
Astrit Qazim Memia, Tropojë
Imazhi Shqiptar & Identiteti Kombëtar
Mullini i historisë që bluan drithin, Ujëvara që ruan kujtesën…
Nji ditë vllaznore me Prof. Agim Bërdynën, mes historisë, arsimit, mikpritjes dhe misionit kombëtar. Ka vende që i viziton dhe i harron. Ka edhe vende që, sapo i lë pas, fillojnë të jetojnë brenda teje. Ka takime që zgjasin disa orë, por kujtimi i tyre zgjat nji jetë. E tillë ishte dita ime në Radavc të Pejës, pranë nj vllai të nderuar e të ndriçëm, Prof. Agim Bërdynës, personalitet i arsimit, kulturës dhe jetës shqiptare, të cilin me krenari e kemi vlerësuar edhe si Ambasador të Imazhit Shqiptar, në Arsim.
Por këtë herë nuk shkova thjesht për të takuar profesorin. Shkova te nji familje, nji histori dhe nji traditë. Sepse pas emrit Bërdyna qëndron nji derë e madhe shqiptare, nji familje e njohur për atdhedashuri, punë, urti, humanizëm e mikpritje; nji familje që ka mbajtur në gjirin e saj breza të shumtë dhe që, sipas kujtesës familjare, në nji kohë ka bashkëjetuar me dhjetëra(90 veta) pjesëtarë nën nji çati. Kjo nuk ishte thjesht nji shtëpi…
Ishte nji botë shqiptare në miniaturë. Nji botë ku familja ishte themeli, besa ishte ligji, buka ishte e shenjtë dhe atdheu ishte mbi gjithçka.
Nji FAMILJE, që e ka njohur LIRINË si detyrë. Historia e familjes Bërdynaj është e lidhur me historinë e kësaj treve dhe me përpjekjet e shqiptarëve për liri e dinjitet kombëtar. Për breza me radhë, burra të kësaj dere kanë dhënë kontributin e tyre në kohë të vështira, duke dëshmuar se liria nuk fitohet vetëm me fjalë, por me, gjakë, mund, djersë e sakrifica sublime.
Prandaj, kur ulesh pranë Prof. Agimit dhe e dëgjon të flasë për të parët, nuk dëgjon vetëm historinë e nji familjeje, por dëgjon zërin e nji treve, dëgjon kujtesën e Dukagjinit, dëgjon nji pjesë të historisë shqiptare që ende jeton në oda, në shtëpi, në mullinj, në male e në kujtesën e njerëzve.
Prof. Agim BËRDYNA dhe ARSIMI si urë vllaznore… Nji kapitull i veçantë i jetës së Prof. Agimit është kontributi i tij në arsim. Pas Luftës së Kosovës të vitit 1999, në detyrat drejtuese që ka mbajtur në arsimin e Pejës dhe në Ministrinë e Arsimit në Prishtinë, ai ka qenë nji prej njerëzve që e ka parë arsimin jo vetëm si institucion, por si mision kombëtar. Mbështetja për shkollat dhe nxënësit në zonat kufitare shqiptaro-shqiptare, përfshirë treva të Tropojës, Margegajt, Bytyçit, Hasit e ma gjerë, ishte nji gjest që kapërcente kufijtë administrativë.
Sepse nji libër, nji laps, nji fletore, nji bankë, ni tabelë, nji çantë, nji hartë, e dërguar te nji fëmijë shqiptar në nji zonë kufitare nuk janë vetëm mjee shkollore, por është nji dorë e zgjatur vllaznore.
Është mesazhi: “Ti nuk je vetëm.” Dhe ky është nji prej kuptimeve ma të bukura të arsimit. DRINI I BARDHË, uji që rrjedh e kujtesa qê mbetet. Pastaj erdhi Ujëvara e Drinit të Bardhë. Në Rada(v)c, aty ku uji del prej zemrës së malit dhe zbret nëpër shkëmbinj, natyra duket sikur ka ngritur nji monument të vetin.
Ujëvara është rreth 25 metra e nalt dhe buron nga Drini i Bardhë; së bashku me burimin dhe Shpellën e Radacit, kjo zonë është nën mbrojtje si monument natyror për vlerat e saj të veçanta. Por shifrat nuk mund ta tregojnë atë që sheh syri…
Atje, duhet të jesh; Duhet ta dëgjosh ujin; Duhet të shikosh malin; Duhet të marrësh frymë thellë dhe mbi të gjitha, duhet të dëgjosh historinë që e rrethon këtë vend. Bisedat tona aty nuk kishin fund.
Historinë e kësaj treve e lidhëm me historinë e qëndresës shqiptare ndër shekuj; me Plavën e Gucinë, me Kosovën e Dardaninë Antike, me mbrojtjen e trojeve shqiptare, me luftën e fundit dhe me sakrificën e UÇK-së.
Në atë peizazh madhështor, ku natyra të kujton fuqinë e Krijuesit, historia të kujton edhe fuqinë e njeriut që nuk dorëzohet. MULLINI I BËRDYNAJVE, nji monument i Buks t’ shejt, i Besëpaqt dhe Bereqetit të bekuem…
Nga Ujëvara shkuam te nji tjetër dëshmitar i historisë: Mullini i Bërdynajve. Nji mulli i vjetër guri, që sipas të dhënave të trashëguara dhe dëshmive familjare është rreth 300 vjet i vjetër. Gurët e tij nuk janë thjesht gurë. Secili prej tyre duket sikur ka nji histori për të treguar. Për shekuj me radhë aty është bluar drithi i njerëzve që vinin nga vise të ndryshme të Dukagjinit e ma larg. Karvanet me kuaj prisnin ditë të tëra për të bluar bukën e familjeve të tyre. Por mulliri nuk ishte vetëm vend pune, ishte vend solidariteti, ishte konak, ishte strehë, ishte sofër, ishte nji vend ku njeriu i lodhun gjente pushim. Dhe këtu më erdhi natyrshëm të mendoj: Çfarë është ma madhështore se nji vend ku është bluar gruni e drithi dhe është ushqyer nji popull? Buka shqiptare ka qenë gjithmonë e shenjtë.

Agim Berdyna
Dhe familja Bërdynaj e ka ruajtur këtë filozofi me nji parim të thjeshtë: mos e prek djersën e tjetrit, mos e fut haramin në shtëpi dhe mos e humb bereqetin. Kjo është nji pasuri morale që nuk matet me para. SOFRA, që u ba “DREKË PUNE”. Pastaj erdhi sofra. Dhe siç e ka zakoni shqiptari, sofrën nuk e ndan nga fjala e mjaltë.
Trofta e freskët, nji gotë birrë Peja dhe biseda që vazhdonte pa fund. Nji drekë vllaznore, por që ne e quajtëm edhe me humor “drekë pune”.. Sepse, puna për kombin nuk njeh orar. Folëm për historinë, për kulturën, për arsimin, për demokracinë, për diplomacinë publike e kulturore, për albanologjinë, për etnokulturën, për arkeologjinë dhe për botimet e FIM-it.
Dhe natyrshëm, biseda u kthye te Imazhi Shqiptar në Botë. Sa shumë kemi ende për të treguar! Sa shumë vepra për të botuar!
Sa shumë histori për të nxjerrë nga harresa! Sa shumë pasuri shqiptare për t’ia paraqitur botës! Sepse, Shqypnia nuk duhet t’i tregojë botës vetëm bukuritë e saj, lipset e duhet t’i tregojë edhe kujtesën; Duhet t’i tregojë dijen; Duhet t’i tregojë kulturën; Duhet t’i tregojë njerëzit; Duhet t’i tregojë historinë e vërtetë.
Kafja e fundit, si Bekim i MIKPRITJES
Pas Mullinit të historisë, nji kafe në shtëpinë e Prof. Agimit. Fruta bio, Bereqet, Buzëqeshje, Fjalë të mjalta e të mira… dhe ajo mikpritje e pastër shpirtënore shqiptare që nuk ka nevojë për dekor. Ajo vjen natyrshëm, vjen prej zemrës, vjen prej traditës, vjen prej nji shtëpie, ku të mëdhenjtë i kanë mësuar brezat e rinjë, se mysafiri është nder, buka është amanet dhe fjala është besë. Bac, MEMI GASHI tana herët thonke:” Mosmirnjohja, kryeves e nuk ka emën, Mirënjohja asht detyrim hyjnor te ne shqiptarët dardan”.
U largova prej asaj dere me nji ndjenjë të fortë mirënjohjeje. Por edhe me nji tjetër ndjenjë, detyrimin, sepse njerëz të tillë nuk të lejojnë të rrish duarkryq; Të motivojnë, të frymëzojnë, të obligojnë, të kujtojnë se deri në frymën e fundit duhet të bëjmë diçka për këtë tokë, për këtë popull, për këtë histori. T’ i ruajmë si sytë e ballit këto pasuni me vlera numizmatike… Këto mrekulli të natyrës dhe të historisë nuk janë pronë vetëm e nji brezi, janë amanet; Ujëvara e Drinit të Bardhë duhet ruajtur, burimi duhet mbrojtur, mullini duhet ruajtur, historia duhet dokumentuar, tradita duhet përcjellë, gjuha duhet mbrojtur e pasunuar nga fjala e popullit, arsimi duhet forcuar e modernizuar dhe t’ u përgjigjet nevojave bashkëkohore, sepse nji komb që harron burimet e veta, humb rrugën e udhën drejt së ardhmes. Ne duhet t’i ruajmë këto pasuri si sytë e ballit.
Të gjithë së bashku pë ma shumē Shqypni, shqiptari e Neoshqiptarizëm: Për Nji Shqipni Enike Shqiptare, Reale e të Vërtetë, Natyrale; Nji Shqipni, ku bukës i thuhet bukë, ujit i thuhet ujë dhe identiteti nuk ka nevojë të shpjegohet, aty ku na bashkojnë tri shtylla themelore: GJUHA. GJAKU. GJEOGRAFIA dhe mbi të gjitha, dashuria për atdheun.
MIRËNJOHJE, Vlla, AGIM!
I dashtun, vëlla, Profesor i ndriçëm Agim Bërdyna, Faleminderit për mikpritjen vllaznore! Faleminderit për sofrën pa rrudha në ballë, por i buzëqeshur me plot energji pozitive! Faleminderit për historitë! Faleminderit për kujtesën! Faleminderit për kontributin tënd në arsim dhe për atë urë që ke ndërtuar mes shqiptarëve përmes dijes!
Faleminderit familjes Bërdynaj, që përmes historisë së saj na kujton se patriotizmi nuk është vetëm fjalë, por trashëgimi, sakrificë, punë dhe vepër! Uroj që kjo miqësi e kjo vllazni të vazhdojë gjatë deri në pafundësi dhe të kthehet në projekte të reja për kulturën, arsimin, historinë dhe Imazhin Shqiptar në Botë, sepse miku i mirë nuk të jep vetëm nji kafe, por të jep Nji kujtim, Nji ide, Nji frymëzim dhe Nji detyrë…
E detyra jonë është e madhe: T’ia tregojmë botës Shqypninë që kemi në zemër. KOMBI SHQIPTAR, IMAZHI IM!
Përkushtimisht Astrit Qazim Memia, Rada(v)c, Pejë, më 28 Gusht 2026!


