ARKIVI:
7 Mars 2026

Kroni i Zanës

Shkrime relevante

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë

(7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 7 Marsi është një...

Arsyetimi, manipulimi, kontrolli i pushtetarëve

Nga: Aurel Dasareti Gënjeshtra kur një person me pushtet e arsyeton vetveten...

Padia në Gjykatën e Strasburgut, do të konstaton diskriminimin në pasivizimin e adresave në Luginën e Preshevës

Në foto: Gjykata e Strasburgut për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore   Nga:...

Cili është ujku të cilin nuk po e njohim?

Fahri Xharra, Gjakovë Asnjë popull tjetër i botës në të cilën ne...

Shpërndaj

KRONI I ZANËS
Shpirti Shenjtë
Në agun e parë të ditës, kur drita zbret ngadalë nga qielli dhe mali ende mbart frymën e natës, bjeshka e Kaliqanit të Nikës zgjohet si një lutje e lashtë. Gjethet dridhen lehtë, sikur kujtojnë diçka të shenjtë; gurët qëndrojnë të palëvizur si rojtarë të kohës; ndërsa nga thellësia e shkëmbit, mes ferrave, në një qoshe të harruar pranë livadhit të Gjogës, afër Tepave, del një pikë uji i freskët që rrjedh si kujtesë e gjallë. Ky është Kroni i Zanës, burim i ftohtë, i kthjellët dhe i lashtë, po aq sa vetë historia e këtij fshati dhe e kësaj bjeshke.
Barinjtë e moçëm, që flisnin pak dhe dëgjonin shumë, rrëfenin si në përrallë se herë pas here kishin parë Zanën e Malit duke zbritur në heshtje, të përkulur mbi ujë e duke pirë prej tij. Ajo shfaqej në agim ose në muzg, kur dita dhe nata ndërroheshin si besime në zemrat e njerëzve. Flokët i kishte si mjegulla e mëngjesit, sytë si thellësia e burimit, dhe hapat e saj nuk linin gjurmë mbi bar. Askush nuk guxonte t’i fliste, sepse disa gjëra ruhen vetëm me zemër. Thuhej se kur Zana pinte ujë, mali ndalej për një çast: era pushonte, bagëtia qetësohej dhe zemrat e njerëzve forcoheshin pa e ditur pse. Që atëherë ai vend u quajt Kroni i Zanës, sepse aty nuk buronte vetëm uji, por edhe shpirti i bjeshkës dhe kujtesa e njerëzve që e deshën tokën dhe nuk e tradhtuan.
Kaliqani dikur ishte tokë këmbanash. Zëri i tyre zgjonte mëngjeset dhe mbyllte mbrëmjet. Njerëzit jetonin me besim, por mbi të gjitha me identitet: me gjuhë, zakone dhe tokën nën këmbë. Këmbanat dëgjoheshin nga fshati në bjeshkë, nga bjeshka në qiell dhe nga qielli në shpirt. Pastaj erdhën kohë të rënda. Me ardhjen e Perandorisë Osmane, fshati u detyrua të përkulet, jo nga dëshira, por nga dhimbja; jo nga bindja, por nga mbijetesa. Emrat u ndryshuan, ritet u ndërruan, kishat u shëmbën, krojet u harruan, livadhet lotuan, por zemra shqiptare mbeti e plagosur, jo e thyer.
Atëherë Zana u bë më e pranishme, jo për sy, por për shpirt. Dikush thoshte se ushtria pushtuese osmane kishte frikë nga Zanat e Malit. Burrat, që ditën mbanin heshtjen, natën vinin te Kroni i Zanës, pinin ujë dhe i luteshin kujtesës të mos i linte. Gratë lanin fytyrat e fëmijëve aty, që të rriteshin me rrënjë, edhe kur era e historisë frynte kundër. Askush nuk e thoshte me zë, por të gjithë e ndienin se uji i atij burimi mbante diçka më shumë se freski: mbante qëndresë. Nën lugun e drurit te Kroni i Zanës ruheshin kryqet e vjetër, sepse antikrishti frikësohej nga kroni si macja prej ujit.
Shekujt kaluan, pushtuesit u ndërruan, kohët u rrotulluan, por Kroni i Zanës vazhdoi të rridhte njësoj. Ai pa lot, pa lutje të fshehta, pa shpresa të heshtura. Uji i tij freskonte trupin, ushqente burra e gra, fëmijë e pleq, bagëti, por mbi të gjitha ruante kujtesën. Ai u bë dëshmitar se asnjë pushtet nuk mund ta ndalë atë që buron nga thellësia e së vërtetës.
Për të dëshmuar magjinë e Kronit të Zanës në fshatin Kaliqan, gjatë luftës së fundit aty pranë u strehuan shumë familje, dhe shumë prej tyre shpëtuan, sepse armiku aty nuk kaloi.
Dhe kështu, kur ne fëmijë na thoshin të kishim kujdes nga Zanat e Malit, sepse bukuria e tyre mund të verbonte, ata nuk flisnin për frikë, por për mësim. Bukuria e botës mund të të mahnitë, por nuk mund ta shpëtojë shpirtin. Vetëm drita që vjen nga besimi dhe zemra që mbetet e pastër mund ta udhëheqë njeriun drejt së mirës.
Zana ruante malin, por Zoti ruante njeriun. Kryqi, i fshehur ndonjëherë, ishte gjithmonë aty, në zemër, duke e mbajtur gjallë shpresën dhe dashurinë që nuk mund të thyhej. Kur ecim sot në ato shtigje dhe ndalemi te Kroni i Zanës, nuk kërkojmë më shfaqje, por kuptim. Nuk presim të mahnitemi nga bukuria e tokës, por ndiejmë forcën e besimit dhe dritën e Zotit që udhëheq çdo hap.
Kështu, Kroni i Zanës mbetet më shumë se një burim uji. Ai është fillimi i kujtesës, rrugë e shpirtit, dëshmi e një historie që shkon nga miti te e vërteta, nga frika te besimi, nga toka te Qielli. Dhe për sa kohë që ne e mbajmë këtë rrëfim në zemër, ecim përpara pa frikë, me zemër të fortë, me shpirt të krishterë dhe me shpresë që nuk vdes kurrë.
Sepse historia jonë nuk mbaron në mal. Ajo ngjitet drejt Qiellit, drejt Kryqit, drejt Zotit. Dhe për sa kohë që rrjedh Kroni i Zanës, asgjë e shenjtë nuk humbet, sepse ne jemi ende këtu: të gjallë, të qëndresës, të Krishtit.
Më 4 shkurt 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu