
Precedent i rrezikshëm antikombëtar, televizioni ATV e reklamon propagandën e hoxhës së xhamisë “Shaban Jashari” të Skenderjat

Deklarata për shtyp e Përfaqësuesit të Lartë/Zëvendëspresidentit Josep Borrell pas takimit të nivelit të lartë me Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti
Bruksel, 18/08/2022
- Dialogu Beograd-Prishtinë: Deklarata për shtyp e Përfaqësuesit të Lartë/Zëvendëspresidentit Josep Borrell pas takimit të nivelit të lartë me Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti
Të kontrollohet kundrejt videos!
Ju faleminderit për durimin. E dini si janë këto takime, e di kur fillojnë por nuk e di kurrë se kur mbarojnë.
Sot, prita këtu në Bruksel presidentin Aleksandar Vuçiq nga Serbia dhe kryeministrin Albin Kurti nga Kosova. Ky ishte takimi i tretë i nivelit të lartë i dialogut që synon normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Më lejoni të them se takimi i sotëm nuk ishte takim normal. Nuk ishte takim i rregullt.
Së bashku me Përfaqësuesin Special [të BE-së] Miroslav Lajçak, të cilin dua ta falënderoj [për] punën e mirë, e thirrëm këtë takim sepse po përballemi me zhvillime shumë negative në terren dhe me tensione në rritje në veri të Kosovës.
Mund të themi se ky takim kishte të bënte me përgjegjësinë e të dy liderëve për të kërkuar zgjidhje në mirëbesim, për të siguruar që paqja dhe stabiliteti të mbizotërojnë në këtë pjesë të Kosovës – në veri të Kosovës.
Dhe kjo ndodh në një kohë kur jemi në një moment kritik për [rajonin] dhe Evropën. Po e shohim rikthimin e luftës në kontinentin tonë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Po përballemi me një moment dramatik dhe shumë të rrezikshëm për kontinentin tonë. Dhe ky nuk është një moment për rritjen e tensioneve – është koha për të kërkuar zgjidhje dhe për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura prej kohësh.
Siç u thashë të dy liderëve, ky ishte një takim në modalitetin e menaxhimit të krizës. Ishte një takim për menaxhimin e krizës, nuk ishte takim i zakonshëm. Dhe qëllimi i këtij takimi ishte që të qetësohet situata në terren.
Në anën tjetër, jemi të fokusuar në rrugën përpara për normalizimin gjithëpërfshirës në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Të dy liderët patën mundësinë të bisedojnë – në hollësi – për këtë marrëveshje gjithëpërfshirëse [për normalizimin e marrëdhënieve], pasi që tensionet aktuale në terren janë simptoma të çështjes më të gjerë të statusit të pazgjidhur të marrëdhënieve të tyre. Ajo që po ndodh është një simptomë. Sot po ndodh atje, nesër mund të ndodhë diku tjetër sepse ekziston një problem bazë.
Mendoj se si presidenti Vuçiq ashtu edhe kryeministri Kurti e kuptuan se nuk ka alternativë ndaj dialogut [të lehtësuar nga BE-ja] për ta zgjidhur këtë problem.
Sigurisht, ka dallime të mirë-njohura mes tyre në lidhje me pikëpamjet e tyre për atë se cili do të jetë statusi përfundimtar i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, se cili duhet të jetë ai. Por ata janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet në baza të rregullta në periudhën e ardhshme për të çuar shpejt përpara procesin e normalizimit.
Dhe unë do ta kem këtë shumë lart në agjendën time, me mbështetjen e posaçme të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
Çështjet aktuale ishin pikat më urgjente në agjendën tonë. Jemi dëshmitarë të tensioneve të fundit për targat dhe dokumentet e hyrjes/daljes për personat që udhëtojnë midis Kosovës dhe Serbisë.
Komuniteti ndërkombëtar nuk dëshiron të shohë tensione të reja në periudhën e ardhshme dhe palët do të jenë plotësisht përgjegjëse për çfarëdo përshkallëzimi në terren.
Dhe për fat të keq, ende sot nuk kemi [arritur] te një marrëveshje. Por ky nuk është fundi i tregimit. Të dy liderët u pajtuan se procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimet do të rifillojnë në ditët e ardhshme. Ka ende kohë deri më 1 shtator. Unë nuk dorëzohem.
Sot nuk ka marrëveshje, por ne nuk dorëzohemi. Duhet të vazhdojmë të diskutojmë, duhet të kërkojmë zgjidhje. Procesi do të vazhdojë.
Dhe, në mbyllje të takimit, ua bëra gjithashtu të qartë të dy liderëve se anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të mbetet objektivi i tyre përfundimtar, për të cilin të dy ata janë zotuar. E për këtë, ata duhet të gjejnë një mënyrë për të përparuar në këtë rrugë – dhe hapi i parë i kësaj rruge është të kërkojnë një zgjidhje për situatën aktuale.
Ka qenë një ditë e gjatë takimesh dhe mendoj se rezultati më i rëndësishëm është të themi se jemi pajtuar që duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku, në një mënyrë që është inteligjente dhe e përgjegjshme politikisht, në kërkim të një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe reciprokisht të pranueshme në një situatë që po krijon pasiguri dhe jostabilitet në radhë të parë për qytetarët e rajonit, por edhe për Evropën në tërësi.
Është përgjegjësi dhe detyrë e jona që të vazhdojmë të punojmë për të kërkuar një zgjidhje që, për fat të keq, sot nuk ka qenë e mundur.
Ju faleminderit shumë për vëmendjen tuaj.
Vegëza e videos: https://audiovisual.ec.europa.eu/en/video/I-229115
Botime me vlerë për veshjen kombëtare të Krajës

Dr.Nail Draga, Ulqin
Hamid Alaj, VESHJA E NUSËNISË KRAJANE, Art Club, Ulqin, 2021
Në hapësirën etnogjeografike shqiptare të rralla janë ata krahina etnografike sikurse është ajo e Krajës, e cila dallohet me veçoritë e saja etnokulturore. Kemi të bëjmë kryesisht me kulturën materiale, përkatësisht veshjet popullore të grave të njohura si shestanesha dhe ajo krajane, që janë autentike duke qenë pjesë e thesarit të veshjeve kombëtare shqiptare.
Në lidhje me këtë çështje ja vlen të cekim një thënie të Faik Konicës i cili ka thënë së ”ka aq kostume shqiptare sa ka edhe krahina”, që dëshmon për mozaikun e veshjeve kombëtare shqiptare me shumë së të asnjë popull tjetër në Evropën Juglindore dhe më gjerë. Në gamën e tyre veshjeve bën pjesë edhe veshja krajane, apo e nusënisë krajane siç e ka definuar Hamid Alaj në librin e tij, që paraqet një kontribut me vlerë për etnografinë shqiptare.
Pas rënies së socializmit si rend shoqëror dhe komunizmit si ideologji, në lidhje me krahinën etnografike të Krajës u kriuan mundësi për të organizuar takime të ndryshme shkencore, kulturore e shoqërore. Kemi të bëjmë me kohën e ndryshimeve shoqërore ku autor të ndryshëm si çështje preokupimi kanë pasur të kaluarën e krahinës së Krajës nga kohërat me të hershme e deri në ditët tona. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse në kohën e monizmit, çdo gjë kishte qasjen ideologjike, ndërsa trajtimi i çështjeve të identitetit kombëtarë shqiptarë ishte e ndaluar dhe me pasoja.
Por, në rrethana të reja shoqërore një numër i konsideruar autorë vendas janë paraqitur me botime të ndryshme me qasje shumëdimensionale, duke prezantuar çështje të panjohura të cilat janë mirëpritur nga opinioni i gjerë.
Në këtë gamë të autorëve bën pjesë edhe Hamid Alaj, i cili kohë më parë opinionit i paraqitet me botimin më të ri “Veshja e nusenisë krajane”.
Veshjet tradicionale përkatësisht popullore dëshmojnë identitetin kombëtar dhe atë kulturor të një populli. Ato përveç që përfaqësojnë një komb në tërësi, po ashtu përfaqësojnë edhe një krahinë apo një zonë të vogël , duke qenë të ndryshme me tërë përmbajten e tyre. Veshjet popullore janë zhvilluar dhe kanë ndryshuar vazhdimisht në sajë të rrethanave shoqërore në mjedisin përkatës, në varësi të kushteve ekonomike dhe shoqërore.

Duke lexur këtë libër del qartë se “veshja e nusënisë krajane” dallohet me tiparët e saj të veçanta, të cilat nuk i hasim te veshjet tjera të krahinave etnografike shqiptare, që ka tërhequr kureshtjen edhe të udhëtarët e rastit kur kanë vizituar këtë krahinë, apo në takime të ndryshme të rastit. Ajo është treguesi autentik i krahinës së Krajës, duke mbetur simbol i identitetit kombëtar deri në ditët tona. Veshja krajane nga tipologjia është e këmishës së gjatë ku dominuese janë ngjyra e bardhë dhe e kuqe.
Përbërja dekorative, forma, ngjyrat dhe elementet tjera te kësaj veshjeje, përmes talentit dhe mjeshtërisë së punuar nga dora e vashave krajane, shprehin dhe krijojnë ndjenjat shpirtërore të popullit tonë. Të gjitha këto elemente përbërëse shërbejnë për të shqyrtuar në detaje përbërjen e kësaj veshjeje.
Krahina etnografike e Krajës ruan tradita të pasura të kulturës popullore, si në fushën e folklorit po ashtu edhe në atë të veshjes, të cilat janë ruajtur me fanatizëm duke dëshmuar respektin e trashëguar nga të parët deri në ditët tona.
Botimi i një libri paraqet moment të veçantë për autorin, por kur nga tema dhe përmbajta të cilën e trajton i tejkalon ata përmasa atëherë ka vlerë të veçantë për popullsinë e mjedisit përkatës. Kemi të bëjmë me identitetin etnokulturor të krahinës së Krajës, përmes veshjes popullore e cila është e veçantë në hapësirën etmogjeografike shqiptare.

Autori në detaje trajton origjinën e veshjës popullore, duke vazhduar me materialin e veshjës,strukturën artistike të veshjës, motivet dhe vizatimet dekorative, mjeshtritë popullor,veglat e punës në përgatitjen e veshjës,endja dhe prerja e pëlhurës dhe e elementeve tjera të veshjes , stolitë dekorative , ngjyrat, qëndisjet, qepja e disa elementeve të veshjes , duke përfunduar me renditjën e elementeve të veshjes të nuses krajane.
Autori ka qenë i vetdjshëm se përgatitja e një libri të tillë nuk ka qenë punë e lehtë, sepse në këtë apekt krahina e Krajës ka qenë pak e hulumtuar. Por, në sajë të angazhimit dhe pasionit për vendlindjën e sidomos për veshjen popullore të nusënisë krajane, ai ia ka arritur qellimit duke i dhuruar opinionit një botim me interes sa kulturor dhe shkencor.
Nuk ka dilemë se libri do të lexohet me kureshtje jo vetëm nga krajanet në vendlindje, por edhe nga ata të cilët janë vendosur në mjedise të tjera e sidomos ata në diasporë, sepse ata kanë bartur me vete edhe veshjen popullore krajane e cila është si pasaportë e identitetit kombëtar shqiptar.

Nuk ka dilemë se në ruajtjën e kësaj veshje, meritë të veçantë kanë familjet krajane të cilat e kanë trasheguar brez pas brezi, që si e tillë vjen deri në ditët tona. Kjo veshje është bërë traditë të prezantohet në ceremoninë e dasmës por edhe në raste të tjera familjare apo shoqërore.
Veshja e nuseve krajane për nga forma dhe përmbajtja mbetet unike në mozaikun e veshjeve popullore shqiptare. Si e tillë ajo dëshmon së është autentike dhe vlerë e padiskutueshme e identitetit kombëtar shqiptar. Ajo së bashku me veshjen e xhubletës, shestaneshës dhe të anamaleshës mbesin emblematike në veriperëndim të hapësirën etnogjeografike shqiptare.
Botimi në fjalë paraqet një kontribut të veçantë për veshjen popullore të Krajës, jo vetëm në nivel lokal por edhe ate mbarëkombëtar. Si i tillë ky botim do të jetë referencë e nevojshme për studiuesit e ndryshëm të cilët do të trajtojnë veshjen popullore të krahinës së Krajës.

Përfundimisht, autori ka kryer një obligim moral ndaj vendlindjës duke dëshmuar se ndonëse fizikisht ka tre dekada qe ka emigruar nga ajo, ai ate e ka bartur me vete, që dëshmohet përmes këtij botimi që është një dhuratë për të gjithë krajanet në vend dhe ne mjediset tjera ku jetojnë e punojnë.
(Lexuar me rastin e përurimit të librit në Ostros-Krajë, me 2 gusht 2022)
Albin Kurtit nuk i mungon vullneti e as synimi i pastër, por përvoja, ekipi dhe dija

Shën Flori dhe Shën Lauri, shenjtorët e martirët dardan

Don Lush Gjergji, Prishtinë
Këta dy shenjtër dhe martirë dardanë janë të pranishëm në traditën gojore, por edhe në historiografinë dhe martirologjinë perëndimore dhe lindore, sidomos në “Martirologjinë Romake”, ku gjendet elementet bazë të jetës dhe veprimtarisë së tyre, si dhe vdekja heroike dhe martire për Jezu Krishtin, Shëlbuesin e botës, Kishën Katolike.
Kjo traditë kishtare ka prodhuar edhe përshpirtëri të ndryshme popullore me lloj-lloj lutje, këngë, tregime, ndërsa në artin e shenjtë, piktura dh ikonografi të shumta, aq sa gati janë shndërruar në mitologji popullore dhe në frymëzime letrare.
Fatkeqësisht ne, pasardhësit shpirtëror të tyre, gjatë historisë së lashtë gati dymijë vjeçare, por edhe sot, kemi pak të dhëna, shkrime, shqyrtime, studime, botime rreth jetës dhe veprës së tyre, martirizimit në Dardani, në Ulpianë, ku është djepi i krishterimit tonë, rrënjët e së kaluarës së vështirë, shpesh edhe martire, pa të cilat s’mund të jemi vetvetja, sot dhe në të ardhmen.
Për ta plotësuar këtë mangësi dhe zbrazëti për shumë aspekte të pakuptueshme, të pafalshme, vite të tëra këtë argument e kam në mend dhe në zemër. Në vizita të shpeshta në Ulpianë, “shoqërohem” me Shën Florin dhe Laurin, lutëm, u kërkoj ndihmë dhe përkrahje për jetën dhe shërbimin tim meshtarak. Shpesh iu kam kërkuar edhe falje për këtë qëndrim tonë të “harresës” dhe mospërfilljes. E di, së pari Zoti, pastaj pa dyshim edhe Shën Flori dhe Lauri, kanë kuptim për baticat dhe zbaticat tona të pandërprera, për shekujt nën robëri dhe sundim të të huajve, për luftën tonë për mbijetesë… Sot, se paku tash, kur jemi të lirë, pse nuk kemi dëshirë, fuqi, frymëzim, vendim, qëndrim: T’i kthehemi vetvetes dhe të Vërtetës!
Mirëpo për ne të krishterët, por edhe të tjerët, ka pak të dhëna të sakta dhe të vërtetuara mbi prejardhjen e tyre, jetën e mëparshme në Bizant, familjen e tyre, prindërit, edukimin familjar dhe shoqëror. Dihet shumë pak rreth origjinës së tyre, jetës familjare, rrethit dhe ambientit të rritjes dhe zhvillimit, të formimit fetar, kulturor, shoqëror, gjithënjerëzor.
Një gjë dihet saktësisht, Shën Flori dhe Lauri ishin nxënësit e dy mjeshtërve dhe skulptorëve të mëdhenj dhe të njohur në Bizant, Prokulit dhe Maksimit, të cilët ishin vrarë gjatë përndjekjeve të Publio Elio Traiano Hadrianit, që kishte lindur në vitin 76, ndërsa ishte Perandor i Romës gjatë viteve 113-138.
Flori dhe Lauri, si të krishterë të njohur botërisht dhe me ndikim të madh në rrethin dhe kohën e tyre, ishin një lloj rreziku për paganizëm, që mbështetet nga Perandoria Romake. Edhe më tepër, ata ishin nxënësit e guximshëm dhe besnikë të Jezu Krishtit, bijtë e përndritur të Kishës katolike në Dardaninë tonë, në Ulpianë.
Shi për këtë Flori dhe Lauri kishin braktisur Bizantin dhe kishin ardhur në Dardani, në Ulpianë, asokohe pjesë e Gadishullit Ballkanit, e formuar para Krishtit, ndërsa provincë romake që nga viti 27 para Krishtit, ku kishin vazhduar jetën dhe krijimtarinë e tyre në ndërtimtari dhe në skulpturë.
Mirëpo planet e Zotit ishin për një jetë, dëshmi dhe veprimtari tjetër, që nëpërmjet arkitekturës dhe skulpturës, ata ta zbulonin dhe dëshmonin botërisht “artin e jetës”, fenë e krishterë, vetë Jezu Krishtin, dashurinë e mishëruar të Zotit për njeriun dhe njerëzimin.
Ishin larguar prej Bizantit, për t’i ikur martirizimit, pa menduar fare që ky “fat” apo hir do t’i priste më vonë në Dardani, saktësisht në Ulpianë. Kjo dëshmon edhe një herë si planet e Zotit nuk përputhen me planet tona njerëzore dhe tokësore.
Këto mangësi dhe zbrazëti rreth prejardhjes së tyre, jetës familjare dhe shoqërore, edukimit dhe formimit njerëzor dhe të krishterë, janë shumë të dukshme dhe nuk është lehtë tash, pas 1800 viteve, të saktësohen dhe plotësohen. Megjithatë ia kemi borxh së pari atyre, pastaj dëshmisë së tyre martire, të shkruar me gjak, të vulosur me fe dhe dashuri, brezit tonë dhe pasardhësve, ata t’i ndriçojmë, jetën dhe martirizimin e tyre ta çmojmë, dëshminë e jetës së tyre ta jetësojmë.
Nga historiografia dhe “Martirologjia Romake” mund t’i cekim dhe përmbledhim këto elemente të sakta dhe të sigurta që janë shënuar dhe trashëguar:
- Pika e parë dhe e rëndësishme është shënimi i tyre në kalendarin liturgjik të Kishës katolike ndër ne, por edhe në mbarë botën, më 18 gusht, ndërsa në kalendarin liturgjik ortodoks festohet më 31 gusht, kur përkujtohet dhe kremtohet martirizimi i tyre në Ulpianë. Kjo traditë liturgjike është e pranishme edhe në Kishën ortodokse tek ne dhe në botë, sidomos në Greqi, Rusi, në Italinë jugore. Pra, ata nderohen dhe luten edhe në kremtime liturgjike si shenjtë, model jete dhe shenjtëri, ndërmjetësues mes Zotit dhe njerëzimit.
- Pika e dytë është begatia e madhe dhe e çmueshme e leximeve të gjata liturgjike dhe shpirtërore lindore, ortodokse, që lexoheshin gjatë drekës apo darkës së përbashkët nëpër manastire dhe kuvende të rregulltarëve apo rregulltarëve, si dhe në mëngjes, para lutjes së psalmeve apo mëngjesores. “Liturgjia e Orëve” është pjesë përbërëse dhe zyrtare e liturgjisë së shenjtë, dëshmon rëndësinë dhe domethënien e madhe fetare dhe liturgjike.
Etimologjia e emrave të tyre është po ashtu me shumë kuptime dhe domethënie. Prejardhja e lashtë e emrit Flor-i, është nga hyjnesha pagane “Flora”, mbrojtëse e luleve dhe perimeve, si dhe pajtore e pranverës. Prejardhje nga latinishtja flos-floris, që në gjuhën shqipe ka trajta të ndryshme mashkullore dhe femërore: Lul, Lulash, Flor, Lule, Flora, Flori, Floriana, Florinda, që është i pranishëm ndër shqiptarë pa dallime të përkatësisë fetare, të krishterë apo myslimane.
Emri Lauri apo Laura, Laureta, është po ashtu me prejardhje latine dhe ka kuptimin, i zbukuruar dhe kurorëzuar me dafinë, si bimë e shenjtë, burim lavdie dhe urtie. Kur dikush vinte fitimtar nga lufta, garat sportive, bënte ndonjë gjest të lavdishëm, për t’u nderuar, kryet i zbukurohej apo lulëzohej, rrethohej me dafinë, si shenjë nderime, urimi dhe falënderimi.
Ata që i bartin këta emra të shenjtë, të bukur dhe të lashtë, si mbrojtës dhe pajtorë e kanë Shën Florin dhe Laurin, martirët e dashur të Dardanisë, Ulpianës, që festohen çdo vit më 18 gusht.
Shën Flori dhe Lauri ishin me prejardhje nga Bizanti, vëllezër binjakë. Kishin vijuar dhe përfunduar me sukses shkollën e artit, gur-gdhendjen, siç thuhej atëherë, ishin skulptorë, siç themi ne sot, te mjeshtrit e njohur Prokuli dhe Maksimi. Pasi që dhe ishin dëshmuar si ndërtimtarë dhe arkitektë të mirë, fama dhe nami i tyre përhapej gjithnjë dhe kudo në Perandorinë Romake. Siç duket, ky dëshirë i madh për të punuar si ndërtimtarë, arkitektë dhe skulptorë, i solli ata në Dardani, saktësisht në qendrën e njohur dhe të afirmuar që quhej Ulpiana. Aty ishte kryetar, gjykatës, prokuror dhe përfaqësues i Perandorisë Romake Lykoni (diku shkruhet Lykoni apo edhe Likoni, vr. ime), i famshëm, artdashës dhe ndërmarrës i shumë veprimtarive kulturore dhe administrative.
Pas disa viteve të jetës dhe të veprimtarisë në Dardani, sidomos në Ulpianë, vëllezërit Flori dhe Lauri, tashmë ishin afirmuar si mjeshtër të dalluar dhe skulptorë të spikatur, me vepra që binin në sy dhe i bënin ata gjithnjë më të kërkuar dhe të popullarizuar.
Kjo gjë i kishte ra në sy edhe Lykonit, i cili kërkonte ndonjë mundësi të mirë që të afirmohej personalisht para Perandorisë së Romës. Ai ishte gjykatës dhe konsull romak në Dardani, me seli në Ulpiana. Rast i mirë për këtë i dukej bashkëpunimi me vëllezërit Flori dhe Lauri dhe me Romën në ndërtimtari dhe në art, në skulpturë.
Pasi që Lykoni ishte në marrëdhënie të mira me birin e perandoreshës Elpidia, që quhej Licini, kishte ra në ujdi me të, si dhe me vëllezërit Flori dhe Lauri, për ta ndërtuar një qendër të madhe dhe të rëndësishme, një lloj tempulli apo faltore në nderim të hyjnive pagane në Ulpianë. Licini kishte mjete të mëdha financiare, prandaj si i tillë pati mundësi të premtonte edhe shpërblime dhe dhurata të konsiderueshme, me një kusht: nëse ndërtimi do të ishte i shpejtë dhe i mirë, të ishte i pëlqyeshëm nga të gjithë, sidomos për parinë e Romës dhe të Dardanisë. Kjo gjë i pëlqente shumë gruas së Perandorit Romak, Elpidisë, si dhe vetë Perandorit dhe bashkëpunëtorëve të tyre, por edhe prokurorit Lykonit.
Rrethanat, pra, ishin të volitshme, njerëzit ishin të përshtatshëm, rasti për një gjë të tillë, ndërtim dhe afirmim nuk duhej të humbej apo lëshohej dore, mundësitë ishin të mëdha dhe çdo gjë ishte e favorshme.
Ky ishte një rast i jashtëzakonshëm për afirmimin e Lykonit, si dhe për Licinin, të cilët, siç duket, kishin gjetur një gjuhë të përbashkët në këto projekte, si rast dhe shkas miqësie dhe bashkëpunimi. Në një letër Licini i shkruante Lykonit kështu: “Fort të përndritshmit Lykone, tërësisht besnik mbretërve, shumë i dashur prej nesh, tejet i dashur nga hyjnitë, Licini dërgon përshëndetje. Më duket i nevojshëm ndërtimi i tempullit për hyjnitë tona në këtë fushë… Është e vërtetë që hyjnitë janë të hidhëruara, sepse pak njerëz i vizitojnë. Prandaj kërkoj që shkëlqimi yt t’i dërgojë punëtorë për ndërtimin e tempullit për hyjtë e pamposhtur. Mirë u pashim”. (Antonio Bresi, I santi Floro e Lauro, Edizioni, 1998, f. 28).
Ky ndërtim iu kishte besuar vëllezërve Flori dhe Lauri, të cilët Lykoni i kishte dërguar te Licini, i cili i kishte përgëzuar për besimin që e kishin fituar te Lykoni dhe iu kishte dëshiruar sukses.
Vëllezërit Flori dhe Lauri së shpejti i bënë të gjitha përgatitjet paraprake, projektin, truallin, formuan një ekip të madhe të punëtorëve të profileve të ndryshme dhe ia filluan punës.
Ndërtimi rritej dhe përparonte për mrekulli dita-ditës, me një ritëm dhe shpejtësi të jashtëzakonshme dhe përpikëri. Bukuria e këtij ndërtimi ishte në spikamë. Ata gjatë tërë ditës punon gati pa asnjë ndërprerje apo pushim, ndërsa natën tërhiqeshin në uratë, lexime, meditime dhe adhurime, si dhe për pak pushim, aq sa ishte e nevojshme dhe e domosdoshme.
Jeta dhe puna e tyre shembullore gjatë tërë ditës, si dhe tërheqja në uratë gjatë natës, ishte stili i tyre që tashmë e kishin njohur qytetarët e Ulpianës dhe të rrethit. Thënia e Shën Benediktit “Ora et labora” ishte parim jetësor edhe për Florin dhe Laurin.
Flori dhe Lauri ishin dyfishë të frymëzuar, si të krishterë, të dashuruar në Jezu Krishtin dhe në Kishën e tij, për rastin dhe mundësinë që kishin për të jetuar si të krishterë në një rreth të ri dhe të panjohur dhe pagan; dhe si skulptorë dhe mjeshtër në art, si mjet dhe mundësi për ta dëshmuar, treguar dhe shpallur dashurinë për Zotin dhe për njeriun. Shi për këtë ishin shumë të lumtur dhe të palodhshëm në jetë dhe në punë.
Veprimi kryesor i Florit dhe Laurit, ishte mbikëqyrja e punëve, marrëdhëniet sa më të mira me punëtorë dhe me popullatë, kujdesi për çdo detaj dhe hollësi në ndërtimtari.
Mirëpo ata e dinin fare mirë se pa ndihmën dhe përkrahjen e Zotit s’mund të bënin asgjë të mirë. Shi për këtë tërë ditën punonin, ndërsa një pjesë të natës, përpos pushimit dhe fjetjes së domosdoshme, ia kushtonin uratës, si parakusht për jetën dhe dëshminë e krishterë shembullore.
Qëndrimi dhe veprimi i drejtë i tyre, përpos punës dhe uratës, ishte dhënia e ndihmës dhe lëmoshës të varfërve, por edhe punëtorëve të tyre, pra, bamirësia, jeta e krishterë si forma më e mirë për ta dëshmuar dhe shpallur Jezu Krishtin në mesin e botës pagane.
Kjo gjë i preku ndërgjegjen dhe zemrat e popullatës, e cila pyetej vazhdimisht: kush qenkan këta dy vëllezër dhe përse sillen kështu? Paguajnë punëtorët edhe më shumë se janë marrë vesh, pjesën dërmuese të fitimit e ndajnë me të varfër, sillen aq mirë me të gjithë, nuk ngatërrohen me askënd, çdo njeri çmojnë dhe nderojnë, bile edhe e duan dhe ndihmojnë.
Sjellja dhe veprimi i tillë i Florit dhe Laurit tashmë ishte e njohur për të gjithë, “ngacmonte” ndërgjegjen e qytetarëve të Ulpianës dhe të rrethit.
Përgjigja e vetme e tyre ishte kjo: Ne jemi të krishterë dhe Zoti ynë Jezu Krishti na mëson dhe urdhëron që t’i duam të gjithë, si vëllezër dhe motra, pa asnjë dallim dhe përjashtim, deri edhe kundërshtarët dhe armiqtë.
Ky shembull i mirë dhe kjo dëshmi konkrete dhe tejet prekëse dhe shumë bindëse, bëri që një pjesë e madhe e bashkëpunëtorëve të tyre të kërkonin pagëzimin, të bëheshin të krishterë.
Jeta e tyre shembullore, zbatimi i virtyteve të krishtera, fesë, shpresës dhe dashurisë, bamirësia, marrëdhëniet ndër-njerëzore me nderim dhe përkushtim, puna e zellshme gjatë ditës, ndërsa urata gjatë natës, ishin risi dhe befasi për mbarë popullatën. Kështu Florin dhe Laurin ishin gjithnjë e më shumë jo vetëm mjeshtër të mirë, skulptorë të njohur, por edhe njerëz të çmuar dhe të nderuar në Ulpianë dhe në rrethinë, aq sa zëri i tyre i mirë, fama, përhapej dhe rritej dita-ditës. Ishin me jetë dhe me shembull vërtet të krishterë, nxënësit e Jezu Krishtit.
Popullata vendore, por edhe rrethi, më vëmendje dhe interesim të madh përcjellin punimet, çmonin dhe admironin mjeshtërinë e artin e Florit dhe Laurit dhe të bashkëpunëtorëve të tyre, mbi të gjitha përshpirtërinë, jetën dhe dëshminë e krishterë.
SHENJTORËT E ILIRISË – FLORI DHE LAURI NË DARDANI, 18 GUSHT – YouTube
Çfarë fshihet pas emërtimit: ABRI?

Nga: Aleksander Hasanas
Sherri i sherrit dhe taktikat e Albin Kurtit

Në djepin e patriarkalizmit lind gruaja e parë që i këndon lahutës

Nga Gjon NEÇAJ, Tropojë
Lahuta është ndër instrumentet muzikorë më të hershëm, por edhe më primitivë në Europë, shprehen studiuesit. Trupi i lahutës punohet kryesisht prej drurit të panjës, por mund të punohet edhe nga druri i krekcit, manit, arrës e verrit. Pjesa e lugut të lahutës mbulohet me lëkurë të tërhequr, kryesisht e kecit, por është përdorur edhe plënci i lopës. Harku i lahutës kryesisht punohet nga degët e drurit të thanës dhe me qime të bishtit të kalit.
Në vend të telave, te lahuta vendosen deri në dyzet fije të bishtit të kalit të tërhequra, të cilat lidhen te koka e lahutës, kalojnë në një vrimë mes përmes kalit që punohet prej druri dhe vendoset mbi zhark dhe tendosen te bishti i lahutës.Me lahutë janë kënduar eposi i kreshnikëve që i përket epikës legjendare, por edhe këngët epike historike, shprehet gjithashtu koreografi Deli Metaliaj, Nderi i Kombit, studiues i folklorit dhe valles, si dhe interpretues i saj.
Ka patur raste që edhe femrat e kësaj zone kanë qenë interpretuese të këngëve kreshnike. Këtu mund të përmendim Kade Ahmaten nga lagja Brashtë e fshatit Gjonpepaj, motra e lahutarit të njohur, Hajdar Ahmati, e cila i ka rënë dhe i ka kënduar lahutës që në shekullin e XVIII, mbase e para lahutare dhe këngëtare në veri, në djepin e patriarkalizmit shekullor, në Nikaj -Mërtur.
Për Kadën tregohet edhe kjo histori, e transmetuar gojë më gojë, si legjendat:
Hajdar Ahmati ishte shumë i njohur si lahutar, me trup të madh lis bjeshke (ende sot në malësi, kur dikush e ka këmbën e madhe, përdoret shprehja “e paska këmbën sa të Hajdar Ahmatit”), trim i pashoq në luftë, por edhe me gjaqe.
Një natë gjaksit e kishin hetuar se kishte shkuar për festë në fisin e Shalë dhe sapo erret, ia rrethojnë shtëpinë për t’i vënë flakën. Kada i heton dhe menjëherë merr lahutën dhe fillon këngën, duke imituar zërin e vëllait, Hajdarit. Gjaksit sapo dëgjojnë këngën e lahutës, ikin me shpejtësi, nga frika se del Hajdari dhe i vret të gjithë. Të nesërmen e shohin Hajdar Ahmatin duke zbritur Lugut të Ndërmanjës me pushkën në krah e duke kënduar gjatë kthimit nga Shala.

Brenda asaj dite të gjitha fiset e malësisë morën lajmin se Kadë Ahmatja me këngë e lahutë shpëtoj kullat pa u djegë me njerëz e bagëti brenda. Thonë që ky veprim i guximshëm i saj është bërë shkak që të falen gjaqet. Nikaj -Mërturi ka patur lahutë dhe lahutarë pothuaj në çdo shtëpi, Ukshin Brahimi, Mulaj, Mirash Gjoni, i cili njihet edhe si lahutari krijues i këngës “Ajkuna qan Omerin”, Mhill Preka, Sokol Martini, Pal Qerimi, Zef Avdia, Mark Mitri, Dedë Sokoli, etj.,apo më të rinjtë si Syk Paplekaj, Zef Markokaj, Zef Beka, Sokol Mulaj dhe Gofile Paplekaj.

Pse u dashka ndërtue një xhami e dytë në një fshat të Therandës, kur xhamija ekzistuese nuk frekuentohet … ?!






Prapë bien kambanat në Kishën e Currajve t’Epërm

Nga: Frank Shkreli

Sidoqoftë, vrasja e këtyre martirëve të Atdheut, është një subjekt dhe kapitull tjetër i dhimbëshëm i historisë së Kombit shqiptar e sidomos të atyre anëve, shekullin e kalar, por le të sjellim historinë e shkurtër të kësaj Kishe në Curraj të Epërm – që u ruajt nga banorët gjatë komunizmit edhe kur regjimi barbar i Enver Hoxhës e kishte shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë. Një kishë kjo që është rinovua kohët e fundit. Bazuar në fjalët e At Bernardin Llupit – një përshkrim ashtu siç pasqyrohet në faqen personale elektronike të Ambasadorit Flamur Gashi. Ambasador Gashi – i cili deri kohët e fundit ishte në stafin e Presidencës së Republikës së Shqipërisë — mori pjesë në inaugurimin e kishës në Curraj t’Epërm në fillim të këtij muaji dhe është njëri prej donatorëve që kontriboi për ringritjen e këtij simboli historik të qendresës fetare dhe atdhetare të popullit të asaj zone kundër hordhive serbo-malazeze, në mbrojtje të “Besimit në Zotin, në Mbrojtje të Atdheut dhe tokës së të parëve, Dashurisë, Besës, Urtësisë dhe Unitetit Kombëtar” – me frymën se, “Në kishё hyjmë për të dashur Zotin, prej këtu dalim për të dashur të afërmin”, siç u shpreh Radio Vatikani në kronikën e saj me këtë rast.

Sa ipërket historisë, bazuar në faqën (facebook) të Ambasador Flamur Gashit: August 7 at 2:05 PM — (At Bernardin Llupin), ka shënuar se, “Kisha e Currajve t’Epërm ka shkruar historinë e saj, ka hyrë në historinë e kombit shqiptar, me ngjarjen historike të së dieles të 4 korrikut 1915, kur një komando ushtarake malazeze, arriti deri në qendër të Currajve t’Epërm, e për siguri u ngujua brenda në Kishë. Banorët e fshatit, si besimtarë te zellshëm që ishin, nuk pranonin të gjuanin plumba mbi derën dhe as mbi dritaret dhe muret e Kishës.

Në ketë situatë të pazakontë, famullitari i Kishës së Currajve t’Epërm, At Leonard Shajakaj ka dalë jashte Kishës e ka folë me përfaqesuesit e popullit të Currajve t’Epërm, të cilët kanë refuzuar me indinjatë kërkesat e ushtarëve serbo-malazezë. Në vazhdim të kësaj bisede, paria e Currajve t’Epërm, ka kërkuar ndihmën dhe shpjegimin fetar të famullitarit të tyre për të nxjerrë pushtuesit serbo-malazez jashtë nga Kisha…Në bisedë e sipër, famullitari At Leonard Shajakaj, sipas dokumentave historike e kishtare por edhe tregimeve në breza të burrave të Currajve, u ka thenë burrave të Currajve: “A po ndieni burra! Në këtë rast nuk âshtë mëkat me qitë pushkë kundra kishës…, pse meshtar aty s’ké, por ká hî aty ai që kjofte tretë (shejtani), pse këta s’janë tjetër veçse të mallkuar, e prandej duhet qitë jashta kishe”. Pas fjalës së famullitarit, nderkohë që malazezet nuk u dorëzuan vullnetarisht, ka krisë pushka, ka nisë lufta, aq sa edhe sot në gurët dhe mureve të kishës, duken shenja të plumbave të asaj beteje…” ka shkruar (At Bernardin Llupi).

Natyrisht, dhe për fat të keq, ajo kohë dhe sidomos periudha e komunizmit që pasoi, ishin kohë të tjera dhe shumë të vështira që urojmë të mos këthehen më. Por, sot me ndihmën e bijve të tyre në diasporë dhe kontribuesve dhe donatorëve vendas, si ish-Ambasadoriit të Shqipërisë në Bosnjë-Hercegovinë, Z. Flamur Gashi nga Kosova dhe kushëririt të tij, Milazim Ademi, dhe biznesmenit e humanistit, Skënder Thaçi, Kisha historike e “Shna Ndout e Currajve t’Epërm është rindërtuar me njё dashuri birnore e vëllazërore, me ndihmё financiare e materiale, me njё pёrkushtim tё veçantё pёr tё nderuar Zotin, tё parёt, traditёn, kulturёn e pёr tё hapur shtigje tё reja premtuese”, thuhet në kronikën e Radio Vatikanit shqip, me atë rast, me qëllim që, “Ajo të kthehej sërish në një vend takimi vëllazëror dhe lutjeje, ku i thuren lavde Zotit të Gjithpushtetshëm, Atit tonë të përbashkët.”

Është kjo histori pra, që u kujtua por që edhe u përjetësua me 6 gusht, 2022, kur pas shumë dekadash, përsëri, ranë kambanat e Kishës së rindërtuar në Curraj të Epërm dhe tingujt e tyre u dëgjuan përsëri anë e mbanë asaj zone. Sipas një kronike nga Radio Vatikani në gjuhën shqipe, ceremonia e bekimit të kishës u kryesua nga Ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë, në praninë e besimtarëve e qytetarëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e diaspora. E pranishme ishte edhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Republikës së Kosovës, Rozeta Hajdari, përfaqësuese e qeverisë së Prishtinës në këtë ceremoni, si dhe autoritete të tjera. Nuk u vihet faj përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës të Tiranës për mungesën, pasi Currajt e Epërm – një fshat ndër më të izoluarit por me një histori domethënse për Kombin – siç duket është më afër Prishtinës se Tiranës.

Në këtë botën tonë shqiptare konfliktuale dhe frymës dhe atmosferës negative politike, shoqërore dhe ekonomike dhe pothuaj në çdo fushë tjetër të aktivitetit të shoqërsisë shqiptare, unë e ndjejë si detyrë njerëzore, morale dhe atdhetare që nga koha në kohë, të ve në dukje vepra – anë e mbanë trojeve tona dhe në diasporë — si kjo e rindërtimit të Kishës së Shna Ndout në Curraj t’Epërm. Për të thekësuar dhe rikujtuar se me gjithë problemet, hallet dhe grindjet politike ndër shqiptarë, në këto kohëra të pasigurta në radhët e shqiptarëve sot, shqiptaria ka ende burra dhe gra që veprojnë dhe bashkpunojnë, bazuar në “Besën e Lidhur dhe në Fjalën e Mbajtur”. Burra si Ambasador Flamur Gashi me shokë, miq e bashkpuntorë si Skendër Thaçi, Skënder Përpepaj e Milazim Ademi, si dhe Shoqata “Nikaj-Mërtur”, që ishin protagonistët kryesorë të realizimit të kësaj vepre. Të gjithë këta filiza të shëndosh të Kombit na japin shpresë se në këtë botën e turbullt shqiptare sot, ende ka shqiptarë që mendojnë dhe punojnë për të mirën e përbashkët — në mbrojtje të identitetit dhe të interesave kombëtare, në përgjithësi! Nuk mund të gjejë fjalë më të përshtatëshme për ta mbyllur këtë shënim modest, me këtë rast, se sa deklarata e njërit prej kontribuesve, Z. Skendër Përpepaj për Radio Vatikanin shqip, i cili pasi falënderoi, “të gjithë ata që kanë kontribuar për restaurimin e Kishës dhe në veçanti mikun tim dhe mikun e të gjithë Currajve, Ambasadorin Flamur Gashin i cili së bashku me nipin e tij i bën dhuratë dy KUMBONA për Kishën tonë si dhe materiale të tjera të nevojshme për Kishën. Gjithashtu një falënderim edhe për mikun tonë tjetër Skënder Thaçi i cili bëri dhuratë disa kryqa për Kishën e sapo restauruar”, theksoi ai. “Edhe ky rast tregojë me vepra se shqiptarët janë vëllezër të gjakut dhe të kombit dhe nuk i ndanë asgjë për të mirën e të gjithëve”, është shprehur Skendër Përpepaj. Nuk më mbetet tjetër veç të them: Amen, ashtu qoftë gjithmonë ndër shqiptarë, pa dallim feje as krahine! Ju lumtë burrave të Dheut!




