Për një pyetje që po më rri në mendje tash e sa kohë

Shkrime relevante

Kur llumi mbulon natyrën, shoqërinë dhe shtetin

Lirim Gashi, Prishtinë _____ Ne shqiptarët kemi një marrëdhënie të çuditshme me llumin. Nuk...

Baton, kush është kriminel i fjalës – ti apo unë?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi, Tiranë Me datën 24 shtator 2026 në studion...

Për një pyetje që po më rri në mendje tash e sa kohë

Pranvera Munishi, Prishtinë Një pyetje që po më rri në mendje tash...

Në Rinas Rama nuk do të “fluturojë”

Kërshëri e madhe se kryeministri Edi Rama ka lajmëruar një konferencë...

Basri Beka i pergjigjet Milazim Krasniqit: “Ti po kontribuon çdo ditë që inflamacioni i fesë të rritet, dhe kështu po e rrezikon të gjithë...

Basri Beka, Prishtinë ____ Përgjigje ndaj Milazim Krasniqit Milazim Krasniqi, Më vjen mirë që ke...

Shpërndaj

Pranvera Munishi, Prishtinë

Një pyetje që po më rri në mendje tash e sa kohe. Cfarë i kemi bërë vetes gjatë këtyre dekadave? Jo çfarë na kanë bërë të tjerët. Jo kush na ka penguar. Jo kujt t’ia lëmë fajin. Po ne?

Çfarë kemi bërë ne me mundësinë që na u dha pas luftës? Në vend që të ndërtonim mbi atë që kishim, shpesh u morëm me rrënimin e njëri-tjetrit. Madje, në një moment, sikur vendosëm të proklamonim edhe një identitet të ri. Nuk na mjaftonte që ishim shqiptarë. Sikur duhej ta shpiknim nga e para një version më të pastër, më të lavdishëm, më të përshtatshëm të vetes.

Një identitet te ashtuquajtur kosovarë! Sikur harruam se identiteti nuk krijohet me deklarata, me tregime të bukura për veten. Identiteti ndërtohet me verpimet që bëjmë kur askush nuk na sheh. E pikërisht këtu ka nisur dështimi jonë. Kemi folur shumë për vlera, por kemi shpërblyer njerëz pa vlera. Kemi folur për meritokraci, por kemi hapur dyer për njerëz vetëm sepse na kanë qenë të afërt. Kemi kërkuar profesionalizëm, por kemi larguar profesionistët kur nuk na kanë thënë atë që donim të dëgjonim. E kemi ngatërruar besnikërinë me servilizmin. Kemi ngritur në pozita njerëz që nuk kanë pasur as dijen, as përgatitjen, as karakterin për t’i mbajtur ato.

Pastaj! Pastaj jemi habitur pse institucionet nuk funksionojnë. Pse shteti nuk funksionin. Por çfarë prisnim? Nuk mund të vendosësh njeriun e gabuar në një vend të rëndësishëm dhe pastaj të presësh rezultat të drejtë. Nuk mund t’i japësh përgjegjësi dikujt vetëm sepse të thurrë elozhe dhe të ankohesh më vonë se pse ai nuk di ta mbajë atë përgjegjësi. Një bashkëpunëtor i mirë nuk është ai që ta rreh shpinën sa herë gabon. Është ai që të ndal. Ai që ta thotë të vërtetën edhe kur ty nuk të pëlqen. Ai që të korrigjon para se gabimi të bëhet pasojë.

Eshte e vërtetë, të gjithë gabojmë. Edhe unë. Edhe ti. Edhe ata që drejtojnë. Por dallimi është çfarë bëjmë pasi e kuptojmë se kemi gabuar. Ne, shumë shpesh, kemi zgjedhur ta fshehim gabimin, ta mbrojmë njeriun tonë, ta heshtim atë që e sheh problemin dhe ta largojmë atë që nuk pranon të bëhet pjesë e lojës. Pastaj jemi kthyer e kemi pyetur! Pse po na ikin njerëzit e mirë? Po ku t’i mbajmë? Në një shoqëri ku aftësia e tjetrit të bezdis më shumë sesa të frymëzon. Njerëzit e zotë herët a vonë mësojnë të heshtin, të largohen ose të kërkojnë diku tjetër hapësirën që këtu ua kemi mohuar. Edhe suksesi i tjetrit na është bërë problem.

Dikush vjen nga një vend tjetër, ndërton një jetë më të mirë, punon, përparon, i siguron familjes kushte më të mira, e ne në vend se të themi “mirë që po ecën”, pyesim: “po ky, ku i gjeti?” Sikur mirëqenia të ishte pronë personale. Sikur vetëm ne ta kishim të drejtën të jetonim më mirë. Sikur përparimi i dikujt tjetër të na e cënonte jetën tonë. Kjo është një mënyrë shumë e keqe për ta ndërtuar një shoqëri. Një vend nuk ecën përpara kur njëri ngrihet duke e shtyrë tjetrin poshtë. Ecën vetëm atëherë kur ngritja e njërit bëhet mundësi edhe për tjetrin. Ne kemi prodhuar për vite këtë klime me pyetje, “pse ai?”, “pse ajo?”, “çka ka bërë ky?”, “kush e ka sjellë?”, “kush është pas tij?” Kemi krijuar gjyqe nëpër kafene për njerëz që nuk i njohim. Kemi rrënuar emra me llafe kafeneshë.

Kemi vënë në dyshim punën e dikujt vetëm sepse nuk e kemi dashur suksesin e tij. E ndërkohë kemi lënë në hije njerëz me dije, me integritet, me profesion, vetëm sepse nuk kanë ditur të bëjnë lajka. Kjo nuk është vetëm padrejtësi ndaj tyre. Është varfërim i yni. Kur e largon një njeri të aftë, nuk humb vetëm ai. Përkundrazi, humb institucioni, humb puna, humb shoqëria, e mbi të gjitha humbim të gjithë. Prandaj, kur sot shohim kaq shumë gjëra që nuk funksionojnë, ndoshta duhet të ndalemi pak para se të kërkojmë fajtorin e radhës.

Sepse këtë realitet e kemi ndërtuar edhe ne. Me heshtjet tona. Me kompromiset tona. Me servilizmin tonë. Me smirën tonë. Me votën tonë. Me tolerimin tonë. Me duartrokitjen që ia kemi dhënë njeriut të gabuar dhe me heshtjen që ia kemi rezervuar atij që ka pasur guxim të na thotë të vërtetën. Po, kur them “ne”, e fus edhe veten. Eshtë shumë e lehtë të flasësh për fajet e shoqërisë kur mendon se vetë je jashtë saj. Nuk jemi. Jemi pjesë e kësaj që kemi ndërtuar. Për fat të keq sot po i shohim pasojat. E ky realitet është pjesa më e vështirë për t’u pranuar. Nuk na ka munguar gjithmonë mundësia.

Shpesh na ka munguar karakteri për ta përdorur drejt. Kemi kërkuar një jetë më të mirë, por jo gjithmonë ia kemi uruar atë edhe tjetrit. Kemi kërkuar një shtet më të mirë, por kemi toleruar njerëz që e dobësojnë atë. Kemi kërkuar drejtësi, por kemi heshtur kur padrejtësia na ka leverdisur. Kemi folur për një identitet të madh, ndërsa në jetën e përditshme kemi treguar sa pak dimë ta respektojmë njeriun pranë nesh.

Ndoshta ky është momenti të mos flasim më aq shumë për madhështinë që mendojmë se kemi. Të shohim pak çfarë kemi bërë. Atë që kemi mbjellë për vite, sot po e korrim.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu