ARKIVI:
25 Prill 2026

Nana Kadë

Shkrime relevante

Iluzioni i përjetësisë, poezi nga Arif Ejupi

Iluzioni i përjetësisë Poezi Proteston – nuk e di për çka, Kundërshton – pa...

Këngëtarja Donna Dafi publikon videoklipin e saj më të ri, “ManGo”

Artistja shqiptare Donna Dafi ka publikuar videoklipin e saj më të...

Dhjerësit e vlerave të luftës shantazhojnë shtetin!

Idriz Zeqiraj, Gjermani      Tellalli numër dy i OVL, (po kursejmë...

Loja e “tre emrave” nga LVV-ja, konsensus për publikun apo kontroll mbi pushtetin?

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina _____ Duket se propozimi për “tre emra...

Nana Kadë

Nga: Blerim Nika   Për shkak se anadollizmi feudal na ka lënë...

Shpërndaj

Për shkak se anadollizmi feudal na ka lënë pasoja, shumë shpesh ne nuk i përmendim paraardhëset tona të gjinisë femërore. Unë nuk kam mundësi t’i harroj gjyshet e mia, e sidomos tregimet për stërgjyshet e mia, të cilat kanë qenë më burra për nga karakteri i qëndresës sesa shumë burra të ditëve të sotme.
Stërgjyshja ime, Nana Kadë, ishte bijë e Kabashëve të Gurakocit të Podgurit. Siç përshkruhet nga familjarët, ajo ishte një burrëreshë me plot kuptimin e fjalës, sepse përveç që ka lindur shtatë (7) fëmijë, ka mbajtur mbi supe gjithë shtëpinë e asaj kohe, me maxhe e me të gjitha punët që i takonin një jete të vështirë. Ishte shtylla e familjes, drita e oxhakut dhe forca që nuk u shua kurrë, pavarësisht vështirësive.
Nana Kadë, siç kujtohet edhe sot, e bekonte bukën, djathin dhe kosin me kryqin e shenjtë. Shën Gjergjet që ajo i festonte brenda familjes përmenden edhe sot si ditë gëzimi të madh, jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit. Ajo dinte ta kthente jetën e rëndë në festë, duke mbjellë dashuri, dhe gëzim në zemrat e të gjithëve.
Me veshjen e saj të katundit, të cilën nuk e hoqi kurrë nga trupi deri në ditën që mbylli sytë, Nana Kadë mbeti simbol i traditës dhe krenarisë. Ajo u kujdes që edhe nuset e djemve të saj të mbanin të njëjtën veshje, duke ruajtur kështu identitetin dhe trashëgiminë. Tirqit për djemtë i punonte vetë, me vekun e vjetër që më vonë u dogj në luftën e fundit në Kosovë, e që deri atëherë ishte ruajtur me një krenari të ligjshme nga bijtë e saj.
Dashuria e saj nuk kufizohej vetëm te njerëzit. Nana Kadë edhe kalit të shtëpisë, lopës në ahër dhe dashit të kopesë u qëndiste një lule në ballë në formë kryqi. Ajo nuk e bekonte vetëm familjen, por edhe gjallesat që i rrethonin. Aq e madhe dhe e thellë ishte dashnia e saj për Krishtin, sa që edhe pa u thënë drejtpërdrejt, nga këto tregime kuptohet qartë se ajo e mbajti të ndezur dritën e Krishtit në familjen ku kam lindur edhe unë.
Sa të mira ishin këto tregime që para disa viteve i tregonin më të vjetrit nëpër shtëpitë tona, kur mblidheshim, e sidomos kur ndalej rryma, me një çiri, me një fenër të ndezur që na ndriçonte. Këto tregime na kënaqnin kur i dëgjonim. Kuptonim në këto tregime se ishim më të kompletuar në kohët më të lashta se sot që jemi të shpërndarë. Kur na larguan nga Krishti, vëllezër e motra, neve na larguan edhe nga njëri tjetri, u ftoh respekti dhe dashuria për qiellin, tokën, njeriun, kafshën. U zbeh edhe interesimi për ata që ishin e më nuk janë. U zbeh edhe respekti për të kaluarën tonë të lavdishme, të bukur, që rinia e sotit jo vetëm që nuk e ka dëgjuar, por nuk mundet as ta imagjinojë se është e vërtetë. Vëllezër e motra, Nana Kadë edhe gurët e bjeshkës i ka bekuar dikur, e ne sot nuk i shprehim paqe njëri tjetrit, sepse djalli, që është armik i popullit tonë, është futur në mesin tonë dhe po na përçan çdo ditë. Mos lejoni që të harrohet e kaluara, po ju përgjërohem me tërë fuqinë e shpirtit. Mos lejoni që të harrohen Nanat tona, bekimet e të cilave na ruajnë edhe neve sot në ditët tona.
Të dashur lexues, jam i bindur se secili prej jush ka pasur një Nanë të tillë siç e kishim ne Nanën Kadë. Por me kalimin e kohës, tregime të tilla janë fshehur, herë me qëllim e herë pa qëllim, duke na lënë më të varfër shpirtërisht.
Është e rëndësishme që secili të dijë nga i ka rrënjët dhe t’i mbrojë ato. E nëse nuk i njeh, atëherë t’i gjurmojë dhe të kthehet tek to. Rrënjët tona janë të lashta, shumë të lashta, por sidomos në dy mijë vitet e fundit ato lidhen me Krishtin. Dhe për këtë duhet të jemi krenarë.
Në përjetësi qoftë kujtimi për stërgjyshen time, Kadë Kabashi prej Gurakocit të Podgurit.
Më 25 prill 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu