Siberia është parë gjithmonë si hapësira ku siguria e Rusisë arrin formën e saj më absolute. Ajo ka qenë thellësia strategjike e shtetit rus, vendi ku armiku nuk mund të mbërrinte kurrë.
As mongolët e Xhengis Khan-it, të cilët shkatërruan Rusinë e Kievit, nuk depërtuan deri në Siberi. Ata arritën deri te muret e Vjenës, shkelen fushat e Polonisë, depërtuan në brigjet e Adriatikut, duke shkretuar qytetet arbërore, si Shasin, por jo edhe në Siberi.
As Napoleon Bonaparti, i cili hyri në Moskë pas gjakderdhjes së madhe në Borodino, nuk mund ta imagjinonte Siberinë nën çizmen e Grande Armée.
As Wehrmacht-i nazist, që në verën e vitit 1941 hodhi në sulm afro katër milionë ushtarë kundër Bashkimit Sovjetik.
Pikërisht në ato ditë dramatike, Stalini urdhëroi zhvendosjen masive të industrisë sovjetike përtej Maleve Ural, drejt Siberisë. Fabrikat, makineritë dhe miliona punëtorë u transportuan me tren në lindje, sepse Siberia konsiderohej streha e fundit e sigurt e fuqisë industriale sovjetike.
Prandaj, nëse sot një objektiv strategjik në zemër të Siberisë mund të goditet nga mjete pa pilot të lëshuara mijëra kilometra larg nga Ukraina, nuk kemi të bëjmë vetëm me një sukses taktik. Kemi të bëjmë me goditjen e njërit prej miteve më të vjetra të gjeopolitikës ruse: paprekshmëria e thellësisë siberiane.
Kështu, Vlladimir Putin, i cili u premtoi rusëve rikthimin e lavdisë së dikurshme sovjetike dhe restaurimin e madhështisë së Rusisë si fuqi botërore, sot po përballet me të kundërtën.
Lufta që ai nisi për ta ringritur mitin e fuqisë ruse po rrezikon të godasë vetë disa prej themeleve simbolike mbi të cilat është mbështetur ky mit.
Një mësim i vlefshëm nga historia, të cilin shtetet rrallëherë e pranojnë, është se projektet për restaurimin e lavdisë së humbur dhe rikthimin e një epoke të artë të së shkuarës shpesh përfundojnë në katastrofë.
Fuqitë që përpiqen të rikthejnë një botë që nuk ekziston më, zakonisht nuk e përsërisin historinë, sepse ambiciet e tyre bëhen pluhur e hi në kufijtë e një realiteti të ri.



