
Safet Sadiku, Prishtinë
Duhet të ndryshojë mentaliteti i qytetarëve tanë. Shqiptarët nuk duhet ta kërkojnë më forcën e shtetit te një lider i fortë, por te institucione të forta, të pavarura dhe funksionale. Një shtet nuk bëhet i fortë sepse ka një lider të fortë. Një shtet bëhet i fortë kur ligji është më i fortë se individi, kur institucionet janë më të forta se pushteti personal dhe kur askush, pavarësisht pozitës politike, nuk është mbi ligjin.
Prandaj, ndryshimi që kërkohet nuk është thjesht ndryshim i njerëzve që qeverisin. Është ndryshim i mentalitetit politik dhe institucional: nga varësia ndaj individit te besimi te shteti, nga lideri i pazëvendësueshëm te institucioni i qëndrueshëm, nga pushteti personal te sundimi i ligjit, nga liderët e fortë te institucionet e forta, nga individi te shteti, nga pushteti personal te ligji. Thelbi është që një shtet demokratik nuk duhet të varet nga personaliteti, vullneti apo autoriteti i një individi. Liderët ndryshojnë, institucionet duhet të qëndrojnë. Institucionet e forta garantojnë sundimin e ligjit, kontrollin dhe balancën e pushteteve, transparencën dhe pjesëmarrjen qytetare. Në këtë kuptim, një referendum kombëtar mund të paraqitet jo si mjet për të forcuar një lider, por si mekanizëm për t’ia rikthyer qytetarit një rol të drejtpërdrejtë në vendimmarrje, brenda një kuadri institucional të qartë dhe demokratik.
1) E para, duhet ta ndryshojmë mentalitetin tonë si shqiptarë.Nuk duhet të përkrahim liderë të fortë. Duhet të përkrahim institucione të forta. Institucionet janë në shërbim të qytetarëve dhe duhet të kontrollojnë çdo pushtet. Liderët, nëse nuk kontrollohen nga institucionet, mund të përfundojnë duke i shërbyer interesave të tyre. Kur forca e individit vendoset mbi forcën e institucioneve, demokracia dobësohet dhe pushteti personal mund të shndërrohet në regjim.
Pikërisht ky mentalitet na ka dëmtuar për shumë vite të tranzicionit politik dhe, në momente të ndryshme të historisë, dobësia e shtetit dhe përqendrimi i pushtetit te individi na kanë lënë të pambrojtur edhe përballë interesave dhe ndikimeve të pushteteve të huaja. Dështimi për konsolidimin e institucioneve të Kosovës pas zgjedhjeve të 7 qershorit nuk duhet parë vetëm si një përplasje mes partive politike. Ai tregon një problem më të thellë të mënyrës se si funksionon politika jonë. Liderët partiakë kanë fituar shumë pushtet, por edhe pasuri ekonomike të pamerituar,ndërkohë që institucionet dhe mekanizmat e kontrollit mbeten të brishtë. Edhe kultura e kompromisit është ende e dobët. Kur liderët nuk arrijnë marrëveshje, kriza e tyre kthehet në krizë të shtetit. Bllokohet Kuvendi.
Vështirësohet formimi i institucioneve. Në fund, pasojat i bart qytetari. Kjo ndodh kur politika dhe përfaqësuesit e saj bëhet më e fortë se shteti. Në demokracitë e konsoliduara, situata është ndryshe. Qeveritë mund të bien. Koalicionet mund të prishen. Liderët mund ta humbin shumicën. Por institucionet vazhdojnë të funksionojnë. Administrata vazhdon t’u shërbejë qytetarëve. Shteti nuk mund të varet nga vullneti personal i një lideri. Prandaj, nga këndvështrimi i Platformës për Referendum Kombëtar, duhet ta luftojmë jo vetëm mentalitetin e nënshtrimit ndaj individit, por edhe çdo politikë që e dobëson shtetin nga brenda, e kap institucionin për interesa personale apo e vendos atë nën interesa të pushteteve të huaja.
Forca e shtetit duhet të buron nga qytetari, nga institucionet dhe nga vullneti demokratik i popullit. Këtë duhet ta bëjnë të gjithë qytetarët.
A) Këshilla natyrore: Këtu Shqiponja mishëron traditën e lashtë shqiptare, që ndër breza ka përfaqësuar qëndresën, dinjitetin, lirinë dhe mbrojtjen e atdheut. Ajo nuk thirret dhe nuk vjen për të mbrojtur një lider, një parti apo një individ. Shqiponja është pozicionuar në anën e shtetit, të institucioneve dhe të sovranitetit të qytetarëve. Ajo nuk do të mbrojë individët. Po kërkonvtë mbrojë institucionet, pasi nuk na duhen liderë të fortë. Na duhen institucione të forta dhe qytetarë të lirë, që kanë fuqinë dhe të drejtën të vendosin për fatin e tyre.
2) E dyta, dallimi kryesor nuk është nëse një vend ka liderë të fortë apo të dobët. Pyetja është tjetër: kush është më i fortë,lideri apo institucioni? Në një demokraci të konsoliduar, lideri mund t’i fitojë zgjedhjet, mund ta drejtojë qeverinë dhe mund të ketë një mandat të fuqishëm. Por ai nuk është mbi institucionet. Ai kufizohet nga Kushtetuta dhe ligji, kontrollohet nga Kuvendi, nga drejtësia, nga administrata profesionale dhe nga mekanizmat e tjerë të shtetit.
Në një sistem të personalizuar, rreziku është krejt tjetër. Institucionet fillojnë t’i përshtaten fuqisë së liderit. Në vend që lideri t’u nënshtrohet rregullave, rregullat fillojnë t’i përshtaten liderit. Kjo është pika ku demokracia fillon të dobësohet dhe pushteti personal rrezikon të shndërrohet në regjim. Prandaj, Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për një ndryshim të modelit të qeverisjes. Duhet të kalojmë nga shteti që varet nga liderët te shteti që funksionon përmes institucioneve.
Vetëm institucionet e forta, të qëndrueshme dhe të pavarura mund ta mbrojnë qytetarin nga krizat politike dhe nga keqpërdorimi i pushtetit. Demokracia nuk duhet të funksionojë vetëm ditën e zgjedhjeve. Ajo duhet të funksionojë çdo ditë. Duhet të ndihet në çdo institucion dhe të shihet në çdo vendim të shtetit. Pikërisht këtu hyn në analizë edhe programi i Platformës për Referendum Kombëtar. Sipas kësaj teze studimore, qëllimi nuk është vetëm ndryshimi i një qeverie dhe as zëvendësimi i një lideri me një tjetër. Qëllimi është ndryshimi i vetë modelit të shtetit: nga pushteti i individit te fuqia e institucioneve dhe e qytetarit, ashtu siç demokracia funksionon në vendet e BE-së. Kjo strategji e brendshme kombëtare lidhet me referendumin e parë Shqipëri–Kosovë dhe me Dokumentin Juridik, ku mirëqeverisja administrohet fhe nuk mbetet vetëm premtim elektoral.
Ajo juridikisht shndërrohet në parim funksional ligjor dhe mekanizëm të qeverisjes, e cila që nga dita e parë e kalimit të referendumit Shqipëri-Kosovë bëhet pjesë e funksionimit të shtetit dhe afrohet me standardet e demokracive të konsoliduara dhe të shteteve të Bashkimit Evropian. Pra me këtë rast, ne kalimin e refrrendumit, nuk ndryshojmë vetëm qeveritarët, por ndryshojmë edhe mënyrën se si qeveriset shteti. 3) E treta, „Platforma për Referendum Kombëtare“ e ndryshon marrëdhënien ndërmjet politikës dhe institucioneve. Kjo marrëdhënie nuk mund të ndërtohet mbi varësinë personale, por mbi ligjin, përgjegjësinë, kontrollin institucional, transparencën dhe llogaridhënien. Ndryshimi nuk është vetëm politik. Është sistemik. Qëllimi nuk është edhe mëtej krijimi i një lideri edhe më të fortë, por ndërtimi i një shteti aq të fortë institucionalisht, sa të mos ketë nevojë për liderë të pazëvendësueshëm. Prandaj, orientimi jonë është i qartë: Kosovës dhe Shqipërisë nuk i duhen më liderë të fortë mbi institucione të dobëta.

U duhen institucione të forta, ku edhe liderët më të fuqishëm politikë i nënshtrohen ligjit dhe autoritetit institucional. Pikërisht këtë ndryshim synon programi “Platforma për Referendum Kombëtar”. Referendumi Shqipëri–Kosovë synon t’u japë qytetarëve mundësinë të shprehen për “Dokumentin Juridik”, përmes të cilit „Mirëqeverisja“ vendoset në qendër të këtij transformimi.
Prandaj, në Dokumentin Juridik të Platformës për Referendum Kombëtar përcaktohet edhe një mekanizëm i rëndësishëm për rritjen e përgjegjësisë politike: kandidatët që synojnë të kandidojnë për deputetë dhe të përfaqësojnë një subjekt politik duhet t’i nënshtrohen verifikimit ligjor, në përputhje me ligjin dhe garancitë e procesit të rregullt. Verifikimi duhet të përcaktojë nëse ekzistojnë pengesa ligjore, përfshirje në vepra penale apo shkelje të tjera që mund të cenojnë besueshmërinë dhe integritetin e tyre publik. Ky mekanizëm rrit përgjegjësinë e kandidatëve dhe i jep qytetarit më shumë informacion përpara votimit. Njëkohësisht, ai synon të forcojë besimin në institucionet përfaqësuese.
Me zbatimin e këtyre standardeve, Kuvendet në Prishtinë dhe Tiranë do të vendoseshin përballë një niveli të ri të përgjegjësisë publike. Kjo është edhe arsyeja pse qytetari duhet të ketë rol më të madh në demokraci. Referendumi që e gjeni të propozuar nga ne, është mekanizëm i demokracisë direkte. Përmes tij, qytetari nuk mbetet vetëm votues, por bëhet pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në vendimmarrje.
Qëllimi është i qartë: institucionet duhet të forcohen, individët duhet të mbeten nën autoritetin e institucioneve dhe askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Kultura e liderëve kryeneçë dhe e politikës së personalizuar nuk duhet ta lejojmë të përsëritet më. Përfundimisht edhe shqiptarët, si vendet e tjera të zhvilluara nuk duhet ta kërkojnë shpëtimin te një individ, por te shteti, ligji dhe institucionet.
A) Dhe këtu qëndron edhe mesazhi i Shqiponjës, si simbol i qytetarit të lirë dhe i traditës shqiptare: ajo nuk është më për t’i mbrojtur liderët, por ajo është për ta mbrojtur shtetin, institucionet dhe lirinë e qytetarit. Shqiponja nuk i përkulet pushtetit të individit. Ajo qëndron mbi të, në mbrojtje të shtetit dhe të qytetarit të lirë.
4) Por shembull specifik, është rasti i Bundeskancelarit Friedrich Merz, i cili më 6 maj 2025 përbën një nga momentet më të pazakonta në historinë parlamentare të Gjermanisë së pasluftës. Në votimin e parë në Bundestag, Merz nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme absolute për t’u zgjedhur kancelar. Ai mori 310 vota pro, ndërsa për zgjedhjen i duheshin 316 vota. Kjo ishte hera e parë në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë që një kandidat për kancelar dështonte në votimin e parë në Bundestag, pavarësisht se partitë e koalicionit të tij kishin teorikisht shumicën parlamentare. Pas këtij rezultati, procedura kushtetuese vazhdoi dhe, pas disa orësh, u zhvillua votimi i dytë. Në këtë votim Merz mori 325 vota pro dhe siguroi shumicën e nevojshme.
Më pas ai u zgjodh dhe u betua si kancelar federal i Gjermanisë. Rasti tregoi qartë se edhe një kandidat që ka mbështetjen e një shumice parlamentare në parim duhet ta sigurojë shumicën në vetë votimin për kancelar. Votimi i fshehtë i dha gjithashtu mundësi deputetëve të shprehnin qëndrimin e tyre individual, pa qenë e mundur të përcaktohej publikisht se kush votoi kundër kandidatit. Prandaj, ky rast mund të konsiderohet një shembull i fortë i funksionimit të kontrollit parlamentar dhe i rregullave kushtetuese në Gjermani: pushteti ekzekutiv nuk konsiderohet i konsoliduar vetëm nga marrëveshja politike mes partive, por duhet të marrë edhe votën formale të Bundestagut.
5) Një shembull domethënës vjen edhe nga një vend i Bashkimit Evropian: Belgjika. Pas zgjedhjeve të vitit 2010, partitë politike belge kaluan një periudhë jashtëzakonisht të gjatë negociatash. Kishte mosmarrëveshje të thella, interesa të ndryshme dhe vështirësi për të arritur një marrëveshje. Megjithatë, përballë nevojës që shteti të funksiononte, partitë u detyruan të gjenin një zgjidhje politike. Pas 541 ditësh negociata, u arrit marrëveshja dhe u formua qeveria. Ky shembull tregon diçka të rëndësishme: partitë mund të jenë të pakënaqura me njëra-tjetrën, mund të kenë interesa të kundërta dhe mund të mos bashkëpunojnë lehtë, por shteti nuk mund të mbahet peng i mosmarrëveshjeve të tyre. Në një demokraci funksionale, në fund duhet të prevalojë nevoja për funksionalitetin e institucioneve.

Prandaj, mentaliteti duhet të ndryshojë edhe te ne. Nuk mund të presim gjithmonë një lider që të zgjidhë gjithçka. Nuk mund të presim që një parti apo një individ të jetë më i rëndësishëm se vetë shteti. Partitë duhet të garojnë, të kundërshtojnë dhe të negociojnë, por institucionet duhet të vazhdojnë të funksionojnë.
Ky është ndryshimi që duhet të synojmë: nga lideri që mban shtetin mbi supe, te shteti që qëndron mbi çdo lider,nga varësia prej individit, te përgjegjësia ndaj institucioneve, nga politika personale, te shteti funksional.


