Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina
Analizë sociologjike
Teksti autorial i Aleksandar Vuqiç, i publikuar në Fox News Opinion (https://qoshe.com/fox-news/aleksandar-vu-i-/president-aleksandar-vu-i-europe-vilifies-trump-but-we-in-serbia-see-a-friend/188548556?utm_source=chatgpt.com) që mban daten e botimit 22 maj 2026, gjithë atyre që ia dojnë të mirën Kosovës dhe gjithë shqiptarëve në rajon, do duhej t’u shërbente jo vetëm si një alarm intelektual e diplomatik, por, edhe si një strategji e re e tentativë politike e Serbisë për ta relativizuar, minimizuar dhe margjinalizuar rolin jo vetëm të Kosovës e Shqipërisë, por edhe gjithë shqiptarëve në rajonin e Ballkanit Peréndimor.
E themi kështu, ngase kjo letër, nëse nuk është vetëm pjesë e ndonjë marifetllëku të ri serb (ashtu siç vetëm ata dinë ta bëjnë!) për të joshur interesat amerikane, e në veçanti ato të familjes Trump në Serbi, na dëshmon tashmë edhe publikisht, dhe si asnjëherë më parë, se Aleksandar Vuçiçi ka nisur “ofensiva” dhe “beteja” të reja, të cilat nuk synojnë më të dominohen nga narrativat proruse, por nga “fjalimet”, “gjykimet”, “veprimet” dhe gatishmëria e plotë për ta pranuar gjuhën e interesave amerikane të shekullit XXI, të njohur si MAGA (Make America Great Again).
Për Kosovën, e cila ende po sillet dhe “mirëmbahet” me parametrat dhe kujtesën e aleancës së shekullit XX, ky tekst, në gjykimin tim, është një “paralajmërim i hershëm” se balancat e vjetra perceptuese në Uashington gradualisht mund të ndryshojnë, edhe për shkakun se, siç gjykon e vepron diplomacia trumpiste: “Amerika nuk ka miq të përhershëm, por vetëm interesa të përhershme.”
Nga narrativa proruse te trumpizmi amerikan
Tani, nëse i kthehemi tekstit në fjalë, për të cilin ende nuk kam hasur as edhe një prononcim mediatik, politik, partiak apo civil që të paktën për nevoja rutinore shtetërore do të merrte një vëmendje ad hoc, atëherë kuptojmë se ky tekst assesi nuk duhet trajtuar vetëm si një opinion i zakonshëm diplomatik apo si një gjest rutinor mediatik që Serbia e përdor për qëllime afatshkurtra në funksion të interesave të saj.
Përkundrazi, mendoj se ky shkrim është shumë më tepër sesa një manifest i ri strategjik që Serbia po tenton ta ndërtojë ndaj Amerikës, e sidomos ndaj kampit konservator dhe trumpist amerikan.
Në fakt, ky shkrim, përveç se është një mesazh paralajmërues se Serbia, në “dioptrinë” amerikane, tash e tutje nuk duhet të perceptohet si aleate tradicionale e Rusisë, por si një partner sovranist, konservator e pragmatik i interesave amerikane në Ballkan, përfaqëson një nga hapat dhe përpjekjet më të avancuara deri më tani që ka ndërmarrë Vuçiçi në drejtim të riformatimit të perceptimit historik të Serbisë në Uashington.
Serbia në ofensivë të re diplomatike për “Botën Serbe”
Ndërkaq, kur ky prononcim i Vuçiçit analizohet nga këndvështrimi i pasojave që mund të atakojnë jo vetëm interesat e Kosovës, por edhe ato të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës, madje edhe të Kroacisë, kuptohet shumë qartë se synimet dhe ambiciet që Serbia po i projekton për të ardhmen e saj në Ballkan, po mundohet t’i akomodojë e përshtatë konform ndryshimeve gjeopolitike e gjeostrategjike, me projektin e vet tashmë të njohur edhe publikisht si “Bota Serbe” (lexo: “Serbia e Madhe”).
E ajo që duhet ta kuptojnë politika dhe sidomos diplomacia mbarëshqiptare është se ky ndryshim radikal i kursit serb nuk do të mbetet pa pasoja edhe për Kosovën e Shqipërinë. Sepse Serbia, për herë të parë pas luftës, nuk po i drejtohet Amerikës nga pozita e viktimës apo e rebeluesit antiamerikan, por nga pozita e një aktori që pretendon kompatibilitet të plotë ideologjik dhe strategjik me segmentet më të fuqishme të së djathtës amerikane.
Është e ditur tashmë se, për dekada me radhë, diskursi politik serb në raport me Perëndimin (e në veçanti me Amerikën!) është mbështetur kryesisht mbi narrativën e viktimizimit historik, ku si levë gjeostrategjike ka keqpërdorur në mënyrë masive narrativën e “bombardimeve nga NATO-ja”, atë të gjoja “humbjes së Kosovës” dhe sidomos atë të “demonizimit ndërkombëtar” që kinse është ushtruar ndaj Serbisë dhe interesave të saj në Ballkan.
Mirëpo, në tekstin e Vuçiçit në Fox News, askund dhe në asnjë “germë” të shkruar nuk gjejmë as “viktimizim” e as ndonjë droçkë eufemiste ku ajo vajton për kinse margjinalizimin e saj. Përkundrazi, aty shihet qartë një transformim i ri diskursiv, ku Serbia tashmë nuk dëshiron të perceptohet e projektohet më vetëm si viktimë e demonizuar historike, por ekskluzivisht si “partnere strategjike amerikane” dhe si një “shtet pragmatik ekonomik”, që është i gatshëm “online” t’u shërbejë interesave amerikane dhe kompanive të saj transnacionale.
Prej nga shihet haptazi se Serbia, përveç synimeve dhe ambicieve gjeostrategjike në projektin e saj mbi “Botën Serbe”, po shpreh edhe aspiratën për kalimin nga një identitet defensiv në një identitet civilizues e ideologjik. Aspirata dhe synime këto që Amerika nga Serbia i ka pritur me kureshtje tashmë tri dekada me radhë.
E themi kështu, sepse në politikën moderne ndërkombëtare amerikane, e sidomos pas shembjes së rendit të vjetër globalist, perceptimet ideologjike, në shumicën e rasteve, po “peshojnë” shumë më rëndë sesa kujtesa historike dhe aleancat e vjetra.
Vuçiçi, duke nuhatur sensin e ndryshimeve rapide të rendit të vjetër botëror, pa asnjë kompleks ideologjik e aq më pak politik, në letrën e tij të publikuar në Fox News, me vetëdije të plotë, për herë të parë gjatë gjithë qëndrimit të tij në politikë, por edhe në cilësinë e një ish-“Millosheviqi të vogël”, ka përdorur gjuhën dhe simbolikën politike të trumpizmit, duke afishuar slogane me përmbajtje si: “America First”, “anti-globalizmi”, “Serbia si gardiane e traditës”, “ekonomia pragmatike” dhe “skepticizmi ndaj burokracive ndërkombëtare”.
Kjo gjuhë e re në vokabularin e tij politik nuk është ndonjë rastësi, por një taktikë dhe strategji e joshjes, koketimit, madje edhe fillimit të një “admirimi” ideologjik e emocional ndaj qarqeve dhe vlerave konservatore republikane amerikane.
Pra, nëse dikur Serbia e projektonte veten si aleate dhe besnike të pakontestueshme të Moskës, sot ajo po çon mesazhe të qarta se është tejet e gatshme të “kurorëzohet” dhe të shndërrohet në një aleate të devotshme e potenciale të konservatorizmit perëndimor kundër liberalizmit globalist.
Dhe ky kapital i ri simbolik politik i Serbisë, që nuk fshihet fare në këtë shkrim, kur shoqërizohet edhe me paradigmat e pragmatizmit ekonomik, të cilat më së miri ilustrohen me “ofertat” grandioze që ajo ia bën Trumpit, si: litiumi, energjia, inteligjenca artificiale, korridoret strategjike, industria automobilistike dhe EXPO 2027, e bën tërësisht të qartë se Serbia tashmë dëshiron të bëhet pjesë integrale e vlerave perëndimore.
Ndërkaq, kur kjo porosi “përkthehet” në gjuhën dhe sjelljet ambicioze të Trumpit kontravers, na dëshmon se Serbia po i thotë Amerikës: “Ne nuk jemi më vetëm problem historik i Ballkanit; ne jemi mundësi ekonomike dhe strategjike.”
Dhe pikërisht në këtë fjali fshihet e gjithë djallëzia e Serbisë, ngase ajo tani po shpreson e beson se, nëse politika amerikane në të ardhmen e afërt bëhet më transaksionale dhe më pragmatike në marrëdhëniet ndërkombëtare, atëherë ekziston rreziku real që stabiliteti ekonomik dhe strategjik me Serbinë të marrë prioritet ndaj sentimentit moral e historik që Amerika “ushqen” ndaj çështjes së Kosovës.
Natyrisht, përfundimisht kjo do të ishte sfida më serioze dhe më alarmante diplomatike, në gjykimin tim sociologjik, për Kosovën dhe gjithë shqiptarët e Ballkanit që nga shpallja e pavarësisë.
A po rrezikon Kosova ta humbë avantazhin tradicional në Uashington?
Rreziku më i madh për Kosovën nuk qëndron vetëm te ofensiva diplomatike serbe, por edhe te bindja naive se mbështetja amerikane është automatike dhe e përhershme.
Andaj, Kosova dhe mbarë shqiptarët, e sidomos ato parti politike që pretendojnë të udhëheqin me interesat shtetërore e kombëtare, duhet ta kuptojnë se në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mbijetohet më vetëm me aleanca emocionale të përjetshme, por me interesa konkrete e pragmatike.




