
Nga Frank Shkreli
KUR NJË KOMB HARRON GJIGANTËT E VET
Në të vërtetë, ky është një subjekt që e kam trajtuar sa herë gjatë viteve, si për shëmbëll dhe sa për ilustrim: Frank Shkreli: A është trashëgimia kulturore dhe historike shqiptare në zhdukje e sipër? | Gazeta Telegraf . Sot, shkak për këtë shënim u bë 180-vjetori i lindjes së Naim Frashërit (25 maj të vitit 1846) sepse, për fat të keq, historia e trajtimit/mos trajtimit të kujtesës së figurave kombëtare, vazhdon.
Ka popuj që ndërtojnë shtete me forcën e armëve. Por ka edhe kombe që mbijetojnë falë forcës së mendjes, gjuhës dhe kulturës. Shqiptarët janë një prej tyre. Në kohët më të errëta të historisë, kur Shqipëria ende nuk ekzistonte si shtet, kur gjuha shqipe ndalohej, kur shqiptarët ishin të përçarë në fe, krahina e vilajete, dolën disa burra të mëdhenj që ndërtuan me penë atë që nuk ekzistonte ende në hartë: ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Mes tyre qëndrojnë si dy maja të pashlyeshme Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta — dy figura që i dhanë kombit shpirt, gjuhë, krenari dhe ideal.
Naim Frashëri i mësoi shqiptarët ta duan Shqipërinë si atdhe shpirtëror. Ai ngriti gjuhën shqipe në nivelin e një gjuhe kulture dhe i dha shqiptarëve ndjenjën se ishin një komb i vetëm. Në një kohë robërie dhe padijeje, ai mbolli shpresë, vetëdije dhe dritë. Fishta, nga ana tjetër, u dha shqiptarëve epikën kombëtare, forcën morale dhe krenarinë e qëndresës. Me “Lahutën e Malcis”, ai ngriti në art shpirtin heroik të shqiptarëve malësorë, dhe e bëri gjuhën shqipe të jehojë me madhështinë europiane.
Pa këta njerëz — dhe pa rilindas të tjerë si Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Mid’hat Frashëri, Ndre Mjeda apo Ernest Koliqi e Martin Camaj — kombit shqiptar do t’i mungonte vetë themeli i identitetit të tij. Do t’i mungonte gjuha shqipe e kultivuar, vetëdija kombëtare, ndjenja patriotike, arsimi kombëtar, kultura europiane dhe rezistenca shpirtërore ndaj asimilimit. Sepse Shqipëria nuk u krijua as nga komunistët e sbhkullit të kaluar as nga klasa politike pseudo-komuniste 35-viteve trannzicion, as nga lufta. Ajo u krijua, fillimisht, në mendje, në libra, në poezi dhe në sakrificat e këtyre gjigantëve.
Prandaj, ka diçka thellësisht të dhimbshme në heshtjen që po shoqëron figurat më të mëdha të kulturës dhe identitetit shqiptar. Në vitin e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, mungesa e një përkujtimi dinjitoz mbarëkombëtar nuk është thjesht neglizhencë institucionale, por ajo është simptomë e një krize më të thellë: krizës së kujtesës, kulturës dhe atdhedashurisë shqiptare. Sepse kur flitet për Naim Frashërin, nuk kujtojmë vetëm një poet të zakonshëm. Po flasim për njeriun që i dha shpirt gjuhës shqipe, që mbolli idenë e Shqipërisë moderne në zemrat e shqiptarëve shumë kohë përpara se shteti shqiptar të ekzistonte. Naim Frashëri ishte zëri i ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Ai nuk kishte pushtet, ushtri apo shtet. Kishte vetëm penën, idealin dhe dashurinë për kombin. Dhe megjithatë, 180 vjet pas lindjes së tij, Shqipëria zyrtare, por edhe shqiptarët kudo, ky përvjetor duket i ftohtë, rutinor dhe pothuaj të painteresuar për të nderuar siç meriton, Naim Frashëri. Në vende të tjera europiane, por edhe në çdo shtet normal të botës, figura të përmasave të tilla do të shoqëroheshin me akademi kombëtare, botime speciale, konferenca shkencore, aktivitete në shkolla, emisione televizive, ekspozita, ribotime të veprave, dhe homazhe shtetërore. Ndërsa në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovën e pavarur, deri tani, përkujtimet publike në 180-vjetorin e Naim Frashërit, duken të kufizuara, kryesisht, me ndonjë lajm të shkurtër në media individuale apo iniciativa private. Ashtu si zakonisht në të kaluar[n me raste të tilla,nuk pati jehonën që meriton poeti i cili u bë vetë ndërgjegjja e kombit.
Por Naim Frashëri nuk është i vetmi në këtë mungesë kujtese. Një ndër ta edhe At Gjergj Fishta — kolosi i letërsisë shqipe, autori i “Lahutës së Malcis”, poeti që i dha kombit epikën, krenarinë dhe dinjitetin e fjalës shqipe — vazhdon të mbetet figurë e nderuar, më shumë nga populli, por jo edhe nga institucionet zyrtare të shtetit shqiptar. Për dekada, diktatura komuniste e përjashtoi Fishtën nga kultura zyrtare shqiptare. Veprat e tij u ndaluan, emri iu fshi nga tekstet, ndërsa kujtesa kombëtare u deformua me vetëdije ideologjike. Tragjikisht, edhe sot duket sikur Shqipëria ende nuk është çliruar plotësisht nga ajo frymë harrese zyrtare. Frank Shkreli: Vazhdon krimi shtetëror ndaj At Gjergj Fishtës, i përjashtuar nga shteti që ai mbrojti | Gazeta Telegraf –
Por ç’të themi për Naimin e Fishtën, kur kjo harresë institucionale nuk ka kursyer as figurën më të madhe të historisë shqiptare: Gjergj Kastriotin Skënderbeu. Dhe ky është paradoksi më i madh i Shqipërisë “modern”. Kombi që, ndonjëherë, mburret me Skënderbeun në çdo fjalim patriotik, shpesh nuk arrin ta trajtojë atë me dinjitetin kulturor dhe shtetëror që meriton figura e tij. Përvjetorët historikë kalojnë shpesh me aktivitete të fragmentuara, pa një vizion serioz kombëtar për ta kthyer figurën e Skënderbeut në pjesë të gjallë të edukimit, kulturës dhe vetëdijes qytetare të mbarë Kombit. Frank Shkreli: Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, i harruari i Kombit në ditëlindjen e tij | Gazeta Telegraf
Ndërkohë, që në Europë dhe në botë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu njihet si një nga figurat më të rëndësishme botërore dhe rezistencën kundër Perandorisë Osmane. Emri i tij gjendet në historiografinë europiane si simbol i qëndresës dhe identitetit perëndimor të shqiptarëve, por edhe si shpëtimtari i Evropës. Ndërsa në vetë Shqipërinë, shpesh duket sikur ai përmendet më shumë si dekor ceremonial sesa si themel moral e historik i Kombit shqiptar.
Kjo krijon një pyetje të rëndë, por të domosdoshme: Duke mos-kujtuar figura të tilla kombëtare, ashtu siç u ka hije, apo humbet Shqipëria dhe shqiptarët, lidhjen me vetveten? Sepse atdhedashuria nuk matet me retorikë politike, me flamuj në festa apo me deklarata patriotike në rrjete sociale. Atdhedashuria matet me respektin ndaj njerëzve që ndërtuan shpirtin e kombit. Duhet theksuar edhe një here se një komb që harron poetët, mendimtarët dhe rilindasit e vet, domosdoshmërisht, mfillon të humbasë busullën e vet morale. Sepse kombet e shtetet nuk jetojnë vetëm me ekonomi, pallate të larta, pushtet apo propagandë. Kombet jetojnë me kujtesë, kulturë dhe identitet. Sot, për fat të keq, shumë të rinj shqiptarë njohin më mirë personazhe virtuale të rrjeteve sociale sesa veprën e Naimit apo madhështinë e Fishtës, e lere më figurën e madhe të shqiptarëve, kudo që janë. Shkollat shpesh i trajtojnë si kapituj formalë provimesh, jo si shtylla të ndërgjegjes kombëtare. Ndërkohë që hapësira publike dominohet nga konfliktet politike e partiake, nga banaliteti, spektakli dhe kultura e harresës.
Dhe kjo është drama modern e shqiptarëve. Ndonëse shqiptarëve nuk u mungojnë gjigantët gjatë gjithë historisë, Kombi shqiptar që prodhoi gjigantë kulturorë si Naim Frashëri e Gjergj Fishta, po rrezikon të mbetet pa kujtesë kombëtare. Por ende nuk është vonë. Sepse rikthimi te Naimi, te Fishta, te Faik Konica, te Luigj Gurakuqi, te Mid’hat Frashëri dhe te rilindasit e tjerë nuk është nostalgji për të kaluarën, por është një nevojë e madhe për identitetin e shqiptarëve në të ardhmen . Sepse pa ta, Shqipëria ndoshta do të ishte vetëm një emër në hartën e Evropës dhe asgjë tjetër.
Kur një një komb që nuk kujton me respekt gjigantët e vet të kulturës e të historisë, rrezikon që një ditë të mbetet, jo vetëm, pa gjigantët e historisë së vet – por edhe pa shpirt!


