
MSc. Adem Lushaj, Deçan
PISA – Politikanët Idiotë Shkatërruan Arsimin?!
(Një pyetje e nxitur nga mllefi për gjendjen e arsimit)
Rezultatet e PISA-s nuk duhet të shihen vetëm si dështim i nxënësit. Ato janë një pasqyrë e një zinxhiri të tërë arsimor, i cili fillon me politikën që harton sistemin, vazhdon me institucionet që e zbatojnë atë, me universitetet që përgatisin mësimdhënësit dhe përfundon te mësuesi që formon nxënësin. Pastaj i njëjti nxënës bëhet student dhe rikthehet përsëri në universitet. Kështu, dobësitë e një hallke mund të përsëriten në hallkën tjetër.
Prandaj, pyetja “A e shkatërruan politikanët arsimin?” mund të tingëllojë e ashpër, madje edhe e padrejtë ndaj individëve të shumtë që punojnë me përkushtim në arsim. Por, ajo shpreh një shqetësim real: sa ka qenë politika e interesuar për ndërtimin e një sistemi arsimor cilësor dhe sa e ka përdorur arsimin për interesa të ditës?
Arsimi nuk mund të ndërtohet me ndryshime të shpeshta të politikave, reforma që nisin nga e para sa herë ndërrohet pushteti, tekste e programe që ndryshojnë pa një vlerësim të mirëfilltë dhe me vendimmarrje ku profesionalizmi shpesh mbetet prapa interesit politik. Por nuk do të ishte e drejtë që e gjithë përgjegjësia të hidhej vetëm mbi politikën.
Edhe universitetet kanë përgjegjësi të madhe. Nëse një pjesë e mësimdhënësve nuk përgatitet sa duhet gjatë studimeve, nëse standardet akademike nuk janë të njëjta dhe nëse diploma bëhet më e rëndësishme se dija, atëherë problemi nuk fillon në klasën e shkollës fillore. Ai ka filluar shumë më herët.
Edhe mësimdhënësi ka përgjegjësi. Ai duhet të jetë profesionist, i përgatitur dhe i motivuar, por njëkohësisht edhe i vlerësuar dhe i mbështetur nga sistemi. Nuk mund të kërkojmë mësimdhënie cilësore duke e lënë mësuesin vetëm përballë problemeve të shumta sociale, administrative dhe profesionale.
Sistemi i vlerësimit duhet të ndryshojë. Nuk mjafton të kontrollojmë nëse është mbajtur ora mësimore apo është plotësuar dokumentacioni. Duhet të dimë se çfarë po mëson nxënësi, çfarë aftësish po fiton dhe sa po përgatitet për jetën, universitetin dhe tregun e punës. PISA, në këtë kuptim, nuk duhet të përdoret vetëm për të fajësuar nxënësit apo mësimdhënësit. Ajo duhet të shërbejë si alarm për të gjithë sistemin.
Nëse nuk ndërhyjmë në këtë zinxhir, dobësia do të riprodhohet nga një gjeneratë në tjetrën. Nuk mund të kërkojmë rezultate të reja duke vazhduar të prodhojmë të njëjtin sistem.
Çfarë kërkon një reformë serioze?
- Politikë arsimore profesionale dhe afatgjatë, e mbrojtur nga interesat e ditës dhe nga ndryshimet politike.
- Mësimdhënës të përgatitur, të respektuar dhe të motivuar, por edhe të përgjegjshëm dhe të vlerësuar mbi bazën e punës së tyre.
- Universitete me standarde reale akademike, të njëjta dhe të zbatueshme si për institucionet publike, ashtu edhe për ato private.
- Forcim të shkencës, kërkimit dhe profileve deficitare, të cilat duhet të trajtohen si interes strategjik i shtetit.
- Sistem të fuqishëm të sigurimit të cilësisë dhe llogaridhënies, nga arsimi fillor deri te doktoratura.
- Vlerësim të vazhdueshëm të rezultateve, jo vetëm përmes statistikave, por përmes asaj se çfarë di dhe çfarë është në gjendje të bëjë nxënësi.
- Lidhje më të fortë ndërmjet arsimit dhe ekonomisë, në mënyrë që shkolla dhe universiteti të mos prodhojnë vetëm diploma, por dije dhe kompetenca të nevojshme për vendin.
Në fund, PISA nuk duhet të jetë një garë për të gjetur fajtorin. Duhet të jetë një mundësi për të gjetur arsyen e problemit dhe rrugën e daljes prej tij. Nëse politika vazhdon ta trajtojë arsimin si sektor të zakonshëm administrativ, rezultatet do të vazhdojnë të na zhgënjejnë. Nëse universitetet nuk vendosin standarde të forta, dobësia do të bartet te mësimdhënësi. Nëse mësimdhënësi nuk mbështetet dhe nuk kërkohet llogari prej tij, nxënësi do të jetë hallka e fundit që do ta paguajë çmimin.
Prandaj, ndoshta pyetja më e drejtë nuk është vetëm: “A e shkatërruan politikanët arsimin?!”


