
Nga Kujtim Mateli
“Historia e pashkruar e shqiptarëve” një libër ku kërkohet që Historia e Epirit (tashmë e tjetërsuar prej historiografisë tradicionale helene) të rishkruhet mbi baza shkencore.
Ky libër synon të rihapë një debat të rëndësishëm për historinë e lashtë të shqiptarëve: vendndodhjen e Dodonës dhe mënyrën se si është studiuar e interpretuar historia e Epirit.
Për një kohë të gjatë, historiografia moderne e ka pranuar luginën e Carakovistës, në jugperëndim të Janinës, si vendndodhjen e Dodonës. Por asnjë përfundim shkencor nuk mund të jetë i paprekshëm. Ai duhet të testohet vazhdimisht përballë burimeve antike, dëshmive arkeologjike dhe epigrafike, gjeografisë historike dhe rezultateve të disiplinave të tjera.
Në këtë studim shqyrtohen në mënyrë kritike argumentet mbi të cilat është mbështetur identifikimi i Carakovistës me Dodonën, duke vënë në diskutim përputhjen e saj me përshkrimet e autorëve antikë, me lumin Dodon, fushën e Hellopisë, malin Tomar dhe të dhënat e tjera historike e topografike. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe historisë së Epirit, traditës pellazgjike dhe dallimeve që duhen shqyrtuar ndërmjet Epirit dhe Helladës.
Teza kryesore e paraqitur në këtë libër është se zona e Dëshnicës së Përmetit, në hapësirën e luginës së Sipërme të Vjosës dhe në afërsi të Trebeshinës, meriton të shqyrtohet si një alternativë për vendndodhjen e Dodonës. Burimet antike, pozicioni gjeografik dhe gjurmët e një vendbanimi të gjerë antik në këtë territor krijojnë arsye për një kërkim të posaçëm arkeologjik dhe ndërdisiplinor.
Problemi nuk kufizohet vetëm te Dodona. Ai lidhet edhe me mënyrën se si është shkruar historia e Epirit dhe me përgjegjësinë e institucioneve shqiptare për të nxitur studime të pavarura mbi këtë trashëgimi historike. Për këtë arsye, libri kërkon bashkëpunimin e historianëve, arkeologëve, gjeografëve, gjuhëtarëve, epigrafistëve, numizmatëve dhe etnografëve, në mënyrë që dëshmitë të shqyrtohen së bashku dhe të mos mbështeten në një disiplinë të vetme.
Po sjell për lexuesin një fragment nga libri:
“Çështja bëhet edhe më serioze kur shqyrtojmë mënyrën se si është paraqitur Epiri në historiografinë greke. Në vitin 1997, në Athinë, u botua vepra “Epirus: 4000 Years of Greek History and Civilization”, nën drejtimin e përgjithshëm të M. B. Sakellariou, botim i Akademisë së Athinës. Vetë titulli i veprës e vendos Epirin në kuadrin e historisë dhe qytetërimit grek. Për më tepër, përshkrimi i botimit e paraqet “karakterin grek” të Epirit dhe përfshin në këtë interpretim edhe qytete e monumente që ndodhen në territorin e sotëm të Shqipërisë.
Kjo qasje nuk mund të lihet pa u analizuar nga institucionet shqiptare. Nuk bëhet fjalë vetëm për një interpretim akademik, por për mënyrën se si ndërtohet dhe përcillet një narrativë historike mbi një territor që sot shtrihet në hapësirat e dy shteteve. Shqipëria nuk mund të pranojë që interpretimi i një pale të shndërrohet, përmes heshtjes së institucioneve akademike shqiptare, në një të vërtetë të pakontestuar.
Nëse një institucion akademik i huaj boton një vepër të gjerë mbi historinë e Epirit dhe në interpretimin e saj përfshin territore, qytete dhe qendra arkeologjike që sot ndodhen brenda kufijve të Shqipërisë, atëherë institucionet shkencore shqiptare kanë përgjegjësinë ta analizojnë veprën, të evidentojnë interpretimet me të cilat nuk pajtohen dhe t’u kundërvënë atyre argumentet e burimeve historike, arkeologjike, epigrafike dhe gjuhësore.
Pikërisht këtu qëndron një nga problemet e debatit shqiptar për Epirin: mungesa e një kundërpërgjigjeje të gjerë dhe të argumentuar institucionalisht. Nuk mjafton që studiues të veçantë të shprehin pikëpamjet e tyre. Përballë veprave të mëdha historiografike nevojiten studime po aq të plota, të mbështetura në burime dhe në një metodologji të krahasueshme shkencore.
Prandaj, përgjegjësia e institucioneve shqiptare nuk duhet të jetë vetëm mbrojtja e një teze të caktuar, por krijimi i kushteve për një kërkim të pavarur dhe të hapur mbi historinë e Epirit. Heshtja e gjatë nuk e zgjidh një problem shkencor; përkundrazi, lë hapësirë që një interpretim i vetëm të konsolidohet si version i pakundërshtuar.
Për këtë arsye, çështja nuk mund të kufizohet vetëm te vendndodhja e Dodonës. Ajo lidhet me mënyrën se si është shkruar, studiuar dhe interpretuar historia e Epirit dhe me përgjegjësinë që kanë institucionet shqiptare për ta trajtuar këtë histori mbi bazën e burimeve dhe të kërkimit shkencor. Përderisa institucionet akademike shqiptare, nuk e kanë bërë këtë deri tani, mendoj se Qeveria Shqiptare duhet të ndërmarrë një nismë konkrete: të krijojë një grup ekspertësh shqiptarë dhe të huaj, ku të përfshihen: historianë, arkeologë, gjeografë, gjuhëtarë, epigrafistë, numizmatë dhe etnografë. Ky grup duhet të punojë mbi një metodologji të përbashkët dhe të verifikueshme, duke shqyrtuar në mënyrë të pavarur burimet dhe dëshmitë që lidhen me Dodonën dhe Epirin. Qëllimi nuk duhet të jetë imponimi i një përfundimi të parapërcaktuar, por krijimi i kushteve që pyetjet e pazgjidhura të marrin përgjigje mbi bazën e kërkimit shkencor. Vetëm një proces i tillë mund t’i japë debatit për Dodonën dhe Epirin një bazë të re, më të gjerë dhe më të besueshme.”


