Nga: Lekë Mrijaj
Mbrëmë, në ambientet e ngrohta, elegante dhe mikpritëse të restorantit prestigjioz “Luisenhof & Dubrovnik” në Hamburg të Gjermanisë, pata kënaqësinë e veçantë të mirëpritesha miqësisht, me shumë respekt, përzemërsi dhe kulturë të lartë fisnike e njerëzore nga vëllezërit Bisaku: Alberti, Vilsoni dhe Pjetri, më konkretisht edhe nga babai i tyre inxhinieri i diplomuar, z. Nue Bisaku, ish-menaxher i lartë në ndërmarrjen e mirënjohur “Metaliku” në Gjakovë, i cili edhe është njëri ndër pinjollët e familjes së Augustin Bisakut, ish-mërgimtar i hershëm dhe, më vonë, ish-deputet i PSHDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës përgjatë viteve ’90-ta.
Mbrëmja në fjalë nuk ishte vetëm një takim i zakonshëm miqësor, as vetëm një darkë në një restorant të njohur të Hamburgut. Ishte një përjetim i thellë njerëzor, një çast i bukur ku tryeza u bë dëshmi e mikpritjes, ku fjala si fjalë u bë urë afërsie dhe ku kujtesa shqiptare mori frymë në zemër të mërgatës.
Në atë ambient të rregulluar me shije, me shërbim të kujdesshëm dhe me sjellje të përzemërt, njeriu e ndiente se ndodhej jo vetëm para një darke, por para një tradite të gjallë të trashëguar, ku buka, nderi, miqësia dhe fjala e mirë e kishin vendin e tyre të merituar.
Restoranti “Luisenhof & Dubrovnik” nuk është thjeshtë vetëm një adresë gastronomike, por një hapësirë ku bashkohen shija, kujtesa, puna, familja dhe identiteti. Pra, është një vend ku mërgimtari shqiptar e gjen jo vetëm aromën e një kuzhine të mirë, por edhe ngrohtësinë e një dere të hapur, të një buzëqeshjeje të sinqertë dhe të një fjale që të bën të ndihesh i mirëpritur. Në këtë kuptim, “Luisenhof & Dubrovnik” nuk është vetëm restorant, por, është një tryezë e madhe njerëzore, ku njeriu ndihet i nderuar, i respektuar dhe i pranuar nga vet nikoqirët dhe stafi i tyre profesional.
Familja Bisaku, me prejardhje nga Bishtazhini i Gjakovës, bart në vete një histori që nuk është vetëm familjare, por edhe pjesë e rrëfimit më të gjerë të mërgatës shqiptare. Sikurse shumë familje të tjera shqiptare, edhe kjo familje fisnike e bujare u detyrua, për shkak të rrethanave të rënda historike dhe kohës së okupimit serb, të largohej nga vendlindja. Mirëpo largimi fizik nga atdheu i tyre nuk ua shoj lidhjen shpirtërore me tokën, me gjuhën, me kujtesën dhe me traditën. Përkundrazi, ajo lidhje u bë edhe më e fortë, sepse malli për vendlindjen shpesh e kthen njeriun në rojtar më të kujdesshëm të rrënjëve të veta. Pra, ata u larguan nga vendlindja, por nuk u ndanë asnjëherë prej saj. U vendosën në një vend tjetër, por nuk e harruan prejardhjen. U integruan dhe u shkolluan dhe u specializuan në një shoqëri evropiane, por nuk e humbën identitetin shqiptar.
Nëpërmjet punës, korrektësisë, mirësjelljes dhe kulturës familjare, ata dëshmuan se shqiptari, kudo që jeton, kur mbështetet në punë të ndershme, në dinjitet dhe në përkushtim, mund të bëhet shembull i mirë i integrimit, i qytetarisë dhe i mikpritjes.
Në këtë kuptim, historia e restorantit “Luisenhof & Dubrovnik” nuk është vetëm histori e një biznesi të suksesshëm familjar në mërgatë, por, është histori pune, sakrifice, qëndrese, solidariteti dhe integrimi dinjitoz. Njëkohësisht është një histori e një familjeje që, larg vendlindjes, nuk zgjodhi të harrojë, por të ndërtojë, nuk zgjodhi të mbyllet në dhimbjen e largimit, por të hapë një derë mikpritjeje; nuk zgjodhi vetëm mbijetesën, por krijimin e një emri të mirë.
Vëllezërit Bisaku, me punën e tyre të palodhshme, me përkushtim profesional dhe me ndjenjën e rrallë të mikpritjes, e kanë shndërruar këtë restorant në një adresë të mirënjohur të gastronomisë, të shijes së kultivuar dhe të bashkimit njerëzor, kulturor e kombëtar në mërgatën shqiptare. Ata nuk e kanë ndërtuar emrin e “Luisenhof & Dubrovnik” vetëm me ushqim të mirë, por edhe me mirësjellje të mirë; jo vetëm me shërbim korrekt, por edhe me zemër të hapur; jo vetëm me traditë kulinare, por edhe me kulturë njerëzore.
Restoranti i tyre nuk është thjeshtë një hapësirë ku shkohet për të shijuar një mëngjes, drekë apo darkë të mirë, por, është një vend ku tryeza merr kuptim më të gjerë dhe më të thellë. Ajo bëhet vend takimi, vend kujtese, vend bisede, vend miqësie dhe vend ku shija lidhet natyrshëm me shpirtin e mikpritjes. Në këtë ambient prestigjioz, ushqimi nuk paraqitet vetëm si art kulinar, por edhe si gjuhë e heshtur e respektit, si shprehje e përkujdesjes dhe si dëshmi se gastronomia, kur bëhet me zemër, shndërrohet në kulturë. Në traditën shqiptare, tryeza nuk ka qenë kurrë vetëm vend ushqimi. Ajo ka qenë vend i fjalës së mirë, i besës, i pajtimit, i nderimit të mikut, i bashkimit familjar dhe i solidaritetit njerëzor. Përreth tryezës janë ndarë gëzime, janë zbutur dhimbje, janë ruajtur miqësi dhe janë forcuar lidhje. Në këtë frymë, edhe restoranti “Luisenhof & Dubrovnik” duket se e ka trashëguar këtë kuptim të thellë të tryezës shqiptare. Aty ushqimi nuk është vetëm një ushqim, por shenjë afërsie; gota dhe dollia e bekuar e ngritur nuk janë vetëm pjesë e darkës, por shenjë gëzimi; fjala nuk është vetëm bisedë, por urë ndërmjet njerëzve.
Që nga viti 1958 kur hapi dyert për herë të parë ky restorant, e sidomos me një traditë mbi 25-vjeçare në pronësi të familjes Bisaku, “Luisenhof & Dubrovnik” ka ndërtuar emrin e tij mbi themelet e cilësisë, korrektësisë, shërbimit të kujdesshëm dhe dashurisë për mysafirin, pa dallim race, feje, kombësie apo ngjyre. Çdo detaj, nga pritja e ngrohtë në hyrje deri te mënyra e shërbimit, nga atmosfera familjare deri te kujdesi për shijen dhe estetikën e pjatës, dëshmon për një përvojë të gjatë, për një kulturë pune dhe për një ndershmëri profesionale që nuk krijohet brenda një dite, por ndërtohet me vite, me mund, me durim, me dinjitet dhe me emër të mirë. Në kuzhinën e këtij restoranti ndihet një harmoni e kujdesshme ndërmjet traditës dhe përvojës moderne gastronomike.
Shijet janë të përzgjedhura me kujdes, të përgatitura me përkushtim dhe të shërbyera me atë hijeshi që e dallon një restorant serioz nga një hapësirë e zakonshme ushqimi. Aty kuzhina nuk është vetëm zanat, por art; nuk është vetëm shërbim, por mikpritje; nuk është vetëm ushqim, por përjetim. Aroma e gatimeve, ngrohtësia e ambientit dhe sjellja njerëzore e mikpritësve krijojnë një ndjenjë të veçantë afërsie, sikur njeriu të mos gjendej vetëm në restorant, por në një shtëpi të madhe miqsh. Kjo është bukuria e gastronomisë kur ajo nuk mbetet vetëm në meny, në pjata dhe në shërbim teknik. Gastronomia e vërtetë ka shpirt. Ajo përfshin kujdesin ndaj mysafirit, pastërtinë e ambientit, shijen e përzgjedhur, fjalën e mirë, rendin, mikpritjen dhe atmosferën. Kur këto bashkohen, atëherë një restorant bëhet më shumë se vend ushqimi: bëhet hapësirë kujtese, lidhjeje dhe përjetimi njerëzor.
Nëpërmjet këtij restoranti, vëllezërit Bisaku nga Bishtazhini i Gjakovës kanë dëshmuar se suksesi në mërgatë nuk vlerësohet vetëm me qëndrueshmëri ekonomike, por edhe me aftësinë për të ruajtur nderin, kulturën dhe emrin e mirë të shqiptarit. Ata kanë arritur që, përmes punës së tyre të përditshme, të ndërtojnë një hapësirë ku mysafiri ndihet i respektuar, ku shqiptari ndihet i përfaqësuar dhe ku miqtë e huaj e njohin nga afër fisnikërinë e mikpritjes sonë. Në jetën e mërgatës, vende të tilla kanë rëndësi të veçantë, sepse ato nuk janë vetëm pika shërbimi, por edhe pika takimi. Aty njeriu nuk gjen vetëm një tryezë të shtruar, por edhe një fjalë të mirë, një buzëqeshje të sinqertë, një kujdes njerëzor dhe një ndjenjë afërsie.
Në këtë mënyrë, restoranti “Luisenhof & Dubrovnik” është bërë pjesë e një kulture më të gjerë shoqërore, ku gastronomia bashkohet me kujtesën, me identitetin dhe me jetën e përditshme të shqiptarëve në Hamburg.
Në mërgatë, njeriu shpesh jeton ndërmjet dy botëve: ndërmjet vendit ku ka lindur dhe vendit ku ka ndërtuar jetën. Në këtë mes, hapësira të tilla bëhen ura shpirtërore. Ato e zbusin mallin për vendlindjen, e afrojnë njeriun me gjuhën e vet, me miqtë e vet, me kujtesën e familjes dhe me ndjenjën e përkatësisë. Në një tryezë të tillë, shqiptari nuk është vetëm konsumator; ai është pjesë e një kujtese, pjesë e një bashkësie, pjesë e një historie që vazhdon të shkruhet larg atdheut.
Gjatë viteve, restoranti “Luisenhof & Dubrovnik” është vizituar nga figura të rëndësishme shtetërore, publike dhe shoqërore nga Gjermania, duke filluar nga ish kancelari Olaf Scholz, dikur kryetar i Bashkisë së Hamburgut dhe paraardhësve të tij në Hamburg, Christoph Ahlhaus, Ole von Beust, Ortwin Runde, Henning Voscherau e deri te kryebashkiaku aktual Peter Tschentscher.
Njëri prej tyre, Ortwin Runde, pas vitit 2001 kur e kishte përfunduar mandatin si kryebashkiak i Hamburgut ka qenë edhe këshilltar i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe e kishte vizituar Prishtinën disa herë.
Shërbimet cilësore të këtij restoranti i kanë shijuar edhe figura të shquara të kulturës, sportit, shkencës, ekranit dhe muzikës gjermane, me këtë rast po i veçojmë këngëtaret e mirënjohur Katja Ebstein dhe Rolf Zuckowski, e shumë të tjerë, e së fundi aktori Nicolas König, që ishte në organizimin e një aktiviteti për filmat e Karl May-it, organizim ky tradicional që zhvillohet çdo vit në restorantin „Luisenhof & Dubrovnik“. Një pjesë e filmit të suksesshëm „Der Schutt“ në vitet e 60ta të shekullit të kaluar, në rolin kryesor aktorin amerikan Lex Barker, ishte xhiruar në Bishtazhin të Gjakovës në vitin 1964, saktësisht tek Stena e bukur që ndodhet mbi Urën e Fshajt.
Ndër personalitetet që përmenden në kujtesën e këtij ambienti në restorantin Luisenhof & Dubrovnik janë edhe emra të njohur të botës politike, akademike, kulturore, artistike, diplomatike dhe kishtare. Studiuesit dhe historianët e njohur Noel Malcolm dhe Bernd Fischer, piktori i shquar Gjelosh Gjokaj, zyrtarë të lartë nga Shqipëria dhe Kosova, kryeministra, ministra, ambasadorë, konsuj e përfaqësues të tjerë e deri te kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani, e kanë vizituar këtë restorant.
Prania e këtyre personaliteteve me renome në këtë ambient dëshmon se “Luisenhof & Dubrovnik” ka qenë dhe mbetet një vend me reputacion, një adresë e besueshme dhe një hapësirë ku njerëz të fushave të ndryshme janë takuar jo vetëm për një darkë, por edhe për bisedë, bashkëpunim, miqësi dhe kujtesë të përbashkët. Në këtë mënyrë, restoranti nuk mbetet vetëm pjesë e hartës gastronomike të Hamburgut, por bëhet edhe pjesë e një harte më të gjerë kulturore dhe shqiptare të mërgatës sonë. Jo rastësisht ky restorant i ka fituar disa çmime dhe këtë vit është përzgjedhur në mesin e 100 restorantëve më të mirë që i ka Hamburgu me dy milionë banorë.
Përtej dimensionit gastronomik e hotelier, ky restorant, ndër vite, ka qenë edhe vatër e shumë takimeve kulturore, kombëtare dhe popullore shqiptare. Në ambientet e tij janë bashkuar njerëz të kulturës, arsimit, shkencës, veprimtarisë atdhetare dhe jetës publike. Aty janë zhvilluar biseda, takime, kuvendime, mbrëmje dhe tubime që kanë mbajtur gjallë lidhjen e shqiptarëve me atdheun, me gjuhën, me historinë dhe me njëri-tjetrin.
Në këtë kuptim, “Luisenhof & Dubrovnik” ka qenë më shumë se restorant; veç të tjerash, ka qenë një lloj Ambasade apo Konsullate, një odë moderne shqiptare në Hamburg, një hapësirë ku buka, fjala dhe kujtesa janë ulur në të njëjtën tryezë. Nëse oda shqiptare dikur ishte vendi ku mblidheshin burrat e fjalës, të kujtesës dhe të nderit, në mërgatë hapësira të tilla e kanë marrë shpesh atë rol në një formë të re, të përshtatur me kohën, por me të njëjtin shpirt: bashkimin, respektin, fjalën dhe kujdesin për të përbashkëtën.
Njëri ndër vëllezërit, Albert Bisaku, i cili në Universitetin e Hamburgut ka studiuar gazetarinë dhe shkencat për komunikim, për shumë vite ka qenë i angazhuar dhe e ka drejtuar Unionin e Studentëve Shqiptarë „Illyria“ në Hamburg. Kjo shoqatë, në periudhën e luftës në Kosovë dhe në dekadën e parë të këtij shekulli ka qenë organizatë e fuqishme studentore ne Europë, në ngritjen e vlerave kombëtare dhe sensibilizimin e opinionit gjerman për shqiptarët dhe Kosovën. Alberti për një çerekshekulli ka shoqëruar personalitete të larta politike nga Kosova në takime të larta në Gjermani dhe ka dhënë një kontribut të veçantë për komunitetin shqiptar në Gjermani, në mediat gjermane dhe ato shqiptare si korrespondent, duke u bërë një urë lidhëse mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Një vend të veçantë në kujtesën e restorantit „Luisenhof & Dubrovnik“ e zë edhe Shoqata Atdhetare “Trojet e Arbërit”, e cila, rreth dy dekada më parë, në ambientet e këtij restoranti kishte sjellur pas një Sesioni Shkencor, shumë personalitete shqiptare të nivelit intelektual, shkencor dhe studimor, duke filluar nga akademiku Mark Krasniqi, veprimtari shqiptar në SHBA, Tomë Mrijaj dhe shumë të tjerë.
Ky fakt i jep restorantit “Luisenhof & Dubrovnik” një dimension edhe më të thellë kulturor dhe kombëtar, sepse dëshmon se aty nuk janë shtruar vetëm tryeza ushqimi, por edhe tryeza mendimi; nuk janë ndarë vetëm pjata dhe gota, por edhe ide, kujtime, projekte, vizione dhe dashuri për çështjen shqiptare. Kjo është një dëshmi e rëndësishme se mërgata shqiptare nuk ka qenë vetëm hapësirë pune dhe mbijetese ekonomike, por edhe hapësirë organizimi, kulture, mendimi dhe veprimi atdhetar. Në shumë raste, në mërgatë janë ruajtur me përkushtim gjuha, kujtesa, historia dhe ndjenja kombëtare. Restorante, salla, shoqata, familje dhe miqësi të tilla kanë qenë shpesh vende ku shqiptarët janë mbledhur për të folur për vendlindjen, për të kujtuar historinë, për të përkrahur njëri-tjetrin dhe për të dëshmuar se largësia fizike nuk e shuan dashurinë për atdheun.
Në këtë ambient, gastronomia hoteliere dhe kultura nuk qëndrojnë të ndara. Përkundrazi, ato plotësojnë njëra-tjetrën. Një darkë e mirë krijon afërsi, një shërbim i mirë krijon respekt, një bisedë e sinqertë krijon miqësi, ndërsa një ambient i tillë krijon kujtesë.
Prandaj, restoranti “Luisenhof & Dubrovnik”në Hamburg, ka arritur të bëhet pjesë e jetës së shumë njerëzve, veçanërisht e shqiptarëve të mërgatës, të cilët në vende të tilla nuk kërkojnë vetëm shije, por edhe pak aromë vendlindjeje, pak ngrohtësi familjare dhe pak ndjenjë përkatësie. Në kohën kur mërgata shpesh e ndien peshën e largësisë nga vendlindja, hapësira të tilla marrin një rëndësi të veçantë. Ato bëhen ura shpirtërore ndërmjet atdheut dhe vendit ku jetojmë. Bëhen vende ku takohen brezat, ku të moshuarit sjellin kujtimet e tyre, ku të rinjtë mësojnë diçka nga rrënjët e veta dhe ku miqtë e kombësive të tjera e njohin më mirë shpirtin shqiptar. Në këtë mënyrë, restoranti “Luisenhof & Dubrovnik” nuk shërben vetëm ushqim, por ruan edhe një pjesë të identitetit tonë njerëzor, kulturor dhe kombëtar.
Në këtë dimension, vëllezërit Bisaku mund të shihen edhe si përfaqësues të asaj mërgate shqiptare që nuk u dorëzuan para vështirësive të jetës në dhe të huaj, por vepruan, punuan, u ngritën, u integruan dhe krijuan emër të mirë. Ata, përmes punës së tyre, tregojnë se mërgata shqiptare nuk është vetëm histori largimi, por edhe histori vlerash e suksesesh; nuk është vetëm histori malli, por edhe histori dinjiteti; nuk është vetëm histori sakrifice, por edhe histori ndërtimi.
Vlen të potencohet se mbrëmja e djeshme në këtë restorant ishte një përjetim i bukur, i qetë dhe domethënës. Ajo na kujtoi se mikpritja e vërtetë nuk peshohet vetëm me pasurinë e tryezës, por me ngrohtësinë e miqësisë; nuk shihet vetëm në cilësinë e ushqimit, por edhe në respektin ndaj njeriut; nuk shprehet vetëm me fjalë, por me kujdes, me buzëqeshje, me përulësi dhe me fisnikëri. Aty ku njeriu pritet me zemër, aty edhe ushqimi merr shije tjetër. Aty ku fjala është e butë dhe shërbimi i kujdesshëm, edhe darka bëhet kujtim. Aty ku mikpritësi e nderon mysafirin, aty krijohet ajo lidhje njerëzore që nuk harrohet lehtë. Pikërisht këtë ndjenjë e dhuron restoranti “Luisenhof & Dubrovnik”: ndjenjën se je i mirëpritur, i respektuar dhe i pranuar me bujari.
Prandaj, restoranti “Luisenhof & Dubrovnik” në Hamburg, nën përkujdesjen e vëllezërve Bisaku, meriton të përmendet me respekt si një vend ku gastronomia hoteliere bëhet kulturë, ku shërbimi bëhet art, ku mikpritja bëhet traditë dhe ku shqiptaria merr një formë të bukur, të qytetëruar dhe dinjitoze në zemër të Evropës së qytetëruar. Në një botë ku njerëzit shpesh nxitojnë dhe harrojnë të ndalen pranë njëri-tjetrit, tryeza e mirë mbetet ende një nga hapësirat më njerëzore të jetës. Aty ku ndahet buka, zbutet fjala; aty ku shërbehet me zemër, afrohen njerëzit; aty ku ruhet kujtesa, forcohet identiteti. Tryeza është, në njëfarë mënyre, një shkollë e heshtur e njerëzimit: aty mësohet respekti, dëgjimi, mirënjohja, bashkimi dhe ndjenja e përbashkësisë.
Pikërisht këtë ndjenjë na e dhuroi mbrëmë restoranti “Luisenhof & Dubrovnik”: një mbrëmje me shije të mirë, me mikpritje të sinqertë, me kulturë të bukur, me frymë solidare, humane dhe me aromë të pastër shqiptare.
Në atë tryezë, ku shija u bashkua me fjalën, ku kujtesa u bashkua me miqësinë dhe ku mikpritja u bë gjuhë e zemrës, pra, mbi të gjitha u dëshmua edhe një herë se shqiptari, kudo që ndodhet, kur e ruan moralin, nderin, punën dhe shpirtin e vet bujar, e kthen edhe mërgatën në një pjesë të gjallë të atdheut. Faleminderit për mikpritjen familja Bisaku!
Hamburg, më 27 maj 2026


