Për dekada shqiptarët e Kosovës jetuan nën një regjim që ua mohoi të drejtat themelore politike, ekonomike dhe njerëzore. Pas shfuqizimit të autonomisë në vitin 1989, qindra mijëra shqiptarë u larguan nga vendet e punës, shkollat, universiteti dhe administrata publike. Institucionet nuk ishin më në shërbim të qytetarit, por në funksion të një sistemi represiv. Dhuna nuk ushtrohej vetëm me armë; ajo ushtrohej edhe përmes ligjeve diskriminuese, përjashtimit ekonomik, kontrollit administrativ dhe frikësimit të përditshëm.
Në këto rrethana, rezistenca shqiptare mori forma të ndryshme. Demonstratat e vitit 1968, lëvizjet studentore të vitit 1981, rezistenca paqësore e viteve nëntëdhjetë, sistemi paralel i arsimit dhe shëndetësisë, veprimtaria ilegale, angazhimi i diasporës dhe më vonë lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin pjesë të së njëjtës përpjekje historike. Çlirimi nuk ishte vepër e një individi, një partie apo një organizate të vetme; ai ishte rezultat i sakrificës së një populli të tërë dhe i mbështetjes vendimtare të aleatëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.
Megjithatë, historia na shtron një pyetje të vështirë: si ndodh që popujt që fitojnë luftën për liri shpesh hasin vështirësi në ndërtimin e paqes? Pse fitoret historike nuk shndërrohen automatikisht në fitore institucionale?
Historia moderne tregon se mobilizimi për çlirim nuk është i njëjtë me aftësinë për të ndërtuar shtet. Lufta bashkon, ndërsa paqja kërkon institucione, kulturë demokratike, përgjegjësi dhe sundim të ligjit. Pikërisht këtu fillon sprova më e madhe e një kombi.
Liria nuk është vetëm e drejta për të folur. Ajo është përgjegjësia për të ndërtuar institucione që mbrojnë qytetarin. Demokracia nuk matet me numrin e fjalimeve patriotike, por me pavarësinë e gjyqësorit, funksionimin e administratës, luftën kundër korrupsionit dhe barazinë para ligjit.
Një nga gabimet tona ka qenë prirja për ta romantizuar historinë, ndërsa kemi analizuar shumë pak shkaqet e suksesit dhe të dështimeve tona. Shpesh kemi preferuar mitin në vend të analizës. Shoqëritë e pjekura nuk ndërtojnë mite për të fshehur dobësitë, por ndërtojnë institucione për t’i korrigjuar ato.
Duhet të pranojmë se ndryshimet më të mëdha në historinë tonë nuk kanë ardhur vetëm nga elitat politike. Demonstratat studentore, mësuesit që vazhduan arsimin në kushte të pamundura, profesorët, punëtorët, familjet shqiptare dhe mijëra qytetarë të zakonshëm mbajtën gjallë identitetin kombëtar në periudhat më të vështira. Ata nuk kërkuan privilegje; ata kërkuan të drejtën për të jetuar të lirë.
Po aq i rëndësishëm ishte edhe kontributi i diasporës shqiptare. Për dekada me radhë, mijëra bashkatdhetarë organizuan protesta, lobuan në parlamentet perëndimore, financuan rezistencën, informuan opinionin ndërkombëtar dhe hapën dyert e institucioneve amerikane dhe evropiane për çështjen e Kosovës. Shumica e tyre mbetën larg vëmendjes publike. Ata ishin diplomatët e heshtur të një kombi pa shtet.
Një komb që harron njerëzit e vet humbet gradualisht edhe kujtesën historike. Prandaj nuk duhet të kujtojmë vetëm figurat politike apo ushtarake. Duhet të kujtojmë mësuesit që mbajtën hapur shkollën shqipe, profesorët që edukuan breza të tërë, gazetarët që sfiduan censurën, veprimtarët e diasporës që trokitën në dyert e Kongresit Amerikan, familjet që strehuan nxënësit dhe qytetarët e zakonshëm që mbajtën gjallë dinjitetin kombëtar.
Historia nuk duhet të shërbejë për vetëkënaqësi. Ajo duhet të jetë mësuesja jonë më e mirë.
Një mësim i rëndësishëm vjen edhe nga zhvillimi i kombeve të tjera. Përparimi nuk është produkt i rastësisë, as vetëm i pasurisë natyrore. Ai është rezultat i arsimit, punës, inovacionit dhe institucioneve funksionale. Historia e Shteteve të Bashkuara e dëshmon se zhvillimi ekonomik u ndërtua nga breza njerëzish me prejardhje të ndryshme që investuan në dije, industri dhe sipërmarrje. Në të njëjtën kohë, historia amerikane na kujton edhe padrejtësitë e mëdha të bëra ndaj popujve autoktonë dhe komuniteteve të tjera. Kjo na mëson se zhvillimi nuk duhet të idealizohet, por të kuptohet në të gjithë kompleksitetin e tij.
Edhe Prishtina nuk u zhvillua rastësisht. Universiteti, industrializimi, migrimi i brendshëm, puna e mijëra punëtorëve dhe ardhja e brezave të rinj të arsimuar ndryshuan fytyrën e qytetit. Në këtë proces kontribuan njerëz me bindje të ndryshme politike, por me një ideal të përbashkët: përparimin e shoqërisë shqiptare.
Prandaj nuk duhet të ndajmë historinë në “legalistë” dhe “ilegalistë”, në “tanët” dhe “atyre”. Secili që punoi me ndershmëri për lirinë, arsimin, shtetin dhe identitetin shqiptar është pjesë e së njëjtës histori kombëtare.
Sot sfida jonë nuk është më çlirimi territorial. Sfida është çlirimi i institucioneve nga korrupsioni, klientelizmi, nepotizmi dhe mediokriteti. Një shtet nuk dobësohet vetëm nga kërcënimet e jashtme; ai dobësohet edhe kur qytetarët humbin besimin tek drejtësia dhe tek barazia para ligjit.
Brezi i ri duhet të ndërtojë një Kosovë ku meritokracia të jetë normë, jo përjashtim; ku pushteti të jetë shërbim publik dhe jo privilegj personal; ku patriotizmi të matet me respektimin e ligjit dhe jo me sloganet.
Nëse prindërit dhe gjyshërit tanë nuk do ta kishin ruajtur gjuhën, shkollën dhe identitetin kombëtar në kohët më të vështira, historia jonë do të kishte qenë krejt tjetër. Ata nuk na lanë vetëm kujtime; na lanë një përgjegjësi.
Prandaj, çlirimi nuk duhet të mbetet vetëm një datë në kalendar. Ai duhet të jetë një proces i përditshëm i mbrojtjes së lirisë, drejtësisë dhe demokracisë.
Sepse çlirimi nuk është metaforë artistike.
Çlirimi është sakrificë për liri. Ndërsa liria ruhet çdo ditë me dije, drejtësi, kujtesë historike dhe institucione të forta



