








Don Lush Gjergji, Prishtinë
Përshpirtëria e Nënës Tereze (25-vjetori i vdekjes)
KUSH ËSHTË PËR NE JEZUSI?
“I përgjigji Simon Pjetri: “Ti je Mesia – Biri i Hyjit të gjallë!”.
(Mt 16, 16)
“Shpërblimi im më i madh është ta dua Jezusin. Ai është gjithçka për mua. Është jeta ime, dashuria ime, shpërblimi im, gjithçka për mua.”
(Nëna Tereze)
Pyetja më e rëndësishme e jetës tonë, nga e cila varet gjithçka – edhe amshimin – është pikërisht kjo: kush është për mua – për ne, Jezusi?
Kjo është një pyetje e pashmangshme për çdo njeri, edhe më tepër për çdo të krishterë, që kërkon jo vetëm ndonjë përgjigje intelektuale- të mësuar apo të gjetur diku apo nga dikush – por jetësore, qenësore, thelbësore, personale. Është “provimi” i jetës tonë.
Kjo ishte pyetja e apostujve para dymijë vjetësh, dhe është pyetja e çdo kohe. Për t’u përgjigjur në këtë pyetje, ta përcjellim metodologjinë e Jezusit. Ai, i kishte pyetur nxënësit e tij: “Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?” (Mt 16, 13)
Si atëherë, po ashtu edhe sot, ka shumë përgjigje, vlerësime, mendime, interpretime lidhur me Jezusin.
Disa kishin pritur që Ai do të çlironte popullin e zgjedhur nga robëria politike dhe ekonomike, shoqërore, prandaj, janë dëshpëruar me Të. Të tjerët e kanë dëbuar, sepse kishte shumë kërkesa për ndërrimin e plotë të jetës. Të tjerët e kishin pranuar, apostujt, nxënësit, miqtë, një pjesë e popullit, e sidomos mëkatarët, të varfrit, të sëmurët, fëmijët, gratë. Të tjerët ishin haptas kundër Jezusit, bile kërkonin në çdo mënyrë ta eliminonin dhe vrisnin. (khs. Mt 16, 13-20)
Pyetja e Jezusit, edhe sot, ka shumë përgjigje. E rëndësishme është kjo: çka thonë sot të tjerët për Jezusin, për Kishën, krishterimin, bashkësitë tona famullitare, në bazë të jetës tonë, duke shikuar dhe vlerësuar ne si nxënësit e Krishtit.
Pjesa e dytë e pyetjes së Jezusit është: “Po ju – u tha atyre – ç’thoni kush jam unë?” (Mt 16, 15().
Në emër të apostujve, edhe kësaj radhe, përgjigjet Simon Pjetri: “Ti je Mesia – Biri i Hyjit të gjallë!” (Mt 16, 16).
Ishte feja e mrekullueshme e Pjetrit, apostujve, Kishës, të gjithë atyre që besojnë në Jezu Krishtin.
Jezusi e lavdëroi këtë përgjigje: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta ka zbuluar mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! (Mt 16, 17).
Duke lexuar dhe medituar këtë pjesë të ungjillit, Nëna Tereze ka shkruar:
“Ti je Zot.
Ti je Zoti nga Zoti.
Ti je i lindur dhe jo i krijuar.
Ti je i njëqenëshëm me Atin.
Ti je Biri i Zotit të gjallë.
Ti je vetja e dytë e Trinës së Shenjt.
Ti je një me Atin qysh në parim.
Ti je Biri i dashur,
në të cilin Ati gjen gëzimin e tij.
Ti je Biri i Marisë,
ngjizur nga Shpirti Shenjt,
në kraharorin virgjëror.
Ti linde në Betlehem
me pelena të mbështolli Maria
dhe të vendosi në grazhdin me kashtë.
Ti je njeriu i përgjithshëm,
pa shumë arsimim,
gjykuar nga klasa e ditur e populli…
Jezusi është Fjala e bërë Njeri…
Buka e jetës,
flija e pafajshme për mëkate tona në kryq,
flija e paraqitur në meshë për mëkate
të botës dhe të mia.
Fjala për t’u shpallur,
e Vërteta për t’u zbuluar,
Rruga për t’u ndjekur,
Jeta për t’u jetësuar,
Drita për t’u ndezur,
Dashuria për t’u dashur,
i urituri për t’u ngijë,
i eturi për t’u shuar,
i zhveshuri për t’u veshur,
i pastrehuari për t’u mirëpritur,
i sëmuri për t’u mjekuar,
i braktisur për t’u dashur,
i dëbuari për t’u pranuar,
i gërbuluri për t’ia larë plagët.
Lypësi për t’iu buzëqeshur,
i dehuri për ta dëgjuar,
i sëmuri mental për ta mbrojtur,
fëmija për ta bartur në krah,
i verbëri për ta udhëhequr,
memeci për t’i folur,
topalli për të ecur,
droguari për ta ndihmuar,
lavirja për ta nxjerrë nga rruga dhe dëgjuar,
burgosuri për ta vizituar,
moshuari për ta shërbye…”
Në një takim e kërkova të ma shpjegonte jetën e saj kaq të thellë për Zotin, Kishën dhe për çdo njeri që vuan. Ajo me thjeshtësi dhe përzemërsi më tha kështu: “Fshehtësia ime është Jezusi, dashuria e tij e madhe për mua, urata, meditimi, adhurimi i përditshëm një orë, kushtet tona rregulltare. Motoja ime është kjo: Të gjitha për Jezusin, të gjitha Jezusit nëpërmjet Marisë. Ja pesë gishtat e e dorës: Të gjithë këtë ma bëni mua! Kujtoje dhe shikoje dorën, pesë gishtat e dorës, çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, si rrëmim të ndërgjegjes. Ç’kam bërë sot për Jezusin.”
T’i kthehemi pyetjes fillestare: çka thonë sot njerëzit për Jezusin? Çka themi ne – dëshmojmë ne, para botës, për Jezusin: kush është Ai? Nga kjo pyetje – përgjigje varet jeta jonë, shëlbimi. Më mirë është të ballafaqohemi tash, fill, sot, çdo ditë, sepse nesër do të mund të jetë tepër vonë!
Bota pret prej nesh një përgjigje koherente, të qartë, të guximshme, të sinqertë, që do të zgjojë edhe te tjerët dëshirën që të jenë si ne, edhe më shumë, si vetë Jezusi! Një përgjigje e tillë është e mundshme vetëm me jetën – fenë tonë – dhe me dashuri. Nëna Tereze na porositë: “Mos të kërkojmë t’i detyrojmë të tjerët në fenë tonë. Të mundohemi të bëjmë ashtu që Krishti, Drita dhe Jeta e tij të kalojë në ne, nëpërmjet nesh, në botë.”
Prishtinë, 9 nëntor 2022 – Radio Maria – Kosovë
05/11/2022
Ndonëse shumica e të majtës e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, mungon ende uniteti në kampin e majtë. Duam t’iu drejtohemi atyre te e majta, që ende janë të mbërthyer pas pikëpamjes “gjëmë në të dyja shtëpitë”, sipas të cilës lufta vështrohet si luftë ndërimperialiste.
Është koha që e majta të zgjohet dhe të bëjë “një analizë konkrete të situatës konkrete” në vend që të riprodhojë kuadrot mendore të shteruara të luftës së ftohtë. Ta lësh mënjanë imperializmin rus është gabim i tmerrshëm te e majta. Putini, jo NATO, po lufton në Ukrainë. Ja përse është një çështje thelbësore ta heqim vatrën tonë nga imperializmi perëndimor dhe ta shpiem të imperializmi i Putinit, që ka një bazë ideologjike dhe politike, përveç asaj ekonomike.
Imperializmi rus ka dy elementë.
Së pari,
ai ka lidhje me nacionalizmin revizionist rus. Pas 2012, Putini dhe rrethi i tij u larguan nga koncepti qytetar i kombit (dmth rossijskij, rus, lidhur me Rusinë) dhe përqafuan konceptin e bazuar etnikisht për rusizmin (rus, rus etnokulturor). Agresioni i tij në 2014 deh 2022 u ligjërua si rikthim në “origjinë” i tokave ruse. Veç kësaj, ky koncept për “rusizmin” (etnik) rigjallëron konceptin imperial të shekullit 19 për kombin rus, që i redukton identitetet ukrainas dhe bjellorus në identitete rajonalë. Sipas kësaj pikëpamje, rusët, bjellorusët dhe ukrainasit janë një popull i vetëm. Zbatimi i këtij koncepti në retorikën zyrtare përfshin mohimin e shtetësisë ukrainase si diçka më vehte. Prandaj nuk mund ta themi, me ndonjë shkallë sigurie, që Putin don vetëm njohjen e sovranitetit rus në Krime dhe Donbas. Putini, mbase don ose ta aneksojë ose ta nënshtrojë tërë Ukrainën, gjë që është një kërcënim që ka dalë në artikullin e tij “Mbi unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve” dhe në fjalimin e tij të 21 shkurtit 2022.
Në fund, e ardhmja e traktateve të paqes ukraino-ruse është jo e shkëlqyer, sepse skuadra negociuse e Rusisë udhëhiqet nga ish ministri i cultures, Vladimir Medinskij, një nga të besuarit më të përkushtuar të ideologjisë së botës ruse (botës etnikisht ruse)- botës, ku më besoni, askush nuk do jetë i lumtur.
Së dyti,
ndonëse agresioni i Putinit është e vështirë të sqarohet me arsyetim, ngjarjet aktuale kanë treguar, që ka mundësi të kuptohet me maturi retorika imperialiste ruse fjalë për fjalë. Imperializmin rus e shtyn dëshira për ta ndryshuar të ashtuquajturin “rend botëror”. Prandaj kërkesa e Putinit për tërheqjen e NATO-s nga Europa Lindore mund të sinjalizojë që Rusia ka mundësi të mos ndalet në Ukrainë dhe Polonia, Lituania, Letonia dhe Estonia të bëhen tabelat e qitjes në të ardhmen për agresionin e Putinit.
Është diçka naïve të kërkosh demilitarizimin e Europës Lindore, sepse në dritën e rrethanave aktuale, kjo do kishte kuptimin e lëshimeve ndaj Putinit dhe do t’i bënte vendet e Europës Lindore të cënueshme nga agresioni i Putinit. Diskutimi për ekspansionin e NATO-s do ta murrëtonte dëshirën e Putinit për t’i ndarë zonat e ndikimit në Europë ndërmjet SHBA dhe Rusisë. Të jesh në zonën ruse të ndikimit do të thotë t’i nënshtrohesh politikisht Rusisë dhe ekpsnsionit të kapitalit rus.
Rastet e Kartvelisë dhe Ukrainës tregojnë, që Putini është gati ta përdorë dhunën për të ndikuar në çështjet politike të vendeve për të cilat beson se ato duan të dalin nga zona ruse e ndikimit. Ka rëndësi ta kuptojmë që koncepti i Putinit për vepruesit më të rëndësishëm në rendin botëror janë SHBA dhe Kina. Ai nuk e njeh sovranitetin e vendeve të tjera, të cilat i sheh si satelitë të njërit apo tjetrit veprues të rëndësishëm në rendin botëror.
Putini dhe rrethi i tij janë tepër cinikë. Ata e përdorin bombardimin e Jugosllavisë nga NATO, pushtimin nga SHBA të Afganistanit dhe pushtimin e Irakut si vetëmbrojtje për bombardimin e Ukrainës. Në këtë kontekst, e majta duhet të tregojë konseguencë dhe të thotë “jo” ndaj kujtdo agresioni imperialist në botë. Sot agresori imperialist është Rusia, jo NATO dhe, në se Rusia nuk do ndalet në Ukrainë, ajo me domosdo do e vazhdojë agresionin e vet.
Veç kësaj, mos të kemi asnjë iluzion për regjimin e Putinit. Ai nuk propozon asnjë alternativë për kapitalizmin perëndimor. Ai është autoritarist, një kapitalizëm oligarkik. Niveli i pabarazisë është rritur këta njëzetë vjet të udhëheqjes së tij. Putini është armik jo vetëm i klasës punëtore, por armik i çfarëdo demokracie. Pjesëmarrja popullore në politikë dhe shoqatat liridashëse shihen e trajtohen me dyshim në Rusi. Putini është, në thelb, antikomunist dhe armik i gjithçkaje, për të cilën ka luftuar e majta gjatë shekullit 20 dhe lufton gjatë shekullit 21. Sipas botëkuptimit të tij, të fortët kanë të drejtë t’i rrahin të dobëtit, të pasurir kanë të drejtë t’i shfrytëzojnë të varfërit dhe të fortët me pushtet kanë të drejtë të marrin vendime për popullsinë e tyre pa pushtet.
Këtij botëkuptimi i duhet dhënë një goditje e ashpër në Ukrainë. Që ndryshimet politike të kryhen brenda në Rusi, së pari ushtria ruse duhet të mundet në Ukrainë.
Duam të flasim për kërkesën që zgjon debate në shkallë të lartë, pikërisht për ndihmën ushtarake për Ukrainën. E kuptojmë rindikimin e militarizimit për lëvizjen majtise botërore progresiste dhe rezistencën e të majtës kundër ekspansionit të NATO-s apo ndërhyrjes së Perëndimit. Megjithatë, më shumë kontekst është i nevojshëm për të dhënë një tablo të plotë. 3
Së pari, të gjitha vendet e NATO-s kanë dhënë armë për Rusinë megjithë embargon e 2014 (Franca, Gjermania, Italia, Austria, Bullgaria, Ҫekia, Kroacia, Sllovakia, Spanja). Pra, të diskutosh në se armët e dërguara në rajon bien në duar të padenja, të bën përshtypje tepër të vonë. Ato janë tashmë në duar të padenja dhe vendet e BE vetëm do të kompensonin të këqijat e bëra duke furnizuar me armë Ukrainën. Veç kësaj, garancitë e sigurisë alternative, që qeveria ukrainase ka propozuar, tërheqin pjesëmarrjen e shumë vendeve dhe ka të ngjarë do mund të arrihen në tërësi vetëm, në se ata marrin pjesë.
Së dyti, sikurse artikujt e shumënumurt e kanë theksuar, regjimenti i Azovit është një problem. Por ndryshe nga viti 2014, e djathta ekstreme nuk luan rol të dallueshëm në luftën e tashme, që është bërë një luftë popullore- dhe shokët tanë të së majtës kundër autoritarizmit të Ukrainës, Rusisë dhe Bjellorusisë luftojnë bashkërisht kundër imperializmit. Sikurse u bë e qartë gjatë kohëve të fundit, Rusia provon ta kompensojë dështimin e saj në teren me sulme ajrore. Mbrojtja ajrore nuk do i japë Azovit ndonjë fuqi shtesë, por do ta ndihmojë Ukrainën të rimarrë qeverisjen e territorit dhe t’i pakësojë vdekjet e civilëve edhe sikur negociatat të dështojnë.
Për mendimin tonë, e majta duhet të kërkojë:
E majta duhet t’i mbështesë edhe të majtët ukrainas që bëjnë rezistencë, duke u mundësuar atyre të duken, duke tërhequr zërat e tyre në qendër të vëmëndjes dhe duke i mbështetur financiarisht. Ne pranojmë që rezistencën e mëtutjeshme e mundësojnë pikërisht milionat e punëtorëve thelbësorë ukrainas dhe vullnetarët humanitarë.
Kërkesa të tjera të shumta- janë mbështetja për të gjithë të ikurit në Europë pavarësisht shtetësisë së tyre, anullimi i borxhit të jashtëm të Ukrainës, sanksione kundër oligarkëve rusë etj- që pranohen gjerësisht në të majtën dhe prandaj ne nuk kemi nevojë të flasim për to.
Pushtimi rus i Ukrainës krijon një precedent të tmerrshëm për zgjidhjen e konflikteve, që mund të sjellin rrezikun e një lufte atomike. Prandaj e majta duhet ta formulojë vizionin tonë vetiak për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe arkitekturën e sigurimit ndërkombëtar, që mund të përfshijë çarmatimin atomik të shumëfaqshëm (që do jetë i detyrueshëm për të gjitha fuqitë atomike) dhe institucionalizimin e reagimeve ekonomike ndërkombëtare për cilindo agresion imperialist në botë. Disfata ushtarake e Rusisë duhet të jetë hapi i parë drejt demikratizimit të gjithë rendit botëror dhe formimit të sistemit ndërkombëtar të sigurimit dhe e majta ndërkombëtare duhet të japë ndihmesë në këtë çështje.
Lëvizja Socialiste e Rusisë është një organizatë politike. Vizioni i të cilës për socializmin demokratik bazohet në pronën e përbashkët, liritë politike dhe vetëvendsosjen. Ata besojnë që vetëm lëvizja e masave- e socialistëve, e sindikatave, e feministëve, antifashistëve dhe aktivistëve të medias- e armatosur me solidaritetin e bazuar te klasa dhe barazizmin- mundet t’i japë fund qeverisjes së kapitalit në Rusi.
Socialnij Ruĥ (Ukrainisht: “Lëvizja Sociale”) është një organizatë e majtë socialiste demokratike ukrainase, që lufton kundër kapitalizmit dhe ksenofobisë. Socialni Ruĥ bashkon aktivistët socialë dhe sindikatat në betejën për ndërtimin e një bote më të mire, pa diktaturën e kapitalit, patriarkizëm dhe diskriminim.
[përkthyer në Esperanto nga G. Mickle sipas tekstit Against Russian Imperialism – Lefteast
Artikuj për pushtimin e Ukrainës:
http://neniammilitointerni.over-blog.com/search/Ukrainio/

Përkthyer në shqip nga Bardhyl Selimi, 9 nëntor 2022
Shkruan: don Lush Sopi
Islamofobia është bërë temë shumë e përfolur dhe e debatuar në Kosovë. Temë që po krijon ndarësi dhe armiqësi në popullin tonë shqiptar. Temë shumë e ndjeshme, por e shoh të rëndësishme të jap një preokupim, një mendim apo qoftë edhe kontribut të dobishëm timin të vogël në këtë drejtim .
Termi “islamofobi” nënkupton frikë, urrejtje apo paragjykim ndaj fesë islame ose muslimanëve në përgjithësi.
Ngritja e alarmit për islamofobinë në Kosovë, nga politikan, intelektual të rangit të lartë të nivelit qendror e lokal, të prijësve fetar, si dhe nga popullata e pafajshme dhe e thjeshtë që frymëzohet në këtë frymë, shpirtërisht nuk më le të qetë, sepse siç thotë një fjalë e urtë popullore: “Mizën po e bëjmë buall” kur është në pyetje islamofobia, ndërsa “Buallin e bëjmë mizë”, kur janë në pyetje ngjarjet historike, kulturore dhe kombëtare, nëpërmjet të cilave përmes parardhësve tanë është ruajtur gjuha, kultura, tradita dhe identiteti ynë i shëndosh kombëtar.
Në Kosovë, nga islamofobia nuk do të duhej të ketë frikë asnjë Shqiptarë, por as ta preokupoj asnjëherë kjo çështje, sepse në Kosovë, islamofobi të vërtetë apo reale nuk ka. Prandaj, nuk paraqet kurrnjë rrezik për vëllezërit tanë shqiptarë të besimit islam. Nëse ndonjë herë krijohet përshtypja e tillë (islamofobisë), kjo ndodhë jo për shkak të islamit, por atëherë kur vjen kundërpërgjigjëja ndaj personave apo grupeve ekstreme e fundamentaliste të cilët fyejn personalitetet e shquara kombëtare, si dhe ndaj atyre që tentojnë ta ç’orjentojnë popullin tonë drejtë një kulture apo kataklizmë e traditë të huaj fetare e kombëtare, që do të ishte hapi më i gabuar dhe më tragjik për popullin tonë.
Shqiptarët në Kosovë, pa dallim besimi, patjeter se duhet të shqetësohen dhe të brengosen shumë për shqiptarofobi, sepse çdo veprim apo përkushtim i njeriut për atdhedashuri po shndërrohet në islamofobi. Kjo mund të dëshmohet me shumë fakte dhe argumente në jetën e sotme të përditshme.
Ndaj po i veçoj disa sish dëshmi:
Kur diskutohet apo debatohet për pasojat e mëdha që populli ynë ka përjetuar nga Perandoria Otomane, menjëherë pason etiketimi: islamofob.
Kur debatohet për Turqinë e sotme, që punon për interesa të veta kulturore dhe fetare në Kosovë, pason etiketimi: islamofob.
Kur kundështohet pohimi se Turqit i kemi vëllezër, menjëherë etiketimi: islamofob.
Kur diskutohet për Shtetet Arabe dhe konstatohet se popullin tonë kurrë nuk e ka lidhur asgjë me kulturën apo traditen arabe, menjëherë etiketimi: islamofob.
Kur kundërshtohet ndonjë prijës fetar (hoxhë) i cili merrë guxim dhe fyen personalitetet kombëtare të cilët kanë lanë gjurmë të mëdha në historinë e Kombit tonë, menjëherë etiketimi: islamofob. Ai ka të drejtë të fyen, ndërsa askush nuk ka të drejtë ate ta kundërshton!
Kur me të drejtë konstatohet, se përdorimi i flamurit arab (që nuk është simbol i fesë islame) është i panevojshëm (neveritëse) në ritet e salikimit (varrimit) mbi trupin e njeriut që lindi Shqiptar, jetoj si Shqiptar dhe vdiq si Shqiptar, prap etiketimi: islamofob.
Kur diskutohet për rreziqet e mëdha që i kanosen Kosovës nga sektet e ndryshme (të dyshimta) që fshehen nën ombrellën e institucioneve fetare, menjëherë etiketimi: islamofob.
Njerëzit të cilët duan ta mbrojnë dhe respektojnë Kushtetuten e Republikës së Kosovës, e cila e definon Kosovën si shtet laik, si dhe frika e njerëzve nga islami politik, që mund të jetë kërcnimi më i rrezikshëm dhe më i dëmshëm për Kosovën dhe popullin shqiptar, prap etiketimi: islamofob.
Pra, gjithçka që nuk shkon në dobi të individëve apo grupeve me ide të tilla, qoftë edhe në dëmë të kombit tonë shqiptar, po qe se u kundërshtua, menjëherë pason etiketimi: islamofob.
Të etikohen njerëzit e besimeve tjera si islamofob, mund të kuptohet disi. Por të etikohen si islamofob shqiptarët e besimit islam, të cilët haptas e pranojnë se i takojnë këtij besimi, e quditshme. Dmth. që besimtari islam ka frikë nga vetvetja, ka paragjykime për besimin e vet, e urren vetveten, familjen, si dhe besimtarët që i takojnë po të njejtit besim! Ja, në çfarë mënyre vlerësohet islamofobia në Kosovë!
Islamofobia ka filluar të përhapet viteve të fundit, sikur edhe shumë çka tjetër, me qëllime të destabilitetit kulturor, fetar dhe kombëtar. Tendenca është shumë e çartë: që nëpërmjet “islamofobisë” t’i nxisin njrëzit të bëhen besimtarë më të devotshëm, ta duan më shumë islamin (për inatë të tjerëve), sepse islami qenka i rrezikuar nga islamofobët!
Populli ynë Shqiptar në të kaluarën ka vuajtur shumë nga pushtues dhe armiq të jashtëm, por shpesh herë kemi qenë e keqja apo më konkret e zeza e vetvetes, me armiqë të brendshëm të cilët e kanë quajtur veten shqiptar, por në fakt kanë qenë argat të armiqëve tanë, të cilët edhe janë shkolluar nga shtetet armike, për misionin e tyre në dëmë të popullit (e parardhësve të tyre që e dhanë jetën dhe gjakun e tyre për vendin e tyre-Shqipërinë Kastriotane dhe Kosovën Dardane).
Unë kam shumë miq shqiptar të besimit islam, me të cilët kemi krijuar raporte familjare, sepse ashtu ndihemi njëri me tjetrin në vizitat e ndërsjellta që i bëjmë. Më ka ndodhur shumë herë që të moshuarit të ma bëjn pyetjen: “Pse na kanë thanë hoxhallarët: për tu ba katalik, më parë duhet me u ba shka!” Çfarë tmerri! Përse e kanë thënë këtë gjë? Sigurisht nga frika e kthimit të popullit shqiptar në rrënjët e veta dhe nga dëshira e armiqëve tanë, për ta lenë popullin shqiptar të pa emancipuar, të mbrapambetur dhe të pa kulturuar.
Këta njerëz kanë mësuar (predikuar) që gjinia femrore nuk benë të shkollohet! Përse? Që vajza të mbetet e pa emancipuar, të jeton si skllave, të manipulohet me te në çdo aspekt, të mos i jepet mundësia për edukim dhe avancim të familjes-fëmijëve, sepse roli i gruas – nënës është detyrë e shenjtë, njëkohësisht është rol shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për edukim dhe formim të brezave të ardhshëm.
Kanë mësuar (predikuar) që në varreza të mos vendosen përmendore, të mos ketë kurrnjë epitaf (mbishkrim varri) apo foto! Përse? Që të zhduket çdo gjurmë e ekzistimit të familjarëve të tyre shqiptarë në trojet e tyre. Një gurë pa kurrnjë mbishkrim, pa emër, pa mbiemër, pa datë të lindjes, pa datë të vdekjes, pas një kohe zhdukët çdo gjurmë historike të ekzistimit të njerëzve në ato troje.
Ndërsa sot (për interese materiale), tentohet t’i humbë shkëlqimi fytyrës së bukur shqiptare, në të cilën ka shkëlqyer nderi dhe morali personal dhe familjar. Prandaj, humbja e vlerave dhe virtyteve familjare, nderit dhe moralit familjar, na dërgon në një errësirë apo qorsokak, në asimilim dhe zhdukje të popullit shqiptar, i cili në të kaluarën ka qenë burim i kulturës, moralit, emancipimit dhe civilizimit njerëzor.
Këto shqetësime e preokupojnë pjesën dërmuese të popullit tonë dhe si të tilla nuk kanë lidhje me islamofobi, por me Atdhedashuri.
Krizës së madhe politike e shoqërore në Kosovë, t’i shtohet kriza fetare, kombëtare dhe kulturore, është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme.
Vëllezër dhe motra Shqiptarë, pavarësisht rrethanave dhe situatave në të cilat gjindemi, duhet vepruar me qetësi, guxim dhe urti, për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt të kombit tonë, për një të ardhme me kulturë dhe traditë të lashtë Iliro-Dardanë.
“Jini, prandaj të mençur porsi gjarpërinjtë dhe të thjeshtë porsi pëllumbat!” (Mt 10,16)
Sinan Kastrati, Malmå, Suedi
Nga Ditari (5)
Këto ditë të nëntorit 2022, më duket se nuk ngjajnë me nëntorët e viteve të 1970-1980, për shkakun se tash nuk ka dimra të ashpër e burra të rreptë siq kishte koha jonë, gjenerata e viteve 1968- 1981.
Jeta në shkolla, në fshatra e në qyetete është ndryshe dhe ka shumë dallime. Kur unë e gjeneratai ime ishim nxënës, rrugës për në shkollë, i lanim duart e sytë në lumin Mirusha, mëngjeseve e pinim ujë të pastër e të ftohtë që të binte në ballë (pop.). binim barkas dhe pinim ujë si kingjat (qingja) Me qindra pshq të vegjël, shumiva troftë dhe krap vraponin sikur edhe ata donin të na shoqëronin e të pinin ujë bashkë edhe pse, ata ishin gjithë kohën në lumë, laheshin e nuk ”lageshin”. Ata e donin shoqi shoin e ne nuk e dinim cika është qika e cili djali. Ndiqeshin në mes veti por ujin nuk na turbullonin.
Sot nuk ka peshq në Mirushë si dikur, shumë e të shishëm. Janë helmua edhe peshqit dhe çuditërisht ende jetojnë me helm. Në Turjakë nuk ka dele e kingja, lopë, kuaj e buallica, vjeta, kishka e mëza. Çdo familje në Turjakë kishte disa dele, lopë e ato familje që ishin më të pasura kishin edhe disa kuaj, pele e mazujka kurse tash Tash vetëm Zeneli i Hajdin Nurqit kishte disa dhi e keca. Atherë, Smajl Zeneli, një plak gogol por i pasur me shumë djem, Alushin, Hamzën, Zenelin dhe Murtezin kishti afro 6 pela dhe mëza, të cilat kur fshinim grurin në lami (korrik), i merrte ato dhe e fshinte. E mbaj mend se në mes të lamës i shtronim duajt me grurë e në mes e ngulnim një mullar dhe i lidhin kuaj ose kitë (qetë e zjellës) rreth mullarit e ato e shkelnin grunin derisa mbetej vetëm kashta e pastaj e largonim kashtën ndërsa grurin me lopata e hishnim në ajr dhe luteshim që të fryej që të mbetet vetëm gruri i pastër, të ndahet nga byki e kashta. Nga këtu ka lindur shprehja ”cili kali të zihet, e fshin lamën”.
Më nuk është Turjaka ajo që ishte dhe nuk dua më të shkoj e të jetoj në Turjakë, sikur dikur që kisha dëshirë, të fle në arat plot me kashtë gruri, ta ruaj basonin e kallamoqin natën nga thitë (derrat) e egër, të tuboj fijet e barin në livadhe e të fle në male nën hijet e drunjëve e të mbulohem me degët e tyre me dushk, të pije tamlin e deleve që aty për aty i milnim dhe e pinim tamlin (qumshtin) pa e vlua.
As Tirana nuk ishte Tirana e viteve 1970-ta. Dhe as në Tiranë më nuk kam dëshirë të shkoj.
Po dëshira e çobanit të Turjakës ishte që të këthehej në Turjakë e të martohej me Lumturinë. Edhe Lumturia kishte të njëjtat dëshira, që të jetoj në Turjakë e bashkë me Sylën të punojnë tokën, të kenë shumë lopë e dele e të kenë edhe 13 fëmijë. Të lahen në lumin e Mirushës. Ajo të dishej e të futej në ujë vetëm me rroba deti, brekë të larjes e pa sytjene, sikur kur kishte qenë e vogël. Punë e madhe çka thonë çobanët e katundarët. Ajo e donte turjakasin dhe Turjakën e jetën në Turjakë.
Lumturia i kishte tregua Sylës se ka emër të huaj që në shqipe dmth Lumturi dhe ia kishte tregua një foto kur ajo kishte qenë e vogël. Çobani turjakas e kishte puthur foton e ajo ishte gëzua dhe buzagaz i kishte thënë Sylës:
-Sa i mirë je mor Sulo, e puth Lumturinë e vogël
Vazhdon
Malmö, 9 nëntor 2022
Shkruan: Prof. Dr. Ornela Radovicka
E lexova me kujdes të veçantë librin “Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit” të autorit Adem Lushaj, libër që më rikujtoi ato kohë kur Deçani dhe e gjithë Kosova, derdhej në gjak!
Libri ka një strukturë rrëfimi, shoqëruar me fakte, dëshmi, statistika, imazhe, dhe mendoj se janë dy element bazë për të shkruar historinë e një populli. Është i shkruar në gjuhë angleze, dhe kjo, jo pa qëllim është bërë nga autori. Kjo gjë është bërë që të informojë e sensibilizojë publikun ndërkombëtar për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë, e në veçanti në Deçan.
Libri është mbështetur në një bibliografi të pasur siç është ajo e Josef Martinsen, por edhe në shumë sajte (site) të cilat flasin mbi krimet serbe në Deçan.
Për të thyer disi atë kronikë të dhimbshme e të turpshme lufte të asaj epoke, sa tragjike deri në gjenocid. Autori nis faqet e para duke rrëfyer mbi pozitën gjeografike të Deçanit, thur në të një reliev të shkurtër historinë, përfshirë luftën e parë dhe e dytë, bashkërendit ndarjen e tij administrative, çensimente, dhe dekoron me disa grimca historike mbi kulturën e Deçanit, përfshirë këtu Manastirin e Deçanit.
Derisa lexoja këtë libër, si një video më shkonin nëpër mend ato ngjarje të cilat nuk i jetova, por i përjetova emocionalisht nëpërmjet mas medies, shtypit, rrëfimeve të banorëve të Deçanit dhe popullit kosovar në përgjithësi.
Ky popull nuk ishte pa atdhe! Nuk ishin as apolitë. Nuk ishin nomad.
Këtë popull e ndoqën nga trojet e tyre! Shtëpitë e tyre nuk i braktisën, por i detyruan t’i lënë.
Ikën, dhe fotot nëpër mure lanë. Atje ishte baba, atje ishte nëna, atje ishte djali, atje ishte nipi.
Me qindra e qindra “Enea” shikoje që mbanin në shpatullat e tyre baballarët e tyre pleq, ku plisat qëndronin si kurorë në kokë. Ata njerëz kishin qenë mbretër në mbretërinë e tyre të vogël, në shtëpitë e tyre.
Ishte sa dhembshme aq edhe e turpshme kur shikoje karvanë mbi traktor që linin me lot trojet e tyre.
Iknin, dhe kokën kthenin nga varret ku preheshin të parët e tyre. Ato varre disa me kryq e disa me hënëz, e disa laik. Por, të gjithë së bashku preheshin atje, në të njëjtën vend, në të njëjtën tokë, i të njëjtit gjak me të njëjtën gjuhë.!!
Iknin, të zbathur, e me një torbë me rroba. Humbën gjelbërimin e shtëpive përqark. Humbën agimin e atij Dielli që lind nga ato anë. Humbën atë yll që qëndisnin nëpër xhamadanë.
Humbën ato bjeshkë që ishin rapsodia e tyre.
Lanë me lot ato kulla ku ishte Besa e tyre.
Shumë u vranë ca i mbytën, të tjerët i hodhën nëpër puse, e shumë të tjerëve iu ndërruan gjuhën e nënës. Ikën…, dhe ai gjerdan lotësh mbërtheu portat e atyre shtëpive, dhe izoluan atë vendlindje. Humbën, babë e nënë, motra e vëlla, farë e fis!!!
Një Deçan i trishtueshme, boshe, ku nëpër parvaze këndonte ndonjë “gushkuq”. E gjithë bota është një ekspresion nomade-thonë perëndimorët, me globalizimin e tyre- por nuk mund të jesh nomad kur ti je autokton në atë territore. Nuk mund të jesh nomade kur ti je aty, që kur ka lindur njerëzimi. Nuk mund të jesh nomade kur ti je në shtëpinë tënde, e dikush tjetër të vjen me forcë të përzë, të vret, të heq identitetin, të heq të drejtën e gjuhës, të tjetërson, të heqin virtytin e gjakut atë të etnisë, dhe në fund “memecët” fshehën krimin, e vjedhin historinë!
Ikën pleq, fëmijë, nëna, gra, burra, me fytyrat e tyre si një alabastër, e me vështrim nga Bjeshkët.
Oh, janë “të Nemuna”, ato Bjeshkë, por jo të mallkuara! Janë si Circja ku edhe heronjtë më të fuqishëm të historisë si Uliks, bien e gjunjëzohen. Të trullosin, të prishin mendjen të magjepsin ato Bjeshkë që kushdo i ri është i dashuruar.
Për dashurinë, në emër të dashurisë, historia na mëson që kanë dhënë jetën për të. E mitologjia na rrëfen se nga hiri lindte Feniksi. Shumë të rinj matën jetën e tyre me dashurinë e këtyre trojeve. Do të riktheheshin,në ato troje;
Do shpëtonin tingujt e lahutës, kur gjyshërit e tyre kënduan me shekuj rapsoditë, që si akustik i bluante në ato metro moderne të stacioneve të trenave në vendet evropiane ku ata kishin mërguar.
Këta të rinj, për ato troje do shpëtonin zërin e mëmave të tyre kur ata luanin në oborre kur ajo i fliste me gjuhën e saj shqipe. Këta të rinj me gjakun e arbërit do të skalisnin në ato troje vazhdimësinë e epitafeve ku preheshin stërgjyshërit, më të lashtë të Evropës kodifikuar në gjuhën shqipe.
Vullneti dhe dashuria për trojet e tyre, i pagëzoi këta të rinj, rrokën armët me emrin UÇK,.
Këta luftëtar nuk ishin “ milite ignote” viktima të pafajshme, të marrë në luftë, pa ditur se për kë luftonin. Këta luftëtar ishin të vetëdijshëm për trojet e tyre dhe kodi i tyre quhej Heroizëm. Atdheu është detyrë, është vlerë, nacionalizmi jo, dhe ata ishin patriot të flaktë të trojeve që iu përkisnin!
Memoria humane është e shkurtër, privi di memoria. Ne shqiptarët duhet të falim, por jo të harrojmë.!!
Nuk harrohet gjenocidi. Statistikat thuhet në Kosovë, civilët e vrarë ishin më shumë se 13 mijë,; të zhdukurit ishin mijëra, refugjatët më shumë se 250,000.
Pas çdo lufte shkruhet historia.
Gjithmonë popujt e mëdhenj kanë shkruar historinë ndërsa luftonin, gjë e cila, nuk ndodh me ne shqiptarët.
Ata gjithmonë kanë propozuar ekuacionin me shumë të panjohura, ndërsa ne, për historinë tonë mjaftohemi me aksiomën e shkurtër” Qenë kohë të këqija, na vranë, na prenë, na hodhën nëpër puse, zhdukën trupa, na degdisën nëpër botë”. Kjo nuk është histori!!!.
Në fund të librit ngjarjet që lexon duket sikur është vazhdimësi e një retorikë:
– Ku janë trupat?, pyetën skeptikët, katër muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë. Mungon arma e krimit.
– Këtu janë, në anë të autostradës për në Prizren, 28 tuma dheu të fryrë nga shiu, 28 kurora të mbështjella me celofan.
E keni menduar ndonjëherë të vini në Deçan? Sigurisht që këtu nuk ka monumente si, kulla Eifel apo Palmat në det të Dubait, por do të shikoni një vend që mban ende plagët e thella të një lufte të spastrimi etnik tragjik, por ajo shikon të ardhmen me shpresë. Deçani me Bistricën, Bjeshkët dhe Manastirin saj me origjinë shqiptare e jo serbe.
Personalisht gjithmonë i bëjë pyetjes vetes; Nëse ne shqiptarët jemi me origjinë ilire dhe autokton në territorin tonë, gjë të cilën nuk e mohon kush. Nuk mohohet as teza që: Ilirët janë popull që rrjedhin nga Pellazgët, dhe si rrjedhim gjyshërit tanë janë Pellazgët, por në asnjë libër nuk shkruhet qartë që Shqiptarët janë me origjinë Pellazge dhe është për të ardhur keq..!!!
Dihet që Historia i ka rrënjët nga gjeneze, dhe ky popull ka historinë më të lashtë. Por dihet edhe që ne shqiptarët nuk shkruajmë historinë dhe as nuk lexojmë. Të shkuarën po e humbasim, por po humbasim edhe historinë e djeshme, atë që jetuam, ajo që na përket!
Shumë vite përpara tek Bibloioteka e A. Belluscit ka ardhur Aalbanologu Robert Elsie, i cili së bashku me At Antonion do programonin një udhëtim ku do të shkonin tek varri Adem Jasharit. Mu afrua dhe me tha:
– Ju shqiptarët keni histori gojore, përse nuk e hidhni në letra, përse nuk e kodifikoni. Historia gojorë është histori!
Mbi këtë mendim po reflektoj mbi manastirin e Deçanit, i cili shpesh propagandohet si kulturë serbe. Lind pyetja përse shtetet e huaja apo edhe ato fqinje kulturën e tyre jo vetëm e vlerësojnë kulturën e tyre, por shpesh edhe e përvetësojnë nga kultura jonë shqiptare siç ndodhi me qenin e Sharirit Deltari Ilir që sot është trashëgimi serbe, apo si ndodhi me Lahutën.
Përse, nuk thellohen kërkimet kur thuhet që në Manastirin e Deçanit në tavanin e absidës gjysmërrethore është një shandan metalik prej bronzi, që përbëhet nga 8 krahë koncentrikë, ku qarkullon një gojëdhënë se të gjithë arkimandritët që kanë drejtuar manastirin shprehen se shandani i trapezarisë është një dhuratë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, për manastirin e Deçanit?

Përse nuk i trajtojmë këto tema që rrisin krenarinë, autoktonin, rrënjët.. ? Përse mos ndoshta ndihemi inferior se nuk njohim historinë tonë apo jemi indiferent?!!!
Deçani dhe Manastiri i tij ku fotot e fillimeve 900 janë plot me popullsinë me plisa, dhe plisi është i shqiptarëve , s’ka se si mos të jetë ndryshe i shqiptarëve. Manastiri me mermerin e bardhë dhe rozë e lehtë me ngjyra të ngrohta, ngritur në qerpikun e Deçanit , atij sy në mes kaltërsisë dhe gjelbërimit ku edhe Irlanda do të nxirrte disi kryet e një fije xhelozie, por jo vetëm kaq, por për atë që çka ofron, shumë më të çmuar dhe më të rrallë, të cilit, për fat të keq, po i harrojmë rëndësinë, pikërisht historinë e tij,..Njerëzimin!





1. Braktisja apo largimi vullnetar i serbëve (të komunave të pjesës veriore të Kosoves) nga gjitha institucionet kosovare, që për dy dekada të tëra e ushqyen iluzionin e rrejshëm jo vetëm karshi neve shqiptarëve por, edhe gjithë botës perëndimore dëshmojë se; me minoritete (që mezi e arrijnë 3% -in demografik) nuk mund të ndërtohet një shoqëri stabile demokratike dhe multietnike! Themi “multietnike”, ngase, ky termë i konceptuar dhe i frymëzuar nga Projekti i Mahti Ahtisari (arkitektit të paqes serbo shqiptare) bëri përpjekje dhe ushtroj ndikim (për mendimin tim; të kot, sepse, e kam kontestuar prej ditës së parë implementuese) dy dekadësh politik, si në Bruksel poashtu edhe në Uashington. Madje, ky termë që faktikisht na u amputua (pa na pyetur fare) si në Preambulë të Kushtetutës sonë (ku midis tjerash thuhet, se; “Kosova është shtet multienik..”) ashtu edhe në jetën e përditshme të komunikimit tonë politik, u bë disi alfa dhe omega e shpresës dhe pajtimit të brendshëm ndëretnik shqiptaro-serb. Madje, u shpresua të bëhet edhe një lloj ure e “normalizimit” dhe relaksimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Por, nuk ndodhi kështu.
2. U kuptua më në fund se amputimi i ndodhur përveç që ishte i shpejtë, e supozohej të ishte edhe shpresëdhënës (anipse, presedan!) por, edhe adekuat në pajtimin mes dy kombeve më të mëdhaja në Ballkanin Perëndimor. Një presedan pra, i paparë deri më tani në traditat dhe marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve, ku një minoritet etnik me gjithë vogëlsinë (3%) dhe fajësinë (për vrasjet, dhunimet, shkatërrimet dhe gjenocidin mbi shqiptarët shumicë absolute!) kolektive, pretendon të zotëroj dhe të kontrolloj 25% të territorit të gjithëmbarshëm të një vendi sovran, të shpallur e të njohur botërisht nga institucionet legale dhe legjitime të 117 shteteve tjera. Gjatë gjithë këtyre viteve, serbët minoritar në Republikën e Kosovës, në vend që të provojnë të integrohen në institucionet dhe sistemin e ri demokratik kosovar, ata po shihet tani se u futën aty për do shkaqe tjera e djallëzore; një, që përbrenda (si “kali i Trojës”) ta neglizhojnë demokracinë, tolerancën, frymën e bashkëpunimit dhe mbi të gjitha ta vonojnë e kontestojnë procesin e shtetndërtimit të Kosovës; dy, jo të avokojnë dhe propagandojnë superavansimin e të drejtave të tyre që në gjuhën sociologjike ishte një lloj superdiskriminimi i paparë (ndonjëherë!) pozitiv ndër vende e shtete demokratike, por, të minimizojnë e abuzojnë skajshmërisht këto të drejta të garantuara dhe të fuqizuara edhe me akte normative e kushtetuese; tre, të mbajnë peng me dekada të tëra atmosferën tensionuese dhe acaruese në veri të vendit, në mënyrë që “stoicizmi” i tyre të provohet që tē “shitet” në Uashington e Bruksel, herë si cenim herë si kontestim e dhunim i të drejtave dhe lirive të njeriut. Në gjithë këtë “odisejadë” u promovuan dhe u testuan lloj lloj projektesh e idesh (si ajo e “korrigjimit të kufirit” Kosovë-Serbi, atij të “Minishengenit“, dhe “Open Ballkanit”) që si imperativ të vetëm e kishin copëtimin territorial të Kosovës.
3. Sipas këtyre skenarëve dashakeq e në pamje dosido edhe apokaliptik për Kosovën, e gjithë pjesa veriore (ku pasuritë nëntokësore dhe ato ujore në veri nga ekspertet ë ndryshëm vlerësohen deri ne 500miliarda$!?), do duhej t’i takonin (falë një Marrëveshjeje kinse historike!) vetëm Serbisë. E njëjta Serbi, cila shpresonte por, edhe që ende shpreson që të ratifikohet dhe vërtetohet përmes formulës famëkeqe e udiotike, “të normalizimit të marrëdhënieve pa njohje”!? Tani me braktisjen e gjitha institucioneve të Kosovës, serbët e Kosovës duke qenë të manipuluar nga qeveria e Aleksandër Vuçiqit, nuk besoj që do kthehen ndonjëherë në jetën reale politike kosovare. Ata tani, e presin “pazarin” (lexo: premtimin) që (mjerisht, më 2011 e nënshkruan ish Presidenti H. Thaçi dhe ish Kryeministri I. Mustafa, më 2015 në Bruksel), ua ka caktua Presidenti aktual serb Aleksandër Vuçiq. Kurse, shpresohet ta lejojnë dhe implementojnë Washingtoni dhe Brukseli…! E ai “pazar” tani siç po shihet dhe dihet, është bërë edhe sekret publik. Dhe ka të bëjë taksativisht, me kompetencat e Asociacionit… Situatë kjo që nënkupton se; Paradigma e “multietnicitetit” (në Kosovën me 95% shqiptar), në fakt ishte dhe mbeti vetëm një lloj paravënie e karrem joshës, për ta sjell Kosovën në prag të një ndarje të re fizike (lexo; një lloj kontrolli absolut të pasurive të saja nëntokësore e ujore) të pjesës veriore të saj. Dhe meqë tani me braktisjen e institucioneve kosovare, ranë gjitha maskat, po shihet ashiqare se Aleksandër Vuçiqi për serbët e Kosovës KURRË nuk ka dëshiruar e as aspiruar të drejta shtesë (siç ishin ato të superdiskriminimit!) por, vetëm 25 % të territorit të saj!? Territorit, që (ende shpreson ta realizojë përmes Asociacionit (Zajednices) thënë më thjeshtë; zotërimin dhe kontrollin e Trepçës dhe Ujmanin. E tash, më duhet të shoh se cili politikan shqiptar do të mund të dal haptas dhe të kërkoj nga elektorati i Kosovës, që t’i dhurohet Serbisë, një hapësirë (prej 25%) ekzistenciale për gjeneratat e ardhshme gjithëshqiptare!? Pra, jam shumë kureshtar me pa këte lloj “oferte” e gatishmërie idiotike?! Ngase, këte do e bënte vetëm ndonjëri nga politikanët tanë i cili e do ngritjen e një varri në mauzoleun e Beogradit! “Privilegj” ky, që pak shqiptar (si Esad Pashë Toptani, Sinan Hasani, Rrahman Morina…!?) e “gëzojnë” nga e kaluara jo forte e largët… Unë, nuk e besoj!