____
Tetëdhjetë vjet pas Luftës së Dytë Botërore dhe më shumë se tri dekada pas rrëzimit të diktaturës, ende dëgjoj nga goja e politikanëve të së ashtuquajturës Shqipëri “demokratike” të njëjtat etiketime që dikur dilnin nga zyrat e propagandës komuniste.
“Hajdutë pulash.”
Pas këtij etiketimi fshihet një mënyrë e të menduarit që ka vrarë më shumë se plumbat: mënyra poshtëruese që damkos, që nuk kërkon të vërtetën, por bindjen e verbër.
Kjo është gjuha e komisarit politik në komunizëm, në vitin 2026!
Kur një kryeministër zgjedh të përsërisë karikaturat ideologjike të një regjimi që burgosi, internoi dhe pushkatoi mijëra shqiptarë, do të thotë se ai vetëm po i fryn hirit të urrejtjes, siç kanë bërë tashmë prej 80 vitesh.
Shumë prej atyre që u rreshtuan në kampin e Ballit Kombëtar kishin studiuar në universitetet më të mira europiane, kishin lexuar Aristotelin, Kantin, Montesquieu-n, dhe ishin kthyer në Atdhe me bindjen se Shqipëria mund të ndërtonte një shtet të së drejtës, me institucione moderne, pluralizëm politik dhe një kulturë qytetare të denjë për traditën europiane, pa mohuar historinë, identitetin dhe rrënjët e saj kombëtare.
Të gjithë këta njerëz e paguan shtrenjtë bindjen dhe dëshirën e tyre për një Shqipëri demokratike. Burgje, internime, konfiskime, pushkatime. Fëmijë që u rritën me damkën e “armikut”. Gra që pritën burra që nuk u kthyen kurrë. Pleq që vdiqën pa parë drejtësi. Dhe sot, pas gjithë atij kalvari, dëgjojnë sërish të njëjtën gjuhë përçmimi. Sa e varfër duhet të jetë një politikë që, edhe pas kaq dekadash, ende ushqehet me fyerjet e një diktature?
Pas 35 vitesh tranzicion e mijëra shqiptarë të larguar, pas luftës civile, vjedhjeve, deformimit të aparatit të drejtësisë, dhjetra e qindra politikanëve me dosje vjedhjesh ende të padënuar, pushtetarët në Shqipëri bëjnë rolin e të fortit duke mbajtur veshur uniformën e propagandës.
Sa i varfër duhet të jetë një njeri, që përveç vjedhjes me thasë e vaporë i vetmi argument që përdor për popullin e tij është fyerja?


