ARKIVI:
24 Prill 2026

Intervistë e TV Nju Tub “Radar” me Kolonel Dilaver Goxhajn

Shkrime relevante

U nda nga jeta Akademik Rexhep Qosja

Frank Shkreli  Një figurë e madhe e kulturës shqiptare dhe zëri që...

Ti vdiqe kur ia ktheve fjalën Gramenos, Bogdanit, Fishtës, Idriz Seferit, Ibrahim Rugovës dhe the se “Turkun e kemi vëlla dhe Islamin fe”

Nga: Blerim Nika  Dhimbja dhe zhgënjimi Lamtumirë, malesor që frymëzove breza dhe mbajte...

Ndoc Bushgjoka me “Dy fjalë për rahmetliun Qose”

Ndoc Bushgjoka, Tropojë-Tiranë ____ Dha shpirt e u gropos ala minut, ashtu si...

Së shpejti vije filmi Dokumentar i regjisorit Mentor Haziri rreth “Masakrës së Tivarit”

Mentor Haziri, regjisor ____ Dje, ishim te nderuem qe kishim personalitetin e madh...

Shpërndaj

I N T E R V I S TË

Në TV Nju Tub “Radar”  me gazetarin Marjo Merhori

Për Luftimin në Koshare
Datë 15 prill 2026

PYETJE: Z.Dilaver Goxhaj. Si e kujtoni momentin kur u mor vendimi strategjik për të hapur frontin e Koshares? Çfarë peshe kishte ai vendim në atë kohë?

Përgjigje: Fillimisht, kërkesa për hapjen e ftontit për të sulmuar prej Koshare ka qenë e një grupi oficerash të  FARK-ut, të shkolluar nëpër akademitë ushtarake në ish- jugosllavi.

Kjo kërkesë e tyre, për të sulmuar prej Koshares, u miratua edhe nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme e Kosovës, por veçanërisht nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Këtë e ka theksuar edhe vetë ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK, koloneli Bislim Zyrapi: “Kosharja apo hyrja në atë drejtim, kanë qenë nën urdhërin tim si ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe askush tjetër nuk ka dhënë leje, e as urdhër që të veprohet. Urdhërin drejtpërdrejt prej meje e ka marrë Rrustem Berisha, Komandanti i Br.138. Tash, shumë njerëz dhe politikanë të ndryshëm thonë, kinse se komanda ka qenë e kësaj apo asaj partie politike, të ish-ministrisë së Bukoshtit etj.” (shih Muhamet Çeta, i titulluar “Me UÇK-në në Koshare”, v.1,f.131-132).
Madje, drejtimin për të sulmuar në rajonin e fshatit Koshare e patën zgjedhur po oficerat e kësaj Brigade. Kjo nismë, si dhe vendimi i atyre oficerave organizatorë u mirëprit  nga SHP, nga që UÇK-ja kishte shumë nevojë për armë, municione dhe materiale të tjera logjistike për luftën, si dhe për popullsinë që ishte shpërngulur me dhunë nga forcat Serbe dhe normalisht që  UÇK-ja I mori në mbrojtje në rajonet ku vepronin forcat e saj.

Shtabi i Përgjithshëm e miratoi edhe drejtimin e sulmit që ata oficerë e propozuan: prej fshatit Koshare drejt lumit Erenik, me thellësi 5-6 kilomertër.

Këta ishin gjithsej 20-22 oficerë, të cilët kanë qenë të angazhuar edhe në vitin 1998, prej 22 qershorit deri më 8 shtator 1998, në Zonën e Dukagjinit dhe, kur ata u vetëlarguan nga lufta, për mos të thënë: dezertuan, sepse të gjitha armët që kishin ia dorëzuan  Policisë Serbe dhe jo komandës së Zonës së Tretë Operative të komanduar prej Ramush Haradinajt, duke u kthyer në Shqipëri, së bashku me një pjesë të efektivave të Br.131 dhe Br.134 të Zonës së Dukagjinit. Thuajse të gjithë ata, oficera dhe ushtarë, janë me vendlindje prej asaj zone të Kosovës.

Ata e justifikojnë atë dezertim, duke thënë se  Kosova nuk mund të çlirohej nga vetë populli i armatosur, por vetëm duke sulmuar nga jashtë, gjë që e ka shprehur vetë Komandantim i  Br.138, z.Rrustem Berrisha, në simpoziumin e organizuar po prej tij, në Gjakovë, më 9 prill 2000, por që ata e quajnë “Grupi i Tretë Operativ”.(shih librin e z.Muhamet Çeta, i titulluar “Me UÇK-në në Koshare”).

Këtë  lloj strategjie, për çlirimin e Kosovës vetëm duke sulmuar nga Shqipëria, domethënë nga jashtë, e pohon edhe  z.Anton Çuni në intervistën e tij të dhënë në TV Dukagjini, më 2 maj  2019.

PYETJESa i vështirë ishte planifikimi ushtarak për thyerjen e kufirit Kosovë–Shqipëri, që konsiderohej pothuajse i pakalueshëm?

Përgjigje: Planizimin e kryerjes të atij sulmi prej Koshares e ka hartuar ish-Shefi i Shtabit i asaj Br.138, Agim Ramadani, si dhe e organizoi po Ai vetë së bashku me Sali Çekajn. Për ata oficerë nuk ka pas aspak vështirësi hartimi i atij sulmi, por kurrën e kurrës nuk mund të quhet BETEJË, se me 256 forcat, që ata kishin përgatitur për atë sulm, nuk përbën as edhe një batalion, si rrjedhojë zhvillohet luftim dhe jo betejë. Betejë zhvillojnë Divizionet dhe Korpustet që kanë nga 15 -30 mijë forca.

Së dyti, planizimi i atij sulmi ishte shumë i lehtë për ata, edhe për faktin se atë terren ata oficerë kishin 5-6 muaj që e hetonin dhe e vëzhgonin nga afër, gjë të cilën na e pohon edhe  z. Anton Çuni, po në atë intervistën e datës  2 Maj 2019, ku ka thënë: “Kemi bërë 23 kalime kufitare për të përcaktuar vendin ku dhe si të kalonim…U zgjodh Kosharja për të krijuar epërsi dominuese për të minimizuar të gjitha avantazhet që kishin forcat serbe.”

Përmes atij studimi kaq të hollësishëm patjetër që ata duhet t’i kenë parashikuar të gjitha kundërveprimet e mundshme të 300 forcave kufitare serbe. Si rrjedhojë, ai sulm nuk kish për të zgjatur më shumë se 2-3 ditë, dhe jo 65 ditë sa ata e zgjatën, edhe pse u perforcuan duke pasur gati 2600 forca.

Por, me sa kuptohet, ata e dinin prej  ditës së 18 Marsit 1999, kur u deklarua se do të angazhohej me Aviacion edhe NATO-ja në krah të UÇK-së, ngaqë Serbia nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë. Prandaj, edhe pse e kishin planizuar atë sulm disa muaj më herët, pritën angazhimin e NATO-s. Kjo deklaratë e NATO-s i trimëroi këta zotërinj oficerë, me bindjen se Serbia kish për t’u tërhequr porsa të sulmonin këta. Prandaj dhe nuk u konsultuan aspak me ne, Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

Meqenëse në pyetjen tuaj ju përdorni shprehjen e këtyre oficerëve, duke thënë: “Planifikimi ushtarak për thyerjen e kufirit Kosovë–Shqipëri, që konsiderohej pothuajse i pakalueshëm”, më del detyrë t’iu kujtoj se sulmi i miratuar nga ne, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ishte jo për thyrje të kufirit shtetëror të Shqipërisë me Kosovën, pasi atë kufi e patën thyer deri atëhere, qindra herë  furnizuesit me municione, duke filluar me 52 “komandosët e parë të Kosovës” që u stërviten nga ushtria e Shqipërisë – të prirë nga Sali Çekaj, në fund të vitit vitin 1991, dhe grupi i dytë prej 84 vetë në fillim të vitit 1992, të prirë nga Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti, kur mbaruan stervitjern; POR DETYRA ISHTE PËR  HAPJE TË NJË KORIDORI PËR FURNIZIME NGA SHQIPËRIA.
Ngaqë Serbia e konstatoi kalimin e kufirit të këtyre dy grupeve të mëdha të përgatitur në Shqipëri, madje edhe të armatiosur, prandaj dhe Serbia prej atëhere vendosi batalione kufitare, për të mbrojtur këtë kufi, që të mos hynin në Kosovë forca, armatimE e municione nga Shqipëria.
Njëkohësisht, kjo shprehje “Thyerje e Kufirit”, të cilën ju e citoni, të marë nga intervistat e këtyre oficerave, nuk ka sens, pasi në kohë lufte  nuk ka më kufij, aq më shumë kur lufton gjysma e kombit.

PYETJE: Cili ishte objektivi kryesor ushtarak i operacionit në ditët e para të betejës?

Përgjigje: Faleminderit shumë që po ma bëni këtë pyetje. Që të jemi të qartë edhe për dëgjuesit, në këtë sulm të Br.138, nuk kemi të bëjmë me operacion. Opercion zhvillojnë divizionet dhe korpuste, dhe jo brigadat.
Së dyti, i gjithë ai luftim, që ju u shprehët “Operacion”, sikundër u shpjegova në pyetjen e mëparshme, ishte parashikuar që të zgjaste maksimumi 2-3 ditë. Si rrjedhojë ai sulm kishte vetëm një objektiv, hapjen e korridorit për furnizime nga Shqipëria, dhe jo sikundër shprehet ish-Komandanti i Br.138, z.Rrustem Berisha: ‘”Unë e miratova Planin operativ për heqjen me luftë të kufirit të hartuar nga shtabi i Grupit të Tretë Operativ nën udhëheqjen e Agim Ramadanit, plan të cilin e miratova unë. “, në intervistën dhenë Muhamet Çetës, botuar te libri “Me UÇK në Koshare”. Dhe këtë të pavërtetë, se gjoja ai “Operacion” qënkish vetëm  për heqje të kufirit shtetëror, e përforcon edhe ish komandanti I batalionit të Parë të asaj Brigade, gjenerali Hysen Berisha, kur thotë: “Hapja e korridorit të furnizimit nuk ka qenë objektiv i forcave që luftuan në Koshare.”, thënë në emisionin “debat plus” në TV Dukagjini më 16 prill 2019.

Por faktikisht Ai objektiv, hapja e korridorit për furnizime, nuk u realizua kurrë, gjë të cilën na e vërteton edhe ish-pjestari i atyre forcave që luftuan në Koshare, gazetari  Milaim Zeka, e thënë publikisht në intervistën e tij, dhënë TV Dukagjini, më 18 prill 2019: “Korridori nuk u hap se këta komandantë që lëvdohen sot për “Betejën e Kosharës” nuk i lejonin të sulmonin këta djem… Duhet me dijtë se ushtarët qajshin pse nuk i lejojshin të përparonin këta komandantët që sot e glorifikojnë Betejën e Koshares.”
Pra, u zgjodh ai drejtim për sulm prej Koshares, ngaqë ishte drejtim jo vetëm nga lart-poshtë, (shumë i favorshëm për forcat tona dhe i pafavorshëm për armikun), por ishte edhe shumë i shkurtër, vetëm 6 kilometër i gjatë, sa është detyra e afërt e një Brigade, të cilin do ta kryenin në bashkëveprim me forcat e Zonës së Tretë Operative të Dukagjinit.

Me këtë rast, më lejoni t’iu kujtoj se Ramush Haradinaj më pat marrë disa herë mua personalisht në telefon, duke më thënë: t’i nxisnim ne, Shtabi i Përgjithshëm, këta oficerë, që ta fillonin sa më shpejt sulmin dhe të mos e vononin atë, pasi na nevoiteshin municione. Madje, në një nga këto telefonata Ramushi më tha i nervozuar prej asaj vonese të tyre: “I thuaj Rrustem Berishës ta filloi sa më shpejt sulmin, ndryshe do dërgoj ta vrasin, se vonesa e tyre përbën tradhëti.”

 Dhe, çuditërisht,  po ky Ramush Hardinaj, më 9 prillin e këtij viti, 2026, e quajti  këtë sulm të pasuksesshëm si: “Lufta jonë çlirimtare kishte disa momente vendimtare, prej të cilave edhe beteja në Koshare. Thyerja e kufirit Kosovë – Shqipëri! Fitorja në Koshare nuk ishte vetëm fitore morale, ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona lufte në brendësi të vendit.”  Kur e dëgjova, nuk doja ta besoja se fliste Ramushi.

Ndërkohë që ai korridor nuk u hap as pasi kish mbaruar lufta në Kosovë, dhe që i nderuari Ramush Haradinaj, çuditërisht, na e paska harruar!

Madje këta që i lavderon sot Ramush Haradinaj, nuk zbritën nga Kosharja deri në datën 19 qershor, edhe pse kishte 10 ditë që Serbia e pat nënshkruar kapitullimin, edhe pse e dinin, dhe zbritën prej Koshares vetëm kur shkuan forcat e KFOR-it dhe i njoftuan se  në Kosovë nuk kishte më ushtarë serbë, dhe Ramush Haradinaj na thotë se: “Br.138 hapi korridorin e furnizimit.” Kjo është për të bërtitur: O tempora, o mores!

PYETJE: Sa ndikoi bashkëpunimi me ushtrinë shqiptare dhe mbështetja ajrore e nato-s në suksesin e kësaj beteje?

Përgjigje: Bashkpunimi me ushtrinë  e Republikës së Shqipërisë ishte jetike për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe veçanërisht për forcat që sulmuan në Koshare. Ato forca u përgatitën në Shqipëri, nga oficerat e Divizionit të Kuksit dhe Shkolla e Bashkuar e Oficereve në Tirane, si dhe nga Batalioni i Sigurimit i Ministrise së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë. Por, më lejoni ta përsëris, se ato forca që sulmuan në 9 prill 1999, ishin vetëm 256 vetë, ndërkohë që  ne Shtabi i Përgjithshëm i UÇK dhe Qeveria e Përkohshme e Kosovës, e kryesuar nga Hashim Thaçi, i furnizuam me mbi 2.000 forca të tjera, prej vullnetarëve shqiptarë që erdhën nga trojet shqiptare në Ballkan dhe nga emigracioni në Evropë, në Amerikë dhe Kanada, të cilët i strehoi, i ushqeu, i stërviti, i armatosi Ushtra e Shtetit Shqiptar, duke krijuar disa fusha dhe poligone stervitjeje: Në fshatin Feken në Malin me Gropa, në qytetin e Burrelit, në Krumë si dhe në Helshan.

Madje, meqenëse u angazhua NATO-ja me aviacion, sot ka gati tri dekada që shtrohet pyetja: “Kush e çliroi Kosovën?”, e cila vijon të jetë një temë mbarë kombëtare e mediave shqiptare, por edhe e atyre të huaja.

Që të jemi sa më të qartë në këtë diskutim, sa profesional aq dhe historik e politik, saktësoj se: Faktori kryesor për çlirimin e Kosovës është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila, pas nënshkrimit prej Delegacionit Kosovar të Marrëveshjes në Rambuje, ku pranuan çarmatosjen e UÇK-së, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK, në datën 20 mars 1999, kur Ushtria Serbe kaloi në Mësymje të Përgjithshme me 148 mijë forca të blinduara e të motorizuara, vendosëm që jo vetëm të mos dorëzoheshim, por ta çlirojmë vetë Kosovën, edhe nëse nuk do mbështeteshim nga NATO. Dhe për këtë kaluam në strategjinë e luftës Gueile (Partizane), duke kaluar në një ushtri tipike guerile e oganizuar, me një komandë unike.

Nga fakti që UÇK-ja kaloi në strategjinë e luftës partizane, apologjetët intelektualë tanë, me demek “patriotë”, na dalin me teorinë, se “Kosovën as e çliroi dhe as kishte mundësi ta çlironte UÇK-ja”. Duke ia atribuar çlirimin vetëm aviacionit të NATO-s.

Edhe pse këta “patrotë” e “teoricienë” janë profanë në fushën e Artit Ushtarak, aq dhe dashakeqë ndaj UÇK-së, nuk mund ta kuptojnë, edhe sikur të duan, se pse UÇK-ja gjeti strehë në strategjitë e luftës partizane, që do të thotë: Luftime të shumta e të shpeshta me forca të vogla, e cila quhet ndryshe: Strategji e Vogël, që është shumë më e tmerrshme se Strategjia e Madhe me Luftime Mbrojtëse, qofshin ato edhe formacioneve me Brigada e Divizione, gjë që ishte e pamundur për Ushtrinë tonë Çlirimtare të Kosovës. Strategjija e luftës partizane është një lloj beteje pa anë e pa fund. quhet “betejë pa anë e pa fund”, sepse luftimet zhvilloheshin në të gjithë hapësirën e Kosovës: nëpër pyjet, kodrat, malet, grykat, rrugët, fshatrat, depot e armikut, etj., kudo ku stacionohej e lëvizte armiku.

Këto lloj luftime, edhe pse nuk ishin luftime të zgjatura e tepër serioze, ato e shkurajuan moralisht Ushtrinë Serbe, ndërkohë që sulmet e vazhdueshme të forcave tona e çuan shumë lart moralin e UÇK-së si dhe besimin e saj në popull. “Morali i trupave në luftë– thuhet në literaturën ushtarake – është një lidhje e papërcaktuar dhe misterioze që mban të gjallë, në të gjithë ushtrinë, të njëjtën gjendje të vetme shpirtërore.”

Këtë moral të lartë dhe këtë lloj strategjie të luftës partizane të UÇK-së e pohon edhe vetë gjenerali serb Bozhidar Deliç, (ish-komandant i Br.549 e motorizuar, e bazuar në Prizren), i cili, në Gjyqin që i bëhej Millosheviçit në Hagë, pranoi: “Mënyra e luftimit të UÇK-së ishte duke iu shmangur çdo lloj luftimi të drejtpërdrejtë. Ata përdonin taktikën: godit dhe ik”.(Božidar Delić, July 5th, 2005, Milošević).

Kjo metodë e aplikuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e mposhti moralisht dhe e lodhi Ushtrinë Serbe jo me beteja, por me atë Strategjinë e Vogël, me luftime të vogla e të shumta, që do të thotë: Jo ndeshje direkte ushtri me ushtri me sulme dhe mbrojtje ballore stacionare, por në mënyrë të tërthortë, me luftime të befasishme, që ndryshe quhet: me luftime guerile. Vetëm me luftime të shumta e të befasishme, me formacione të vogla e të shpeshta i hiqet armikut liria e veprimit.

Me një fjalë, lufta e UÇK-së ishte një betejë pa anë e pa fund.

Është e VËRTETË e pamohueshme edhe fakti se, aviacioni i NATO-s na ndihmoi jashtëzakonisht shumë për çlirimin aq shpejt të Kosovës, por kurrësesi nuk mund të thuhet se “Kosovën e çliroi aviacioni i NATO-.s”
Këtë e kundërshton edhe vetë Komandanti i Përgjithshëm i forcave të NATO-s, i cili drejtoi luftën e parë në historinë e NATO-s, Gjenerali me katër yje, Uesli Klark, i cili, në kujtimet e tij për atë luftë që u bë me aviacion kundër Serbisë dhe forcave serbe në Kosovë, e thekson në bisedat që ai bënte shpesh me Gjeneral Edvin H.Burba (trajnuesin e Komandes së Ushtrise Amerikane për Beteja), si dhe me Ruper Smith (gjeneral-leitnant në Ushtinë Britanike dhe zv.Komandat Suprem i NATO-s), si dhe me Dieter Stockmann(gjeneral i Ushtrisë Gjermane, Shefi i Shtabi i forcave të NATO-s), ku midis të tjerave thekson:
“Përderisa mbrëmjeve qëndroja ulur me mikun tim të vjetër, me mentorin Ed Burba, dhe pasqyronim progresin tonë gjat takimve tona çdo pasdite  me Rupert Smithin dhe me Dieter Stockmannin, opsioni tokësor ishte në mënyrë konstante në mendjet tona. ekzistonin kufij se çfarë mund të arrijë realisht fushata ajrore. forca ajroret mund të kërcënojë, mund të dënojnë, mund të shkatërrojë objekte dhe të sulmojnë forcat në tokë. por, pa një forcë tokësore, nuk ekzistonte garanci se ne do të mund ta dëbonim milosheviçin nga kosova. ishte e panjohur se a do të mund ta bënim këtë gjë nga ajri. (U.Klark,”Të bësh luftë moderne”,Tiranë, 2003, f.303).
 

Këtë e pohon edhe ish-kryeministri italian Massimo D’alema, përmes një interviste ekskluzive, për gazetarin Thimi Samarxhiu në Euro Njuz Albania, pohon se: “NATO ndërhyri për ta ndaluar luftën dhe nuk e mohon rolin e UÇK-së”, dhevijon: “por le t’i themi gjërat siç janë, lufta po bëhej, nuk e bëmë ne, kishte filluar që më përpara se të ndërhynim ne, ishte një luftë e gjatë, veçse kosova kishte qenë episodi i fundit i një lufte shumë të gjatë në ballkan. ne ndërhymë për ta pushuar luftën, sigurisht që ndërhymë me forcë, por për të krijuar një ekuilibër paqësor, ky ishte objetivi i veprimit të nato-s dhe kjo ishte arsyeja për të cilën ne ramë dakord”,  (E pasqyruar edhe te gazeta “Bota sot”, 24 mars 2024)

Përfundimisht mund të themi se: Kosovën e çliroi bashkëveprimi luftarak midis UÇK-së dhe aviacionit të NATO-s, duke mos guxuar ta përjashtojmë aspak njëra-tjetrën.

PYETJE: Në aspektin e moralit të luftëtarëve, çfarë e bënte kosharen ndryshe nga frontet e tjera të luftës?

Përgjigje: Ushtria pa moral është shkatërrim i saj. Morali është bërë për njerëzit dhe jo njerëzit për moralin. Morali në luftë është një doktrinë se si të bëhemi ushtri e denjë dhe e suksesshme. Jo më kot Napoleon Bonopari  pat thënë: “Morali në luftë përbën ¾ e fitores.”
Dhe mos të harrojmë se të gjithë luftëtarët e thjeshtë, që përbënin 2.600 forcat që vepruan në Koshare, ishin të gjithë vullnetarë të ardhur nga mërgimi dhe trojet e tjera shqiptare në Ballkan, duke lënë familjet dhe duke qenë të gatshëm të  binin edhe fli për lirinë e Kosovës. Kjo tregon se morali i tyre ishte shumë i lartë. Jo më kot populli ynë thotë: “Vullneti i njerëzve është pasuri qiellore.”
Mirëpo Napoleon Bonoparti pat thënë edhe  diçka tjetër: “Nuk ka regjimente të pa aftë, ka kolonelë (komandantë) të pa aftë.” Me të cilën dua të them se  Br.138 e UÇK, e vetë emëruar nga  drejtuesit  e saj “Grupimi i Tretë Operativ”, nuk e realizoi detyrën e vënë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, personalisht nga Shefi i atij Shtapi të Përgjithshëm, koloneli Bislim Zyrapi, detyrë e cila ishte: Hapja e korridorit për furnizime nga Shqipëria.

Në një intervistë dhënë TV Dukagjinit, në tetorin e vitit 2018, unë pata thënë: “Të mburen ata që luftuan në Pashtrik, deri diku kanë të drejtë. Por të mburren ata që luftuan në Koshare, nuk kanë të drejtë. Pse nuk kanëtë drejtë? Ata luftuan 65 ditë. Kishin furnizime të bollshme në të gjithë llojet e nevojshme për armët dhe shërbimet. Dhe të luftosh 65 ditë, me 2.600 forca, duke u përballur me një batalion kufiri serb me 300 forca, dhe të mos bashkohesh dot me forcat e Zonës së Tretë Operative duke përparuar 6 km, prej Koshares deri në lumin Erenik, është  jo thjeshtë pa aftësi e Komandës dhe e gjithë atij Shtabi të Br.138, por ndoshta edhe më shumë. Luftëtarët vullnetarë luftuan me heroizëm. Nuk u turpëruan, por i turpëruan komandantët e tyre”.

Pra, u vërtetua thënia e Napoleon Bonopartit se nuk ka regjimente e brigada të pa afta, por ka komandantë të pa aftë. Dhe për këtë të vërtetë, ata kokmandantë të asaj Brigade, më kanë fyer me të gjitha lloj e fyerjeve që ka fjalori shqipes. Nuk thuhet më kot se: E vërteta bën armiq.

Dhe çudia tjetër është se, ish-Presidenti Thaçi e ka dekoruar këtë formacion luftarak me “Urdhërin e Lirisë” me motivacionin: Një nga përballjet më të rëndësishme, e cila rriti vetëbesimin e UÇK-së dhe shënoi një fitore të madhe kundër forcave serbe, duke thyer kufirin.”(!) (RKL, 9 prill 2019)

PYETJE: Cili ishte momenti më kritik, kur beteja mund të kishte marrë një drejtim tjetër?

Përgjigje: Momenti më kritik që ajo “betejë” mori një drejtim diametralisht të kundërt, ishte vrasja me snaiperë e dy planizuesve të atij luftimi, apo të themi “operacion”, sikundër u pëlqen këtyre komandantëve të asaj Brigade. Vrasja e ish-shef i shtabit të asaj Brigade, Agim Ramadani, dhe e Sali  Çekajt, më 11 prill, ditën e dytë të atij sulmi, përmbysi gjithë planin e asaj detyre luftarake tepër e rëndësishme.

Të jetë vallë rastësi vrasja e planizuesve dhe udhëheqësve të atij sulmi aq i rëndësishëm për Luftën në Kosovë?!

Dimë që ish-Presidenti Amerikan, Ruzvelt, pat thënë: “Vetëm në politikë nuk ka rastësi.”

Por do më thoni ju, se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me politikë.  Por jo. Filozofia politike thotë: “Lufta s’është gjë tjetër, veçse politikë me armë; ndërsa politika është luftë pa armë.”

E shtroj këtë pyetje edhe për faktin që tregon Muhamet Çeta: “Agim Ramadani na thoshte: Për 10 ditë do futemi në Malishevë.”, (e shkruar në vëllimin e tretë të librit të tij “Me UÇK në Koshare”, f.126).
Dhe prej atij momenti u ndalua sulmi për 65 ditë rresht! Dhe këtë ndalim të sulmit e ka pohuar edhe vetë gjenerali Hysen Berisha, që morën vendim të mos e vijonin më tej sulmin prej kur u vra  ideatori dhe planizuesi i asaj detyre luftarake, Agim Ramadani, detyrë e dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK.

PYETJE: Sa vendimtar ishte roli i Br.138 dhe figurave si komandanti agim ramadani në suksesin e operacionit?

Përgjigje: Roli i ish-shefit të Shtabit të asaj Brigade, ai dhe palnizuesi dhe udhëheqësi fillestar i atij luftimi, ishte shumë i rëndësishëm, edhe për vet faktin se Agim Ramadani punoi më shumë se dy muaj për hartimin e atij plani me tekst dhe me haratë. Përveç faktit që është ai që edhe e startoi vetë edhe sulmin, por nuk e lanë snaiperistët ta çonte deri në fund atë mision të jashtëzakonshëm për atë luftë çlirimtare.
Nëse nuk do qenë vrarë këtë dy heronj, ka gjasa që Kosova të ishte çliruar shumë më herët.

Përsa i përket rolit që luajti Br.138 për çlirimin e Kosovës , për mua është zero me xhufkë, pasi ajo nuk përparoi as më shumë se dy kilometër në thellësi të Kosovës dhe mbeti atje 65 ditë. E ndërprenë sulmin qysh ditën e dytë të atij sulmi, më 11 Prill 1999. Si mund të pranohet se: Duke u çliruar vetëm 2 fshatra, fshati Koshare dhe ai Batushë, dhe u çlirua e gjithë Kosova(!?), sikundër e thonë kuadrot komanduese të asaj brigade dhe Ramush Haradinaj? Ky është një nonsens që nuk e pranon as logjika e një nxënësi që porsa ka mësuar gjeografinë e Kosovës.

Madje, kur ajo Komandë dhe ShtabI i Br.138, e panë veten të pa aftë për të vazhduar sulmin, ngaqë u vra udhëheqësi i vërtetë i atij sulmi, Agim Ramadani dhe ortaku i tij Sali Çekaj, akti më i mirë që duhej të kishin bërë, ishte të tërhiqeshin në Shqipëri, dhe sot do të ishin të nderuar se nuk do të na ishin vrarë 114 luftëtarë, dhe nuk do të na qenë plagosur rëndë 350 të tjerë, që do të thotë se çdo ditë kanë pësuar 7 dalje nga luftimi, (të vrarë dhe të plagosur). Mirëpo neve , Shtabit të Përgjithshëm, nuk na raportoheshin vrasjet dhe plagosjet e përditshme nga komanda e Brigadës 138(!), që të dinim se çfarë vendimi të merrnim lidhur me raportin e humbjeve të përditshme ndër ta.
Nga historia e luftrave mësojmë, se kur  forcat kanë këtë rapor të përditshëm daljesh nga luftimi,(vrasje dhe plagosje së bashku), janë tërhequr. Kështu ka ndodhur  me Amerikanët në Luftën e Vietnamit, të cilët kur u arrit numëri i daljeve nga luftimet i 6 ushtarëve në ditë, thërritën për bisedime udhehqejen e Vietnamit, të cilat u zhvilluan në Paris, dhe u larguan nga Vietnami.

Ndërsa këta komandantët e  të ashtuquajturës EPOPE e KOSHARES, me sa duket kanë kujtuar se i kemi me bollëk shqiptarët, kurse perandoritë i ka me pakicë! Vetëm me këtë raport humbjesh të përditshme, duke qëndruar në front pa lëvizur vendit, duke shkëmbyer vetëm zjarr me forcat serbe, derisa u thanë forcat e KFOR-it të largoheshin, duhej t’i jepeshin  gjyqit ushtarak.

PYETJE: Çfarë do të thoshte në gjuhën ushtarake “thyerja e kufirit” dhe pse ai moment ka mbetur simbolik për shqiptarët?

Përgjigje: Në terminologjinë ushtarake “theyrje e kufirit” nuk ka asnjë lloj kuptimi. Kjo terminologji përdoret për kalimet inividuale  të kufirit nga një shtet në tjetrin, që ndryshe quhen arratisje nga vendi, nga shteti.

Ato ditë që këta oficera të shtabit të Br.138 vendosën të sulmonin në Koshare, Komanda e Forcave Serbe në Kosovë kish vendosur batalione kufiri në të gjithë gjatësinë e kufirit me Shqipërinë, për të mos lejuar hyrje forcash, armatimi dhe municione në Kosovë nga Shqipëria.
Atij Shtabi Brigade nuk u kish ngarkuar kush për detyrë që të thyenin piramidat shtetërore të kufirit, as të hiqnin retikolatat e telave me gjëmba para brezit të butë, që të thuash se “thyen kufirin”, por të sulmonin batalionin kufitar  serb për të hapur korridorin e furnizimit. Me këtë terminologji të tyre, për të justifikuar mos-realizimin e detyrës luftarake që u ishte ngarkuar, ata fyejnë veten.

PYETJE: Si funksiononte zinxhiri komandues mes shtabit të përgjithshëm dhe komandantëve në vijën e parë të frontit?

Përgjigje: Ushtritë nuk kanë zinxhir komandues, por piramidë komanduese, thënë ndryshe: hierarki komanduese. Me shprehjen “zinxhir komandus” kuptohet se të gjitha komandat janë autonime, nuk kanë vartësi nga njera – tjetra, si dhe janë të të njëjtit nivel.

Ushtria Çlirimtare e Kosvës kishte hieraki komanduese, tipike si çdo ushtri e rregullt klasike.  Nëse Ushtria  Çlirimtare e  Kosovës nuk do të kishte hierarki komanduese, nuk do të mund të bashkëvepronte dot me komandën e aviacionit të NATO-s. dhe ndjej kënaqësi që ma bëni këtë pyetje, për vetë faktin se më jepni rastin të sqaroj edhe opinionin publik tonin, se atë bashkëveprim me komandën e NATO-s ma besuan mua.  Bashkëveprim për të cilin komandanti i NATO-s, Uesli Klark, na falënderoi, duke thënë: “bashkëveprimi më i mirë në historinë 50 vjecare të NATO-s”.

Nëse nuk do të ekzistonte hierarkia ushtarake në UÇK, unë nuk do të kisha mundësi  se si të merrja të dhënat nëpër frontet e luftës, që na i vuri detyre koamanda e NATO-s, të cilat ishin:

1. ku kalon vija e parë e frontit të forcave armike në të gjithë frontet e Kosovës; 2. ku kalonte vija e parë e frontit e forcave të UÇK-së, me qëllim që të mos goditeshin nga avjonat e NATO-s; 3. ku vepronin  forcat serbe me tanke; 4. ku i kish armiku rezervat; 5. ku ndodheshin  institucionet komanduese dhe ato logjistike serbe; 6. cilat rrugë dhe ura përdorte armiku; 7. Ku është pozicionuar artileria e armikut; 8. cili ishte rezultati i goditjeve nga aviacioni i NATO-s, etj.

Kështu që unë duhej t’ua kërkoja komandantve të zonave operative, ata urdhëronin komandatët e brigadave, ky i fundit urdhërote komandantët e batalioneve, dhe ata urdhëronin komadantët e kompanive, dhe po anasjelltas bëheshin raportimet.

 Mirëpo, këto kërkesa kërkoheshin për secilin aviacion të shteteve të NATO-s, sipas radhës së ngritjes së tyre, për të cilën na lajmëronte komanda e aviacionit e NATO-s. dhe  këto të dhënë kërkoheshin  pothuajse në çdo 2-3 orë, gjatë ditës e natës, në mënyrë të pandërprerë.

Kushdo që thotë se, UÇK-ja nuk kishte hierarki komanduese, nuk e kanë nga padija, por nga urrejtja ndaj UÇK-së, pse ajo përzuri Serbinë shekullore nga Kosova, dhe, nuk  besoj se gaboj të them se ata u shërbejnë armiqve tanë si komb, veç për të na fyer.

PYETJE: A pati momente kur mungesa e municioneve, logjistikës apo njerëzve rrezikoi ecurinë e operacionit?

Përgjigje: Duhet ta dini se  nuk mbetëm në asnjë moment pa armatim e municione, por  kemi pasur raste të detyruar që e kemi kryer sulmin  me kohë më të shkurtër  për ta kursyer municionin. Por edhe këto ishin të përkohëshme derisa shkonte furnizimi nga qendrat tona logjistike.

Me këtë rast u bëj me dije se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me në krye  kolonelin me përvojë lufte Bislim Zyrapi, dhe itendenti i Shtabit të Përgjithshë, Idris Hyseni, i kishin paraprirë këtij rreziku. Në mënyrë të veçantë ata kishin marrë masa për sigurimin e rezervave, si për municione edhe për logjistikën ushqimore, duke i groposur nën tokë dhe maskuar që edhe po të kolonin në ato territore forcat serbe, të mos mund t’i zbulonin dot, dhe faktikisht nuk na ndodhi në asnjë rast. Kuptohet që rezervat ushqimore ishin pothuajse të gjitha  të konservuara.

Këtu qëndron merita e Fondit “Vendlindja Thërret”, të cilët me financat që grupmbullonin nga dhurimi i emigrantëve tanë në botë, mundësuan ta furnizojnë UÇK-në  me gjithcka.

Me këtë rast dua ta ripërsëris një vrejtje timen për Komisionin Qeveritar për Hartimin e Listave të Veteranëve të UÇK-së, që kontribuesit me financa nuk i rendisin në veteranë të asaj lufte(!), pavarësisht se nuk mund të shpërblehen si ata që ishin në frontet e luftës. Madje edhe Kryesia e LPK-së ka përgjegjësi ligjore dhe historike që nuk ua ka kërkuar dhe nuk janë publikuar ato lista të mbledhësve të atij fondi, madje duhet edhe me shumën kontribuese të secilit.

E them këtë edhe për faktin se Presidenti i Kroacisë, Tuxhman, të gjithë atyre kroatëve që nuk kontribuan gjatë luftës  me Serbimë me financa apo edhe me forma të tjera në shërbim të asaj lufte mbrojtëse, i ndëshkoi duke i detyruar të blinin shtëpitë që ata i kishin pronë të tyre, duke ia paguar shtetit. Nëse edhe udhëheqja e Kosovës do të kishte vepruar në këtë mënyrë, nuk do të dilnin sot “trimat” e këtij populli e të thoshnin se “Kosovën nuk na e ka cliruar UÇK-ja”, sepse nuk u veprua ngjashëm si në Kroaci.

PYETJE: Si u përjetua humbja e komandantëve dhe dëshmorëve gjatë betejës, dhe si ndikoi kjo te vazhdimi i ofensivës?

Përgjigje: Vrasjen e Agim Ramadanit dhe Sali Çekajt, Shtabi i Përgjithshëm e ndjeu  jashtzakonisht shumë, sidomos kur mësuam edhe se, pas asaj vrasjeje ata e ndërprenë sulmin! Prandaj dhe shpejtuam të hapnim frontin në mal të Pashtrikut.
Nëse  nuk do të qe fituar beteja për mbrojtjen e Kosovës Qëndrore, betejë e zhvilluar prej 20 marsit deri në 1 prill 1999, ndërpreja e  vijimit të  sulmit nga Br. 138 në Kosohare do të ishte shumë më e ndjeshme për gjithë UÇK-në, se nuk do të mund të kishim dërguar përforcime Zonës së Tretë Operative nga zonat e tjera, sikundër iu dërguan.

PYETJE: Sa e ndryshoi kosharja rrjedhën e luftës së Kosovës në planin strategjik?

Përgjigje: Më vjën keq ta them, por shumë shumë pak, vetëm duke u detyruar Ushtria Serbe të hiqte 1.600-2.000 forca  nga zonat e tjera për të mbështetur batalionet e kufirit, me të cilin bënte shkëmbim zjarri Br.138 e UÇK-së por edhe me ata të operacionit “Shigjeta”, duke lehtësuar disi forcat e zonave të tjera operative për të kryer sa më shumë sulme.
Në aspakt tjetër, as edhe një lloj ndikimi, pavarësisht se e quajnë Betejë Epope. Dhe me sa kuptohet, prandaj dhe është e vetmia Brigadë e dekoruar nga presidenti Hashim Thaçi.

PYETJE: A mendoni se beteja e Koshares sot është vlerësuar sa duhet institucionalisht dhe historikisht?

Përgjigje: Dekorimi nga Presidenti Thaci i “Betejes” së Koshares, por që nuk është betejë, dhe i asnjë formacioni tjetër të UÇK-së, është fyerrja më e madhe që i është bërë Luftës Çlirimtare të Kosoves dhe vecanërisht UÇK-së.
Dhe, ç’është edhe më keq, prandaj kjo fyerje është shoqëruar edhe me fyerjen tjetër, përsëri ndaj UÇK-së si dhe ndaj popullit të Kosovës, se  datë çlirimi të Kosovës nuk njihet 10 qershori 1999, kur Serbia nënshkroi kapitullimin në Kumanovë, por njihet data 12 qershor 1999, kur hynë  forcat e KFOR-it francez në Kosovë, prandaj dhe u jepet e drejta atyre që e urrejnë UÇK-në, që thonë se Kosovën nuk e çliroi UÇK-ja, por NATO-ja.
A ka fyerje më të madhe që i bëhet gjithë popullit shqiptar në Kosovë, sidomos asaj pjese që e mbështeti me gjithçka Luftën Çlirimtare dhe Ushtrinë e tij Çlirimtare të Kosovës?!

PYETJE: Cili është mesazhi që kjo betejë duhet t’u përcillet brezave të rinj që nuk e kanë jetuar luftën?

Përgjigje: Për mendimin tim, si dëshmitar okular dhe pjesmarrës në  çlirimin e Kosovës do të ishte më e mirë që  të ndërpritet automatikisht  glorifikimi i këtij luftimi në Koshare, madje që e quajnë edhe padretësisht “operacion” dhe “betejë”, pra të thuhet e vërteta; madje t’i hiqet edhe dekorimi i akorduar nga ish-presidenti Hashim Thaçi, madje të mos përmendet as edhe në tekstet shkollore sikundër e glorifikojnë.  Duhet të harrohet fare kjo e ashtuquajtura “beteje epope”.  Vijimi i këtij glorifikimi do të sjellë mohimin e gjithë Luftës për Çliriminn e Kosovës, duke i dhënë një armë më shumë edhe Serbisë, për ta shumëzuar me zero jo vetëm Ushtrinë ÇLirimtare të Kosovës, por të na fyej edhe si popull i pa aftë për të mbrojtur veten.

PYETJE: Po ta rikthenit kohën pas, a ka një vendim ushtarak që do ta bënit ndryshe në Koshare?

Përgjigje: Nëse do të përsëritej e njëjta histori, dhe stafi i oficerave që do të drejtojnë ato forca, ngjashëm si në rastin e Br.138 të UÇK në Koshare pas datës 11 prill 1999, duke qëndruar si ata inaktivë, nëse unë do të kisha të drejtën të merrja atë vendim, do t’ua jepja gjyqit ushtarak.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu