DERADIKALIZIMI FETAR
Sot, Kosova e çliruar nga Serbia, është e pushtuar nga radikalizmi islamik.
Bash sot, 24 nëntor 2026, pak minuta më parë, një mik imi ma dërgoi një fotografi, në të cilën shihej portreti i Skënderbeut i hedhur në mbeturina. I shqetësuar, miku im më tregoi se portreti ishte hedhur me arsyetimin se feja nuk ua lejonte ta mbanin.
Ky fenomen i atakimit të figurave kombëtare ka fillu prej pas luftës dhe, me kalimin e viteve, ka ardhur duke u radikalizuar.
Sot, radikalët islamistë i gjen kudo: në media, në shkolla, në teatër, në spitale, në kuvend… Islami politik, siç e quajnë disa, i ka futur thonjtë në pothuajse çdo sferë të jetës sonë. Kjo është dukuri që më shqetëson prej vitesh dhe për të cilën kam reaguar vazhdimisht, edhe pse vazhdimisht jam sulmuar për qëndrimet e mia.
Kurrë nuk kam pasur problem me njerëzit që besojnë. Gjyshi im e kishte emrin Islam dhe falej herë pas here. Por kurrë nuk e shante Skënderbeun, kurrë Nënë Terezën. Ai i lutej zotit, për vetën, familjen, dhe kombin shqiptar. Bile shpesh e kujtoj që kur unë, si fëmijë, pata filluar të shkoja në xhami për të mësuar, disa herë më ka pas thënë: “Me babën, për me mësu është shkolla!”
Islami i gjyshit tim ka qenë i mirë, paqësor, personal. Ky Islam që sot e shohim të përhapur gjithandej, që e ka mbushur Kosovën me xhami si me kërpudha, nuk është as i mirë, as paqësor, as personal. Madje, pavarësisht pretendimeve të përfaqësuesve të tij, shpesh duket se ka shumë pak të bëjë me besimin personal dhe shumë më tepër me një projekt ideologjik e politik.
Pavarësisht se unë prej vitesh mendoj se nuk ekziston ndonjë religjion që mund të quhet i mirë në kuptimin absolut, i mirëkuptoj njerëzit që praktikojnë një besim personal, si ai i gjyshit tim. Pikërisht për këtë arsye mendoj se shteti ynë, përkatësisht institucionet tona, duhet të fillojnë sa më parë me projekte konkrete për deradikalizimin e shoqërisë. Duhet të gjenden mënyra për t’ua çliruar mendjet qytetarëve nga ideologjitë politike që instrumentalizojnë fenë, përfshirë edhe konceptin politik të “Vëllazërisë Myslimane”
Situata është shumë e rëndë, por unë besoj se ende ka shpresë që kjo të ndryshojë. Jo duke u bërë thirrje njerëzve të konvertohen në fe të tjera pra, por duke i nxitur të mendojnë në mënyrë kritike, duke ua shpjeguar fenë dhe ideologjitë përmes argumenteve filozofike, historike dhe shkencore. Duke i mësuar të bëjnë dallimin ndërmjet besimit personal dhe manipulimit ideologjik.
Deradikalizimi i shoqërisë sonë duhet të shihet si mision i domosdoshëm, si akt humanist e, pse jo, edhe patriotik.
Shoqëria jonë ka vuajtur boll nga pushtuesit e ndryshëm. Nuk duhet të lejojmë pushtim tjetër.



