
Nga Frank Shkreli
- NJË SHTET I RI ME PLAGË TË VJETRA: MALI I ZI NË 20-VJETORIN E PAVARËSISË — SHQIPTARËT NË MAL TË ZI MES KONTRIBUTIT HISTORIK DHE PRITSHMËRIVE TË PAPËRMBUSHURA
Shpallja e pavarësisë së Malit të Zi me 21 maj 2006, ishte një nga momentet më të rëndësishme politike në historinë moderne të rajonit të Ballkanit Perendimor. Në atë referendum historic 20-vjet më pare , shqiptarët luajtën një rol vendimtar, duke mbështetur, masivisht, projektin e shtetit të pavarur malazez. Vota e shqiptarëve në trevat e Ulqinit, Malësisë, Anës së Malit, Plavë-Gucisë e të tjera, është konsideruar dhe konsiderohet gjithnjë nga vërejtës të jashtëm dhe të brendshëm, si gjëja kyçe që përcaktoi rezultatin përfundimtar në favor të pavarësisë së Malit të Zi nga Serbia.
Por, pavarësia e Malit të Zi nuk ishte vetëm rezultat i një procesi të brendshëm politik. Ajo u mbështet fuqishëm edhe nga diaspora shqiptaro-amerikane nga ato troje, me arsyetimin dhe bindjen në atë kohë, se Mali i Zi, shtet i pavarur nga Serbia do të ishte një vend më i mirë për shqiptarët dhe për të drejtat e tyre. Mërgata shqiptare në Amerikë, për dekada kishte ndërtuar ura komunikimi mes shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor dhe institucioneve më të larta federale dhe shtetërore amerikane, si asnjë herë më parë në historinë e këtij komuniteti. Mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me prejardhje nga Malësia, Ulqini, Kraja, Plavë-Guci e tjera, luajti rol të rëndësishëm politik, diplomatik dhe ekonomik për disa dekada të fund shekullit të kaluar. Përmes organizatave siç ishte Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), aktivistët shqiptarë në Amerikë arritën të sensibilizojnë politikën amerikane për gjëndjen e vështirë të shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare, përfshirë shqiptarët në Mal të Zi duke argumentuar për të drejtën e qytetarëve, përfshir shqiptarët autoktonë në atë vend, për vetvendosje. Në këtë kontekst, vizita e Kongresmenit amerikan Eliot Engel në atë vend, në Korrik, 2005 së bashku me përfaqsues të NAAC-ut, kishte simbolikë dhe peshë të veçantë politike. Kongresisti Engel, njëri prej zërave më të fuqishëm pro-shqiptar në Kongresin Amerikan dhe kryetar i Grupit të Çeshtjeve Shqiptare në legjislativin amerikan, mbështeti publikisht procesin demokratik dhe të drejtën e Malit të Zi për të vendosur mbi pavarësinë dhe të ardhmen e vet politike. Ajo vizitë u pa, në atë kohë, si një sinjal i qartë se komunitetit shqiptaro-amerikan kishte fituar ndikim real në qarqet e larta vendimarrëse në Washingtonin zyrtar. Eliot Engel dhe grupi i ligjvenësve të tjerë amerikanë, përfshir Grupin e antarëve të Kongresit që merrej me çeshtjet shqiptare, kanë mbështetur, fuqimisht. integrimin euro-atlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sidomos, avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi.
Përveç dimensionit politik, diaspora shqiptare, sidomos, ajo nga trevat shqiptare nën Malin e Zi, kontriboi fuqishëm edhe në fushën ekonomike duke financuar projekte të ndryshëm si rrugë, shkolla e tjera në trojet nga vinin, origjinalisht. Investimet e mergimtarëve në infrastruturë, arsim, kulturë dhe biznes, ndihmuan dukshëm zhvillimin e zonave shqiptare në Mal të Zi, në një periudhë tranzicioni shumë të vështirë ekonomike për to. Në shumë raste, diaspora zevendësoi mungesësn e investimeve shtetërore në ato krahina të banuara nga shqiptarët, që fatkeqsisht, vazhdodn edhe sot.
Prandaj, sot dy dekada pas shpallljes së pavarësisë të Malit të Zi, mbetet pyetja thelbësore që pret ende përgjigje të plotë dhe të kënaqshme: A janë realizuar pritshmëritë e shqiptarëve, megjithë mbështetjen e tyre për pavarësinë e atij vendi, 20-vite më parë?
Përgjigjja është e ndërlikuar. Nga njëra anë, me pavarësinë e vendit, mund të thuhet se shqiptarët kanë fituar deri diku, më shumë hapësirë demokratike dhe institucionale, në krahasim me periudhën, para pavarësisë. Gjuha shqipe përdoret, zyrtarisht, në komunat shqiptare. Shqiptarët janë pjesë e Parlamentit dhe qeverive malazeze, ndërsa themelimi i komunës së plotë të Tuzit në vitin 2018 – që ishte temë kryesore në bisedimet me zyrtarët e lartë malazezë gjatë vizitës së delegacionit të NACC-ut në Korrik të viti 2005 — është konsideruar si një fitore historike politike për Malësinë. Po ashtu edhe orientimi euroatlantik i Malit të Zi dhe antarësimi i Podgoricës në NATO, megjithse kundërshtohej nga një pjesë e popullsisë serbe në vend, janë parë si një garanci për stabilitet dhe përmirësim të gjëndjes së komuniteteve të pakicave, veçanërisht, shqiptarëve. Por nga ana tjetër, shumë nga pritshmëritë ekonomike dhe institucionale — por jo vetëm — mbeten të pa realizuara. Krahinat shqiptare vazhdojnë të përballen me emigrim masiv të të rinjve, me një mungesë të dukshme të investimeve strategjike, papunësi të theksuar, zhvillim të ngadalshëm ekonomik dhe asmilim në zonat me shumicë shqiptare. Shqiptarët shpesh ankohen për përfaqsim jo proporcional në adminstratë, në polici dhe në sistemin gjyqësor. Probleme të pazgjidhura mbeten edhe çështjet e pronave, urbanizimit dhe zhvillimit të qendrueshëm, sidomos në komunën e Ulqinit.
Një faktor tjetër që ka ndikuar negativisht dhe që nuk ndihmon përmirësimin e gjëndjes politike dhe ekonomike të komunitetit shqiptar atje, është edhe fragmentarizimi politik i vet shqiptarëve në Mal të Zi, një plagë e rëndë kjo, fatkeqsisht, në jetën politike shqiptare kudo. Ndarjet, përçarjet dhe rivalitetet mes partive politike shqiptare shpesh kanë dobësuar fuqinë negociuese të shqiptarëve gjatë viteve, përballë qeverive qendrore në Podgoricë. Megjithatë, pavarsisht zhgënjimeve dhe sfidave politike dhe ekonomike të kaluara dhe aktuale, shqiptarët mbeten një faktor i rendësishëm shtetformues dhe pro-perëndimor në Mal të Zi. Ata duhet të jenë krenarë se kontributi i tyre në procesin e pavarësisë së atij vendi 20-vjet më parë, ishte historik, ndërsa roli i diasporës shqiptaro-amerikane fund shekullin e kaluar, në përgjithsi, mbetet një nga kapitujt më domethënës të angazhimit shqiptar — me mbështetjen e pa kursyer të miqëve amerikanë në Washington — në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi Preshevë kudo tjetër.
Në 20-vjetorin e pavarësisë së Malit të Zi, rikujtimi i këtij kontributi nuk është vetëm një reflektim historik. Por është edhe një kujtesë se stabiliteti dhe demokracia ndërtohen mbi partneritet të vërtetë, si dhe barazi e rerspekt të ndërsjelltë. Dhe pikërisht, kjo pikë, pas dy dekadash pavarësi, vazhdon të mbetet sfida më e madhe e shtetit malazez në raport me shqiptarët në atë vend, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e objektivave politike, ekonomike dhe institucionale mbeten ende të papërmbushura. Si rrjedhim, sa u përket shqiptarëve, mbetet për tu parë nëse pavarësia e Malit të Zi — e shpallur para dy dekadave — ishte vërtetë një fitore historike edhe për ta, apo një projekt i papërfunduar?
***
Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA/NAAC) i përbërë nga miku i madh i shqiptarëve, Kongresisti amerikan, tani i ndjeri Eliot Engel, nga Drejtori Ekzekutiv i (KKSHA/NAAC) Frank Shkreli, disa anëtarë të bordit drejtues si Harry Bajraktari, dhe përfaqsues të komunitetit nga Nju Jorku dhe Detroiti, vizituan Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi nga data 2 deri me 10 Korrik, 2005. Frank Shkreli: Zëri i Diasporës dhe fuqia e Washingtonit, roli i Eliot Engel, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAA C) dhe lobimi për Kosovën | Gazeta Telegraf Në Mal të Zi, delegacioni ka vizituar Ulqinin, Tuzin dhe Podgoricën për të parë nga afër gjendjen e shqiptarëve në atë vend, për të dëgjuar ankesat e udhëheqsve të komuniteit shqiptar atje dhe për të takuar udhëheqsit më të lartë të shtetit malazez në Podgoricë, përfshir Presidentin e vendit, Gjukanoviç me qëllim për tu paraqitur atyre ankesave e shqiptarëve në Mal të Zi, duke theksuar shqetsimin amerikan mbi gjëndjen e të drejtave themelore të shqiptarëve të Mal të Zi.


