Shkruan Bardhec Berisha – Bardhi
Neudorf, shkurt 2026
Intervistë me humanistin Fadil Haxhosaj: Dipl. Anestezie Ekspert, HF, NDS (Studime Pasuniversitar në Zvicër), mjeshtër në Sportin e Karates (Shihan) dhe humanist.
Erdhi nga Gjakova dhe u vendos në Obwalden pastaj në Luzern të Zvicrës, në qytetin e bukur buzë “liqenit të katër qyteteve malore” (Vierwaldstättersee).
Kur u vendos në këtë qytet të bukur më shumë se 40 vite më parë, Fadil Haxhosaj nuk e dinte se po niste një rrugëtim që do ta formësonte jo vetëm si profesionist, por edhe si njeri, familjar sportist dhe humanist!
Për më shumë se katër dekada, Fadil Haxhosaj ka ndërtuar jetën dhe veprimtarinë e tij në Zvicër mbi përkushtimin profesional, disiplinën personale dhe angazhimin shoqëror. Ai është dipl. Anestezie Eksperte me profesion, Shihan (Profesor) në Budo-Karate Stilin “Kyokushinkai”(kampion në 100% Kontakplotë në vitet 80ta në Zvicrës, Gjyqtar Internacional në Karate, me përvojë në tërë Boten) dhe aktiv me vite në Shoqatën Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza” në Zvicër, vitet e fundit është Arkëtar (përgjegjës për Financa). Ai përfaqëson një profil të rrallë ku mjekësia, sporti dhe humanizmi ndërthuren natyrshëm. Sot, në prag të pensionimit, ai reflekton mbi një rrugëtim të pasur jetësor, duke ndarë përvojën e tij si profesionist, emigrant, bashkëshort dhe prind i dy fëmijëve të rritur.
“Disiplina dhe përgjegjësia nuk janë vetëm pjesë e profesionit tim, por mënyrë jetese,” thotë Fadil Haxhosaj, Anestezie Ekspert me mbi 40 vite përvojë pune në Spitalet Zvicerane.
Në këtë profil biografik dhe intervistë, ai ndan përvojën e tij profesionale, pasionin për sportin, angazhimin humanitar dhe rëndësinë e familjes në jetën e tij. Rrugëtimi i tij në Zvicër nisi në një periudhë kur emigracioni kërkonte jo vetëm guxim, por edhe përshtatje të vazhdueshme. Hapat e parë në një vend të ri u shoqëruan me sfida gjuhësore, kulturore dhe profesionale, por edhe me një vendosmëri të fortë për shkollim të lartë, për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme dhe dinjitoze. Përmes punës së ndershme dhe përkushtimit të palëkundur ndaj profesionit, Fadil Haxhosaj arriti të integrohet shumë mirë në shoqërinë zvicerane, duke krijuar një identitet të dyfishtë: atë të Anestezisë në Kuadër pozicion të respektuar dhe të emigrantit që ruajti lidhjen me rrënjët e tij.
Zgjedhja e mjekësisë dhe, më pas, e Anestezioni, nuk ishte e rastësishme, por rezultat i një thirrjeje të brendshme për Shkollim e përgjegjësi dhe përkushtim ndaj jetës njerëzore (Pacientit). Gjatë viteve të punës në institucionet shëndetësore zvicerane “Luzerner Kantonspital”, Fadil Haxhosaj ushtroi profesionin e tij me përpikëri të lartë profesionale, qetësi dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie, duke qenë pjesë e momenteve vendimtare për pacientët dhe ekipet medicinale. Anesteziologjia/Reanimationi, një degë që kërkon besim maksimal dhe vendimmarrje të saktë, shpejta në situata kritike në Reanimation/Emergjencë, u bë për të jo vetëm profesion, por edhe mënyrë të menduari dhe vepruari, marrje të vendimeve të shpejta dhe vendimtare.
Karate-Stili Kyokushinkai (E vërteta përfundimtare!)
Paralelisht me profesionin mjekësor, një vend të rëndësishëm në jetën e Fadil Haxhosajt ka zënë edhe karateja. Rrugëtimi i tij në këtë disiplinë sportive nuk u ndërtua vetëm mbi aspektin fizik, por mbi filozofinë e vetëkontrollit, vetëbesimit Disiplinën, respektit dhe përmirësimit të vazhdueshëm në pozicion. Arritja e titullit Shihan përfaqëson jo vetëm nivel të lartë teknik, por edhe autoritet moral dhe përvojë shumëvjeçare në edukimin e trajnerëve dhe brezave të ri. Vlerat e fituara përmes karatesë – disiplina, qetësia dhe vendosmëria – janë reflektuar dukshëm edhe në punën e tij si Anestezie Eksperte dhe në jetën e përditshme. (Motoja: “Ushtro aq… sa që ta fitosh Luftën pa Luftë!), si Uji të jesh i but, i qetë, i freskët, të mban në Jetë, e kalon ç`do barrierë por po qe nevoja të rrëmben si dallga e Detit.”
SHHB “Nënë Tereza” në Zvicër – humanizmi paralel me të gjitha veprimtaritë
Angazhimi i tij nuk u kufizua vetëm në profesion dhe sport, por u shtri edhe në sferën humanitare. Si anëtar, Koordinator, përgjegjës për sektorin Mjekësisë që nga vitet 90ta dhe së fundi si arkëtar i Shoqatë Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza”në Zvicër, Fadil Haxhosaj ka kontribuar në mënyrë të qëndrueshme në mbështetjen e nismave që synojnë ndihmën për të tjerët, duke e parë solidaritetin si detyrim njerëzor dhe shoqëror. Për të, humanizmi nuk është një rol formal, por një vazhdimësi e natyrshme e vlerave që ka kultivuar gjatë gjithë jetës: ndihma, përgjegjësia dhe ndershmëria. “Të jesh Urë kalimi (mundësi) për mbijetesë, të fitosh besimin tek ai që ka, për të ndihmuar atë që nuk ka”
Familja – qenësore për të gjitha sukseset
Përtej angazhimeve profesionale, sportive dhe shoqërore, familja ka qenë gjithmonë një shtyllë e rëndësishme në jetën e Fadilit. Si bashkëshort dhe prind i dy fëmijëve tashmë të rritur, ai e ka parë familjen si hapësirën ku balancohet përgjegjësia, forca e përditshme me mbështetjen emocionale dhe vlerat njerëzore. Bashkëshortja e tij, e angazhuar gjithashtu në jetën Familjare, ka qenë një partnere e barabartë në ndërtimin e një jete të qëndrueshme në emigracion. Përmes përkushtimit dhe shembullit personal, ai ka përcjellë te fëmijët vlera si puna, respekti dhe përgjegjësia, duke e konsideruar rolin e prindit po aq të rëndësishëm sa çdo arritje profesionale. “Ne s`duhet të harroj se pas një Partneri/re të suksesshëm qëndron gjithnjë njëri nga ata që merr ma shumë përgjithësi, që tjetri të arrin Sukses.”
Gjatë një bisede miqësore i parashtrova disa pyetje z. Fadil Haxhosajt:
- Berisha:
Mbi 40 vite jete dhe pune në Zvicër, si e përmblidhni sot rrugëtimin tuaj profesional dhe njerëzor, dhe cilat vlera kanë qenë udhërrëfyesi juaj kryesor?
- Haxhosaj:
Po të me japish kohë do shkruaja me ditë të tëra për rrugëtimin e një mërgimtari 19 Vjeçar, që dua ma shumë se gjithçka familjen, shkollimin dhe një jetë ma të mirë, jo vetëm për mua por për mbarë Kombin. Mendoj që ç`do mërgimtar ka një vullnet të hekurt që e lidh fortë me Atdheun. Kur e fillon zanafillën e jetës tek nëna, babai, motra e vëllai, fusha e mali që frymojnë shqip, ndarja e hershme të hanë nga brenda, sepse ma të dashurit nuk i ke pranë. Udhërrëfyesi im ishte të jem i zellshëm, i ndershëm dhe të tregoj Kulturën bujare Shqiptare. Të jap nga vetja atë që di ma së miri, të integrohem, të shkollohem e të jem shembull për brezat e ardhshëm, po ke vullnet do arrish ç`do synim që ke para vetes.
- Berisha:
Çfarë ju ka mësuar profesioni i anesteziologut ndër vite dhe si ka ndikuar kjo përvojë në mënyrën tuaj të të menduarit dhe të vepruarit, brenda dhe jashtë sallës se operacionit?
- Haxhosaj:
Çdo profesion kërkon sakrificë, por kur ushtrohet me përkushtim, punë të ndershme dhe ndjekje të vazhdueshme të zhvillimeve të reja në mjekësi, veçanërisht në anesteziologji dhe reanimacion, kërkon vëmendje të jashtëzakonshme dhe tolerancë zero ndaj gabimeve. Çdo veprim i pamenduar mund të jetë fatal për jetën e pacientit. Jashtë sallës së operacionit ekziston një botë tjetër. Ajo përballohet vetëm me mbështetjen e ekipit dhe familjes. Me një ekuilibër të shëndetshëm mes punës dhe jetës private (work–life balance), mund të përballosh çdo sfidë, si në punë ashtu edhe në jetën personale, pa lënë pas dore aktivitetin fizik.
- Berisha
Si e përjetuat procesin e integrimit në Zvicër dhe cilët faktorë mendoni se kanë qenë vendimtarë për ndërtimin e një jete të qëndrueshme në emigracion?
- Haxhosaj
PO, si nji i ri, ke ambicie dhe dëshira të pa realizueshme… por caku ishte i ngulitur në kokë. Shkollimi dhe dinjiteti, kthimi sa ma shpejtë në Atdhe! Nga edukimi i hershëm familjar; duhesh të kesh një qëllim në jetë, e kisha të ngulitur në kokë nga prindërit. Doja të integrohem sa ma shpejt në jetën Zvicerane, përmes mësimit të gjuhës (dialektit zviceran), kontaktit me vendaset, pacient dhe sportin që më dha një afirmim në Kanton dhe gjithë Zvicrën, e arrita me punë lojalitet ndaj popullit Zviceran.
- Berisha
Karateja ka qenë një pjesë e rëndësishme e jetës suaj. Si e ka formësuar kjo disiplinë karakterin tuaj dhe sa janë reflektuar parimet e saj në profesionin dhe jetën tuaj personale?
- Haxhosaj
Me ardhjen time në Zvicër, si një i ri doja të angazhohesha në një aktivitet sportiv – në një klub futbolli – për të pasur më shumë kontakt me njerëz. Por më thanë se tashmë kishin mjaft lojtarë. I shpreha dëshpërimin tim një kolegeje të punës, dhe ajo më tha:
“Eja tek ne në karate.” Që nga ajo ditë e deri sot jam pjesë e të njëjtit klub – tashmë pothuajse 44 vite – por me një status tjetër. Ky angazhim pati ndikim të madh edhe në profesionin tim. Aty mësova përpikërinë, durimin, vigjilencën, si dhe sjelljen ndaj njeriut në nevojë, pacientit dhe qytetarit, pa e paragjykuar se kush është.
Më e mira nga të gjitha ishte përkujdesja për të moshuarit dhe të varfrit. Në luftën e fundit, me ndihmën e Zotit, mësova nga zviceranët se si duhet ndihmuar i shtypuri, i harruari dhe i padrejti.
Për këtë jam mirënjohës për gjithë jetën.
- Berisha
Çfarë ju shtyu të angazhoheni në shoqatat humanitare dhe si mendoni se kontributi juaj ka ndikuar tek të tjerët dhe tek ju vetë?

- Haxhosaj
Pasi vijë nga një familje e madhe dhe humanitare, jam mësuar që nga fëmijëria të ndaj atë që kam me të tjetrin, Jam rritur me nënë e babë, motër e vëlla, e gjyshe. Prindërit me kanë mësuar, të mirën që ta ndash më atë që s`ka. Ndikimi tek të tjerët është vetëm kurë të jesh shembull i mirë, Humanizëm nuk bëhet duke deshtë të tregosh se kush je, të jesh Humanist do të thotë të japish dhe me nda me të tjetrin.
- Berisha
Ju jeni kampion në Zvicrës në karate – çfarë do të thotë kjo për ju, jo vetëm si sportist, por edhe si njeri, dhe si ndikojnë këto arritje në qasjen tuaj ndaj profesionit dhe jetës personale?
- Haxhosaj
Po, më ka ndihmuar shumë, në krijimin i një të riut, të jesh i vendosur në JETË, në punë, të kesh një afirmim të gjerë, jo vetëm nga profesioni por bota zvicerane e jetës sportive si trajner nacional (COACH) i Zvicrës në Karate Stili Kyokushinkai, pothuajse një decenie.
- Berisah
Si keni arritur të balanconi jetën profesionale, sportin dhe angazhimin humanitar me jetën familjare, dhe cilat vlera mendoni se i keni përcjellë tek fëmijët tuaj?
- Haxhosaj
Vetëm e vetëm me ndihmën e bashkëshortes time që i jam shumë, shumë mirënjohës. E cila thoshte: “Kurrë mos u dorëzo” të luftosh për të ardhmen. Tek fëmijët përcille vazhdimisht; respektin, disiplinën, punën, sakrificën për një të ardhme ma të mirë. Pastaj pavarësinë individuale, dinjitetin atdhetarë. Populli thotë: Kur bënë mirë, do të gjesh mirë, duke mos harruar vetëveten.”(Ju thamë gjithnjë, po së ditët historinë, s`mund të ndërtoni të ardhmen)
- Berisha
Duke u afruar me pensionimin, si e shihni këtë kapitull të ri të jetës dhe cilat këshilla apo mesazhe do t’u jepnit të rinjve që fillojnë rrugëtimin e tyre profesional dhe personal?
- Haxhosaj
Pensionimi është vetëm një identifikim i një numrit të caktuare të kohës, por skadimi është shumë e shumë ma vonë. Duhet të kesh ende aktivitet shoqërore e sportive (profesionale), tani ke kohen të jepesh përvojën e jetës dhe profesionit me dashje, buzëqeshje. Kontinuiteti në çdo lami ka një domethënie shumë të madhe, kush mund ti përmbahet, ka fituar në kohë.
Pas katër dekadash jete dhe përvoje në Zvicër, rrugëtimi i Fadil Haxhosajt është një histori e përkushtimit, disiplinës dhe humanizmit. Profesioni i anesteziologut, arritjet e jashtëzakonshme në karate ku arriti titullin Shihan dhe kampion i Zvicrës, angazhimi në Shoqatën Humanitare “Nënë Tereza” dhe roli si bashkëshort dhe prind i dy fëmijëve të rritur, nuk janë thjesht tituj apo detyra – ata përbëjnë një mënyrë jetese dhe filozofi që ai ka ndjekur me pasion dhe përpikëri.
Përmes reflektimeve të tij, bëhet e qartë se sukseset profesionale dhe sportive nuk do të kishin kuptim pa vlerat njerëzore, solidaritetin dhe dashurinë për familjen. Pensionimi nuk shihet si fund, por si një kapitull i ri ku mund të vazhdohet të kontribuohet, të jepet shembull dhe të ndajë përvojën me të tjerët. Mesazhi i tij për brezin e ri është i thjeshtë, por i fuqishëm: puna e palodhur, disiplinimi i vetes, respekti për të tjerët dhe angazhimi shoqëror janë gurët themelorë të një jete të plotë dhe të suksesshme.

Ky profil nuk është thjesht portret i një profesionisti, sportisti apo humanisti; ai është dëshmi se jeta mund të ndërtohet mbi vlera të forta dhe se çdo arritje merr kuptim vetëm kur lidhet me njerëzit dhe komunitetin përreth, dhe kurrë mos u dorëzo për atë që synon.
Faleminderit, zoti Haxhosaj, që na ndatë rrugëtimin tuaj të jashtëzakonshëm, përvojën, pasionin dhe mësimet e jetës – ato do të frymëzojnë shumë breza të rinj.


