Foto e Gjergj Kastriotit nga arkivi i profesorit Eqrem Zenelaj

Naim J. Krasniqi, Gjermani
Gjergj Kastrioti Skënderbeu në kujtesën historike evropiane: Përkujtimi i 345-vjetorit të vdekjes së tij në gazetën gjermano-franceze „Westphälischer Moniteur“ (Kassel, 17 shkurt 1813)

“Shpatën ta dërgova, por krahun që di ta përdorë e mbajta për vete.”
Në fakt, kur e shohim tekstin në kontekstin e gazetës “Westphälischer Moniteur” të datës 17 shkurt 1813, bie menjëherë në sy një element interesant që lidhet me datën e vdekjes së Skënderbeut. Gazeta nuk ishte një gazetë e zakonshme lokale. “Westphälischer Moniteur” ishte gazeta zyrtare e Mbretërisë së Vestfalisë (Kingdom of Westphalia), shtetit të krijuar nga Napoleoni me kryeqytet në Kassel (sot qytet në Gjermani).
Në artikull përmendet data e vdekjes së Skënderbeut si 17 shkurt 1467, çka përbën një pasaktësi historike. Megjithatë, fakti që artikulli botohet pothuajse në të njëjtën periudhë të vitit nuk duket rastësor. Edhe pse nuk kemi një përputhje të saktë me datën reale të vdekjes së Skënderbeut (17 janar 1468), në gazetarinë e fillimit të shekullit XIX ishte shumë e zakonshme që rubrikat historike, si “Éphémérides”, “Mélanges”, “Historische Notizen” apo kronikat historike, të botonin ngjarje dhe figura të rëndësishme në afërsi të datave përkujtimore.
Artikulli është botuar në dy gjuhë, ashtu siç botohej edhe vetë gazeta: fillimisht në gjuhën frënge dhe më pas në gjuhën gjermane, pa ndryshime të rëndësishme në përmbajtje. Për këtë arsye, mendoj se kemi të bëjmë me një përkujtim të vonuar të figurës së Skënderbeut, ndoshta në kuadër të 345-vjetorit të vdekjes së tij.
Zgjedhja e Skënderbeut nuk është rastësore. Në fillim të shekullit XIX ai shihej në Evropë si mbrojtës i lirisë, kundërshtar i perandorive të mëdha, hero kombëtar dhe figurë ideale kalorësiake. Këto ishin tema që gëzonin popullaritet të madh në kulturën politike dhe romantike të kohës.
Ajo që tërheq vëmendjen në këtë artikull është se autori nuk ndalet te administrimi i shtetit, diplomacia apo te Lidhja e Lezhës. Përkundrazi, ai zgjedh të theksojë elementet më heroike të jetës së Skënderbeut: pengmarrjen në oborrin osman, kthimin në Krujë, lidhjen me Huniadin, fitoret kundër Muratit II dhe Mehmetit II, si dhe legjendën e njohur të shpatës.
Ky artikull është interesant jo aq për saktësinë e fakteve historike, të cilat mbështeten kryesisht në traditën dhe ndikimin e veprës së Marin Barletit, sesa për mënyrën se si opinioni i kulturuar gjermanofon dhe frankofon e shihte Skënderbeun në vitin 1813.
Përgjigjja është e qartë: Skënderbeu paraqitet si hero ushtarak, princ legjitim, mbrojtës i krishterimit, kalorës ideal dhe figurë legjendare e historisë evropiane.
Prandaj, artikulli ka shumë gjasa të jetë botuar si një shënim përkujtimor (“Éphéméride historique”, “Historische Notizen”, kronikë historike) me rastin e kujtimit të vdekjes së Skënderbeut dhe jo si një studim i ri historik. Është sikur redaktori t’u kujtonte lexuesve të tij se, në këtë periudhë të vitit, përkujtohet vdekja e një prej figurave më të shquara të historisë evropiane: Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Faksimili nga gazeta, „Westphälischer Moniteur” të datës 17 shkurt 1813s


