Shkruen e knon: Lirim Patrioti
(Lirim Gashi, Prizren)
TV OPOJA – I VETMI TELEVIZION QË NUK TRANSMETON PROGRAM, POR GJENDJE TË RËNDË SHPIRTËRORE
TV Opoja është, me shumë gjasë, i vetmi televizion në botë që nuk transmeton program, por gjendje të rëndë shpirtërore.
Punon njëzet e katër orë në ditë, shtatë ditë në javë, pa u lodhur kurrë, sepse, me sa duket, me energji elektrike e furnizon drejtpërdrejt Departamenti Qiellor i Imamit Azdren Shala.
Sapo e shtyp butonin e telekomandës, nuk të pret ndonjë lajm, film apo debat politik. Jo. Të pret një melodi aq mortore, sa edhe ora e murit i ndalon akrepat për një minutë heshtjeje, ndërsa lulet në vazo fillojnë të mendojnë seriozisht për jetën e përtejme. As reflektorët e studios, as mikrofonët e këngëtarëve nuk kanë formë të zakonshme.
Nga dashuria dhe respekti për Profetin më të dashur të Allahut, ata janë modeluar sipas varrit të tij. Njeriu i painformuar do të besonte se e kanë doktoruar arkitekturën çeçene të mauzoleve. Mikrofonët, ndërkaq, nuk regjistrojnë zë. Ata regjistrojnë pendim.
Nëse arrin ta shikosh programin më shumë se pesëmbëdhjetë minuta pa e pyetur veten nëse je ende gjallë apo ke kaluar tashmë në botën tjetër, meriton medalje për qëndrueshmëri psikike.
Sa më shumë që emisioni i afrohet fundit, aq më tepër të duket sikur ke mbërritur para portës së Xhenetit. Por aty nuk të presin engjëjt. Të pret komisioni pranues, i përbërë nga Opojuš Hajvančić, Dragaš Milošević dhe Mazlem Zulumović.
Të shikojnë me një seriozitet të tillë, sa edhe gurët e varreve ndiejnë keqardhje të sinqertë për ty. Nëse e kalon provimin, porta të hapet ngadalë me çelësat që, sipas gojëdhënës, vetë Allahu i Mëshirshëm ia ka besuar zonjës Erdoganka Pičkobrijić. Nëse nuk e kalon… Mos u mërzit. Programi përsëritet pas pesë minutash.
Në TV Opoja edhe përjetësia transmetohet me reprizë. Pastaj fillojnë reklamat dhe ti gëzohesh, duke menduar se Allahu Mëshirues t’i ka dhuruar pesë minuta pushim nga funerali yt. Por pikërisht atëherë e kupton se fizika ka falimentuar, biologjia ka dhënë dorëheqje, ndërsa muzika është shpallur zyrtarisht degë e patologjisë ligjore. Këngëtari nuk këndon. Ai melodinë e lexon sikur violinistit po ia komunikon rezultatet e autopsisë sate. Madje edhe notat muzikore ecin me bastun, të veshura me të zeza, duke mbajtur zi për ritmin. Kamera lëviz aq ngadalë, sa edhe breshka i ankohet regjisorit se po e nxiton pa nevojë. Regjisori nuk bën montazh. Ai pret me durim që edhe vetë sekondat të plaken, përpara se të kalojë në kuadrin tjetër.
Pas gjysmë ore shikimi, familjet e Opojës fillojnë pëshpërisin brenda shtëpive të tyre, nga frika se mos po e zgjojnë nga gjumi Azrailin (exhelin) sepse druajnë se pastaj i fton në darkë. Edhe frigoriferi pushon së gumëzhuari, ndërsa lavatriçja kalon vetvetiu në programin “lutje me përulësi”. Meteorologët kanë vënë re një dukuri të pazakontë. Sa herë që ndizet TV Opoja, retë mblidhen vetvetiu mbi antenë, ndërsa Dielli paraqet kërkesë për pushim vjetor. Thuhet se një turist, krejt rastësisht, e zbuloi këtë kanal.
Pas tre minutash e pyeti recepsionistin e hotelit: — Më falni… a jam ende në Kosovistan apo kam hyrë gabimisht në kapitullin e fundit të historisë së njerëzimit? Edhe telekomanda, pas disa ditësh përdorimi, refuzon ta ndezë atë kanal. Butoni OK shndërrohet vetvetiu në “A je i sigurt?”, ndërsa butoni për ngritjen e zërit nuk e shton tingullin — vetëm e thellon trishtimin. Kulmi arrin kur ndërpritet energjia elektrike. Të gjitha televizionet e tjera heshtin. Vetëm TV Opoja e vazhdon transmetimin.
Askush nuk e di prej nga e merr sinjalin. Disa thonë se i vjen nga sateliti. Të tjerë betohen se buron nga trekëndëshi magjik i hoxhanices Igballe Huduti. Pesimistët më të mëdhenj besojnë se vetë heshtja është bërë sponsori zyrtar i programit. Në fund, spikeri të uron natë të mirë me një buzëqeshje aq solemne, sa ti fillon të dyshosh nëse vërtet të buzëqeshi apo ishte thjesht një defekt teknik. Prandaj mos u çudit nëse një ditë UNESCO e shpall TV Opojën trashëgimi botërore. Jo për programin. Por si rezervatin e fundit në botë ku humori hyri gabimisht… dhe nuk arriti të dilte më kurrë.


