Unë nuk e kuptoj këtë modë politike të vendit tonë, e cila sillet me paaftësinë si gjyshja me turshitë:
E mbledh me kujdes, e fut në kavanoza elektorale dhe e ruan për dimër, me shpresën se kastravecat e kalbur një ditë do të shndërrohen në strategë shteti.
Po ta përkthenim këtë fenomen në gjuhën e futbollit, ai do të dukej si një kombëtare që hyn në Kampionatin Evropian me seriozitetin e Gjermanisë, por e organizuar si një dasmë tallava e fshatit Sallamadi, ku dajallarët janë dehur ende pa mbërritur nusja.
Paramendoni sikur në portë të qëndronte Elona Kadria — aq e hutuar, sa, sa herë që topi t’i afrohej zonës së portës, ajo ta kërkonte telekomandën për ta ndërruar kanalin.
Sikur mbrojtëse e majtë të ishte Gabimete Mosrregulli, e cila çdo kundërshtar do ta konsideronte si mysafir nderi dhe do t’ia lironte rrugën me mirësjellje orientale:
“Urdhëroni, kaloni — vetëm mos na pengoni ta vjedhim trofeun pas humbjes!”
Sikur në qendër të mbrojtjes të ishte Labinote Fluturakja, e cila hidhet përtokë pas çdo topi — jo për ta ndalur aksionin, por sepse e dramatizon çdo kontakt me topin sikur të ishte skenë telenovele.
Sikur në krahun e djathtë të mbrojtjes të luante Sahide Debateshi, me një parim të hekurt:
“Nëse nuk mund ta kap topin, të paktën ta fitoj debatin me arbitrin.”
Ndërsa mesfusha?
Një poemë absurde në vete.
Sikur Hamit Sallauka të vraponte aq pa drejtim nëpër fushë, sa edhe GPS-it të stadiumit t’i nevojitej ndihmë psikologjike.
Sikur Leshkar Bixhozi, që është i paraparë t’i shkatërrojë aksionet e kundërshtarit, të arrinte ta shkatërronte vetëm moralin e skuadrës së vet.
Sikur Minuk Qetësori të luante me një qetësi budiste:
Topi kalon, loja vazhdon, tifozët qajnë — ndërsa ai mediton mbi kuptimin metafizik të autit.
Sikur për organizimin e sulmit të ishte përgjegjës Hamut Shkurti — një njeri që do të jepte aq shumë pasime të gabuara, sa edhe kundërshtarët do të bindeshin se ai është agjent i infiltruar nga UEFA.
Sikur qendërsulmuesi Fation Autogoli ta zotëronte një talent të rrallë:
Sa herë që i afrohet portës kundërshtare, topi të përfundonte në rrjetën e skuadrës së vet — si një pëllumb që kthehet instinktivisht në folenë e tij.
Sikur partneri i tij në sulm, Rapsod Kakofoni, të bërtiste më shumë sesa të luante, duke i ngjarë një tenori opere që ka humbur rrugën dhe ka përfunduar gabimisht në formacion.
Sikur në krahun tjetër të sulmit të qëndronte Rron Kurteshi — aq dembel, sa edhe bari i stadiumit të kishte nevojë për tri ditë pushim, për ta kuptuar se ndeshja ka mbaruar dhe ai ende nuk ka lëvizur nga vendi.
Dhe kulmi i absurdit?
Pas çdo humbjeje katastrofale, të dilte Federata e Futbollit para kamerave krenare dhe të deklaronte:
“Kjo skuadër ka potencial të jashtëzakonshëm. I duhet vetëm pak kohë, pak durim — dhe ndoshta një planet tjetër.”
Në politikën tonë, fatkeqësisht, kjo nuk është më metaforë, por metodë qeverisjeje.
Albin Kurti, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj janë — secili në mënyrën e vet janë administratorë të një paaftësie kronike që përpiqet të maskohet si stabilitet shtetëror; njësoj si kamarieri që ta sjell ujin e çezmës në gotë vere dhe pret prej teje bakshish për luksin.
Por këtu ekziston një dallim interesant, pothuajse zoologjik.
Albini, falë kredibilitetit që gëzon tek një pjesë e popullit, po ia jep paaftësisë statusin e VIP-it.
Paaftësia e zakonshme, ajo që dikur hynte me turp nga dera e pasme e institucioneve, sot ecën mbi tapetin e kuq:
e parfumosur me patriotizëm, e grimuar me moralizëm dhe e shoqëruar nga një gardë propagandistike që duartroket edhe kur barinjve i humbin delet, sepse janë hutuar duke i lidhur lidhëset e opingave.
Dhe pikërisht këtu fillon tragjikomedia jonë kombëtare.
Sepse populli ynë ka një zakon të çuditshëm:
Paaftësinë arrogante e quan “vendosmëri”.
Paaftësinë kokëfortë e quan “parim”.
Paaftësinë konfliktuoze e quan “guxim”.
Ndërsa paaftësinë që prodhon kaos ekonomik dhe diplomatik e quan “qëndresë heroike”.
Në këtë teatër absurd, qytetari sillet si një tifoz futbolli, skuadra e të cilit humb 7:0 — por ai vazhdon të brohorasë:
“Mos e shikoni rezultatin! Shikojeni emocionin patriotik të humbjes!”
Por jo çdo paaftësi është e njëjtë.
Ekziston paaftësia naive — ajo e njeriut që dëshiron të bëjë mirë, por nuk di se si.
Ajo i ngjan shoferit fillestar që, nga hutimi, e gërvisht veturën.
Të zemëron, por nuk të tmerron.
Por ekziston edhe paaftësia djallëzore — ajo që është e aftë të vjedhë e të tradhtojë gjithçka, por që di në mënyrë të përkryer t’i manipulojë turmat dhe jo vetëm ta shesë dështimin si heroizëm, por edhe çdo kontratë bashkëpunimi me armikun shekullor ta paraqesë si “sakrificë historike”.
Kjo është forma më e rrezikshme e paaftësisë.
Sepse ajo nuk mjaftohet vetëm me dështimin e vet — ajo kërkon që edhe populli të bëhet aksionar emocional i dështimit të saj.
Prandaj votuesi inteligjent nuk duhet ta pyesë politikanin vetëm:
“Sa patriotike janë fjalimet e tij?”
por:
“Sa dëm shkakton kur nuk di çfarë bën?”
Sepse një budalla me zemër të mirë mund të ta humbë kohën.
Por një budalla me ambicie mesianike mund të ta shkatërrojë shtetin.
Dhe historia e Ballkanit i ngjan një varreze kombesh që u duartrokisnin njerëzve të paaftë — vetëm pse bërtisnin më fort se të tjerët.
Megjithatë, nëse populli ynë dëshiron të sillet racionalisht dhe jo emocionalisht, atëherë duhet ta kuptojë një të vërtetë të thjeshtë:
Jo çdo alternativë është automatikisht më e mirë vetëm sepse është “ndryshe”.
Sepse edhe një kirurg mediokër mund të jetë më pak i rrezikshëm sesa një kasap elegant me kravatë italiane dhe me buzëqeshje diplomatike.
Prandaj, në mungesë të një elite të vërtetë shtetformuese, shumë qytetarë duhet ta shohin ende Albin Kurtin si opsionin më pak të rrezikshëm për Kosovën — jo sepse ai ka prodhuar mrekulli ekonomike apo triumfe diplomatike, por sepse, ndryshe nga konkurrentët e tij opozitarë, ai të paktën e krijon përshtypjen se nuk negocion me ndërgjegjen kombëtare si tregtar bagëtish në ankand.
Dhe kjo, në Ballkan, fatkeqësisht, shpesh konsiderohet si virtyt revolucionar.
Por pikërisht këtu duhet të fillojë pjekuria politike e votuesit shqiptar.
Mbështetja për një lider nuk duhet të jetë kontratë martesore “derisa vdekja t’ju ndajë”, por marrëveshje me kushte të qarta:
“Po, do të ta jap edhe një mandat — por këtë herë dua rezultate, jo vetëm retorikë.”
Sepse patriotizmi që nuk prodhon zhvillim ekonomik, drejtësi funksionale, arsim modern dhe aleanca të forta ndërkombëtare, rrezikon të mbetet vetëm një version folklorik i krenarisë:
shumë flamuj, shumë këngë, shumë emocione — dhe shumë të rinj duke ikur nga vendi.
Nëse Albini dëshiron të mbahet mend si reformator e jo vetëm si poet i revoltës permanente, atëherë ai duhet ta kuptojë se shteti nuk qeveriset me statuset e militantëve të tij Facebook dhe as me brohoritjet virtuale të njerëzve që çdo kritikë e konsiderojnë tradhti kombëtare.
Shteti matet me rezultate konkrete.
Me paga që rriten më shpejt se çmimet.
Me spitale ku pacienti trajtohet si njeri e jo si faturë ambulante.
Me diplomaci që prodhon njohje e partneritete — jo vetëm konflikte emocionale për konsum të brendshëm.
Me drejtësi që nuk funksionon si ashensor i prishur: lart për të fuqishmit, poshtë për të dobëtit.
Dhe me institucione ku profesionisti nuk trajtohet si armik vetëm pse nuk është militant partie.
Nëse ai arrin t’i prodhojë këto rezultate, atëherë edhe kritikët më cinikë do të detyrohen ta respektojnë.
Por nëse paaftësia vazhdon të maskohet me patriotizëm teatral, atëherë populli nuk duhet ta shpërblejë më me votë — sepse dashuria ndaj atdheut nuk matet me sa bukur e përshkruan flamurin, por me sa seriozisht e ndërton shtetin.
Demokracia nuk është fe.
Politikani nuk është profet.
Dhe vota nuk është betim besnikërie ndaj një njeriu.
Ajo është vetëm një kontratë e përkohshme pune mes qytetarit dhe pushtetit.
Dhe çdo kontratë duhet të rinovohet vetëm kur rezultatet janë më të forta se arsyetimet.


