. Sepse brezat duhet ta dinë: para se të bëhej objekt debatesh për çështje fetare, Muse Musa kishte vënë trupin e tij në shërbim të çlirimit të Kosovës nga pushtimi serb.

Dhe atë luftë nuk e bënë katolikët kundër myslimanëve, as myslimanët kundër katolikëve.

Atë e bënë shqiptarët së bashku.

Takim i frytshëm me përfaqësuesin e Kishës Katolike nga SHBA-ja

Në një takim të frytshëm, përfaqësuesit e familjes Musa, Muse

Musa – Gjergji dhe Halil Musa – Bardhyli, u takuan me përfaqësuesin e Kishës Katolike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italo Dell’Oro, si dhe me atdhetarin nga Malësia, Zef Margilaj, i cili jeton dhe vepron në Nju Jork.

Gjatë takimit u diskutua për ecurinë e procesit të ndërtimit të Kishës Katolike “Shën Flori dhe Shën Lauri” në Zogaj të Vushtrrisë, si dhe për pengesat e krijuara rreth ceremonisë së 18 gushtit nga përfaqësues të Bashkësisë Islame, Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Vushtrri dhe Komuna e Vushtrrisë.

Takimi u zhvillua në një frymë mirëkuptimi, respekti dhe bashkëpunimi, me interes të veçantë për vazhdimin e kësaj nisme.

Në të njëjtat pozicione luftuan shqiptarë të besimeve të ndryshme. Në të njëjtën tokë ranë dëshmorë. Përballë ushtrisë dhe policisë serbe askush nuk pyeste se ku falej shoku pranë tij.

Prandaj është tragjike kur, pas lirisë, dikush përpiqet t’i ndajë shqiptarët sipas altarit.

17 dhe 18 gushti – gurthemeli që u bë çështje kombëtare

Ceremonia e bekimit të gurthemelit ishte planifikuar për 18 gusht 2026, në festën e Shën Florit dhe Shën Laurit.

Por ngjarjet morën një drejtim tjetër.

Sipas deklarimeve të bëra publike nga Dioqeza Prizren–Prishtinë, Policia e Kosovës vendosi të mos lejonte ceremoninë e paraparë për 18 gusht. Për të shmangur tensionet, Imzot Dodë Gjergji e bekoi gurthemelin një ditë më herët, më 17 gusht 2026, në praninë e meshtarëve dhe besimtarëve.

Ky fakt duhet të mbetet në kronologji.

Sepse ceremonia nuk u zhduk.

Guri nuk u zhduk.

Ideja nuk u zhduk.

Përkundrazi, prej atij momenti çështja mori përmasa shumë më të mëdha.

Më 18 gusht, ceremonia e paraparë e pagëzimeve dhe aktivitetet kishtare u zhvendosën në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.

Protesta që nuk arriti ta ndalte procesin

Kundërshtimet ishin të zëshme.

U organizuan protesta dhe pati përpjekje që çështja të paraqitej si një përplasje e madhe shoqërore.

Por një gjë duhet thënë pa propagandë: numri i protestuesve nuk është barometër i së drejtës, as numri i përkrahësve nuk është barometër i së vërtetës.

Në një shtet demokratik, çështjet zgjidhen me ligj.

Nëse toka është private dhe është dhuruar ligjërisht për një objekt fetar, kjo duhet shqyrtuar juridikisht.

Nëse ka probleme urbanistike, ato zgjidhen me dokumentacion.

Nëse ka pretendime historike, ato dëshmohen nga historianët dhe arkeologët.

Jo me kërcënime.

Jo me sharje.

Jo duke e etiketuar tjetrin tradhtar vetëm pse beson ndryshe.

Pikërisht këtu mendoj se një pjesë e islamizmit politik gaboi rëndë. Ai u përpoq ta shndërronte një çështje të lirisë fetare dhe pronës private në një përplasje identitare.

Por kjo nuk është rruga shqiptare.

Shqiptaria nuk matet me xhami dhe as me kishë.

Matet me mënyrën se si e respekton shqiptarin tjetër.

Nga Zogaj në Prishtinë, nga Kosova deri në Amerikë

Ajo që filloi në një truall në Zogaj nuk mbeti në Zogaj.

Për kishën, për familjen Musa dhe për zhvillimet e gushtit u fol në Kosovë, në diasporë dhe në qarqe shqiptare jashtë vendit.

U organizuan kremtime dhe takime në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në Llapushnik dhe në vende të tjera. Tema u diskutua edhe në mjedise shqiptare jashtë Kosovës.

Takim i frytshëm me delegacionin e Kishës Katolike nga SHBA-ja

Në kuadër të zhvillimeve rreth ndërtimit të Kishës Katolike “Shën Flori dhe Shën Lauri” në Zogaj të Vushtrrisë, u zhvillua një takim i frytshëm ndërmjet përfaqësuesve të familjes Musa-Zogaj, Muse Musa-Zogaj dhe Halil Musa-Zogaj, me përfaqësuesin e Kishës Katolike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italo Dell’Oro, si dhe me Jennifer Healy dhe atdhetarin nga Malësia, Zef Margilaj, i cili jeton dhe vepron në Nju Jork.

Gjatë takimit u diskutua për ecurinë e procesit të ndërtimit të kishës, për pengesat e krijuara rreth ngjarjeve të 18 gushtit në Vushtrri, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes për këtë nismë.

Në këtë takim, Italo Dell’Oro i bëri gjithashtu ftesë Muse Musa-Zogajt për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Foto: Muse Musa-Zogaj dhe Halil Musa-Zogaj gjatë takimit me përfaqësuesit e delegacionit amerikan. 

Prandaj edhe reagimi rreth Zogajt u përhap kaq shpejt.

Ftesa për Muse Musën – një nderim që e nxori Zogajn përtej kufijve lokalë

Një zhvillim me domethënie të veçantë në këtë kronologji është edhe ftesa që iu bë Muse Musës, një dëshmi se çështja e Zogajt nuk mbeti më vetëm brenda kufijve të një fshati apo të një komune.

Muse Musa tashmë nuk po shihej vetëm si pjesëtar i një familjeje që mbështeti ngritjen e kishës, por si një figurë e lidhur drejtpërdrejt me këtë proces, me historinë e luftës, me sakrificën dhe me debatin e madh që u krijua rreth të drejtës për besim, pronë dhe identitet.

Ftesa ndaj tij kishte edhe një peshë simbolike. Ajo tregonte se jehona e ngjarjes kishte depërtuar në qarqe më të gjera kishtare, kombëtare dhe të diasporës.

Nga një njeri që në ditët e para u përball me kundërshtime, akuza e presione, Muse Musa po bëhej tashmë një bashkëbisedues i kërkuar për të treguar se çfarë kishte ndodhur në Zogaj dhe pse kjo çështje kishte marrë një rëndësi shumë më të madhe sesa vetë objekti që synohej të ndërtohej.

Kjo ftesë duhet parë edhe si një formë respekti për familjen Musa, por sidomos për sakrificën e njerëzve që, pavarësisht presioneve, nuk u tërhoqën nga e drejta e tyre dhe kërkuan që çdo gjë të trajtohej përmes ligjit, institucioneve dhe dialogut.

Ajo është një hallkë tjetër e zinxhirit kronologjik që nisi me truallin në Zogaj, vazhdoi me gurthemelin, protestat, reagimet publike dhe më pas doli përtej Kosovës, drejt diasporës dhe qarqeve kishtare ndërkombëtare.

Familja Musa nuk duhet kthyer në armike të askujt

Këtu dua të jem i qartë.

Unë nuk e shoh familjen Musa si familje që duhet të përdoret kundër shqiptarëve të besimit islam.

Përkundrazi.

Nëse e bëjmë këtë, do ta dëmtonim vetë kuptimin e sakrificës së saj.

Një njeri që ka luftuar për Kosovën nuk ka luftuar për një Kosovë ku një fe përjashton tjetrën.

Ai ka luftuar për një Kosovë të lirë.

Prandaj edhe nderimi për familjen Musa duhet të jetë kombëtar, jo sektar.

Le ta nderojë shqiptari katolik.

Le ta nderojë shqiptari i besimit islam.

Le ta nderojë bektashiu.

Le ta nderojë ateisti.

Sepse plaga e luftës nuk pyet për fe.

Nga kundërshtimi te respekti

Pas javësh debatesh, reagimesh, emisionesh televizive, shkrimesh dhe përplasjesh publike, u dëshmua diçka tjetër: familja Musa nuk u izolua.

Përkundrazi, fitoi vëmendje dhe respekt shumë më të madh publik.

Nisma e saj u diskutua nga Vushtrria deri në Prishtinë, nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut deri në Mal të Zi dhe diasporën amerikane.

Dhe këtu qëndron një nga paradokset më të mëdha të gjithë historisë:

ata që menduan se me zhurmë do ta mbyllnin çështjen, në fakt e bënë atë shumë më të njohur.

Një gur në Zogaj u bë temë në mijëra familje shqiptare.

Jo rikthim në urrejtje, por rikthim në kujtesë

Në këtë pikë duhet bërë një dallim thelbësor.

Ruajtja e kujtesës së krishterë shqiptare nuk duhet të nënkuptojë urrejtje ndaj islamit.

As ruajtja e traditës islame shqiptare nuk duhet të nënkuptojë fshirjen e krishterimit të lashtë shqiptar.

Historia jonë është më e gjatë se ndarjet tona fetare.

Shqiptarët kanë kaluar nëpër perandori, pushtime, konvertime, shpërngulje dhe ndryshime politike.

Por mbijetuan si komb pikërisht kur nuk lejuan që feja t’ua shkatërronte gjakun, gjuhën dhe kujtesën.

Prandaj Zogaj duhet të bëhet shembull i bashkëjetesës, jo laborator i përçarjes.

Çfarë duhet dokumentuar tani

Për këtë ngjarje duhet ngritur një arkiv i mirëfilltë.

Duhet të ruhen fotografitë e familjes Musa.

Fotografitë e truallit.

Fotografitë e bekimit të gurthemelit.

Dokumentet e pronësisë dhe dhurimit.

Vendimet dhe njoftimet e Policisë.

Deklaratat e Dioqezës.

Materialet e protestës.

Shkrimet e mediave.

Takimet me diasporën.

Takimet me përfaqësuesit kishtarë amerikanë.

Fotografitë e meshave në Prishtinë dhe në vendet e tjera.

Dëshmitë e njerëzve që ishin aty.

Edhe plagën e Muse Musës duhet ta dokumentojë historia.

Sepse një ditë dëshmitarët nuk do të jenë më.

Dokumentet do të mbeten.

Edhe pretendimet historike kërkojnë dokument

Në publik kanë qarkulluar edhe pretendime për themele shumë të vjetra kishtare në zonën e Zogajt, për histori mesjetare dhe për ngjarje tragjike të periudhës osmane.

Këtu duhet të jemi jashtëzakonisht seriozë.

Nëse ekzistojnë raporte arkeologjike, dokumente, harta, ekspertiza apo burime kishtare, ato duhet gjetur, skanuar dhe botuar.

Historia nuk forcohet duke e zmadhuar.

Forcohet duke e dëshmuar.

Një dokument autentik vlen më shumë se një mijë thirrje emocionale.

Çfarë na mësoi Zogaj?

Na mësoi se liria fetare nuk duhet marrë si e mirëqenë.

Na mësoi se institucionet duhet të jenë shumë të kujdesshme kur kufizojnë një ceremoni paqësore.

Na mësoi se politika fetare mund të krijojë përçarje brenda pak orësh.

Por na mësoi edhe diçka shumë më të bukur:

shoqëria shqiptare është më e madhe se ekstremet.

Mund të bëhet zhurmë.

Mund të organizohen protesta.

Mund të hidhen akuza.

Por në fund shumica e njerëzve duan të jetojnë pranë njëri-tjetrit.

Gurthemeli i dytë duhet të jetë pajtimi

Prandaj, pasi është vendosur gurthemeli prej guri, unë do të dëshiroja të vendosej edhe një gurthemel tjetër:

gurthemeli i pajtimit.

Nëse ndërtohet Kisha “Shën Flori dhe Shën Lauri”, le të jetë një vend nga i cili të mos dalë asnjë fjalë urrejtjeje kundër shqiptarit të besimit islam.

Dhe nga xhamitë tona të mos dalë asnjë fjalë urrejtjeje kundër katolikut.

Le ta sfidojmë ekstremizmin pikërisht kështu.

Me respekt.

Me kulturë.

Me ligj.

Me dije.

Me dokumente.

Me dashuri për atdheun.

Sepse shqiptari që ruan kishën e fqinjit të vet dhe shqiptari që ruan xhaminë e fqinjit të vet janë shumë më patriotë se ai që bërtet gjithë ditën për kombin dhe në mbrëmje mbjell urrejtje mes shqiptarëve.

Fjala ime si përcjellës i rregullt i kësaj historie

Në gjithë këtë rrugëtim kam pasur nderin që, si Asllan Dibrani – Luani, piktor, skulptor, publicist dhe veprimtar, ta përcjell këtë ngjarje pothuajse nga dita e parë.

Nuk kam qenë vetëm një vëzhgues i largët.

Kam shkruar.

Kam publikuar.

Kam reaguar.

Kam ngritur zërin sa herë që kam konsideruar se e vërteta e kësaj ngjarjeje rrezikonte të shtrembërohej, të heshtjej apo të paraqitej vetëm nga njëra anë.

Kam reaguar kur familja Musa u sulmua.

Kam bërë thirrje kur situata po shkonte drejt përçarjes.

Kam mbrojtur të drejtën e tyre për të folur, për të besuar dhe për të vepruar brenda ligjit.

Dhe do të vazhdoj ta dokumentoj këtë histori.

Për mua kjo nuk ka qenë vetëm çështje e një kishe.

Ka qenë dhe mbetet një çështje e kujtesës, së drejtës, pronës private, lirisë fetare, tolerancës dhe identitetit shqiptar.

Nuk dua që nesër kjo ngjarje të mbetet vetëm si kujtim i njerëzve që e përjetuan.

Dua që të mbetet e shkruar.

Që kur një ditë të kërkohet historia e Kishës “Shën Flori dhe Shën Lauri” në Zogaj, të ekzistojë edhe kronika e atyre që e panë ngjarjen duke u zhvilluar dhe që nuk heshtën.

Jo që nesër dikush të thotë se Asllan Dibrani kishte të drejtë.

Kjo nuk ka rëndësi.

Rëndësi ka që pas tridhjetë, pesëdhjetë apo njëqind vjetësh, kur një djalë apo vajzë shqiptare të pyesë:

“Çfarë ndodhi në Zogaj në verën e vitit 2026?”

të mos i përgjigjemi me legjenda.

T’i përgjigjemi me fotografi.

Me dokumente.

Me data.

Me dëshmi.

Me emra.

Dhe me të vërtetën.

Sepse popujt që nuk e shkruajnë historinë e tyre në kohën kur ajo ndodh, një ditë rrezikojnë ta lexojnë të shkruar nga të tjerët.

Kisha “Shën Flori dhe Shën Lauri” mund të jetë një objekt prej guri. Por historia që u krijua rreth saj tashmë është shumë më tepër se një ndërtesë. Është një provë për kujtesën, demokracinë, tolerancën dhe ndërgjegjen shqiptare.

Dhe kjo histori sapo ka filluar.

Luan – Asllan Dibrani
* Piktor, skulptor, publicist dhe veprimtar
Gjermani, shtator 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu