Një deklaratë e papërgjegjshme nga Podgorica?

Shkrime relevante

BIA e Serbisë po e shfrytëzon Islamin për agjendat e veta antishqiptare

DOKUMENT: BIA serbe prezente në Kosovë, po e përdorin ISLAMIN? DEBAT...

Në Gjenevë u shënua Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjeve me Forcë

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, në bashkëpunim...

Bekim Sejdiu President, a po i kthehet Kosova profilit institucional?

Gjatë shërbimit të tij diplomatik në Nju Jork, Prof. Dr. Bekim...

Një deklaratë e papërgjegjshme nga Podgorica?

Nga Frank Shkreli ___ Në kulmin e pushimeve evropiane, Podgorica hedh një bombë...

Paqja nuk ndërtohet duke heshtur për shkaqet e konfliktit

Luan Dibrani, Durrës ____ Reagim ndaj letrës së hapur drejtuar Naim Tërnavës dhe...

Shpërndaj

Nga Frank Shkreli
___
Në kulmin e pushimeve evropiane, Podgorica hedh një bombë politike:
Pse përmendet Shqipëria?
Shpesh thuhet se, “Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë, kështu që ajo përhapet dhe ndikon në të gjithë botën”. Në pikë të gushtit, kur pjesa më e madhe e Evropës është me pushime dhe vëmendja e opinionit publik është larg zhvillimeve politike, nga Podgorica shpërthen një deklaratë bombë. Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, njofton se dy shtete të rajonit po përgatisin, sipas informacioneve që ai i cilëson “serioze operative”, veprime hibride për destabilizimin e vendit dhe pengimin e rrugës së tij drejt Bashkimit Evropian.  Deklarata e kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajić, se të paktën dy shtete të rajonit po përgatisin veprime hibride për destabilizimin e Malit të Zi, është një deklaratë që nuk mund të kalojë pa u analizuar seriozisht. Sepse në diplomaci, veçanërisht midis dy vendeve fqinje dhe aleate të NATO-s, edhe një aludim mund të ketë pasoja politike.  Spajić tha më 27 gusht se kishte “informacione serioze operative të sigurisë” se mbyllja e kapitujve të rinj të negociatave me Bashkimin Evropian do të shoqërohej me një veprimtari të bashkrenduar hibride, në të cilën, sipas tij, përfshiheshin zyrtarë të të paktën dy shteteve fqinje të rajonit. Sipas tij, synimi ishte destabilizimi i Malit të Zi dhe pengimi i rrugës së tij evropiane.  Por kryeministri malazez nuk i emërtoi këto shtete. Por disa orë më vonë, gazeta e njohur malazeze Vijesti, duke iu referuar disa burimeve, publikoi pretendimin se Spajić kishte parasysh Serbinë dhe Shqipërinë.  Këtu fillon shqetësimi.  Sepse, nëse Shqipëria ishte njëra prej vendeve për të cilat kryeministri malazez kishte informacion të tillë, atëherë kemi të bëjmë me një çështje jashtëzakonisht serioze. Shqipëria dhe Mali i Zi nuk janë thjesht dy vende fqinje. Të dyja janë anëtare të NATO-s, kanë marrëdhënie zyrtare miqësore dhe ndajnë objektivin strategjik të integrimit evropian.  Në këtë rrethanë, një akuzë për veprimtari hibride dhe destabilizim nuk është një deklaratë e zakonshme politike. Është një akuzë me peshë të rëndë ndërkombëtare.  Prandaj lind pyetja: ku janë provat?   Nëse një kryeministër disponon informacione operative të sigurisë për ndërhyrje të një shteti tjetër në destabilizimin e vendit të tij, kjo çështje duhet trajtuar në institucionet kompetente, përfshirë strukturat e NATO-s dhe partnerët evropianë. Nuk është e mjaftueshme që publiku të dëgjojë se ekzistojnë “informacione serioze operative”, ndërsa emrat e shteteve dhe provat mbeten të padeklaruara.
Në rastin e Shqipërisë, situata bëhet edhe më e ndjeshme.  Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, reagoi duke theksuar se nuk ka pasur asnjë akuzë zyrtare ndaj Shqipërisë, por njëkohësisht e mohoi prerazi çdo përfshirje të Tiranës në ndonjë skenar destabilizues në Mal të Zi.  Ky reagim ishte i natyrshëm. Shqipëria nuk mund të pranojë që emri i saj të vendoset në një listë të dyshimtë shtetesh që pretendohet se po punojnë kundër stabilitetit të një vendi fqinj.  Por edhe Podgorica duhet ta kuptojë se aludimet kanë pasoja.  Nëse Spajić nuk e ka pasur fjalën për Shqipërinë, atëherë është në interes të tij dhe të qeverisë së tij që ta bëjë këtë të qartë. Nëse e ka pasur fjalën për Shqipërinë, atëherë duhet të ketë kurajën institucionale dhe politike të dalë publikisht me prova dhe ta sqarojë akuzën.  Sepse, nuk mund të ketë një situatë ku një kryeministër flet për dy shtete që po destabilizojnë vendin e tij, ndërsa mediat identifikojnë njërin prej tyre si Shqipërinë. Ndërkohë që më pas mbetet në ajër pyetja nëse kryeministri e kishte apo nuk e kishte fjalën për Tiranën zyrtare.  Kjo nuk është mënyrë serioze për të menaxhuar marrëdhëniet midis vendeve fqinje, aq më tepër midis vendeve anëtare të NATO-s.
Çështja ka edhe një dimension tjetër, që në Tiranë duhet të merret seriozisht.   Janë shqiptarët në Mal të Zi, një dimension që nuk duhet harruar.  Shqipëria dhe shqiptarët ka një interes të drejtpërdrejtë në stabilitetin, demokracinë dhe integrimin evropian të Malit të Zi, jo vetëm për shkak të marrëdhënieve ndërshtetërore, por edhe për shkak të pranisë historike të shqiptarëve në Mal të Zi.  Ulqini, Tuzi, Plava, Gucia dhe trevat e tjera shqiptare janë pjesë e pandashme e historisë së shqiptarëve në Mal të Zi. Shqipëria ka detyrimin moral dhe politik të interesohet për pozitën dhe të drejtat e shqiptarëve atje.  Por kjo është krejtësisht ndryshe nga destabilizimi i Malit të Zi. Frank Shkreli: Flamuri shqiptar në gjyq, ku janë vlerat evropiane të Malit të Zi? | Gazeta Telegraf
Përkundrazi, një Mal i Zi i qëndrueshëm, demokratik dhe evropian është në interesin e drejtpërdrejtë të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.  Shqiptarët e Malit të Zi nuk kanë nevojë për një krizë të re politike midis Podgoricës dhe Tiranës. Kanë nevojë për institucione demokratike, respektim të të drejtave të tyre të identitetit të tyre kombëtar, përfaqësim politik dhe zhvillim ekonomik.  Prandaj është e papranueshme që çështjet e brendshme politike të Malit të Zi të shndërrohen në akuza të mjegullta ndaj fqinjëve.  Aleanca NATO është një organizatë serioze, politike dhe ushtarake — me 32 shtete anëtarë në Evropë dhe Amerikën e Veriut, themeluar në 1949 — dhe nuk është vendi i aludimeve.
Kjo është pika kryesore.  Një vend anëtar i NATO-s që beson se një tjetër vend anëtar po ndërmerr veprime hibride kundër tij, ka në dispozicion mekanizma institucionalë dhe aleatë me të cilët mund të ndajë informacionin.  Nëse ka prova, ato duhet të hetohen.  Nëse ka kërcënim real, ai duhet të trajtohet.  Nëqoftëse ka ndërhyrje të huaj, autorët duhet të identifikohen.  Por nëse nuk ka prova të mjaftueshme për t’i bërë publike, atëherë një kryeministër duhet të tregojë kujdes të jashtëzakonshëm në deklaratat e tij.  Sepse një fjalë e kryeministrit nuk është një koment i zakonshëm në rrjetet sociale. Ajo mund të ndikojë në marrëdhëniet ndërkombëtare, në opinionin publik dhe në besimin midis shteteve.  Sidomos kur bëhet fjalë për vende anëtare të NATO-s.
Në fakt, edhe Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović, (sipas burimeve të ai) ka reaguar duke kërkuar që çështjet e sigurisë dhe stabilitetit të trajtohen me kujdes e përgjegjësi, mbi bazën e fakteve dhe përmes institucioneve. Ai ka thirrur për 31 gusht një mbledhje urgjente të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë të ved nit të tij, për të kërkuar informacion të saktë mbi pretendimet e kryeministrit.  Kjo është shumë domethënëse.  Sepse edhe brenda Malit të Zi po kërkohet që deklaratat e kryeministrit të shoqërohen me fakte dhe përgjegjësi institucionale.  Dhe kjo është pikërisht ajo që duhet kërkuar edhe nga Shqipëria. Nëse Shqipëria akuzohet, le të dalin provat.  Nëse nuk akuzohet, le të thuhet qartë. Sepse në marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje, sidomos midis dy vendeve anëtare të NATO-s, nuk mund të ndërtohet politika mbi aludime.  Historia e marrëdhënieve shqiptaro-malazeze është shumë e gjatë për t’u trajtuar me deklarata të papeshuara. Dhe shqiptarët e Malit të Zi janë shumë të rëndësishëm për t’u bërë pjesë e një loje të re politike rajonale.
Një kryeministër ka të drejtë të mbrojë vendin e tij. Por pikërisht sepse është kryeministër, ka edhe detyrimin të masë fjalët e tij.  Në rastin konkret, pyetja mbetet e hapur:  Nëse ekzistojnë vërtet “informacione serioze operative” për një përpjekje për destabilizimin e Malit të Zi, pse nuk bëhen të qarta faktet dhe pse lihet hapësirë që një vend fqinj dhe aleat i NATO-s si Shqipëria të vihet në shënjestër të dyshimeve?  Kjo është një pyetje që Podgorica zyrtare duhet t’i përgjigjet.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu