Çka po ndodh në trojet tona?
Mitrovica me rregulla të Republikës demokratike apo me standarde të dyfishta ?!
Ka raste kur realiteti e tejkalon edhe satirën. Atëherë njeriu mbetet pa përgjigje: të qeshë, të hidhërohet apo të shqetësohet?
Në Mitrovicë është vendosur një kod veshjeje për hyrjen në objektin e Komunës. Ndalohen pantallonat e shkurtra, maicat pa krahë dhe minifundet. Arsyeja e dhënë është “ruajtja e dinjitetit të institucionit”.
Askush nuk e konteston të drejtën e institucioneve për të kërkuar një veshje të përshtatshme. Por pyetja që lind natyrshëm është kjo: a duhet ky standard të vlejë për të gjithë njësoj?
Nëse flasim për një shtet laik dhe demokratik, kodi i veshjes duhet të jetë i njëjtë për çdo qytetar, pa dallim bindjeje fetare apo përkatësie tjetër. Përndryshe krijohet përshtypja e standardeve të dyfishta, dhe standardet e dyfishta janë armiku më i madh i besimit të qytetarëve te institucionet.
Ironia është e dukshme. Në shumë vende të Evropës Perëndimore zhvillohen debate dhe në disa raste janë vendosur kufizime për mbulimin e fytyrës me burkë ose nikab në hapësira publike, ndërsa përdorimi i simboleve fetare në institucione publike trajtohet vazhdimisht në dritën e parimit të neutralitetit të shtetit. Ndërkohë, tek ne, debati duket se përqendrohet te gjatësia e pantallonave dhe e fundeve, ndërsa çështjet e tjera shpesh mbeten jashtë diskutimit.

A nuk është paradoksale që në kulmin e vapës një qytetare mund të mos lejohet të hyjë në komunë për shkak të një fustani pa mëngë ose një qytetar për shkak të një maice, ndërsa debati mbi neutralitetin fetar të institucioneve thuajse shmanget krejtësisht?
Edhe më shqetësuese është klima shoqërore që po krijohet. Në Shqipëri, debatet rreth protestave kanë nxitur shqetësime se kauzat qytetare mund të përzihen me agjenda ideologjike ose fetare. Në Kosovë, ndërkohë, shtohen polemikat sa herë ngrihet çështja e karakterit laik të shtetit.

Në të njëjtën kohë raportohen dëmtime të varrezave të krishtera, përfshirë edhe raste në Isniq. Këto ngjarje nuk duhen parë të ndara nga përgjegjësia që kemi për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe fetare të të gjithë qytetarëve.

Kosova nuk është republikë fetare. Ajo është ndërtuar mbi sakrificën e qytetarëve të saj dhe mbi parimet e demokracisë, lirisë dhe barazisë. Kushtetuta nuk njeh qytetarë të kategorisë së parë dhe të dytë, as kode të ndryshme sipas bindjeve fetare.
Prandaj pyetja ime nuk është kundër askujt dhe as kundër asnjë besimi.
Pyetja ime është vetëm kjo:
A duam institucione që zbatojnë të njëjtin standard për të gjithë qytetarët, apo institucione ku qytetarët krijojnë përshtypjen se disa rregulla vlejnë për disa, e disa të tjera për të tjerët?
Një shtet demokratik nuk mat qytetarin me gjatësinë e pantallonave, apo fustanve, por me respektin ndaj ligjit. Dhe ligji, nëse është vërtet ligj, duhet të jetë i barabartë për të gjithë.
Nëse një kod veshjeje vendoset në emër të dinjitetit të institucionit, atëherë ai duhet të jetë i qartë, i paanshëm dhe në përputhje me frymën e shtetit laik. Vetëm kështu qytetarët do ta respektojnë jo nga frika, por nga bindja se drejtësia nuk njeh standarde të dyfishta !



