_____
Ne shqiptarët kemi një marrëdhënie të çuditshme me llumin.
Nuk e klasifikojmë. E përziejmë.
Mbetjet organike i përziejmë me ato joorganike, plastikën me qelqin, qelqin me mbeturinat e ndërtimit — dhe pastaj gjithçka përfundon në ndonjë lumë, përrua, kanal apo në ndonjë cep të ndjeshëm të natyrës.
Por, me kalimin e kohës, zbuluam një sistem edhe më të avancuar:
ta bëjmë llumin sistem shoqëror.
Kështu, llumi që dikur grumbullohej në fund të lumenjve filloi të ngjitej mbi sipërfaqen e shoqërisë.
U fut në politikë.
Në institucione.
Në media.
Në arsim.
Në kulturë.
Në shkencë.
Në religjion.
Në ekonomi.
Në diplomaci.
Në shëndetësi.
Në organet e sigurisë.
Në histori.
Dhe, më në fund, filloi të na shpjegonte se si duhej të jetonim.
Një mëngjes, një copë veçanërisht ambicioze llumi e pyeti lumin:
— O lum, pse duhet të qëndrojmë gjithmonë në fund të pellgjeve, përrenjve, kënetave, liqeneve dhe lumenjve?
— Sepse jeni llum, — iu përgjigj lumi.
— Ky është diskriminim!
Po atë mbrëmje u mblodh Kongresi i Përgjithshëm i Llumit.
Kryetari u ngrit:
— O lluma të llumit, është koha ta marrim pushtetin.
— Përmes zgjedhjeve?
— Nëse na leverdis.
— Përmes koalicioneve?
— Nëse na duhen.
— Po nëse nuk i marrim votat?
Kryetari buzëqeshi:
— I numërojmë përsëri.
— Po nëse prapë nuk dalin?
— Bëjmë pazare.
— Për çfarë?
— Për poste.
— Cilat poste?
— Për të gjitha postet që kanë çelësa te dyerve të buxhetit, thesarit, prokurorisë, drejtësisë dhe sigurisë së shtetit.
— Po nëse nuk na i japin?
Kryetari ngriti vetullën:
— E quajmë krizë institucionale.
Propozimi u miratua njëzëri.
Kështu filloi grushti i shtetit më paqësor në historinë e njerëzimit.
Llumi nuk e pushtoi shtetin me tanke.
E pushtoi me përhapje.
Një grimë në një institucion.
Një tjetër në një parti.
Një tjetër në një bord.
Një tjetër në një tender.
Një tjetër në një televizion.
Një tjetër në një universitet.
Dhe, para se shoqëria ta kuptonte, llumi nuk ishte më në fund të sistemit.
Sistemi ishte mbuluar nga llumi.
Pastaj erdhën kalkulatorët politikë.
Disa nuk llogarisnin më çfarë është e drejtë.
Llogarisnin sa vota duhen për një post, sa deputetë duhen për një marrëveshje, sa miq duhen për një bord dhe sa fjalë patriotike duhen për ta mbuluar një interes personal.
Dje:
— Historia jonë është e shenjtë!
Sot:
— Historia jonë është fleksibile.
Nesër:
— Historia varet nga rrethanat.
Dhe kur dikush ua kujton deklaratat e vjetra:
— Ku e gjetët këtë?
— Në internet.
— Atëherë nuk mund të jetë e vërtetë.
Fatkeqësisht, interneti nuk harron.
Ai e ruan çdo “kurrë më”, çdo “përgjithmonë”, çdo premtim dhe çdo betim.
Kështu u shpik e vërteta fleksibile:
Nëse realiteti nuk përputhet me interesin tënd, ndryshoje interpretimin e realitetit.
Pastaj Kryellumi bëri thirrje për unitet.
— Duhet të bashkohemi!
— Rreth cilave vlera? — pyeti dikush.
— Rreth interesit kombëtar.
— Cili është interesi kombëtar?
Kryellumi mendoi pak.
— Ajo që na leverdis neve, kur e themi mjaftueshëm me zë të lartë.
Dhe kështu lakmia u quajt patriotizëm, pazari kompromis, oportunizmi pragmatizëm dhe përgjegjësia viktimizim.
Nëse dikush kërkonte llogari, përgjigjja ishte:
— Mos e përçaj shoqërinë!
Nëse dikush pyeste për tenderët:
— Po e sulmon shtetin!
Nëse dikush kërkonte meritokraci:
— Po i sulmon institucionet!
Nëse dikush ua kujtonte premtimet e djeshme:
— Po na krijon krizë!
Dhe nëse dikush pyeste se ku përfunduan paratë:
— Mos u merr me të kaluarën. Shiko të ardhmen!
Kështu u themelua Republika e Vetvetes.
Flamuri ishte kafe.
Himni tingëllonte si një kanal i bllokuar.
Motoja:
“Të bashkuar rreth interesit tonë të përbashkët!”
Një fëmijë pyeti:
— Po drejtësia?
— E kemi harruar.
— Po morali?
— Nuk ishte në kalkulator.
— Po njerëzimi?
Presidenti i Llumit mendoi gjatë.
— Nuk është parashikuar në buxhet.
— Po pse nuk pastroheni?
Presidenti u tmerrua.
— Kush e ka dërguar këtë fëmijë?
— Askush.
— Atëherë është edhe më i rrezikshëm.
Fëmija u dërgua para një komisioni hetimor.
Komisioni punoi shtatë vjet dhe nxori një raport prej 1.842 faqesh.
Përfundimi:
“Pastërtia është një proces kompleks.”
Kryellumi festoi.
Pastaj ra shi.
Uji u ngrit.
Lumi filloi të rrjedhë.
Dhe llumi u trazua.
Për herë të parë, llumi e ndjeu erën e vet të padurueshme.
— Çfarë ere e tmerrshme!
Lumi qeshi:
— Mirë se erdhe në realitet.
Atëherë llumi kuptoi diçka të thjeshtë:
Mund t’i pushtosh institucionet.
Mund t’i pushtosh mediat.
Mund t’i manipulosh kujtimet.
Mund ta quash interesin personal “interes kombëtar”.
Por nuk mund ta urdhërosh lumin të mos rrjedhë.
Nuk mund ta detyrosh ajrin të mos mbajë erë të padurueshme.
Dhe nuk mund ta korruptosh kohën.
Kongresi i Llumit u mblodh për herë të fundit.
— Çfarë do të bëjmë tani? — pyeti një delegat.
Kryetari mendoi gjatë.
— Të shpallemi viktima.
Duartrokitje.
Ishte ideja e tyre më e suksesshme.
Dhe kështu përfundoi grushtshteti i Llumit.
Jo sepse Llumi u zhduk.
Por sepse, si gjithmonë, u përpoq t’ua faturonte të tjerëve erën që e kishte nxjerrë vetë.
Kjo është alkimia e tij:
ta shndërrojë llumin në moral, lakminë në patriotizëm, pazarin në parim dhe përgjegjësinë në viktimizim.
Vetëm një gjë nuk ka arritur ende:
ta shndërrojë llumin në ujë të pastër.
Por ndoshta edhe për këtë do të krijohet një komision.
Do të ketë kryetar.
Nënkryetar.
Zëdhënës.
Këshilltar.
Dhe, natyrisht, një kalkulator.
Pas shtatë vjetësh do të zbulojnë se fajin e kishte uji.
Sepse Llumi nuk ka pretenduar kurrë se është i kthjellët dhe i pastër.
Ai vetëm ka kërkuar që të gjithë të tjerët të bëhen po aq të pistë dhe të turbullt sa ai.
Dhe ky është sekreti i vërtetë i grushtit të tij të shtetit:
Llumi nuk e pushtoi shtetin duke u ngritur mbi shoqërinë.
E pushtoi duke e ulur shoqërinë nën nivelin e vet.
Karma nuk ka nevojë për polici.
As për prokuror.
As për komision hetimor.
Ajo vetëm e pret shiun e pastër me emrin Albin Kurti.
Sepse shiu Albin Kurti kurrë nuk negocion me llumin.


