A po krijojmë narracion të vazhdueshëm si Kosovë për përndjekjen e të krishterëve?

Shkrime relevante

Z. Veseli, je shumë i vogël për t’ia vënë “pikën” një kishe !

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë E lexova deklaratën e z. Kushtrim...

A po krijojmë narracion të vazhdueshëm si Kosovë për përndjekjen e të krishterëve?

Femi Cakolli, Prishtinë ____ Pleqtë kanë thënë se faqen e zezë ta qet...

Ura e Mitrovicës dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO

Dr. Alma Lama, Prishtinë ____ Ura kryesore mbi lumin Ibër është simbol i...

Pozita dhe opozita duhet të jenë në lartësinë e misionit historik që kanë për Kosovën

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan Kosova po kalon një nga periudhat më...

Pse heshtë…, Naim Tërnava?!

Alberto Leka, Prishtinë NAIM TËRNAVA, PSE HESHTË? KU ËSHTË TOLERANCA FETARE...

Shpërndaj

Pleqtë kanë thënë se faqen e zezë ta qet i yti e jo i huaji. Shteti më së shumti i frikësohet përçarjeve fetare dhe konflikteve civile.
Dje në fshatin Zogaj e dikush po i thotë edhe Zagori të Vushtrrisë u pengua ceremonia e paraparë e Kishës Katolike që të vihet gurthemeli i kishës aty dhe që të pagëzoheshin disa qytetarë të kësaj ane.
Policia dhe autoritetet komunale kanë presupozue nga informacionet dhe reagimet se mund të ketë konflikt të mundshëm. Deklaratat nga dy anët fetare javëve të fundit kanë qenë acaruese.
Shteti nuk duhet të përzihet në çështjet e bashkësive fetare se jemi shtet laik. Dje apo sot në fakt ishte dashtë shteti të ofrojë rend e siguri për çdo manifestim fetar a civil që njoftohet.
Sa për gurthemel nuk kërkohet askund leje prej askujt. Sa xhami janë ndërtuar në Kosovë pa leje di kush të thotë? Nga ana tjetër cila kishë katolike dhe protestante është ndërtuar këto 27 vjetët e fundit pa leje? Kjo thotë diçka!
Qytetarët e pakënaqur kanë të drejtë në protesta. Kështu edhe katolikët s’kanë pse të nxehen shumë për protestën e sotme. Mos harroni se po nga ky popull ka pasur gati për secilën xhami kundërshtime, protesta e peticione. Prej kujt? Zakonisht qytetarë që u ka penguar xhamia. Nuk besoj se këta ishin të krishterë! Protestë pati edhe kur nisi xhamia e madhe te posta në Prishtinë.
Nga ana tjetër gati për secilën kishë po ashtu ka pasur kundërshtime e protesta e peticione. Deri këtu duket normale për një shoqëri të lirë e demokratike.
Çka mbetet për shqetësim:
1. Kur qytetari, sikur ky Murati këtu, e merr ligjin mbi vete duke thënë “pa lejën tonë nuk fillon”. Pse vjen ky dhe çifti i tij në kësi konkludimi ky është problem për vendin, ligjin e demokracinë.
2. Kur shteti bëhet i anshëm dhe nuk tregon zotësi e autoritet e garancë për liritë e secilit qytetarë.
3. Kur logjika e thirrjes në numrin e pjesëtarëve të një feje në një lokacion diku a shkallë vendi bëhet argumenti dhe arroganca përjashtuese. Në Vushtrri paska diku 60 vëllezër e motra katolike – edhe sa duhet të bahen që ta kenë vendin e adhurimit? Kush e mat këtë? Dëgjojmë këto kohë mjaft ankesa e ofendime besa nga imamë e besimtarë myslimanë në drejtim të asaj që këta e quajnë Lëvizja e Deçanit se pse po flasin keq për islam, po na shajnë, po bëjnë përçarje, po na thonë sjeni shqiptarë, shkoni në Arabi, jeni me Serbi. Po i kam dëgjue dhe nuk jam dakord. Ama edhe ju po thoni kush nuk i do xhamiat le t’ia nis Beogradit. Tjetra, ju lutem, nga viti 1992-2019 a pat mbet xhami, imam e grupe tjera islame pa na etiketue e fol shumë keq për ne si protestantë që jemi ba të krishterë por që qasja jonë ishte dhe mbetet krejt ndryshe.??? Ne u kuptojmë juve tani shumë mirë porse ju keni harrue si jeni sjellë ndaj nesh për kohë të gjatë. Normalë në fillimet as katolikët nuk janë sjellë si vëllezër. Një imam mik i imi e takova një ditë dhe me shpoti më tha “po e vërtet që ju kemi përgojue ama ju ishit kanë lulë krahasue me këta”. E tash duroni!
4. Kur dikush mendon se ligji në një fshat a komunë më të vogël nuk vlen e nuk zbatohet si është i shkruar, pra i bie se dikush po jeton me dy standarde, me dy lugë thotë populli. Kur dikush jep tokë me u ndërtue xhami po bajka, është legale, sevap kurse tjetri kur e jep për kishë qenka politike, qenka serbe, qenka djallëzore, qenka me sherr. Kur një person bëhet pesë vakteli është krenari, xhenetli dhe njeri tepër i mirë kurse kur lë islamin dhe beson Krishtin atëherë bëhet nga djalli a nga Beogradi!? Pra nuk ka problem kur Radovani bëhet mysliman por kur Musa bëhet i krishterë bëhet shumë problem. Dakord, edhe Musa kur bëhet i krishterë le të bëhet me sjellje edhe më i mirë sesa që ishte deri dje ndryshe ska kuptim ta njohësh Krishtin.
5. Te dy anët fetare, islame dhe katolike, këto vitet e fundit skanë pse ta bëjnë të madhe se kush çka beson a nuk beson, kush çka ka bërë ma shumë a ma pak. Si shqiptarë duhet ta arrijmë atë nivel kulture, identiteti e bashkëjetese që askush nuk duhet që të lëndohet a t’i mbetet hatri dikujt sa çka beson por me e ba për kori kur dikush don me e ba lajm se kush ku u konvertua e qysh e tek si po bëhet tani. Pse? Jemi familje! Jemi një gjak! Mirëpo ne nuk jemi Arabi. Lavdi Zotit për arabët ama atje është i ndaluar konvertimi dhe smund ta njohësh shpëtimin dhe hirin duke besue në Krishtin por te ne mundesh. Ky është dallimi. Ne të gjithë jemi shqiptarë dhe mbesim shqiptarë o besove, o nuk besove, o ndërrove besim etj.
6. Duke u marrë ne si shoqëri me këto tema e probleme do e dobësojmë dhe shkatërrojmë shoqërinë, shtetin dhe kombin kurse të rinjtë, ndërmarrësit, profesionistët dhe intelektualët do ikin prej këtu. Me çfarë përkatësie fetare do jenë ata që më së shumti do largohen? Myslimanë!
7. Më e fundit, këto raste, ashtu qysh edhe ne si protestantë të cilët jemi të përfshirë në 22 komuna, ama kurrë qe 40 vjet sa di unë nuk e kemi shkaktue edhe problemin më të vogël në këtë vend e popull kurse vazhdimisht nga grupe të caktuara islamiste e sidomos nga komunat kemi qenë të diskriminuar, me përjashtim të Gjakovës e Drenasit. Në krejt komunat tjera kemi ble vetë prona për kisha dhe 100 faqe të zeza na i kanë ba komunat edhe për temat tjera, por ne kemi zgjedh jo luftën por paqen, jo kundërshtimin por investim në komunitete të përbashkëta për vlera e kredibilitete. Pse? Që mos t’i kontribojmë narracionit se të krishterët e Kosovës po përndiqen. Nuk jemi serbë. Ne jemi bijtë e kësaj toke dardane dhe vetë do zgjedhim jo kundër dikujt bindjet tona fetare. Aadministrata e Trampit po e heton kudo tani në botë por edhe në Kosovë shkeljen e drejtave të të krishterëve.
Kosova ka shumë më shumë njerëz të mirë, të dashur, përkrahës dhe ata shumicë janë myslimanë. Duhet të jemi bashkë!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu