
Mirushe Musa Zogaj -Vushtrri
REAGIM PUBLIK I FAMILJES MUSA
THUAJENI SHQIP: ZOGAJ! – MOS NA E SILLNI “ZAGORËN” SI TRASHËGIMI GJUHËSORE
Ngjarjet dhe përplasjet e ditëve të fundit rreth gurthemelit të kishës në fshatin Zogaj të Vushtrrisë nxorën në sipërfaqe jo vetëm dallime mendimesh e bindjesh, por edhe një problem tjetër që prej kohësh meriton të thuhet hapur: keqpërdorimin dhe shtrembërimin e emrit të fshatit tonë.
Në protesta, deklarata personale, debate televizive, portale dhe shkrime të ndryshme po dëgjojmë vazhdimisht termin “Zagorë” apo “Zagori”.
Në emrin tim dhe të familjes Musa, bëj thirrje publike:
Fshati ynë quhet ZOGAJ.
Zogaj – shqip, bukur, natyrshëm dhe me dinjitet.
Prandaj kërkojmë që në komunikimin publik, në media, televizione, portale, dokumente dhe komunikim administrativ të përdoret emërtimi FSHATI ZOGAJ, duke respektuar emërtimin shqip dhe përdorimin vendor.
Dhe këtu fillon ironia e këtyre ditëve.
Disa dolën të na japin leksione për histori, identitet, fe e komb, ndërkohë që nuk arrijnë të shqiptojnë si duhet as emrin e fshatit për të cilin protestojnë!
Çfarë paradoksi!
Të dalësh në protestë për “mbrojtjen e fshatit”, ndërsa në mikrofon ia shtrembëron edhe emrin!
Të flasësh me orë për identitetin, ndërsa fjalën Zogaj e ke humbur rrugës!
Të na tregosh se kush është shqiptar e kush është mysliman, kush duhet të ndërtojë e kush jo, ndërsa vetë ke nevojë të fillosh mësimin nga abetarja:
Z – O – G – A – J.
Pesë shkronja.
Nuk është aq e vështirë!
Para se dikush të shpallë veten historian, gjuhëtar, teolog, pronar të së vërtetës dhe rojtar të identitetit të një fshati të tërë, do të ishte mirë të mësonte së pari emrin e atij fshati.
Sepse këto ditë dëgjuam edhe deklarata të tipit:
“Ne këtu jemi myslimanë…”
Mirëpo një fshat nuk humbet shqiptarinë e tij sipas përkatësisë fetare të banorëve.
Shqiptari katolik është shqiptar.
Shqiptari mysliman është shqiptar.
Shqiptari bektashi është shqiptar.
Dhe mbi të gjitha, askush nuk fiton të drejtën t’ia masë shqiptarinë tjetrit me metrin e vet fetar.
Kjo është pikërisht arsyeja pse debati për kishën duhet të zhvillohet me argumente, dokumente dhe respekt për ligjin e pronën – jo duke numëruar se sa myslimanë apo katolikë jetojnë në një fshat.
Edhe më pak duke e deformuar emrin e tij.
Ne nuk kemi nevojë për kujdestarë që na tregojnë si quhet vendlindja jonë.
Familjet tona kanë lindur aty.
Prindërit tanë e kanë thirrur Zogaj.
Ne e kemi thirrur Zogaj.
Dhe fëmijëve tanë do t’ua lëmë Zogaj.
Prandaj, me gjithë respektin për gazetarët, redaksitë, televizionet, institucionet dhe opinionin publik, kërkojmë:
Mos e deformoni emrin e fshatit tonë.
Nëse dikush gabon nga padituria, le ta mësojë.
Nëse gabon nga zakoni, le ta korrigjojë.
Por nëse dikush këmbëngul ta përdorë një formë tjetër vetëm për të mohuar emërtimin shqip që përdor komuniteti, atëherë kemi të drejtë ta pyesim:
Si mund të pretendosh se po mbron identitetin e një vendi, kur nuk respekton as emrin me të cilin banorët e tij duan ta quajnë?
Ky është absurdi më i madh.
Nuk mund të bëhesh më shqiptar duke bërtitur më fort në protestë.
Nuk bëhesh më atdhetar duke e shpallur tjetrin më pak shqiptar.
Dhe sigurisht nuk bëhesh intelektual vetëm sepse të është afruar një mikrofon para gojës.
Mikrofoni e zmadhon zërin – jo dijen.
Prandaj, atyre që këto ditë kanë shpërndarë leksione për histori, fe, komb e identitet, familja jonë ua dhuron falas një mësim shumë të vogël të gjuhës shqipe:
Quhet ZOGAJ.
Thuajeni një herë.
Thuajeni dy herë.
Nëse duhet, shkruajeni dhjetë herë.
ZOGAJ.
Pastaj mund të ulemi e të diskutojmë për historinë.
Ne nuk kërkojmë konflikt.
Nuk kërkojmë përçarje fetare.
Përkundrazi, duam që Zogaj të jetë vend ku shqiptari respekton shqiptarin, ku besimtari respekton besimin e tjetrit dhe ku askush nuk shpallet pronar i historisë vetëm sepse bërtet më shumë se të tjerët.
Kisha mund të jetë objekt besimi.
Xhamia mund të jetë objekt besimi.
Por Zogaj është vendlindja jonë e përbashkët.
Dhe emri i vendlindjes meriton respekt.
Prandaj, nga sot, kërkesa jonë publike është fare e thjeshtë:
**SHKRUAJENI SHQIP.
THUAJENI SHQIP.
ZOGAJ!**
Sepse para se të mbrojmë fenë, partitë, ideologjitë apo interesat tona, duhet të dimë të mbrojmë gjuhën, kulturën dhe emrin e vendit tonë.
Dhe atyre që ende u duket tepër e vështirë fjala Zogaj, u mbetet vetëm një këshillë:
Më pak mikrofon.
Më shumë libër.
Mirushe Musa
Në emër të familjes Musa
Zogaj – Vushtrri



Mendoj se,
GABIMI më i madh është ai gabim, të cilin bërësi e sheh dhe e pranon se është (e ka) gabim, por NUK pranon ta përmirësojë!
Edhe një KOMENT!
E respektuara Mirushe!
1. Ngjitëm çfarë emri të duash, më thirr si të duash, ndash thirrëm edhe kënatë (gërçak), veç mos më thé!
2. Nuk na shkrove asgjë për pjesëmarrjën e fshatit – banorve në bllokimin e rrugës, kur u vu gurthemeli i kishës!?
3. Nuk na shkrove asgjë se si është thirrë zyrtarisht fshati juaj?