ARKIVI:
6 Mars 2026

Dita ndërkombëtare e Holokaustit dhe krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës

Shkrime relevante

Presidenti si peng i kalkulimeve

Agim Vuniqi, Vashington ______ Në prag të zgjedhjes së presidentit të ri të...

Radikalizmi islamik si luftë hibride !

Majlinda Grajçevci, Mitrovicë Shumë njerëz nuk e kuptojnë që fenomeni i radikalizmit...

Zgjedhja e Presidentit nga populli, shmang pazaret e deputetëve

Ilustrim: Vjosa Osmani, me Mark Rutten, sekretarin gjenral të NATO -s.   Idriz...

Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global

Prend Ndoja, New York ______ Shtetet e Bashkuara mbeten një nga garantët kryesorë...

Pas Vjosa Osmanit qëndron një burrë që zhgënjeu, zhgënjeu kombin që e zgjodhi atë

Aurel Desarioti Gra si Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla kanë një rol...

Shpërndaj

Nga: Frank Shkreli

27 janari, Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, nuk është vetëm një datë për hebrenjtë dhe tragjedinë unike të tyre. Është me të drejtë një kujtesë universale për atë që ka ndodhur kur urrejtja ideologjike, pushteti absolut dhe heshtja kolektive, bashkohen për krime të tilla kundër njerëzimit. Pikërisht,  për këtë arsye, kjo ditë fton edhe shoqërinë shqiptare të ballafaqohet me krimet e veta historike – veçanërisht me terrorin sistematik të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaja kundërshtarëve politikë të regjimit të tij sllavo-komunist.

Në mbarë botë e qytetëruar, Holokausti përfaqëson kulmin e së keqes shtetërore: shfarosje e planifikuar, dehumanizim, kampe përqendrimi, zhdukje fizike e morale. Regjimi i Enver Hoxhës nuk kreu Holokaust, por përdori të njëjtën logjikë totalitare: armikun e  shpikur, ndëshkimin kolektiv, burgjet politike, kampet e internimit, pushkatimet pa gjyq, shkatërrimin e elitës intelektuale dhe fetare, si dhe kontrollin absolut mbi jetën dhe mendimin e shqiptarëve.

Është absolutisht shumë me vend dhe e drejtë që sot Shqipëria dhe shqiptarët, si gjithë bota, të kujtojnë Holokaustin.  Por sim und të heshtësh për Spaçin, Burrelin, Tepelenën, Qafë-Barin apo për mijëra familje të internuara, për mendimin tim, kjo është një hipokrizi politike dhe morale, pore dhe mbarë kombëtare. Nuk ka hierarki të vuajtjes, por ka detyrim ndaj së Vërtetës. Ashtu siç bota thotë sot “Kurrë më” për Holokaustin, edhe Shqipëria, Kosova dhe të gjithë shqiptarët duhet ta thonë qartë “Kurrë më” për komunizmin, se nazizmi dhe komunizmi kishin shumë gjëra të përbashkëta. Në këtë pikëpamje, Shqipëria dhe shumica e shqiptarëve janë unik sa I përket të kaluarës komuniste në trojet shqiptare.

Problemi është se në Shqipëri, ndryshe nga Gjermania pas nazizmit, dhe ndryshe nga shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Qendërore e Lindore pas shembjes së Murit të Berlinit, krimet e komunizmit nuk u dënuan kurrë zyrtarisht as seriozisht. Përkundrazi, në Shqipëri e deri diku edhe enë Kosovë, ende sot shihen përpjekje për rehabilitim të Enver Hoxhës, nostalgji publike, relativizim i krimeve dhe heshtje institucionale. Kjo heshtje është një formë bashkëfajësie morale.

Sot kujtimi i Ditës së Holokaustit, jo vetëm për hebrenjtë, na mëson se harresa është gjithmonë aleate e krimit. Dhe kujtesa, nga ana tjetër, nuk është hakmarrje, por drejtësi. Siç kam theksuar shpesh kur kam folur për këtë subjekt tepër të pakëndshëm, por shumë i nevojshëm për tu diskutuar — se pa njohur dhe dënuar krimet e regjimit komunist, Shqipëria mbetet peng i së kaluarës së vet. Për fat të keq, arsyeja se status-kuoja e zhvillimeve politike në vend sot 35-vjet tranzicion, provon këtë fakt – Shqipëria mbetet peng i së kaluarës komuniste përderisa nuk përballet me të vërtetën e krimeve të së kaluarës së saj komuniste.  Demokracia nuk ndërtohet mbi mite, por mbi të Vërtetën hkistorike – sado e dhimbshme të jetë ajo, për të gjithë. Por heshtja nuk është zgjidhje!

Të kujtojmë Holokaustin do të thotë edhe të refuzojmë çdo formë totalitarizmi, autoritarizmi dhe krimet e tyre kundër njerëzimit, sot dhe në të kaluarën, përfshirë rastin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta në Ballkanin Perëndimor. Të cilët për një gjysëm shekulli kanë pësuar pasojat kriminale anti-njerzore të një ideologjie krejtësisht e huaj dhe anti-shqiptare në thelb, e që për dekada shkatërroi jetët e shqiptarëve dhe të familjeve të tyre, në emër të një ideologjie çnjerëzore sllavo-aziatike. Kujtesa sot në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit është detyrim moral. Ndërsa heshtja është mohim i historisë.

Por heshtja nuk është neutrale. Ajo është zgjedhje personale dhe politikë zyrtare shtetërore. Dhe kur bëhet fjalë për historinë, heshtja shndërrohet në mohim. Jo thjesht në harresë rastësore, por në një akt të qëllimshëm për të fshirë role, figura dhe kontribute që nuk i përshtaten narrativës zyrtare të radhës.  Kujtimi i Holokaustit sot duhej të na kujtonte dhe të na mësonte – të pakën nga historitë e popujve të tjerë, në rend të parë hebrenjve — se Historia nuk deformohet vetëm me gënjeshtra të hapura; ajo deformohet edhe me atë që lihet pa u thënë. Me arkiva që nuk hapen, me emra që nuk përmenden, me përvjetorë që kalojnë pa zë. Kjo heshtje prodhon një kujtesë të rreme kolektive dhe edukon breza të tërë me një të kaluar të amputuar.

Sidomos në hapësirën shqiptare, heshtja institucionale ndaj figurave të caktuara historike ka qenë po aq e dëmshme sa propaganda e dikurshme komuniste. Kur shteti, akademia apo media zgjedhin të mos flasin, ata nuk po tregohen të kujdesshëm, por marrin anë — anën e të keqës – anën e gabuar të historisë.  Po legjitimojnë një version të cunguar të historisë dhe po vazhdojnë një padrejtësi morale e intelektuale ndaj Kombit shqiptar.

Prandaj, po të jemi serioz për tu përballur me krimet barbare anti-njerëzore të nazizmit dhe komunizmit, Dita e Holokaustit sot, na detyron të thyejmë heshtjen. Kjo është detyrë qytetare! Është një kërkesë për të Vërtetën, për dinjitetin e kujtesës dhe për një histori që nuk i shërben pushtetit, por faktit. Sepse një shoqëri që pranon heshtjen si normë, pranon edhe mohimin e vetvetes. Për fat të keq një pjesë e establishmentit politik, akademik e mediatik – mbeturina të nomenklaturës së vjetër komuniste — sidomos, në Shqipëri, ende e sheh njohjen zyrtare të fakteve historike të krimeve të regjimit komunist si rrezik politik dhe ekonomik për ta. Kam drojë se përderisa kjo elitë administrative – njësoj si në kohën e komunizmit edhe sot në pseudo-demokracinë shqiptare – drejton qeverinë, shtetin, ekonominë dhe kulturën – nuk mund të pritet ndonjë ndryshim i madh prej tyre as sot në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit. Besnikëria e tyre ishte dhe mbetet diku tjerë dhe jo ndaj të Vërtetës historike dhe përballimit me krimet e sistemeve totalitare të së kaluarës.

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Me këtë shkrim ngrihet një thirrje e fortë morale dhe qytetare, që shkon përtej përkujtimit formal të Holokaustit dhe e shndërron 27 janarin në një pasqyrë të ndërgjegjes shqiptare. Autori e trajton me guxim dhe qartësi nevojën për ta parë kujtesën historike jo si selektive, por si detyrim të plotë ndaj së vërtetës. Krahasimi mes logjikës totalitare të nazizmit dhe komunizmit nuk synon barazimin e tragjedive, por nxjerr në pah mekanizmat e përbashkët të së keqes shtetërore: dehumanizimin, frikën, heshtjen dhe dhunën sistematike.

    Shkrimi është një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj hipokrizisë morale dhe institucionale, që përkujton krimet e të tjerëve ndërsa relativizon ose hesht për krimet e veta. Veçanërisht e goditur është ideja se heshtja nuk është neutrale, por një formë bashkëfajësie dhe vazhdim i padrejtësisë historike. Mesazhi “Kurrë më” merr kuptim të plotë vetëm kur zbatohet në mënyrë universale, pa përjashtime ideologjike apo politike.

    Ky tekst fton për reflektim të thellë, për hapje arkivash, për ballafaqim të ndershëm me të kaluarën dhe për çlirimin e shoqërisë nga mitet dhe nostalgjitë e rreme. Ai na kujton se demokracia nuk mund të ndërtohet mbi harresë të qëllimshme, por vetëm mbi njohjen dhe dënimin e krimeve, sado e dhimbshme të jetë e vërteta. Në këtë kuptim, shkrimi është një kontribut i vlefshëm në debatin publik dhe një apel i domosdoshëm për dinjitetin e kujtesës kombëtare.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu