ARKIVI:
25 Maj 2026

Si është e mundur që Shqipëria të rikthehet tek të njëjtat figura, që vetë koha i ka konsumuar?

Shkrime relevante

Zoja Lohaj Konjufca – Kur matematika bëhet formulë e ndryshimit shoqëror

Nga Isuf Bajraktari Ka njerëz që i përshtaten rrethanave dhe ka të...

Udhëpërshkruesit perëndimorë për Ballkanin osman

Kasaba myslimane në Lumin Toplica, tashmë në Serbi Nikolle Loka, Tiranë Shekujt e...

Si është e mundur që Shqipëria të rikthehet tek të njëjtat figura, që vetë koha i ka konsumuar?

Ervina Toptani, shkrimtare, Vjenë Çfarë do të thotë rizgjedhja e z. Sali...

Kur Ganimete Musliu Fillon t’i Besojë Rrenës së Vet

Jashar Etemaj, Oslo Ganimete Musliu e quan Kryeministrin Albin Kurti praktikues, përkatësisht...

Shpërndaj

Çfarë do të thotë rizgjedhja e z. Sali Berisha në krye të Partisë Demokratike? A është kjo thjesht një ngjarje politike e zakonshme apo shenja e një krize shumë më të thellë që prek mënyrën se si shqiptarët e kuptojnë shpresën, alternativën dhe të ardhmen? Si është e mundur që pas kaq dekadash tranzicion, Shqipëria të rikthehet vazhdimisht tek të njëjtat figura, të njëjtat mendësi dhe të njëjtat mekanizma që vetë koha i ka konsumuar? Dhe pyetja më e dhimbshme: pse duket sikur askush nuk arrin më të besojë realisht se ky vend mund të ndryshojë?
Rizgjedhja e z.Berisha nuk është aspak vetëm çështje partie, është simptoma treguese kryesore e një shoqërie që nuk arrin më të prodhojë alternativë. Tragjedia nuk qëndron vetëm te një individ apo te një forcë politike, por te fakti që një komb i tërë sillet sikur historia nuk ekziston, sikur dështimet nuk lënë pasoja, sikur koha në Shqipëri është rrethore e jo lineare. Kthehen vazhdimisht të njëjtët emra, të njëjtat konflikte, të njëjtat fytyra që premtojnë ndryshim ndërsa janë vetë simboli i stagnimit.
Si ka mundësi që një vend me miliona njerëz, brenda e jashtë Atdheut, të mos prodhojë dot një alternativë morale, intelektuale dhe politike? Pse shqiptarët që e duan vërtet Shqipërinë nuk krijojnë një forcë të re? Pse duket sikur çdo dritare shprese mbyllet para se të hapet?
Besoj se të gjitha këto pyetje kanë të njëjtën përgjigje: Degradimi nuk është vetëm institucional por është mbi të gjitha antropologjik. Kur një shoqëri jeton për dekada në mosbesim, korrupsion, klientelizëm dhe mbijetesë psikologjike, ajo fillon ta humbasë aftësinë për të besuar te e mira. Dhe kur humbet besimi tek e mira, fillon të zgjedhë jo më atë që është e drejtë, por atë që njeh më mirë, zhurmën dhe pluhurin e tymnajës kaotike. Kjo është arsyeja pse figurat politike në Shqipëri nuk konsumohen kurrë plotësisht sepse sistemi nuk prodhon qytetarë të lirë, por njerëz të lodhur që kërkojnë një formë primitive sigurie emocionale edhe brenda kaosit.
Politikanët shqiptarë prej kohësh nuk sillen si përfaqësues të popullit, por si kasta të ndara prej tij. Dhe armiqësia e tyre ndaj qytetarit është bërë aq e thellë, sa çdo idealizëm i ri trajtohet ose si naivitet, ose si kërcënim. Kush mendon ndryshe përjashtohet, kush ka integritet izolohet, kush nuk pranon të bëhet pjesë e mekanizmit mbetet pa zë, kush kritikon kryetarin është armik. Kështu mbyllen dritaret e shpresës nëpërmjet normalizimit të cinizmit.
Sali Berisha
Shqipëria sot nuk vuan vetëm nga mungesa e politikanëve të mirë, vuan nga mungesa e besimit kolektiv se ndryshimi është i mundur. Dhe kjo është forma më e rrezikshme e degradimit, kur shoqëria nuk pret më asgjë nga vetja, kur mediokriteti bëhet standard, ndërsa ndershmëria perceptohet si dobësi. Kur të rinjtë më të aftë ikin, ndërsa më oportunistët ngjiten lart e më lart.
A ka degradimi shkallë edhe më të thellë se kaq?Mendoj se degradimi i fundit nuk është varfëria ekonomike, por humbja e vetëdijes morale. Është momenti kur një komb pushon së pyeturi “çfarë është e drejtë?” dhe fillon të pyesë vetëm “kush fiton? Kujt ma do interesi ti lëpihem?”
A mund të shpëtohet ndonjë gjë në këtë pikë ku kemi arritur?
Asgjë nuk ndryshon menjëherë në një vend ku kalbëzimi ka dekada. Ndryshimi nuk fillon domosdoshmërisht nga partitë, por nga rikthimi i dinjitetit intelektual. Një shoqëri shpëton kur njerëzit e saj më të kthjellët ndalojnë së heshturi, edhe kur askush nuk i dëgjon menjëherë. Alternativat e vërteta lindin ngadalë, në periferi të zhurmës, larg propagandës, nga njerëz që refuzojnë të normalizojnë të keqen.
Shqipërisë nuk i mungojnë njerëzit e mirë. I mungon struktura morale që t’i mbështesë ata. Dhe hapi i parë është pikërisht ky, të mos pranohet më si normale një gjendje që në thelb është tragjike, sepse çdo sistem fillon të shembet në momentin kur njerëzit pushojnë së besuari se ai është i pashmangshëm.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu