PA KOSOVË NUK KA ULQIN
___
Ne në Mal të Zi nganjëherë provojmë që të gjitha të pabërat t’i mbulojmë me “por gjuhën e kemi rujtë!”. Në fakt, sa është meritë e jona që në Ulqin ende flitet shqip? Më pak sesa kemi dëshirë ta besojmë.
Shqipja deri në vitin 2026 ka mbërritur jo vetëm falë nesh, por me inercion dhe fat, duke u rrokullisë nën forcën e gravitetit historik.
Pas dorëzimit të Ulqinit Malit të Zi, gjasat ishin se shqipja do të ishte zhdukur në disa dekada. Pikërisht kur asimilimi dukej i pashmangshëm, rrethanat ndryshuan. Austro-Hungaria solli shkollat shqipe, Lufta e II Botërore Shqipërinë, komunizmi shkollimin e lartë shqip dhe turistin kosovar.
Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë që nuk pati sakrifica për ruajtjen e gjuhës, duke filluar nga mësuesit, klerikët, aktivistët, nënat, intelektualët, por të gjitha ato qenë të frytshme sepse historia na dha shansin dhe hapësirën për ta ruajtur.
Iluzioni se ishte vetëm merita e jonë që ruajtëm gjuhën shqipe është në fakt shumë i dëmshëm. Prodhon konkluzionin e gabuar se paskemi fortitude mitike kombëtare, që nuk e kemi. Ky iluzion ka edhe një efekt anësor tjetër, mos edhe më të dëmshëm se ai i pari. Na bën të relaksohemi dhe konkludojmë se “kur ka duru deri tani, me qindra vjet, po si ka shansë të tretet tani”?
Kur e ardhmja ndërtohet në iluzione, siç është ky më lart, ajo shembet nën peshën e realitetit. Do të shembet shumë shpejt sepse ai realitet tani po na shtang në sy. Shqipja për herë të parë në shumë shekuj është në rrugëtim që të bëhet gjuhë e dytë në Ulqin, që është rrugë e sigurt drejt zhdukjes.
“Kolonizimi” i dytë ka nisur – transferimi masiv i popullatës si pasojë e ndërtimit të pakontrolluar. Kemi mbetë vetëm spektatorë të një fatkeqësie që po vjen. Fatkeqësi e cila ndoshta mund të ngadalësohet, por shumë vështirë të ndalet.
Një nga faktorët më të rëndësishëm në ngadalësimin e këtij procesi dhe, njëkohësisht, një nga gardianët më meritorë të shqipes deri tani është – TURISTI KOSOVAR.
Pjesa më e madhe e turistëve në Ulqin gjithmonë kanë qenë kosovarët. Nga qytetet dhe nga fshatrat më të thella, kosovari ka ardhë në Ulqin. Ata kanë mbushur shtëpitë tona, kurse ne u kemi dhënë detin dhe ranën. Më e rëndësishmja, ata e kanë mbushur qytetin me gjuhën shqipe.
Çdo verë ulqinakët fitonin infuzionin e patriotizmit dhe mirëqenies ekonomike nga Kosova. Të shtrydhur në mes perdes së hekurt të Enver Hoxhës dhe kulturës sllave, kosovari ishte lidhja jetike me botën shqiptare. Ne ishim deti i Kosovës dhe një Kosovë e vogël gjatë muajve të verës.
Por ne thu se nuk po na e ‘rrokë’ se kohërat kanë ndryshuar. Ata po vijnë më pak. Shqipëria është çelur dhe udhëtimi në Evropë është më i lehtë. Por nevoja që kemi për turistin kosovar është e njëjta, mos edhe më e madhe se përpara. Kurse ne sillemi sikur na kanë borxh të vijnë dhe sikur të gjithë turistët janë njësoj.
Kosovari nuk është si çdo turist. Ai ka vend dhe rol të posaçëm dhe nuk zëvendësohet me asnjë tjetër. Ata e dinë që sot vizita Ulqinit, përpos pushimit, është edhe një lloj pelegrinazhi patriotik. Kur shkojnë në Shqipëri, e ndihmojnë atë ekonomikisht, por kur vijnë në Ulqin, ndihmojnë në ruajtjen e trojeve etnike.
Por një ditë ai vullnet dhe durim do të shterret, edhe ajo ndjenjë që vijnë në shtëpi të vet do të zhduket. Vijnë gjenerata të reja, të cilët verat e fëmijërisë i kanë kaluar në zallin e Durrësit, dhe Ulqini do të mbesë për ta një kujtesë e zbehtë e bisedave të prindërve të tyre.
Për të gjithë skeptikët, vetëm paramendoni Ulqinin pa kosovarë. Vendin e tyre e zënë turistë të tjerë nga rajoni. Shqipja çdo vit dëgjohet më pak. Muzikë shqip nuk ka. Shkrimet e bizneseve i përshtaten realitetit të ri. Aty-këtu dhe rrallë dëgjohet shqip nga popullata lokale. Shërbimet më nuk bëhen në shqip. Rastet ku thonë “sto pričate albanski” fillojnë e shtohen. Ngadalë fillojmë të flasim me zë të ulët, që pas një kohe mos të flasim shqip aspak. Kjo e pret Ulqinin nëse i humbasim kosovarët.

Pamje e Plavës, buzë liqenit të saj…!
Duke qenë turist i posaçëm, turisti nga Kosova e meriton dhe trajtimin e posaçëm. Si në promovim, ashtu edhe në përkujdesje. Nëse promovohemi një herë në Sarajevë, duhet të promovohemi tri herë në Prishtinë. Kemi shumë për të bërë që ata të vazhdojnë të na vizitojnë, por një nga përpjekjet më kuptimplota do të ishte ndërtimi i urës mbi lumin Buna. Me këtë urë plazhi i Ulqinit, Velipojës dhe Shëngjinit bëhen një. Me urë shndërrohemi nga një zorrë qorre turistike në transit të rëndësishëm dhe destinacion ku “s’bon pa shku”.
Kosovari në Ulqin vjen me besnikëri dhe një dashuri të vërtetë që neve nganjëherë thu se nuk e kemi inteligjencën emocionale ta shohim. Ajo besnikëri nuk guxon të kthehet me ftohtësinë që bie një transaksion i thjeshtë. Duhet t’u tregojmë me sjellje dhe vepra se, pa ta, shtëpia jonë Ulqini mbetet e mangët dhe e zbrazët kombëtarisht. Nëse nuk përpiqemi, bile përpiqemi shumë fort, t’i afrojmë ata si vëllezër e motra të vërteta, do të vijë dita kur do të lutemi për një fjalë shqip në rrugët tona, por do të jetë vonë.
Sikur Plava të kishte detë, sot në Plavë do flitej shqip.



