Kreu Blog Faqe 1628

Presidentja Osmani në Japoni në hapje të Lojërave Olimpike, Kosova përfaqësohet me 11 sportistë

0
-Uniforma e ekipit olimpik të Kosovës krahas ngjyrave të Flamurit të Republikës së Kosovës përmbanë edhe simbole dardane dhe ilire – imazhe të Hyjneshës në Fron dhe të Vrapueses së Prizrenit/

PRISHTINË, 22 Korrik 2021-Behlul Jashari/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Japoni, ku krahas shumë liderëve të tjerë botërorë do të jetë prezente në hapjen e Lojërave Olimpike Tokio 2020. Ajo poashtu, gjatë ditëve në vijim, do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të shtetit japonez. Kosova do të përfaqësohet me 11 sportistë në Lojërat Olimpike Tokio, ndërsa Presidentja Osmani do t`i mbështesë ata nga afër.

Ajo ka përgëzuar sportistët kosovarë, duke uruar që secili nga ta të triumfojë në disiplinat përkatëse sportive.

Gjatë qëndrimit në Tokio, Presidentja Osmani së bashku me liderë të tjerë botërorë do të pritet nga Perandori Naruhito. Teksa në kuadër të takimeve bilaterale, Presidentja Osmani do të realizojë takime me kryeministrin e Japonisë, Yoshihide Suga, ministrin e jashtëm Toshimitsu Motegi, me përfaqësues të organizatave ekonomike e tregtare si dhe me përfaqësues të tjerë shtetëror…

Ekipi olimpik i Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” përbëhet nga këta  11 sportistë: Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova Loriana Kuka (xhudo), Egzon Shala (mundje), Donjeta Sadiku (boks), Drilon Ibrahimi (shenjëtari sportive), Musa Hajdari (atletikë), Olt Kondirolli dhe Eda Zeqiri (not).

Para nisjes drejt Tokios, në një ceremoni në Prishtinë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ia ka dorëzuar Flamurin shtetëror Ekipit Olimpik të Kosovës – kampiones olimpike, Majlinda Kelmendi, e cila në Lojërat Olimpike “Rio 2016” fitoi Medeljen e Artë.

Gjatë ceremonisë u prezantua edhe uniforma e ekipit olimpik të Kosovës, e cila krahas ngjyrave të Flamurit të Republikës së Kosovës përmbanë edhe simbole dardane dhe ilire – imazhe të Hyjneshës në Fron dhe të Vrapueses së Prizrenit.

Para ceremonisë së dorëzimit të Flamurit për Ekipin Olimpik, Presidentja Osmani, ka pritur  drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, me në krye Presidentin Ismet Krasniqi, ku ishin edhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, nënpresidentët Gazmend Maxhuni e Milaim Kelmendi, anëtarët e Bordit Ekzekutiv Avni Nuha e Halil Sylejmani, këshilltari Besim Aliti dhe shefi i misionit, Jeton Rudari.

Jim Xhema: Pa Senatorin Dole, Kosova nuk do të ishte e pavarur sot  

0

New York, 22.07.2021 

Përmes një shkrimi autorial, patrioti I njohur shqiptaro -amerikan Jim Xhema ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin tij të lartë për angazhimin për më shumë se tri dekada të Senatorit Bob Dole, për çështjen e shqiptarëve të Kosovës.

‘’Senatori Dole është një patriot amerikan i cili ka fituar respektin më të madh nga shqiptarët në të gjithë botën, në veçanti nga shqiptarët e Kosovës. Pa Senatorin Dole, Kosova nuk do të ishte e pavarur sot’’ ka theksuar Xhema.

Kjo mirënjohje për kontributin e senatorit Dole, vjen në datëlindjen e tij të 98-të.

Xhema në këtë shkrim autorial kujton angazhimin e senatorit Dole përtë parandaluar agresionin serb, duke i dhënë drejtim ndërtimit të paqes dhe pavarësisë për Kosovën si një shtet sovran.

Ai ka përmendur tri  veprime kryesore, të cilat e bëjnë të veçantë kontributin e Senatorit Dole për lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Dole pas takimit me Rugoven ne Shkup

Vizita e tij në gusht të vitit 1990, i hapi sytë e bashkësisë ndërkombëtare për abuzimet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Kosovë nga regjimi i Milloshqviqit duke sjellë  edhe ‘’Vërejtjen e Krishtlindjes’’ të Presidentit George W. Bush më 1992.

Mbështetja që Dole e siguroi në Senat për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhe

3.     Kundërshtimi i fuqishëm i Senatorit Dole, për ndarjen e Kosovës,  shkëmbimin e territoreve dhe kërcënimet për tërheqjen e forcave ushtarake të SHBA-ve nga Bondsteel.

DOLE – Vizita pas luftës

Rreth 150 bashkatdhetarë vizituan Kuvendin

0

Prishtinë, më 22. 07. 2021

Komunikatë për media

Aktiviteti “Kuvendi hap dyert për bashkatdhetarët”, në ditën e dytë të tij, ka sjell në Kuvend rreth 150 bashkatdhetarë nga shtete të ndryshme të botës.

Gjatë qëndrimit në hapësirat e institucionit, bashkatdhetarët janë pritur nga deputetë dhe zyrtarë të administratës, duke u njohur nga afër me punën dhe mënyrën e funksionimit të Kuvendit.

Kuvendi vazhdon t’i mbajë dyert e hapura për bashkatdhetarët edhe gjatës ditës së premte, nga ora 10:00 – 16:30.

Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun

Shqiptaro-amerikani Ramiz Tafilaj, ligjërues në Konferencën e rektorëve të Universiteteve të Amerikës Veriore

0

Adem Lushaj

Në konferencën e rregullt të Universiteteve të Amerikës Veriore, është debatuar për të ardhmen e arsimit, ku njëri nga ligjëruesit ishte edhe shqiptaro-amerikani, Ramiz Tafilaj, si njëri ndër kontributit më të mëdhenj të përkrahjes së studentëve për shkollim, jashtë dhe brenda Amerikës. Në këtë Konferencë, Tafilaj ka treguar sesi një familje e varfër në fëmijëri, ka arritur të shkollon gjithë familjarët e tij, e më pas të ndihmoi edhe dhjetëra apo qindra të tjerë, për ngritjen profesionale të tyre.
Fjala e Ramiz Tafilaj, drejtuar rektorëve të më shumë se 35 universiteteve dhe studentëve të cilët i përcollën ligjërimet e kësaj konference me platformën online.
“Çfarë kënaqësi të jem në mesin e kaq shumë shkollarëve!
Gjersa po qëndroj këtu para jush sot, e kam parasysh se sa krenar do ishte babai im, të më shihte mua duke ndarë me ju mendimet mbi rëndësinë e arsimimit.
Kjo është një prej atyre bisedave që për një djalosh të ri që po rritej në një fshat të vogël në Kosovë, dukej përtej çdo imagjinate e ëndrre. Përtej një oqeani dhe mijëra kilometrave larg, në një vend me kaq shumë mundësi të paimagjinueshme.
Unë kam nëntë vëllezër e motra. Shkolla ishte një gjë që bënim ndërmjet lëvrimit të arave, përkujdesjes për bagëtinë dhe punëve tjera të shtëpisë. Ne mësonim nën dritën e qiririt. Babai im Rexhepi, një burrë kogja i para kohës së tij, ishte një ndër të parët në rrethin tonë që e kishte përkushtim arsimimin. Jo vetëm të djemve, por edhe për motrat e mia.
Të shkoje në shkollë, për mua, vëllezërit e motrat, ishte një sfidë ditore. Kërkonte rrugëtim në këmbë për disa kilometra, deri tek shkolla. Dhe këtë, pa marrë parasysh se çfarë moti ishte. Tutje, shpeshherë ne nuk e dinim se nga do vinte shujta e radhës. Kurrë nuk do e harroj kohën kur së bashku me tre vëllezërit e motrat e mia, po shkonim në shkollë dhe të gjithë bashkë kishim vetëm një laps. Ishte ideja e vëllait tim që ta copëtonim lapsin në katër pjesë, ashtu që secili nga ne, të paktën të kishte diçka me të cilin do të shkruante.
Prindërit e mi sakrifikuan gjithçka, që ne do arsimoheshim dhe mandej do të vazhdonim këtë traditë me fëmijët tanë.


Kur më erdhi koha që të shkoja në universitet, unë nuk i kisha mundësitë, por e kisha vendosshmërinë dhe zotësinë e fituar, nga mënyra se si isha rritur.
Bëra miq shpejt, flija në divanët e tyre, ndaja ushqimin me ta dhe mësoja pa reshtur për të të përfunduar me sukses studimet në inxhinieri.
Aty takova një studente nga Madison, Ëisconsin, e cila po studionte në Zagreb, përmes një programi të studimit jashtë vendit. Ajo u pajtua që të martohej me mua. Këtë vendim të saj e vlerësoj kogja të mençur! Pas pak, ne u gjendëm duke jetuar bashkë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtu erdha për dashurinë dhe ëndrrës që kisha për të mësuar e zhvilluar. Kur arrita të kem mundësitë, nuk doja asgjë më shumë, se sa të përmbushja premtimin që i kisha dhënë babait tim. Premtim që të arsimoja familjen time. Por, me kohën arrita të kuptoj vlerën dhe impaktin që kishte lënë arsimi në jetën time, andaj edhe doja të ndihmoja të tjerët të arsimoheshin dhe të kishin mundësitë, të cilat nuk i pata kur po rritesha.
Kështu që fillova të ndihmoj shumë e shumë studentë të ardhur jashtë Amerika, duke bërë të jetoja me ta në Houston-Texax.
Edhe pse shumica e këtyre studentëve vinin nga vendlindja ime Kosova, e Shqipëria, ne po ashtu mirëpritëm edhe studentë tjerë nga Siberia Ruse, Egjipti, ish-Jugosllavia, Turqia, Franca, Meksika, dhe vende tjera, përfshirë edhe nga brenda SHBA.
Nëse i pyesni fëmijët e mi, do ju thonë se isha i pa kompromis, sa i përket shkollimit të tyre. Do t’ju tregojnë se si gjithçka tjetër, pos një A-je nuk tolerohej. Apo, se sa fundjavë kanë shpenzuar duke mësuar rishtazi nga librat e tyre shkollorë dhe këtë sa herë që nuk e kuptonin një koncept, si për shembull në matematikë.
Shumë i kam shtyrë që të mësojnë! Por, një ditë mandej i shihja se si ata po e shtynin vetveten.


Djali im Besimi, çdo fundjave fluturonte nga Houston në Chicago, vetëm e vetëm që ta kryente me sukses diplomën MBA, nga universiteti Northëestern, edhe pse punonte me orar të plotë dhe përkrahte familjen e tij, në Texas.
Bija ime Besa, përfundoi me sukses magjistraturën duke ndjekur klasët në bazë ushtarake, gjersa i duhej të balanconte jetën në mes të profesionit të saj si gazetare televizive dhe përkushtimit ndaj familjes saj të re.
Djali i dytë Durimi, më ndihmonte shumë në rritjen e biznesit tim, në industrinë e petrokemikaleve, gjersa po vijonte studimet në Universitetin e Houston.
E kur këta diplomuan, secili prej nesh buzëqeshte dhe përgëzonte njëri-tjetrin.
Ndoshta, kënaqësia ime më e madhe do të jetë, kur shoh fëmijët që ta bartin këtë flakadan, tek fëmijët e tyre.
Arsimimi është unik për secilin student. Nuk është një trajektore lineare. Dhe, nuk është diçka që fillon një ditë dhe përfundon një ditë tjetër… qoftë kjo për një nxënës në Shkollën “Drita” në një fshat të Kosovës, apo një tjetër që vijon klasët virtualisht gjatë pandemisë, apo një që diplomon nga North American University, më 2021.
Gjersa mendjet e ndritura në këtë dhomë vazhdojnë ta ndërtojnë rrugën tonë drejt të ardhmes, nuk kam dyshim se jemi në duar të sigurta. Ne të gjithë mësojmë gjatë gjithë jetës. E di që babai im po buzëqeshë nga lartë, gjersa ne po hartojmë rrugën e së ardhmes për gjeneratat e reja.
Edhe pse e gjithë kjo përvojë imja filloi vetëm si një përmbushje e premtimit tim, ndaj prindërve të mi, e njëjta u bë qëllim për jetën time dhe të gruas sime, Dianes, për të bërë shkollimin fokus të jetës sonë dhe atyre rreth nesh. Edhe pas 47 viteve bashkë, ne ende mësojmë nga njëri tjetri dhe përfitojmë nga perspektivat tona të ndryshme kulturore. Jeta jonë është pasuruar nga fëmijët që i ndihmuam dhe i shkolluam. Mirëpo, edhe këta, na mësuan kogja shumë,edhe neve. Ne i vizitojmë ata dhe familjet e tyre. I vizitojmë në Kosovë, në Shqipëri, në Turqi, Lindje të Mesme, e Rusi. Ne festojmë sukseset e tyre. Zemrat tona mbushen me gëzim, kur ata arrijnë gjëra të mrekullueshme dhe bëhen liderë në fushat e tyre profesionale. Këta student që dolën nga shtëpia jonë, u bënë inxhinierë kimik, avokatë, doktorë, inxhinierë kompjuterik, kontabilistë, profesorë, e njëri besa një nga gazetarët më të mirë në Afganistan.
Këta studentë të huaj që patën mundësinë të shkollohen në mungesë të ideologjisë, u bënë më tolerantë, më mirëkuptues, dhe më të ndjeshëm. Në fakt, të shihja ndryshimin komplet të botëkuptimit të njërit nga studentët tanë më të prejudikuar, ishte diçka shumë inspiruese. Pashë atë student të ndryshonte nga urrejtja që kishte për secilin, e që nuk vinte nga vendi i tij. Pashë se si një djalosh mund të bëhej mik e cimer me këdo, nga cilido vend i botës.
Arsimimi kërkon sakrificë madhore dhe përkushtim. Jo vetëm nga ne, por nga secili që na përkrah neve. Sikurse të tjerët që kanë sakrifikuar për ne, e kemi për detyrë që të sakrifikojmë për të tjerët, ashtu që kjo dhuratë e çmuar mund të vazhdohet tek gjeneratat e ardhshme dhe kështu ta bëjë botën në të cilën ne të gjithë jetojmë më të mirë.
Bekimi i Zotit qoftë mbi këtë institucion, mbi profesorët dhe stafin e North American Unviersity dhe mbi secilin që kërkon arsimim këtu, në SHBA. Dhe për ju, Dr. Serif Ali Takalan, lutem që Zoti t’ju japë forcën dhe jetëgjatësinë për të vazhduar të udhëhiqni këtë universitet të jashtëzakonshëm”.

Kurti, më shumë ia bëri të ditur popullit të vet, por ia rikujtoi edhe Europës të vërtetën serbe

0
Fahri Xharra, Gjakovë
Një gazetare sharlatane e Kosovës e paska kritikuar Kurtin pse ky ia paska përmendur Vuçiqit krimet serbe të 1878- tës- deri në 1912- tën.  duke shkruar :
“Pedagogu i Vuçiqit!
T’i tregosh Aleksandër Vuçiqit se shteti serb ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës është metodë pedagogjike e edukimit të ish ministrit për informim të Sllobodan Millosheviqit!
Aleksandër Vuçiqi e di më mirë se Ti se çfarë krimesh ka kryer shteti i tij ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Sepse atë punë e ka pasur, të dijë çfarë ndodh dhe sa po zbatohen urdhërat shfarosës të shefit të tij…sepse ka qenë njëri nga ata…….
……E vërteta ka ndodhur, gjenocidi ndaj shqiptarëve është shkaktuar nga Serbia dhe tash dukesh si budalla kur autorit (Aleksandër Vuçiqit) ia dhuron librin e përgjakur, që e ka shkruar vet!
…Pra, është absurde t’ia dhurosh autorit librin që e ka shkruar vet! …..”
Me të vertetë jemi një popull i çoroditur, le që nuk veprojmë por nuk e dimë edhe se çka duam.
Dolën tani edhe skenderhysenat e patriotët tjerë të politikès kosovare që këmbngulin qe të njejtët ia kanë thënë Vuçiqit që para 11 viteve. Pse ore po rreni ?
Si e konsideroni popullin tuaj që janë bagëti e nuk marrin vesh asgjë nga ajo që flitet e shkruhet?
Nuk e kam mendjen të merrem me sharlatanët e gazetarisë dhe të politikes me ato që shkruajnë e flasin.
Unë e falënderoj Kryeministrin që botërisht ia tha Vuçiqit ato që ia tha, por bota e kuptoi edhe një herë të vërteten të harruar  për krimet serbe, por edhe shqiptarët e nxunë ato që duhet ta dinin që nga shkolla fillore
Por më e rëndësishmja është populli që Kosoves  ( shumica ) së pari  ndjeu pēr këto data të fatkeqësisë shqiptare nga shekulli i 19-t dhe 20 -t.
Kur shkollat nuk flasin, Akademia e futur në zgavër të miut, politikanët nuk dinë dhe nuk duan, atëherë si të dinë të mjerët e shek. 20 ?
Kurti ia dhuroi Vuçiqit edhe tri libra. Po Vuqiçi si t ‘i merr ato fakte te shkruara, kur e di të vërtetën serbe.
Të vemë bast se sa % e kosovarëve dinë për masakrat serbe gjatë 2 shekujve të fundit ?
Me 22.07.21

Mos ia përmend Serbisë vrasjen e 1.133 fëmijëve

0

Lis Bukuroca 

Gjenocidet duhet përmendur gjithmonë Serbisë, derisa të kërkojë ndjesë, por edhe pastaj. Kush guxon t’u thotë hebrenjve mos i përmendni plojat që u janë shkaktuar, sepse ka kaluar shumë kohë!? 

Përmendja e gjenocideve pengon kërkesa maksimaliste serbe. Ai që ballafaqohet me krimet e shtetit të vet, nuk mund të presë shpërblime! Për ato gjenocide shumica e shqiptarëve di pak, e aq më pak di Vuçiqi apo politikanët europian!!!

Shteti serb kërkon republikë për serbet, por nuk ofron asgjë për Luginën. Ata besojnë në epërsinë racore serbe! Pse duhet të besojmë edhe ne dhe të themi:„Mos ia përmendi se i di ai!“

E ku di ti se çfarë di Vuçiqi? Ose, prej nga e di ti se ai di për gjenocidet sa di libri, që nuk e pranoi?

Të thuhet mos ia përmend Vuçiqit tragjeditë e shkaktuara nga shteti serb, d.m.th. mos ia merr ftyrën jashtë vendit. Kjo është mënyra më e mirë për ta shndërruar Serbinë në viktimë. Albini nuk është profet, as i pagabueshëm, por për inat të tij, nuk duhet mbështetur Serbinë! Albin Kurti nuk është zot, por është më i miri që kemi!

Edhe pse asnjë serb nuk shqetësohet në Kosovë, politikanët serb vazhdimisht flasin për serbet e rrezikuar. E çfarë thonë tanët? Mos ia përmend tragjeditë që na ka shkaktuar, se pengohet zgjidhja!

Shqiptarët e Luginës nuk kanë shkuar të jetojnë në Serbi, por i ka pushtuar Serbia!

Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë emigruar në Maqedoni, por i ka pushtuar dhe shkëputur Serbia nga Shqipëria duke i masakruar dhe duke vrarë edhe fëmijë.

Kosova nuk është në këtë gjendje pse e zgjodhi vetë, por pse e pat pushtuar dhe shkëputur Serbia!

Asnjë shtet nuk ka dëmtuar kombin shqiptar sa shteti serb. Kjo duhet të përmendet në çdo takim duk i rikujtuar fragmentet shqiptare: shqiptarët në Mali të Zi, në Maqedoni, Lugina, Kosova, diaspora, shqiptarët në Turqi, të gjithë ata janë pasoja tragjike të shkaktuar nga shteti serb! Dhe, nuk ka kërkuar kurrë ndjesë. E ti thua, mos ia përmend!  Serbia armatoset ende dhe po të guxonte, do ta sulmonte sot Kosovën! E ti? Mos e nervozo Serbinë!

Mos ia përmend vrasjet e1.133  fëmijëve, se kështu pengohet zgjidhja! Mos i përmendi se ai i di! Sa poshtë kemi rënë! Jemi fundosur moralisht e intelektualisht, por mendojmë se dimë tepër shumë sa mund ta mësojmë Kryeministrin se çfarë duhet të flasë, çfarë jo! Apo ndoshta po e bëjmë se prisnim shpërblim prej tij dhe tani hakmerremi?!

A thua si do të reagonin sikur t’ishin vrarë fëmijët e tyre? A do të kërkonin heshtjen?

Libra nga Lis Bukuroca:

Ata që jetojnë në Gjermani mund t’i porosisin disa libra edhe te thalia.de  ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër.

Kuptimi i jetës  te amazon *

Kuptimi  jetës te lulu **

Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu

Letër burrave (II) te amazon

Letër burrave (II) te lulu

Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Shtatë parimet e dashurisë

Hijedritat e jetës

Die Asylbewerber, komedi gjermanisht

* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.

Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës u shprehë ngushëllime familjeve të dy viktimave të përmbytjeve në Gjermani

0

Prishtinë, 21 korrik 2021                                       

 Qeveria e Republikës së Kosovës, me shqetësim po e përcjellë gjendjen e rënduar pas vërshimeve në Gjermani, ku si pasojë e përmbytjeve humbën jetën dhjetëra persona ndërkohë që shumë persona janë ende në kërkim.

Bazuar në të dhënat zyrtare, deri në orët e paradites së sotme, si pasojë e vërshimeve, ka humbur jetën shtetasi i Kosovës Sh.D. si dhe një vajzë me shtetësi gjermane V.K. , që ka njërin prind me shtetësi të Kosovës.

Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës u shprehë ngushëllime të sinqerta familjeve Delija dhe Koxha. Në këto ditë të rënda pikëllimi, bashkëndjejmë dhimbjen me familjarët dhe lutemi që Gjermania mike të tejkalojë sa më parë këtë gjendje të rëndë.

Qeveria e Republikës së Kosovës, nëpërmjet ambasadës dhe konsullatave të Kosovës, është duke përcjellë nga afër situatën në Gjermani dhe është në kontakt me mërgatën tonë në zonat e prekura nga kjo katastrofë natyrore.

Ftojmë të gjithë bashkatdhetarët që kanë nevojë për asistencë të lajmërohen në çdo kohë në konsullatat më të afërta. Ky është numri emergjent i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt am Main, që është në dispozicion 24 orë: +49 152 290 84 675

Kryeministri Kurti për gazetën greke: Do ta mirëprisnim vendimin e Greqisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës

0

Athinë, 21 korrik 2021

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia do të ishte dëshmi që Athina është e gatshme të luaj një rol udhëheqës rajonal në Ballkan, thotë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë ekskluzive për gazetën “To Vima”.

Kryeministri Kurti, i cili së fundmi ishte në Athinë për konferencën e “The Economist” dhe pati një takim të shkurtër me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, është qartazi kundër një shkëmbimi territorial me Serbinë dhe kundër rivendosjes së kufijve në Ballkan. Ai gjithashtu thekson se statusi i Kosovës është vendosur përgjithmonë dhe se dialogu me Beogradin ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e ardhshme midis dy vendeve.

“To Vima”: Kosova kaloi një periudhë të paqëndrueshme politike me zgjedhje të njëpasnjëshme, por duket se tani ka një qeveri të qëndrueshme. Cilat janë prioritetet tuaja kryesore si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm? Sa i madh është problemi i korrupsionit?

Ne kemi qenë të fokusuar në dy prioritete themelore dhe më urgjente. Prioriteti i parë ishte fokusimi në menaxhimin e pandemisë me qëllim minimizimin e pasojave në shëndetin publik. Si rezultat, në 100 ditët e fundit, falë masave të duhura kundër COVID-19, përgjigjes së shkëlqyeshme nga qytetarët dhe vaksinimit masiv, numri i rasteve të reja ka rënë për 99%, numri i rasteve aktive për 97% dhe numri i hospitalizimeve për 86%.

Krahas kësaj, reformat tona në sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe ruajtja e fondeve publike kanë pasur ndikim pozitiv në rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet publike. Në frontin ekonomik, në pesë muajt e parë të këtij viti kemi shënuar disa rezultate shumë pozitive dhe premtuese. Aktiviteti ynë ekonomik është rritur për 15%, të ardhurat e buxhetit tonë për 30%, eksportet për 66% dhe për këtë vit ne parashikojmë rritje ekonomike për 7.9%. Ne gjithashtu kemi hartuar një pako të ringjalljes ekonomike me 1.1 miliardë euro kontribute në ekonominë tonë.

“To Vima”: Bisedimet janë intensifikuar midis Serbisë dhe Kosovës në kontekstin e dialogut Beograd – Prishtinë, të lehtësuar nga BE-ja. A ka pasur progres kohët e fundit në këto bisedime? A është larguar nga tryeza e bisedimeve skenari i shkëmbimit territorial?

Kosova kërkon t’i zgjidhë çështjet e pazgjidhura me fqinjët përmes dialogut. Ne do të kemi mundësi t’i rregullojmë marrëdhëniet në Ballkan vetëm me një dialog parimor dhe të përgatitur mirë, të bazuar në vlerat evropiane. Pavarësia e Kosovës është trembëdhjetëvjeçare. Që nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010, që vërtetoi faktin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, debati për shtetet është mbyllur.Unë nuk do të diskutoj statusin e Kosovës, as integritetin tonë territorial.  Është çështje e zgjidhur. Nuk mund të lejojmë ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbimin territorial e as të atyre për bosnjëzimin e Kosovës. Serbia tani duhet të distancohet nga regjimi i Millosheviqit dhe të mos insistojë që në një farë mënyre të vazhdojë t’i arrijë qëllimet e vjetra, me mjete të reja. Tema e vetme është marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“To Vima”: Ballkani duket se është kthyer në vëmendjen e të gjithë akterëve të mëdhenj globalë dhe më e rëndësishmja në vëmendjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, pas publikimit të non-papers që flasin madje edhe për rivendosjen e kufijve në rajon përgjatë vijave etnike, janë paraqitur disa skenarë. Si u përgjigjeni atyre që shqetësohen për mundësinë e një Shqipërie të madhe? A jeni kundër këtyre skenarëve apo do t’i konsideronit në rrethana specifike? A nuk është mundësia e një “Schengen-i Ballkanik” çështje më reale dhe konstruktive për të nxitur bashkëpunimin rajonal?

Unë vazhdoj të besoj se përgjigja më e mirë ndaj të gjitha këtyre “Non Papers” është “No comment” sepse përmes përgjigjeve, ato po përpiqet të sjellen në jetë. Ne duhet të shkojmë drejt integrimit evropian dhe euro-atlantik. Kosova nuk ka dilema. BE dhe NATO janë vlera tonat ashtu edhe destinacion i yni. Duke ditur që korniza aktuale rajonale nuk mund të na përgatitë për pranim në BE, në Samitin e Tiranës unë kam propozuar që të përditësojmë CEFTA-n në SEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Juglindore) bazuar në modelin EFTA – EEA, që do të lartësonte të gjithë rajonin dhe do të kapërcente pengesat aktuale. Ne sigurisht se shpresojmë që Komisioni Evropian mund ta konsiderojë seriozisht këtë propozim dhe të fillojë dialogun që do të çonte në rezultate konkrete. Ne jemi të bindur se nëse ecim së bashku në këtë rrugë, atëherë do të jemi në gjendje të adresojmë shumë sfida dhe të arrijmë objektivin tonë të përbashkët.

“To Vima”: Së fundmi, ministri i Jashtëm i Greqisë, Dendias, vizitoi Prishtinën. Zyra juaj ndërlidhëse në Athinë është avancuar, por ende mungon njohja zyrtare diplomatike. A jeni optimist që kjo do të ndodhë, a jeni në bisedime me palën greke për këtë? A ka ndonjë afat kohor?

Ne i jemi mirënjohës Greqisë për mbështetjen e saj dhe qëndrimin pozitiv ndaj Republikës së Kosovës në proceset e integrimit si në rajon ashtu edhe Evropë. Ne e vlerësojmë shumë qëndrimin konstruktiv ndaj vendit tonë, qëndrim të cilin Greqia e ka dëshmuar përsëri me mbështetjen e dhënë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Greqia duhet të jetë me popullin e Kosovës dhe të ofrojë mbështetjen e saj. Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura për shkak të historisë së gjatë të përbashkët, qëllimit të përbashkët të stabilitetit dhe paqes në Ballkan dhe të ardhmes së gjatë të përbashkët.

“To Vima:” Përveç njohjes, cilat janë fushat kryesore në të cilat Athina dhe Prishtina mund të bashkëpunojnë qoftë në aspektin dypalësh ashtu edhe në atë rajonal? A e shihni Greqinë si vend që mund t’ju ofrojë asistencën e nevojshme teknike në rrugën tuaj drejt integrimit në BE? A jeni i shqetësuar se marrëdhëniet e ngushta të Turqisë me Kosovën mund të pengojnë bashkëpunimin me Greqinë?

Kosova dëshiron të ndërtojë mbi lidhjet historike midis popujve tanë dhe të forcojë marrëdhëniet vëllazërore afatgjata me Greqinë, një element i rëndësishëm i stabilitetit rajonal afatgjatë. Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Greqisë. Duke pasur parasysh peshën e Greqisë në rajon, si dhe frymën e bashkëpunimit në rajon, ne do ta mirëprisnim vendimin për njohjen e Kosovës. Njohja do të ishte dëshmi thelbësore e rolit udhëheqës në rajon që Greqia duhet të ketë. Marrëdhëniet ekonomike Kosovë-Greqi janë duke u forcuar. Kjo dëshmohet nga forumi virtual ekonomik i organizuar nga dy MPJ-të përkatëse në muajin prill të vitit 2021. Ka ende hapësirë për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve.

Bashkatdhetarët të interesuar për funksionimin e Kuvendit, presin angazhim më të madh nga institucionet & Video

0

PRISHTINË | 21 KOR 2021 | 11:53 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi për tri ditë me radhë do të pres bashkatdhetarët që janë të interesuar të njoftohen me punë e këtij institucioni, raporton Ekonomia Online.

Bajram Kabashij, tha se për shkak të rrethanave në Kosovë ishte detyruar të mërgojë për një jetë më të mirë.

Ai më tej shtoi se është i interesuar për punë që bëhet në Kuvend dhe për organizimin.

“Për shkak të shumë rrethanave isha i detyruar të mërgoja. Që nga ajo kohë kam jetuar në Norvegji. Ato vite nuk ishin të lehta por me duhet të ringritesha dhe të vazhdoja profesionin ku e kam lënë. Sot jam udhëheqës i portalit Drini”.

“Kësaj radhe shfrytëzova rastin ta bëjë promovimin e librit tim Rilindja përkushtim dhe trishtim që ndërlidhet me ngjarjet e Kosovës nga viti 1983 deri në vitin 1999. Mendimi ishte që ta shfrytëzoja hapjen e Kuvendit për mërgimtarët që edhe ne si një pjesë e harruar e botës shqiptare të themi se jemi gjallë dhe mendojmë për vendin tonë”.

Dafina Berisha e cila jeton në Hamburg, e që është kandidate në zgjedhjet parlamentare në Gjermani tha se Qeveria e re është më e organizuar dhe angazhuar në proceset politike.

“Jam kandidate për zgjedhjet e Parlamentit gjerman. Këtë javë kam ardhur me familje për pushim. Kemi ardhur me pa Parlamentin e Kosovës. Shumë mirë po doket Parlamenti është hera e parë”.

“Qeveria e re po më duket se është shumë më e organizuar dhe shumë e angazhuar. Na po e shohim se ka ndryshim dhe shumë po gëzohem qysh po ec Kosova”.

Laurant Osmani duke folur për vizitën në Kuvend, shtoi se Kosova është në një proces zhvillimi.

“…kam ardhur në Kosovë për një projekt dhe patëm mundësinë të vizitojmë Parlamentin e Kosovës dhe po na duket shumë mirë dhe aspektet historike kanë qenë në zemër të vizitës”.

“Në fakt Kosova është në një proces të zhvillimit kështu që nuk kam ende mundësi, por më duket shumë mirë aktualisht”.

Diellza Trolli-Mustafa, tha se është shumë e interesuar në jetën politike dhe shoqërore në Kosovë, raporton EO.

“Jam shumë e interesuar në politikë dhe jetën shoqërore dhe është arsyeja pse kam ardhur me vizituar Parlamentin e Kosovës. Mua më janë dukur shumë të angazhuar dhe një dëshirë për me ndryshuar vendin”.

 

Kuvendi hapi dyert për bashkatdhetarët

0

Prishtinë, më 21. 07. 2021

Komunikatë për media

Mbi 100 bashkatdhetarë nga shtete të ndryshme të botës, të cilët po qëndrojnë për pushime në Kosovë, kanë vizituar sot Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në kuadër të aktivitetit “Kuvendi hap dyert për bashkatdhetarët”, vizitorët janë njohur me ambientet e brendshme të Kuvendit, me rolin dhe punën e institucionit me të lartë përfaqësues të Kosovës.

Ata kanë shprehur interesimin e tyre për aspekte të ndryshme të punës në Kuvend e të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve, për të cilat ata kanë marrë shpjegimet dhe informacionet e nevojshme nga zyrtarët gjegjës të Kuvendit.

Kuvendi do t’i mbajë dyert e hapura edhe të enjten dhe të premten, përkatësisht më 22 dhe 23 korrik, nga ora 10:00 – 16:30.

Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun