Tetë ditë para Vlorës: Si e shihte shtypi i Vjenës fatin e Shqipërisë më 20 nëntor 1912

Shkrime relevante

Gjeneva në festë: Mërgata shqiptare kremtoi me madhështi 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Festë e bashkimit kombëtar, e krenarisë për sukseset e brezit të...

Tetë ditë para Vlorës: Si e shihte shtypi i Vjenës fatin e Shqipërisë më 20 nëntor 1912

Naim J. Krasniqi, historian HISTORI & ARKIVA • SHTYPI EVROPIAN I VITIT...

Përgjigja ime e shkurtër për pyetjen e një bashkatdhetari nëse edhe tokat shqiptare janë në rrezik nga miqtë e Rusisë…

Aurel Dasarioti, ekspert i shkencave psikologjike-ushtarake, SHBA (...) Sa i përket asaj...

Krenar Brahimaj dhe bota e tij poetike në vëllimin “Katundishtë lulja me vesë”

Nga Kujtim Matel Poezia lind nga nevoja e njeriut për të shprehur...

Njohja e së kaluarës nuk është vetëm kujtim – është busulla që na orienton drejt së ardhmes 

Nga Aurel Dasareti Dashuria për vendin (në rastin tonë, Shqipërinë etnike), gatishmëria...

Shpërndaj

Naim J. Krasniqi, historian

HISTORI & ARKIVA • SHTYPI EVROPIAN I VITIT 1912

  • Tetë ditë para Vlorës: Si e shihte shtypi i Vjenës fatin
    e Shqipërisë më 20 nëntor 1912Në vigjilje të shpalljes së Pavarësisë, një ekuacion i ftohtë gjeopolitik po vendoste fatin e
    Ballkanit. Numri i 20 nëntorit 1912 i gazetës vjeneze „Neues Wiener Journal“ – i botuar vetëm
    një ditë pasi Ismail Qemali kishte mbyllur bisedimet në Vjenë e Budapest dhe ishte nisur me
    anije drejt Shqipërisë – zbulon se si kriza e Adriatikut e shndërroi shtetin e pavarur shqiptar
    në domosdoshmëri evropiane.
    Lindja e shtetit shqiptar në nëntor 1912 u shoqërua nga një lojë e madhe gjeopolitike, të cilën Ismail
    Qemali diti ta shfrytëzonte me mjeshtëri të rrallë diplomatike. Për Austro-Hungarinë, dalja e Serbisë
    në bregdetin shqiptar do të thoshte dalja e aleates së saj të madhe, Rusisë cariste, në detin Adriatik
    një skenar që do të mbyllte ngushticën e Otrantos dhe do të izolonte ekonomikisht e ushtarakisht vetë
    Perandorinë. Në këtë ekuacion strategjik, koncepti i një Shqipërie të pavarur u shndërrua në
    „shtetin tampon“ ideal: zgjidhja e vetme që ndalonte zgjerimin sllav drejt perëndimit, ruante
    ekuilibrin e forcave mes Vjenës dhe Romës dhe i jepte legjitimitet ndërkombëtar dëbimit të ushtrive
    pushtuese nga bregdeti.
    Pikërisht në këtë moment kyç, një ditë më parë, më 19 nëntor në orën 14:00, Ismail Qemali kishte
    hipur në bordin e vaporit austriak „Brünn“ në portin e Triestes, duke lënë pas një maratonë
    diplomatike disaditore në Vjenë dhe Budapest (8–18 nëntor). Gjatë takimeve kokë më kokë me
    Ministrin e Jashtëm austro-hungarez, Kontin Leopold Berchtold, si dhe me ambasadorët e Italisë dhe
    Britanisë së Madhe, plaku i Vlorës kishte siguruar mbështetjen vendimtare se Fuqitë e Mëdha nuk do
    të lejonin zhdukjen e Shqipërisë.
    Teksa Ismail Qemali lundronte në Adriatik në një garë me kohën drejt Vlorës, numri 6853 i të
    përditshmes së njohur vjeneze „Neues Wiener Journal“, i botuar të mërkurën e 20 nëntorit 1912
    saktësisht tetë ditë para ngritjes së flamurit – sjell rezultatet e drejtpërdrejta të asaj diplomacie dhe
    pasqyron një Evropë në prag lufte.
    Mes ultimatumeve dhe rënies së qyteteve shqiptare
    Faqet e gazetës hapen me një atmosferë dramatike. Vjena zyrtare është në prag të dërgimit të një
    ultimatumi ndaj Beogradit, ndërsa në Budapest janë thirrur me urgjencë krerët më të lartë ushtarakë
    të Perandorisë Austro-Hungareze, përfshirë gjeneralin Conrad von Hötzendorf. Shkaku i kësaj krize
    të skajshme është i dyfishtë: këmbëngulja e Serbisë për të pushtuar portet e Adriatikut dhe izolimi i
    konsullit austro-hungarez në Prizren, Oskar Prochaska, të cilin shtypi serb e akuzonte si frymëzues të
    rezistencës shqiptare.
    Në terren, ushtritë e Aleancës Ballkanike po përpiqeshin t’i vinin Fuqitë e Mëdha para „faktit të
    kryer“. Faqja e katërt e gazetës njofton me shkronja të mëdha rënien e Lezhës (Alessio) më 18 nëntor
    në duart e trupave malazeze të gjeneralit Martinoviq dhe atyre serbe të gjeneralit Jankoviq, pas
    dorëzimit të garnizonit të vogël osman. Njëkohësisht, gazeta përcjell raporte alarmante nga shtypi
    italian (Tribuna), ku dëshmohet se në Shkup, Kumanovë dhe Veles, banda të armatosura serbe po
    kryenin vrasje dhe plaçkitje masive ndaj popullsisë shqiptare dhe myslimane, ndërsa komandantët
    ushtarakë serbë në Shqipëri injoronin hapur urdhrat e qeverisë civile të Pashiqit.
    Beteja diplomatike: „Një shtet i pavarur shqiptar“
    Përballë këtij realiteti të përgjakshëm në terren, numri i 20 nëntorit 1912 dëshmon se zotimet e dhëna
    Ismail Qemalit në Vjenë e Budapest po shndërroheshin në politikë zyrtare evropiane. Në seancat e
    delegacioneve të Perandorisë, Ministri i Jashtëm austro-hungarez, Konti Leopold Berchtold,
    deklaron prerazi se Monarkia nuk ka aspirata territoriale, por kërkon në mënyrë të vendosur
    „themelimin e një shteti të pavarur në Shqipëri“.
    Ky qëndrim nuk ishte i izoluar. Gazeta citon takimet e vazhdueshme të mesnatës në Budapest mes
    Kontit Berchtold dhe ambasadorit italian, Dukës së Avarnës (me të cilin Ismail Qemali ishte takuar
    gjithashtu në Vjenë), duke konfirmuar boshtin Vjenë–Romë kundër ekspansionit serb në Adriatik.
    Madje edhe shtypi britanik, përmes të përditshmes londineze „Westminster Gazette“, shprehet hapur
    në mbështetje të planit të Berchtoldit për një Shqipëri autonome, duke theksuar se serbët nuk e kishin
    pushtuar realisht Shqipërinë dhe se Beogradit duhej t’i mjaftonte një akses tregtar hekurudhor drejt
    një porti neutral. Ndërkohë, nga Stambolli vinte paralajmërimi se Perandoria Osmane nuk do të
    nënshkruante paqen nëse i kërkohej dorëzimi i Shkodrës.
    Përplasja e narrativave në Parlamentin e Vjenës
    Megjithatë, faqet e „Neues Wiener Journal“ zbulojnë edhe prapaskenat e brendshme të Perandorisë
    Austro-Hungareze. Jo të gjithë në Vjenë e mbështesnin krijimin e shtetit shqiptar. Në debatet
    parlamentare të pasqyruara në gazetë, deputetët çekë si Dr. Karel Kramarsch dhe Sedlak sulmojnë
    ashpër politikën e Kontit Berchtold.
    Nga një pozicion pansllavist, Kramarsch argumentonte se Austro-Hungaria nuk kishte asnjë arsye të
    „sakrifikonte kockat e saj për kombin shqiptar“, duke e cilësuar rrezikun sllav si të ekzagjeruar dhe
    duke e paraqitur Italinë si kërcënimin e vërtetë në Adriatik. Nga ana tjetër, deputeti Sedlak
    paralajmëronte Vjenën që të mos pranonte rolin e „xhandarit të Evropës“ për të ndërhyrë ushtarakisht
    në Shqipëri.
    Kurorëzimi në Vlorë
    Pavarësisht këtyre zërave kundërshtues, vija zyrtare e Vjenës dhe ekuilibri evropian mbizotëruan.
    Dritarja e ngushtë diplomatike e dokumentuar në faqet e „Neues Wiener Journal“ më 20 nëntor 1912
    ishte pikërisht mburoja ndërkombëtare që i duhej lëvizjes kombëtare shqiptare. Vetëm tetë ditë pas
    botimit të këtyre radhëve në Vjenë, Ismail Qemali mbërriti në Vlorë për ta shndërruar këtë moment
    historik në aktin themeltar të shtetit modern: shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
    Burimi arkivor: Neues Wiener Journal, Nr. 6853, Viti i 29-të, E mërkurë, 20 nëntor 1912 (Faqet 1–6)

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu